top of page

Albert HABAZAJ: MBRËMJE ME FJALËN - LETËRSIA SHQIPE SOT DHE NESËR

52 minutes ago
6 min read

TETORI I LETËRSISË DHE ARTEVE NË BASHKINË HIMARË: MBRËMJE ME FJALËN - LETËRSIA SHQIPE SOT DHE NESËR

 

Përgatiti: MSc. Albert HABAZAJ

 

Një telefonatë e kapedanes së shpirtit himariot, artistes brilante Katina Beleri dhe njoftimi zyrtar i kryetarit të bashkisë Himarë, dr. Vangjel Tavo më shpuri në sallën me dritë “Neço Muka” në Spile të Himarës sonë...

 

 

Mbrëmje me Fjalën - Letërsia shqipe sot dhe nesër

 

Në kuadër të Muajit të Letërsisë dhe Arteve, Bashkia Himarë organizon një takim letrar kushtuar letërsisë shqipe, zhvillimit të saj dhe sfidave që sjell koha.

Një mbrëmje diskutimi dhe reflektimi me autorë dhe dashamirës të librit, ku do të trajtohen krijimtaria letrare bashkëkohore, marrëdhënia mes autorit dhe lexuesit, promovimi i letërsisë shqipe brenda dhe jashtë vendit, si dhe ndikimi i teknologjisë në të ardhmen e librit.

19 Tetor 2026

Ora 18:00

Salla “Neço Muko”, Himarë

Ftojmë të gjithë dashamirësit e letërsisë dhe kulturës të bëhen pjesë e kësaj mbrëmjeje, ku libri dhe fjala shqipe do të jenë në qendër të vëmendjes.

 

Preludi im shpirtëror

 

Të nderuar nxënës, talente të reja, shkrimtarë, poetë, studiues dhe dashamirës të letërsisë!

Të nderuar organizatorë të Bashkisë Himarë!

Shumë i vlerësuar kryetar i bashkisë sonë, dr. Vangjel Tavo, se falë vizionit tënd bëhet kjo veprimtari kuptimplote, simbolike dhe e merituar, këtu në sallën që mban emrin e hyjnorit të shpirtit himariot Neço Muko.

Himara i ka dhënë letërsisë dhe kulturës shqiptare, ndër shumë emra të nderuar këtej dhe andej Kerauneve, (vargmaleve të Vetëtimës), buzë detit Jon dhe buzë Lumit të Bardhë, edhe dy personalitete të shquar shkrimtarin Petro Marko, Nderi i Kombit dhe poetin Lefter Çipa Nderi i Kombit

Është kënaqësi dhe nder të jem sot mes jush, në këtë qytet të bukur bregdetar, ku historia, fjala shqipe, tradita dhe kultura ndërthuren natyrshëm. Takime të tilla kanë një rëndësi të veçantë, sepse na japin mundësinë të mos flasim vetëm për atë që letërsia ka arritur, por edhe për atë që ajo duhet të bëjë përballë sfidave të kohës.

M’u kërkua të recitoj poezinë “Pafajshmëia më e pafaj”, që i kam kushtuar nuses së lirisë, dëshmores Ramize Gjebrea (lindur më 20 prill 1923, vrarë më 6 mars 1944). Fatmirësisht atë poezi të veçantë, të dhimshme dhe të vërtetë e ka interpretuar Artistja e Popullit Margarita Xhepa - Nderi i Kombit. Është hedhur edhe në YouTube ajo poezi që margaritarja Margaritë i dha frymë e jetë e mua krenari e përgjegjësi më shumë. Unë recitoj jo keq, - u shpreha - por, para Marfarita Xhepës qëndroj gatitu dhe pa frymë. Do më falni… dhe përmes emocioneve, mendova se është më mirë që miqtë e librit dhe artit ta dëgjonin poezinë nga zëri hyjnor i Margarita Xhepës. Dhe ashtu bëra. U mallëngjeva unë, por edhe shpirtbukurit që i dhanë dritë “Neço Mukos” atë mbrëmbje të paharruar magjike

Çfarë t’u them unë talenteve të reja?! Po ja, mos shkruani poezi të murme. Vjershta tuaja janë mosha juaj, bota juaj. Poezitë tuaja duhet të jenë gjethe të gjelbërimit.

