Agim Shehu: MID’HAT FRASHËRI PËR KOSOVËN
- 8 minutes ago
- 15 min read

(në 77vjetorin e vdekjes-helmimit)
Mit’hat Frashëri hyn në radhët e aryre figurave tek të cilë vepra e tyre nuk vuan për koment, ashtu si qielli me yje s’ka nevojë për alfabet. Cilit shqiptar nuk i vinë si zëra simfonie fjalët e tij: „Njiheni Shqipërinë që ta doni dhe ta adhuroni“! Më tej jep rrënjët gjenetike dhe hapsirën historike të kombit të vet: „Raca jonë njihej si një fis i familjes europiane, paranikë të një populli të madh që ka pasur emra të ndryshëm në agim të historisë. Sipas vëndit që zinte thirrej ilir, epirot, maqedon, thrak, mbase dhe frigj...nga Adriatiku te zalli i Detit të Zi, pra vëndas dhe jo i huaj“. Ai i bën të ndërgjegjshëm bashkëkombasit si për vëndshtrirjen historike të rrënjëve ilire dhe për përkatësinë europiane që ka Shqipëria: „Lexuesi nuk duhet të harrojë se ndodhet në pjesën lindore të Europës edhe pse gjithëshka ka qënë kaq e ngatërruar, kaq e falsifikuar, kaq e gjymtuar dhe e mbushur me mashtrim“ (thënë ndryshe, kundër shpifjes tërë ëndëra të shovenëve, Shqipëria është lindja e Perëndimit dhe jo perëndimi i Lindjes).
Gjetkë Mit’hat Frashëri, kundër orekseve të shovenëve jep hapsirën e rrënjëve të kombit të vet: „Shqipëria (Iliria e herët dhe Epiri) kufizohet nga ana e lindjes me Maqedoninë e Poshtme dhe Thesalinë; nga ana veriore - me Bosnjën dhe Serbinë; nga ana perëndimore me detin Jon dhe në brendësi me gjirin e Ambrakisë...Fjala ‚Shqipëri’ gjithmonë më ka sjellë në mënd të 4 vilajetet e vjetra të Turqisë europiane“.
Dijetar me univers kulture, mendimet i përforcon me gjykimet e figurave të shquara të botës, siç citon Hahnin: „Harta që shoqëron veprën e tij ‚Albanische Studien’ përfshin tërësinë e teritorit të 4 Vilajeteve të Janinës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Shkupit“. Mbi këto të dhëna ai ngrë zërin sa të ligjshëm aq dhe fisnik për ta dëgjuar si shqiptarët dhe Europa:
„Shqiptarët kërkojnë zotërimin e asaj që duhet t’u takojë, të asaj që do ta formojë Shqipërinë njëherë e përgjithmonë, pa pasur kurrë lakmi për më tepër. Ajo duhet të ketë kufijt e saj natyrorë, sa etnografikë aq dhe ekonomikë, përndryshe do krijohet një shtet dështak me farën e vdekjes që në lindje“. (Bukuria filozofike e shprehjes harmonizuar me zjarrin shqiptar të kujton gjykimet e atit të tij të Madh, Abdylit për të njëjtat shqetësime. Janë aq të ngjashme sa nuk i dallon dot njerin nga tjetri, ashtu si te lumi i vetëm i Drinit nuk dallon dot se cilat ujra janë të Drinit të Bardhë dhe cilat të Drinit të Zi).
Arsyeja kryesore e tragjedisë kombëtare të Shqipërisë është se ajo u ndodh, për fat të zi historik të saj si rrallë komb tjetër, mes dy armiqsh nga më të betuarit e të djallëzuarit në botë (si mes Shillës e Haribdës), sllavëve e grekëve shovenë. Në mbrojtjen si rrallëkush të Atdheut Mit’hat Frashëri iu përgjigj denjësisht të dy anëve.
