Janaq Pani: Bebja kangur me emrin Tilli gjen strehë
- 6 hours ago
- 2 min read
Çdo vogëlush kangur sa lind
Dihet, na e ka një prind.
Ndaj të vegjlit çilimi
Shihen vetëm me dashuri.
Dhe një ditë, te një cep pylli
Erdh' në jetë vogëlushi
Tilli. Këtë emër na e gjeti
Dhe e thirri xhaxhi poeti.
E vogëlushëve, gjithë sa janë,
Vetëm nëna u rri pranë.
Lumturuar kangurja nënë
Në gji birin e ka vënë.
E kur niset të shkojë larg,
Te një xhep që ka mbi bark,
Xhepi si pellush i butë
Brenda Tilli na rri urtë.
Fat i keq, nëna dikur
Erdhi çasti e u sëmur,
E dot në ndihmë s'iu gjend pylli,
S'shkoi gjatë e sytë i mbylli.
Mbeti bebja vetëm filli,
I vetmuar krejt në botë,
Pranë mamit po derdh lot.
Mbas pak ditësh fati i ndriti,
Nisi zemra fort t'i rrahë,
Kur një teta aty mbërriti
Tillin na e merr në krahë.

Bashkë me beben, pastaj
U gjend te shtëpia e saj.
Sa e ngrohtë na ish shtëpia,
Sa e bukur e sa e pastër,
Teta vetë qe ëmbëlsia
Që e mban Tillin me hatër.
Po nuk priti shumë kohë,
U mërzit brenda shtëpisë,
Botën, Tilli do të njohë,
Kërkon pyllin të shëtisë.
Dhe kjo teta zemërmirë
Ia plotëson këtë dëshirë.
Tilli përkëdhelet e lutet,
E ngulmon në gji të futet.
Xhepin e mamit me pellush
Dëshiron ky vogëlush.
Dhe kjo teta, përherë e mirë,
Ia plotëson këtë dëshirë.
Në dyqan blen çantë shpine,
Me pellush e vesh nga brenda,
Mandej, plot me ledhatime,
E vendos si t'ishte nëna.
Brenda çantës, në sup të saj,
Prehet Tilli pasketaj.
Të dy nisen për të shëtitë,
Gjer te pylli kanë mbërritë.
Që nga çanta i hedh sytë
E ndjehet Tilli i gëzuar,
Pyllin mbarë e ka shëtit,
Hop e hop, duke lodruar.
Më mbas teta e merr në duar,
Ulur janë për të pushuar
Te lëndinë e gjelbëruar,
Ndjehen të dy të gëzuar.
Si u shplodhën mirë e mirë,
Tilli sërish ka dëshirë
Për t'ia nisë e të vrapojë,
Përreth tetës të lodrojë.
Por si bebe lodhet shpejt,
Ndaj në çantë strehohet drejt.
Rehatuar, më pastaj,
Me tetën, te shpinë e saj,
Brenda xhepit urtë rri
Gjersa kthehen në shtëpi.
Teta kohën do ta gjejë,
Për ta larë e ta ushqejë
Dhe për gjumë do ta vërë.
Për një gjë ca keq i vjen,
Dot përralla nuk i rrëfen.
Tilli e ndjen e kënaqet,
Mbas çdo dite e mbas çdo ore,
Brenda shtëpisë si shfaqet
Dashuria prindërore...









Comments