 

Mbresat e poetes dhe artistes Shqiponja Pazaj Veshaj

 

Shqiponja është poetja infermiere dhe artiste, bijë nga Vranishti dhe nuse në Bolenë, drejtuese e grupit lab “Djemtë e Bogonicës”, që sfidon kohën e moshën dhe bën universitet të dytë. Ajo vijon studimet në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, Fakulteti i Shkencave Humane, Deparmenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë për Media e Komunikim. Shqiponja është bija e burrit që bëri gurin të këndojë, është vajza e Selman Pazos, që ishte unikal në Labëri në gdhendjen culave të gurit.

Në takimin letrar kushtuar letërsisë shqipe, zhvillimit të saj dhe sfidave që sjell koha, që u zhvillua në Himarë, Pazaj ishte në panel, ndërkohë që mbajti dhe një fjalë, ku paraqiti botën e saj letrare-artistike dhe recitoi një poezi të bukur për gjuhën shqipe dhe bilbilin e gjuhës sonë -Naim Frashërin, që ka thurur vetë. Ndërkohë, që në statusin e saj shkroi këto mbresa:

“Në kuadër të Muajit të Letërsisë dhe Arteve, takimi në sallën “Neço Muko” Himarë u bë një hapësirë e vyer dialogu mbi krijimtarinë dhe rolin e librit në jetën kulturore të komunitetit. Për mua ishte kënaqësi dhe nder të isha pjesë e këtij paneli.

Një falënderim i veçantë për Shefen e Kabinetit zonjën Blerina Bala, e pranishme si përfaqësuese e  Bashkisë Himarë, si dhe për zonjën Aida Halili, Drejtoreshë e Çështjeve Sociale, Arsimit dhe Rinisë, iniciatore dhe drejtuese e këtij formati.

Mirënjohje shkrimtares Diana Çuli, të ftuarve Loreta Mokini, Eni Froku, Katina Beleri, Albert Habazaj, Meme Habazaj, Parashqevi Hallkoj dhe gjithë dashamirësve të librit, që e pasuruan këtë takim me praninë dhe mendimin e tyre. Ta mbajmë librin pranë do të thotë t’i japim më shumë hapësirë reflektimit, njohjes së njëri-tjetrit dhe historisë sonë.

Fjala e shkruar është një besim i lënë në duart e së ardhmes: dikush, diku, do ta kuptojë atë që koha jonë nuk deshi ta dëgjonte.

Ju falënderoj të gjithëve për praninë dhe dashurinë për fjalën e shkruar!

 

Parashqevi Çipa Hallko - shpirti dhe flauti

 

Parashqevia është bijë Piluri e nuse Vranishti (vajza e vetme e Lefter Çipës, motër e 4 vëllezërve) është bërë për ne sinonim i flautit të artë, që shndrit si shpirti i saj i florinjtë. Qysh pa filluar veprimtaria Çevia e ngrohu atmosferën, e ndezi me flautin e saj vërtet magjik, tek shoqëronte mësuesen e saj të muzikës, fisniken himariote Amalia Maraçi Karo, në një këngë liriko-epike. Edhe pse jeta ka uljet dhe ngritjet e saj, flauti të mban në shpirt të motivuar me pranverë të çdostinshme.

Edhe Parashqevia hodhi në statusin e saj përshtypjet e kësaj veprimtarie me vlerë, që në Himarë zhvillohet për herë të parë në këtë format:

“Himara, “si një princeshë e bukur në gjumë”, kështu e ka cilësuar i madhi dhe i paharruari Moikom Zeqo, edhe kësaj radhe, tetorin - muajin e dritës, na i solli plot dritë.

Por dhe për mua, ky tetor ishte ndryshe, pasi isha e ftuar në  aktivitetin e zhvilluar për letërsinë dhe artet në qytetin tim të bukur të Himarës, i cili ishte organizuar me një përkushtim dhe një dashuri të jashtëzakonshme nga vajzat sorkadhe të saj si: Aida Halili, Katina Beleri dhe Blerina Bala, me në krye kryetarin e kësaj bashkie: zotin Vangjel Tavo i cili është një admirues i jashtëzakonshëm i artit dhe kulturës.