Zvicra qe vëndi i diplomacisë botërore të kohës; aty u ngulën dhe vatrat më histerike të propagandës greko-sllave. Aty veproi dhe Mit’hat Frashëri me shokët e tij të shquar. Në përgjigje të tyre, në Lozanë botoi veprën e veçantë „Shqiptarët e Sllavët“ ku çështjes shqiptare iu bë para botës një mbrojtje e shkëlqyer e cila pa tjetër çoi ujë në mosflijimin më tej të saj. Në trubullirat e Konferencës famëkeqe të Londrës 1913 akademiku dhe kryeministri serb Vladan Gjergjoviç boton e shpërndan veprën e shëmtuar shpifëse „Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha“ për të frymëzuar prerjen më tej të kombit shqiptar. Mes të tjerash shkruan si një vagabond kazinosh: „Tipi arnaut është thatanik e i vogël; tek ai gjen diçka prej cigani e fenikasi...njerëzit primitivë që flinin mbi pemë duke u mbajtur me anë të bishtit...“ (Kur Ismail Qemalit ia kujtuan me ironi ‚aristokratizmi‘ në një gosti Europe ai, kundër natyrës fisnike të tij iu përgjegj me ironinë lakuriq të vëndlindjes: „Dhe shqiptari e ka ‚bishtin’ e tij, veç një çikë më tutje nga sa thotë akademiku“)!..
Mit’hat Frashëri iu përgjegj më gjerësisht me sarkazmë shkencore: „Plaku i nderuar...ka patur ndoshta një reminishencë të origjinës së vet prej majmuni a prej ndonjë lemurieni që rronte në pyje“. Dhe vazhdon shkencërisht:
„Serbi e Vjetër figuron për herë të parë më 1845 te ‚Harta e Principatës së Serbisë’ të Zhan Bugorskit...e paraqitet me fjalët ‚Serbi e Vjetër ose Shqipëri e sotme’., në një kohë kur në Gjeografinë e Vuk Karaxhiçit e shtypur gjithashtu në Beograd më 1827 nuk figuron gjëkund një term i ngjashëm me të“. Gjetkë , mbështetur dhe nga dijetarë të huaj shton: „Në Kosovë të cilën serbët e quajnë ‚Serbi e Vjetër’ por që mund të thirret ‚Shqipëri e Re’, raca shqiptare formon shumicën e popullsisë“. Logjika e argumentuar shkencërisht është e papërballueshme por shpifësit nuk kanë turp, dhe autori ynë i madh vazhdon:
„Autoktonisë së shqiptarëve u kundërvihen sllavët e ardhur prej shumë larg; serbi, djepi i të cilit është përtej Karpateve dhe bullagri i ardhur nga Azia me gjuhë të huazuar. Këto dy raca që futen në familjen e madhe të popujve sllavë kanë ardhur si pushtues duke zënë troje krejt të huaja për ta. E pasoja e këtij pushtimi a duhet të vazhdojë në shekujt e mëvonshëm kur vetë thelbi i kësaj prove do jetë çdukur“!? Përcaktimin e sllavit si pushtues e plotëson me pohimin e të vërtetës rënjëse duke ia drejtuar këtë gjithë diplomacisë europiane: „Shqiptarët formojnë popullsinë e Vilajetit të Kosovës e të Manastirit. Ky është elementi vëndës, autokton dhe më i rëndësishmi. Ky është kombi që ka më shumë të drejtë në zotërimin e këtij vëndi...Ai ka me vete të drejtën historike dhe domosdoshmërinë politike, të drejtën natyrore të jetës“.
Duke i çjerrë maskën ‚të drejtës historike’ të shpifur të sllavëve marrë nga Mesjeta e Stefan Dushanit, Mit’hat Frashëri përgjigjet po ironik: „Historia nuk nis nga mesi; ajo niset që nga origjinat e herëshme të saj. Nëse bazohemi mbi të drejtat historike, duhet të njohim si Shqipëri gjithë hapsirën që zinin iliro-maqedono-epirotët e ahere do duhej jo të kufizohej shtrirja e Shqipërisë por të zmadhohej përtej kufijve të kërkuar nga vetë shqiptarët“! Mprehtësia e arsyetimit ecën si mbi reze dielli dhe ka dritën e saj. Ngado që ta kthesh e vërteta ka të drejtën shqiptare brënda (edhe natën qumështi është i bardhë).
