top of page

Merita Thartori Kuçi: „Fjala si Kujtesë” – një ditë për Vilhelme Vrana Haxhirajn

28 minutes ago
4 min read

29 Tetor 2026


Tetori i freskët, me emocionet që sjell libri dhe me ndjeshmërinë që zgjon kujtesa, i kushtoi sot një ditë të veçantë personalitetit krijues femëror, zërit të guximshëm, studiueses dhe luftëtares për të drejtën, Vilhelme Vrana Haxhiraj, përmes veprimtarisë përkujtimore me titull „Fjala si Kujtesë”.

Ajo, kaninjotja e ditur dhe e lexuar, u përcoll sot si një dritë e veçantë nga mësues e nxënës të shkollës sime, „14 Nëntori”, nga një sfond që ndërvepronte në grup, si dhe nga njerëz të kulturës së qytetit tim, Durrësit, poetë, shkrimtarë dhe miq të Vilit, siç e thërrisnim me përzemërsi. Ishte një takim ku fjala, kujtesa dhe nderimi u shkrinë në një atmosferë të ngrohtë njerëzore, duke e bërë të pranishme figurën e saj përtej mungesës fizike.

Shtëpia e Shkrimtarëve, me kryetarin e saj, poetin Agim Bajrami, i dha veprimtarisë një dimension të veçantë poetik. Elegjia e interpretuar prej tij mbretëroi në qiellin e Kaninës dhe në botën krijuese të autores, duke sjellë jehonën e një jete që la gjurmë në letërsi dhe në ndërgjegjen e njerëzve. Të pranishëm ishin edhe miq të dashur, ndër të cilët prof. Kadri Tarelli, i cili na surprizoi me botimin e tij më të ri, „V. V. Haxhiraj në penën e krijuesve durrsakë”, një libër që do të pasurojë fondin e tij krijues dhe atë të Bibliotekës Publike, në shërbim të lexuesve. Edhe Shpend Topollaj dhuroi botimin e tij më të fundit për familjarët e znj. Vrana, bashkëshortin Fitim Haxhiraj dhe djalin Vladimir. Më tej, shkrimtari Vladimir Muça, mik i familjes Haxhiraj, solli referencën e tij përkushtuese në nderim të jetës dhe veprës së autores.

Për jetën e Vilës u shfaq edhe një insert përkujtimor, ndërsa tufa me karafila të bardhë, nën tingujt e këngës kushtuar asaj, u bë pjesë e një çasti të mbushur me mall dhe emocion. Kënga mbante tekstin e vargjeve të mia, „Ti je një dritë”, realizuar falë punës krijuese të mësuese Marjana Shabës. Ishte një homazh ku lulet, muzika dhe fjala u bashkuan për të përcjellë atë që shpesh nuk mund ta thonë dot as fjalët më të zgjedhura: dhimbjen e mungesës dhe mirënjohjen për jetën e një njeriu të rrallë.

Lotët e heshtur të kolegeve të dashura dëshmuan se kujtesa nuk është vetëm një akt përkujtimi, por edhe një lidhje e gjallë shpirtërore. Veprimtaria u pasurua nga interpretime të pjesëve të zgjedhura prej veprave të autores, të sjella nga znj. dr. Vojsava Hoxha dhe mësueset Suela Gjeçi, Ermira Leshteni, Afërdita Taho, Ardita Kamberi, Klodiana Aleksi, Zemrite Hereni dhe Alba Dajlanaj. Përmes leximeve dhe referimeve u rikthyen vlera nga botimet e autores dhe vlerësimet e personaliteteve të letrave, ndër të cilët prof. Fatmir Terziu, gjuhëtari Eshref Ymeri dhe prof. dr. Mujo Buçpapaj. Një vend të veçantë zuri edhe vepra „Elitat e Mohuara”, e lidhur me emrin e deputetit dhe ish-ministrit të Kulturës, Bujar Leskaj.

Nxënësit e klasave të pesta dhe të nënta sollën emocionin e moshës së tyre përmes interpretimit të poezive dhe lojës në role, duke dëshmuar se trashëgimia letrare mund të kapërcejë brezat kur fjala përcillet me dashuri dhe respekt. Në këto interpretime, kujtesa nuk mbeti e mbyllur në librat e autores, por u bë pjesë e një përvoje të gjallë, ku fëmijët dhe të rinjtë u afruan me një figurë që meriton të njihet edhe nga brezat që nuk patën mundësinë ta takonin.

Më tej, Lina Muka, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, ardhur nga Vlora e bukur, mbesë e familjes Haxhiraj, na solli një portret tjetër të autores sonë të kujtesës: Vilhelmen si nënë të përkushtuar, si mësuese dhe artiste, si grua vitale, me zemër të madhe dhe me sjellje fisnike. Në rrëfimin e saj, Vili u shfaq e plotë, njerëzore dhe e afërt, sikur të ishte ende mes nesh. Lina nuk u mjaftua me përcjelljen e mbresave; ajo solli zërin e vërtetë të jetës, një zë të mbushur me kurajë, dinjitet dhe dashuri. Ishte një dëshmi që e vendosi Vilhelme Vrana Haxhirajn në vendin që meriton, si një meteor në qiellin e madh të figurave që nderojnë gjuhën, kombin dhe atdheun.

Gjithçka që u tha, u lexua, u interpretua dhe u ndie gjatë kësaj veprimtarie përmbushi misionin e një takimi të vërtetë përkujtimor. Mes fjalëve dhe heshtjeve, mes lotëve dhe buzëqeshjeve të përmalluara, zëri i autores u rikthye edhe përmes botimit të saj „Kush jam unë?!”, duke tingëlluar si një testament shpirtëror nga bota ku pushon përgjithmonë Vilhelme Vrana Haxhiraj. Pyetja e titullit mbeti e hapur, por përgjigjja u dha nga vetë jeta e saj, nga vepra, nga kujtesa e atyre që e deshën dhe nga gjurmët që ajo la pas.

Qoftë e paharruar Vilhelme Vrana Haxhiraj në panteonin e madh të letrave shqipe dhe në zemrat e të gjithë atyre që i deshi dhe që e deshën vërtet!

Mirënjohje për të gjithë të pranishmit që e nderuan këtë ditë me kohën, praninë dhe dashamirësinë e tyre. Ndjesë nëse ndonjë emër mbeti pa u përmendur, por dijeni se secili prej jush është në zemrën time, sepse prania juaj dëshmon respekt për kujtesën, vëmendje ndaj kulturës, urtësi njerëzore dhe humanizëm.


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page