top of page

Shkrim vullkan


Sejdi Berisha

Sejdi Berisha

E lexova me kureshtje dhe me vëmendje këtë shkrim vullkan, (SHKRIMI KËTU - KLIKO) që më bëri të rrëqethem, por edhe të krenohem për mendjen e njeriut, për konsideratën dhe shpirtin e madh të krijuesit, z. Fatmir Terziu, i cili nuk di të ndalet duke e ndritur rrugëtimin e njeriut nëpër histori, nuk pushon duke eksploruar dhe duke ndritur begatinë historike të kombit dhe të atdheut, dhe atë në të gjitha fushat, duke filluar nga letërsia dhe historiografia, të cilat gjëra, nëpër decenie e shekuj rrinë strukur dhe heshtur në arkivat e ndryshme të botës, herë si dëshmi e saktë e herë e shtrembëruar nga sunduesit e kohës.

Shkrimi i z. Fatmir Terziu, në këtë rast, nuk është thjeshtë vetëm një ndijim shpirtëror apo inspirim momenti, por është një dëshmi se ky krijues i veçantë dhe i përmasave po ashtu të veçanta, di të çmojë e vlerësojë njerëzisht por edhe profesionalisht çdo fjalë, çdo fjali, çdo mendim, apo varg e poezi, prej të cilave thekshëm e nxjerrë thelbin dhe mesazhin, i cili edhe dhemb, edhe qorton, e që për bazë ka dinjitetin njerëzor, që gjërat për t’i quar deri në fund të praruara me thellësinë e mendimit edhe filozofik, por edhe të tërë asaj që quhet ndërgjegje, që quhet lartësi e vetive njerëzore, e që njeriun e bëjnë të pavdekshëm.

Prapë, më duhet të theksoj, se duke e lexuar këtë shkrim të Fatmir Terziut, mendja më brofi se si krijuesi nuk ka kufi të njerëzores dhe as të asaj që jetën e bën lapidar madhështie, brenda të cilit lapidar ndriçon shpirti i madh dhe i ri i një krijuesi, i cili, edhe pse jashtë atdheut, morali i tij e ka peshën dhe detyrimin e pavdekësisë por edhe të afirmimit të tërë asaj që shpeshherë nga qëndresa na bën edhe të përmallemi, edhe të mburremi, edhe të bëhemi të lumtur, e që të gjitha këto, Terziu mirë di t’i shkrijë në një, duke korresponduar ato aq natyrshëm njëra me tjetrën, sa që edhe atëherë kur lodhemi për shumëçka, na bëjnë të jemi të papërkulur dhe emblemë e veprave të mëdha dhe e njerëzores. Këtë sikur e mundëson ky krijues e njeri me shpirt kurrë të rehatshëm për kauzën njerëzore, për fatin e kombit dhe atdheut, e pse jo edhe të çdo gjëje që frymon njerëzishëm në botë...

Sot, si rrallëherë isha i impresionuar, dhe se ky shkrim i F. Terziut sikur më dha edhe shumë detyrime të tjera edhe në këtë kohë, edhe në këtë moshë...

Ndërsa, poezia në fund të shkrimit, po ashtu ishte një veçanti e karakterit krijues dhe shpirtëror të tij, i cili dëshiron që mendja e tij kudo të jetë prezent dhe e përkushtuar... Këtë e bëjnë vetëm njerëzit e rrallë, njerëzit e veçantë mbase njerëzit erudit...!

Të falënderoj z. F. Terziu për këtë sihariq, i cili do të jetë edhe një prej vulave të rralla në jetën dhe krijimtarinë time.

Me respekt,

Sejdi BERISHA

(Pejë, e shtunë, 25 PRILL 2020)

41 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page