Sllavët për të ushqyer ëndërat zinxhir ngrenë tre gishtat të cilët simbolizojnë tri humbjet e shpifura të tyre: Betejën e Kosovës, 1389, emigrimin e stërzmadhuar më 1689 dhe mungesën e qëndrueshme të Serbisë së Madhe! Pushtimin e Kosovës e mbulojnë me vërshimin e shqiptarëve (!) pas ikjes së tyre mitike! Ashtu si Miss Durham e shumë të tjerë të shquar Mit’hat Frashëri spjegon saktë: „Nëse shqiptarët sërish pas emigrimit serb në Hungari u ngulën në pozita më të qëndrueshme në Fushën e Kosovës, ata nuk bënë gjë tjetër veçse u kthyen në shtëpi të vet, siç e pranon me shumë të drejtë lordi Fitzmaurice...“
Me kulturë të thellë në shkrimet e tij, Mit’hat Frashëri citon vetë të famëshmin „Librin Blu“ të Min. P. Jashtme Britanike, si duke u vënë gozhdë të sakta trarëve në shtëpinë e tij: „Lordi Fitzmaurice, i patundur në pikpamjet e tij dhe duke smbrapsur orekset e ngritura nga serbët mbi prejardhjen e banorëve të Mitrovicës dhe Kosovës, përmes Letrës që i dërgon Foreign Office-it më 22.7.1880 përsërit se të gjitha hartat me të cilat qe këshilluar dëshmonin prejardhjen shqiptare dhe jo sllave të këtyre viseve“ (diplomacitë me nostalgji sllave që sot vihen të gjykojnë Mitrovicën e më tej, do dëshmonin më saktë ndershmëri në politikë nëse i ngulin më mirë sytë në pohime të tilla njerëzish të shquar të vetë botës së tyre)!
Mit’hat Frashëri është i ndërgjegjshëm se në mbrojtjen e kombit të tij ka përballë një fabrikë të madhe e të ndërlikuar propagande të shovenëve e cila punon pa fund, pa kohë e pa kufizim; se ajo ka mundësi të mëdha mashtrimi duke pasur dhe miq të jashtëm të fuqishëm, veçanërisht Rusinë e Francën. Ai e dinte thënien „Shpif, shpif se diçka do mbetet“ të Makiavelit, apo plotsimin e Konicës se mashtrimi e mbulon dhe e zëvëndëson të vërtetën me anë të „sugjestionit“. E dhimbëshme sidomos për popuj të pafuqishëm e pa mbrojtje, por kjo e vërtetë rri e hidhur në shpinë të tyre! Duke kundërshtuar trillimin „Serbi e Vjetër“ e cila për turp po gënjente megjithatë diplomacinë e botës, Mit’hat Frashëri gati pëshpërit dhimbshëm me vete një gjykim që ka filozofi dhe psikologji të thellë: „ Kush është ai që shmang fuqinë e fjalëve në shpirtërat njerëzorë? Vallë, nuk është vetëm një fjalë që ka kryer punë shumë më tepër se armatat serbe dhe influenca ruse së bashku!?“ Të vërtetën e hidhur e përforcon duke e bashkuar me fqinjët e Jugut: „A nuk është kjo një mënyrë së vepruari e barabartë dhe për grekët që kanë gënjyer mëndjet e njerëzve duke quajtur ‚Epir’ Jugun e Shqipërisë dhe duke na bërë të besojmë se kjo fjalë është sinonim i Greqisë(!) sa për të kaluarën historike aq dhe të tashmen!“
Kuptohet siç njihet, se Mit’hat Frashëri me këtë pohim nuk shpreh lodhje për lëshim armësh por thërret në ndihmë dhe ‚armët’ e të tjerëve anembanë Shqipërisë e kudo që janë në botë, për të përballuar një propagandë armiqësore me përmasat e kryqëzatave më të frikshme e më të përgjakshme që i rrinë rreth fytit Shqipërisë.