Himara ka sorkadhe, por si ndodh, që dhe ato që vijnë aty janë sorkadhe?!

Ja pra, të ftuarat në këtë aktivitet ishin: shkrimtarja e njohur Diana Çuli, ku me ëmbëlsinë, kulturën, paqen (në pamje dhe  brenda vetes së saj), të përcillte aq bukur dashurinë për librin, ku të dukej sikur Diana ja jepte magjinë librit, e jo libri Dianës.

E ç'mund të thuash për producenten elegante të filmave Eni Froku e cila shërbente si urë lidhëse Itali - Shqipëri, ku sillte me shumë dashuri kulturën për filmin, por dhe për trashëgiminë kulturore.

Producenteja e filmave, vajza labe Loreta Mokini është bijë Gumenice me kulturë. Feks mirësia që ajo pasqyron në pamje dhe në shpirt, ku ajo flet me një dashuri të jashtëzakonshme për filmin, për librin, për dashurinë ndaj vendit, për dashurinë ndërmjet njëri -tjetrit.

Ajo është si ato gjyshet e hershme, me atë fjalën e ëmbël dhe të qetë, që dikur mbanin një karamele në xhep dhe jua jepnin nipërve dhe mbesave

Nuk mund të rrimë pa folur dhe për vajzën labe, poeten dhe moderatoren e spikatur Shqiponja Pazaj, e cila siç ka emrin është, na solli dhe një poezi shumë të bukur.

Por a mund të rrimë pa folur me poetin, shkrimtarin dhe udhëheqësin artistik të grupit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” Albert Habazaj, i cili së bashku me bashkëshorten Memenë, na solli krijime të tij, por dhe një rezyme të grupit.

Në këtë aktivitet kulturor - artistik ishin shumë të ftuar, por njerëzit që të binin më shumë në sy ishin: poeti Arjan Dhimëgjoka, ish - mësuesja e muzikës Amalia Maraçi Karo, por gjëja më e bukur ishin disa vajza adoleshente të cilat shkruanin. Ato ishin si një lule e bukur në tavolinë.

Si vetë ngrohtësia e Himarës, po kështu ishin dhe gjithë pjesëmarrësit e këtij aktiviteti, të cilët na sollën ngrohtësinë e këtij muaji të bukur.

Mirëpo letërsia ecën paralelisht dhe me muzikën, të cilën e solla unë me flaut, si një fllad i ngrohtë i detit.

Mirëpo letërsia nuk mund të eci pa u mbështetur te trashëgimia kulturore, ku Katina Beleri, me interpretimin e saj brilant, na solli “Vajzën e Valëve” në elegji.

Sorkadheve të Himarës ju uroj suksese dhe shumë aktivitete të bukura si këto!

Kështu që flauti im do i jepte pak ëmbëlsi këtij aktiviteti kaq të bukur, por nuk do kishte mbyllje më të bukur se ajo që bëri Katina me këngën “Vajzë e Valëve”, të interpretuar si një elegji më vete”.

Kjo ishte në thelb pamja e veprimtarisë së organizuar nga Bashkia Himarë, në kuadër të Muajit të Letërsisë dhe Arteve, më 19 tetor 2026, në sallën “Neço Muko”- Mbrëmja letrare kushtuar fjalës shqipe dhe të ardhmes së letërsisë sonë.

Ishte vërtet një takim që bëri bashkë autorë dhe dashamirës të librit, në një atmosferë diskutimi dhe reflektimi mbi krijimtarinë bashkëkohore, sfidat e letërsisë dhe rolin e saj në epokën digjitale.

Ishte një mbrëmje që do të mbahet gjatë në kujtesë, ku fjala shqipe, libri dhe kultura na bashkuan.

Nuk mund të ndodhte ndryshe në Himarën e bukur dhe për Himarën tonë - kartolinë mesdhetare, për Himarën e kapedanëve dhe të dritanëve, në këtë Himarë që i rezistoi pushtuesve osmanë shekuj me radhë e ku ka pasë çelur shkolla shqipe para 4 shekujsh, qysh në vitet 1630-1642…

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page