top of page

Vasil Klironomi: REPLIKË NË KONTEKST

58 minutes ago
2 min read


-Më jep pesë euro  e t’ i kthej të shtunën.


-Po unë pesë kam gjithsej; pastaj, je i papunë; ku do t’ i gjesh të mi kthesh?


– Kam bërë një postim për një gazetë politike dhe pres  shpërblimin. Nga mendon se dalin njëzetëshet që paguaj të shtunave?


– Po ti ashtu si unë, je jashtë shtetit; nga e merr informacionin? Nuk ke frikë se mos të mbyllin gojën për ato jo të vërteta që shkruan?


– Ashtu siç e the: Jo të vërteta, por që janë afër së vërtetës dhe i shërbejnë së vërtetës.


– Aforizma gazetarësh! Hiqesh si stoik, por në fakt je njeri i nxituar dhe frikacak dhe nuk e kuptoj, pse për fare pakë euro  ve veten në rrezik. Të kujtohet ai gazetari grek? Vërtet sakrifikoi, por mori pesë milion euro dhe i çoi në Zvicër. Siguroi jo vetëm familjen, por dhe brezat pasardhës.


Nejse, të mos i largohemi temës.  Nga sa të njoh, dijet e tua politike janë infantile. Përballë atyre që satirizon, si mund të mbrohesh?


-Mos ji aq i prerë, se as ti nuk je aq i regullt sa hiqesh. Në muajin gusht, ishe në atdhe?


- Po. Ç’ do të  thuash me këtë?


- Një turmë krijuesish shkuat në një fshat malor për promovimin e një antologjie?


-Po, por nuk ke të drejtë të na quash turmë.


- Po, po. Turmë ishit. Aty u ndodh dhe kryeministri për inaugurimin e rrugës së atij fshati. Të dyja palët u shtruat rreth rrapit. Mishi me bollëk, ndërsa rakia lum. Si mendon ti, se takimi i juaj me kryeministrin ishte i rastësishëm?


- Ashtu si më shtron pyetjen, besoj se jo.


-Pra letërsia i shërbeu politikës. Kështu nuk është? Për zgjerimin dhe shtrimin me asfalt të asaj rruge u harxhuan rreth një miliard lek. Atë  ditë kryeministri premtoi se së shpejti do të sjellë në fshat dhe ujin. Megjithëse çakërrqejf, besoj se e dëgjove?


- Po.


-Që të mos futem në hollësira, do të harxhohen po aq lekë. A e di ti, që në atë fshat jetojnë vetëm disa pleq?  Po ta them troç. Mos në atë fshat mes maleve, ku asgjë nuk mund të kontrollohet, uji do të shkojë për të vaditur hashishin? Pra, si pasojë ti si poet, me vajtjen në atë fshat i shërbeve korrupsionit. Ashtu nuk është?


-Je një gazetar shumë i mirë. Dhe përsëri më fal, por duhet të dish se të kam simpati dhe shqetësohem për ty. Atë natë kur erdhi ai njeriu i presidentit dhe të mori nga tavolina, u frikësova për jetën tënde. Ti nuk më the se në sediljen e pasme kishte një lopatë dhe një kazmë? 


-Po. Dhe të jam mirënjohës për shqetësimin, por tani ai rrezik kaloi dhe nuk do të përsëritet më. Dy miq të mi gazetarë që punojnë për presidentin, kanë hapur fjalën se unë jam i çmendur.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page