«A nuk e dimë se fjala ‘kleft’, e poetizuar dhe ‘sublimuar’, do të thotë thjeshtë bandit e hajdut në gjuhën greke!? Dhe kjo nuk i përket historisë së lashtë, për të mos thënë se janë bashkëkohore…Banditizmi në Shqipëri është apo ka qënë një efekt logjik e kobzi i administratës osmane…Nga Peja në Gjakovë mund të udhëtosh i ngarkuar me ar pa patur asnjë frikë». Më tej plotson me dritë: «Karakteri i shqiptarit nuk është i prirur ndaj armiqësisë…se ka më shumë shpirtmadhësi se në cilindo popull fqinj të tij. Gjatë revoltave të tyre kundër turqve, gjatë grindjeve të tyre me grekët e serbët shqiptarët kanë treguar bujari e zemërgjerësi të cilën gjithmonë kundërshtarët e tyre e kanë shpërblyer me tradhëti e mizori të ftohtë». Për këtë jep shëmbuj kokëfortë historie të njohura brënda e jashtë e që as kundërshtarët s’i mohojnë:
«Më 24 të shkurtit kishin qënë transportuar nga Vlora 128 mijë serbë për në Korfuz dhe 6000 për në Bisertë…serbët kishin sjellë 20 mijë kafshë në Durrës, e u ngarkuan prej Durrësit» (kjo fisnikëri fqinji ndodhte pas krimeve pa fund që sllavët kishin bërë mbi Kosovën)! Shpifësit sllavo-grekë (si dhe shumë sojsëzë të shtypit shqiptar) kanë dashur ta njollosin shqiptarin për të egër nisur nga Kanuni. Si shumë dijetarë të shquar të botës Mit’hat Frashëri spjegon thellësisht: «Në një vënd ku mungon drejtësia e organizuar dhe përgjegjësitë e sigurisë publike hakmarrja ka shërbyer deri në një farë mase si institucion rregullues, i aftë për të ngjallur nderim për njeriun dhe për të parandaluar të keqen…Hakmarrja ka ligjet dhe kodet e saj…e të mos e bëjmë sinonim të krimit apo vrasjes»!
Të tilla ide jetike për Shqipërinë Mit’hat Frashëri, për t’i bërë më bindëse e t’u sigurojë jetëgjatësinë i mbështet dhe me gjykime dijetarësh të huaj siç i citon vetë. Bie fjala Viktor Berard: «Në Ballkan gjëndet një popull i cili nuk ka jetuar kurrë vetë dhe as për vetveten por roli i tij gjatë gjithë shekujve ka qënë të ushqejë pa rreshtur kombet fqinjë me lëndë të parë njerëzore».
Kombin shqiptar ai e shihte si një të vetëm: kudo që të plagosej, i dhëmbte tërë trupit. Edhe pse ambasador në Greqi ai s’i largon sytë nga fati i Kosovës. Më 9.11.1923 i shkruan për Kosovën Mehmet Konicës në Londër: «Shqiptarët në Serbi janë ekspozuar çdo ditë në sulme e vrasje. Ju këshillonj të çoni 300 dinarë në gazetën ‘Hak’ në Shkup dhe të pajtoheni, se duhet që opinioni publik i Anglisë të dijë se ç’bëhet në Kosovë»! Gjetkë njofton të njejtin shqetësim: «Drejtori i Seksionit të Minoriteteve (në Lidhjen e Kombeve) z. Kollban më dha fjalë se do t’i bëjë një notë delegatit të Serbisë, dhe nga ana tjetër do ngarkojë përfaqësonjësin e z. Nanson në Belgrad që të okupohet dhe me çështjen e shqiptarëve të Kosovës».
Më tej Mit’hat Frashëri kërkonte tepër qartë e prerë te qeveria e Tiranës: «Një Memorandum në Konferencën e Ambasadorëve ose në Gjykatën e Hagës, për të kërkuar çdëmtim prej Greqisë për 300 katunde të shkretuar më 1914. Një Memorandum i njëllojtë duhet paraqitur dhe kundër Serbisë për afër 200 fshatrat e përmbysura më 1920 e ’21…Greku e Serbi përditë po i shtojnë kërkesat e tyre e kanë një prirje që Shqipërinë ta shohin si një provincë jugosllave ose greke e cila sot a nesër është e fatuar të bashkohet me trupin e madh helenik a serb».
