Konstandin Dhamo: Sadri Ahmeti
- 2 minutes ago
- 4 min read

Zëvendësministrin e brendshëm të Komunizmit, aha, ish zëvendësministrin e brendshëm pra, siç kërkuat ta saktësojmë, e takoj shpesh paradite , kur dal për të pirë një kafe te lokalet e anekseve të Bllokut. E takoj me përzemërsi të sinqertë, duke e rrokur përqafe, ndërsa , të shoqen dhe të bijën, piktoren e re me aftësi të veçanta, siç, duhet të shprehemi aktualisht me këtë togfjalësh eufemik ( na vdiqën eufemizmat !) për ata fëmijë që gjer dje i përcaktonim drejtpërdrejt daun , i përshëndes me dorë, ngaqë ata s’para ndalojnë, por vazhdojnë të çapiten kah tryezat e kafenesë, ku ulen më së shumti…
Sadri Ahmeti, poeti dhe piktori, që ka ikur sakaq nga kjo jetë materiale, e respektonte dhe, madje e konsideronte mik të vërtetë këtë kuadrin e lartë të Komunizmit dhe, për hir të kësaj miqësie të shtrirë deri edhe mes familjeve të tyre, e ndihmonte vazhdimisht me këshilla të urta dhe mësime të mirëfillta të bijën e tyre , që pikturonte e pikturonte me një vullnet obsesiv.Akordi plot trille i ngjyrave te pikturat e saj është befasues dhe, të duket sikur je përpara imazheve të fiksuara të ëndrrave, thoshte publikisht Sadriu për vajzën e mikut të tij pas viteve nëntëdhjetë, pasi kishte dalë nga burgu dhe, kishte fituar përsëri të drejtën për të botuar poezitë e tij, për të hapur ekspozita dhe, për të folur në television. Ja që këtë dhunti i ka falur Zoti, konkludonte , duke qeshur mirësisht si çdo herë…
Sadriu Sadriu…
Që shkruante poezi, që pikturonte, duke iu drithëruar herë pena mbi letër, herë peneli mbi kanavacë ! Sadriu, që qeshte gjithmonë, po po, si rrallëkush !
Nuk ishte optimist, ishte pikërisht i trishtë. Optimizmin e kërkonte dhe e kërkonte, që të përfshihej prej tij, ndaj edhe qeshte , por edhe atëherë mimika në fytyrë nuk i shuhej asnjë çast…
Eh, vështro pranverën sa bukur çeli, më deklamoi një mëngjes flladitës. Politikanët tanë u shanë e u rrahën me njeri – tjetrin , ligjet e përcaktuara për t’u aprovuar në seancën e radhës në Kuvend , mbetën pezull, por pranvera erdhi pa pyetur fare për ta dhe, ja na gëzoi të gjithëve…
Kur ishte student në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë, në një ditë pranvere, kur çdokush dhe ca më tepër një artist, përndizet nga një ndjeshmëri frymëzuese, ky zëvendësministri që, atëherë ishte në karrierë, vete i hipur në autoqelinë e zezë, Gaz 69, të arrestojë Sadriun me mandat – arrestin në xhep, të lëshuar nga Gjykata e Rrethit të Tiranës.
Vete ta arrestojë pikërisht në Fakultet, megjithatë zëvendësministri zbret nga Gazi që në rrugë, ndanë troruarit përpara Fakultetit, duke e porositur oficerin që e shoqëronte dhe shoferin, që ta prisnin te rruga e ngushtë që spërdridhej përqark oborrit, prapa Fakultetit. Vetë zëvendësministri futet mes grupeve të studentëve që prisnin fillimin e leksioneve aty n’oborrin e gjerë përpara ngrehinës dhe, me ta pikasur Sadriun që tutje, tek po iu rrëfente shokëve, si gjithmonë duke qeshur, pale ç’qyfyre nga përditshmëria, shkoi dhe e poqi dhe, me marifet prej profesionisti, e shkëputi nga grupi i potershëm dhe, duke i futur krahun, kinse miqësisht, e mori me vete drejt yrtit të ngushtë me hije, jashtë të cilit i priste Gazi ogurzi.
Aty , veçse aty, larg syve të shokëve të Sadriut, të cilët me siguri vazhdonin të argaliseshin , por njëherësh edhe larg kujdo kureshtari ngjitës, zëvendësministri i brendshëm i vuri prangat.
Sadriut
Poetit
Piktorit
Që, edhe n’atë rast plumb të rëndë, u përmblodh dhe, pyeti fort i befasuar, gjithmonë përmes një buzëqeshjeje, ketë herë sarkastike, si e atyre filozofëve klasikë se, për ç’arsye po e arrestonin . Sapo ka ardhur pranvera , kishte shtuar në fund, tek ia ulnin kokën në çastin që e ngjeshnin në zgafellen e Gazit.
Eh, Sadri Sadri,që s’të pashë një herë të vetme të shaje të ulërije të fyeje të përbuzje jo se jo; nga ç’lartësi e moralit e shihje shoqërinë njerëzore ?
Sa lehtë e kishin të të arrestonin, por, sa lehtë e kishin gjithashtu edhe të të përgjigjeshin se, për ç’akuzë të arrestonin !
Por Sadriu nuk ia harroi asnjëherë gjestin kavalaresk zëvendësministrit të brendshëm të Komunizmit. Po t’ia kishte vënë prangat aty mes shokëve të tij, do të ishte ndjerë brutalisht
I poshtëruar
I pavlerë
I mundur
Për më tepër q’aty mes shokëve të kursit ndodhej edhe ajo, ajo studentja e sapoardhur në vit të parë, për të cilën , poetët e rinj të të gjithë Qytetit Studenti, kishin filluar të shkruanin vjersha !
Quhej Liljana koketa e bukur, por në vargjet gjithë eksklamacion e psherëtima nga ana tjetër e poetëve, që nguteshin të botonin librin e parë, artikulohej përkëdhelshëm me emrin Lili. Eh Lili, mu si Lili Brik e Majakovskit, dashnorja jidish që rendi e para n’apartamentin, kur ai vrau veten…
Lili Lili, të cilës kurrë s’ia kapje dot vështrimin , përhumbej netëve veçse me Sadriun pas Qytetit Studenti, mes zabelëve të praruar me polen hëne…
Me Sadriun, i cili pas nëntëdhjetës, pikturave që i vari në mur n’ekspozitën e tij të parë vetijake, në vend të kornizave të njëmendta , iu vuri thumba të ndritshëm, të ngulur vetëm në majë në të katër anët e tyre, për t’iu sjellë vizitorëve imazhet në miniaturë të telave gjemborë dhe hekurave që rrethonin territoret e burgjeve …
Për kaq gjë e respektoi gjer ne fund Sadriu , kuadrin e lartë të Ministrisë së Brendshme, që veproi me iniciativën e vet, kur e prangosi larg syve të botës. Dhe, e kritikuan për këtë veprim prej sentimentali të dobët. Aty, mes të rinjve të tjerë me partishmëri ta kishe diskredituar armikun e popullit…
Në kujtim të Sadriut dhe, në linjë të karakterit të tij, edhe unë sot e kësaj dite e takoj zëvendësministrin , tashmë në pension, aty te kafenetë e anekseve të Bllokut, kur ai del me të shoqen dhe të bijën piktore. O, është vajzë e talentuar , thoshte Sadriu…
2010








Comments