top of page

Ëndërrueshëm

Updated: Nov 9, 2021


Ëndërrueshëm

(Antologji e poezisë matjane: Nacional, 2015)


Fatmir Terziu


Ndoshta jo shumë larg nga rinia e tij. Ndoshta. Rinia kapërcen ëndërrueshëm kolmave zanore të Bruçit dhe i jep jehonën e kahershme të britmës zanore të foshnjës që preku ditën e parë të shkurtit 1961 ajrin e vendlindjes. Në këtë prehje ëndërrueshëm, poeti matjan Fatmir Gjestila, kërkon që rinia e tij të shfaqet „shtigjeve me erë/këmbë e duar vrarë/korije eprerë/si gjethe e tharë“ dhe më tej me vetëbesimin se rinia e tij „imban sytë tek ai vetë/nuk gjen dot kthim…“ të shkojë tutje duke psherëtirë në ëndërr në thellësi të një nate të trazuar jetike. E kjo mbetet më se e qartë ndërsa e gjitha thuhet në varg „unë,/varrit yt/ti,/epitafi im“. I vlerësuar me çmimin „Skënder Hasko“ me romanin „E fshehta e Kështjellës së Zezë“ (2013-2014), si proza më e morë për fëmijë dhe më pas nga revista „Emathia“ me „Pena Budi 2010“ dhe si bashkëhartues dhe redaktor në Antologjinë mbarëkombëtare për fëmijë „Lule për fëmijët“ (200-2014), natyrisht është një zë i ndjeshëm në Antologjinë e poezisë matjane „Udhëtare me pranverën“ (Naconal, 2015).

Më pas është dhe një emër tjetër, Naim Berisha (12 Dhjetor 1959), ai që me të gjitha zhanret e tij krijuese ecën me penë e mendje mbi të gjitha retë, mbi të gjitha problemet e tjera jetike të vogla, ku mes një brenge që e bren parreshtur sheh yjet të shkëlqejnë. Dhe ai e ndjen largësinë ndaj shprehet „kur të kam larg, unë flas me ty/dhe, befas, hesht kur më je pranë“, për të gjetur se nuk është trill kur ai më tej i shkruan nënës „Një flutur llampës përreth i shkon,/tempullit të vet i rri në skaj,/një trill më thotë: është nëna jonë,/është shpirti i saj…“.

Emrie Krosi me një oshëtimë të thellë shpirti që buron në mesin e Tetorit 1971 me një ritual tradite të thekur në qelizën e saj të origjinës në Bel të Klosit hyn në fletët e kësaj antologjie me pritje, hezitime kthimesh, „duke kërkuar në shkretëtirën e bardhë/mirazhin e fundit bohèm“. E duket se ikjet para agimit të shqetësimeve të veta, pa lamtumirë janë një ritëm i prerë „më mirë mos u kthe!', por me një hapësirë të qashtër në shpirtin e saj poetik ku kërkon që e gjithë të shkëlqej. Shkëlqe mbi pikën blu, duket se thotë krijimtaria e saj poetike, pothuajse në të gjitha arsyet e saj, edhe kur arsyeja vjen me rrekjen e saj të pakuptimtë, që ne e quajmë vetë përhumbjen tonë, sferën e mbushur me dhuratën e jetës dhe surprizat e saj.

Është armëpushimi i një mendjeje të vënë në trazira dhe të gjitha ato shqetësime, që trazojnë poeten Zamira Korançe, me „Lutem shpirtit“; „Trëndafil i çelur“ apo dhe „Pasqyra më e bukur“. E janë mendimet e poetes që japin dritë. Por ndërsa „thonë që dashuria është një lum/i përmbytur me tendra e kalldram“, në poezinë e poetes, dikush mund ta quajë atë një parajsë të mrekullueshme, një tjetër mund ta quajë atë humnera e jashtme që po afrohet, ndërsa toka jonë e ëmbël nënë largohet nga drita, ka gjithnjë „…optimizëm, forcë për pranverë“.

Por ka një gjë për të cilën duhet të biem dakord të gjithë, vetëm këtë herë, teksa vjen Valentina Kurti, të na zbulojë se „na grish bukuria“, pikërisht aty ku qetësia e natës, yjet joshëse shkëlqejnë të gjithë, ndërsa çdo krijesë është shtrirë në mënyrë paqësore për të pushuar dhe përgjumur, dhe vargu pyet qetësisht ëndërrueshëm „Në ç'shekull jemi?“.

Papritur të gjitha dallimet, besimet dhe argumentet tona, së bashku me dritën janë zhdukur në errësirën konsumuese, në orkestrën e jetës të gjithë kemi marrë rolin tonë, ndërsa ndalemi dhe lexojmë Elsa Hoxha (Cenaj). Njëri mund të jetë ndoshta më i rëndësishëm se një tjetër, megjithatë, për këtë koncert nevojiten të gjitha instrumentet, „…dhe copën e qiellit tim rrudhë nguhtove/duke m'i ngulfat ndjenjat“. Edhe nëse nesër nuk do të vinte, nuk do të më interesonte, kërkon të parathotë poetja, Anila Xhekaliu. Ajo ëshët një „Unë“ filozofik dhe diskursiv, ku „mbi mendime, flokët/Rrënjësh lidhur të dyja. Mbi këto nyje çlodhem“. Në fund të fundit, jeta është shumë joshëse për të pushuar sytë e poetes nën këtë ndjesi nyjesh! Dhe kalueshmëria e saj e bën atë një diskurs të përcjellë në këngë, me një zemër të hapur për atë që do të sjellë ëndrra e ardhshme. Ndoshta me atë që rishtron Ermira Kazhani, kur pret padyshim një përgjigje: „…sa histori fletërrudhura fshihen/në mistere njerëzore“. Në fakt sa? Sa?! E gjitha ëndërrueshëm..

55 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page