Me përpjekjet e atdhetarëve të shquar Shqipëria, kundër këmbënguljes histerike të Beogradit e Athinës u pranua në Lidhjen e Kombeve. Si kryetar i Dërgatës shqiptare Mit’hat Frashëri flet fjalët që nuk harrohen:
«Zotërinj, Shqipëria mund të quhet famullesha e Lidhjes së Kombeve. Lidhja e Kombeve e ndihmoi në rilindjen e saj…Shqipëria ka bërë tërë përpjekjet e saj për të merituar nderimin e Lidhjes së Kombeve…Ajo është një nga vëndet më demokratike për nga Kushtetuta dhe administrata e saj. Idetë që paraqet Lidhja e Kombeve gjejnë midis shqiptarëve partizanët me të bindur». E më tej, një gjykim ku atdheun e vet harmonishëm në mesin e merituar të shoqeve e të mbrojtur prej tyre:
«Tërësia e shteteve formon një trup harmonik. Më e vogla sëmundje, më e padukëshmja plagë mund të prekë gjithë trupin».
Që në shkurt 1921 ai shkon në Londër ku takon figurën parësore të Lidhjes së Kombeve, lordin Robert Cecil, të cilin e bën mbështetës të vendosur të çështjes shqiptare. Me një gëzim të çiltër fëmijësh i shkruan Hil Mosit më gusht 1921: «Delegacioni anglez erdhi dje tek unë të më njoftonte zyrtarisht se Anglia hoqi dorë të kërkojë Gjirokastrën për Greqinë. Korça gjithashtu qe jashtë bisedimit, kështu që kufijtë tanë të 1913-ës u siguruan».
Athina e Beogradi ngulnin këmbë që diskutimi për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve të shtyhej, pasi shtetin shqiptar nuk e njihte as delegacioni francez( !). Lordi Cecil kundërshtoi fuqishëm:
«Vonesa në të tilla çështje kaq të ngutëshme është një krim kundër njerëzimit…Ne nuk kemi të drejtë të luajmë me jetën dhe lumtërinë e këtyre njerëzve, duke ndjekur mënyrat e diplomacisë së vjetër» (të kujton të njejtin qëndrim për Pavarësinë e Kosovës sot).
Më 16-18 nëntor 1921 Mit’hat Frashëri, në mbrojtjen e zjarrtë të Kosovës, zhvilloi një debat të ashpër gjithashtu me delegatin serb M. Boshkoviç, i cili bëri jehonë të mprehtë. Më tej i dërgoi një Notë të veçantë sekretarit të Përgjithshëm, E. Dummomd, e ai e shpërndau atë në tërë Këshillën e Lidhjes së Kombeve.
Mit’hat Frashëri kish kërkuar po ashtu, gjer te Presidenti Vilson, që të mënjanoheshin intrigat e pandërprera të fqinjëve shovenë. Dhe Lidhja e Kombeve ahere vendosi:
«Cdo program ndihmash për Shqipërinë të zbatohet nga një Organizëm Ndërkombëtar ku të mos marrin pjesë shtetet që kanë interesa të drejtpërdrejta në atë shtet» (kuptohet, Athina e Beogradi, vrasëse historike të kombit shqiptar, as nuk duheshin afruar në punët e Shqipërisë. Në të kundërt, sot Greqia është bërë kolonizatore e hapur e saj, në çdo qelizë të jetës, duke e shpërbërë e përvehtësuar plotësisht).
Si çdo atdhetar i shquar, Mit’hat Frashëri i ndiqte me vëmëndje tragjeditë e pandërprera mbi Shqipërinë. Ato ai i lidhte jo vetëm me armiqësinë e fqinjëve, por dhe me ndihmën, si në një pazar ku tregëtoheshin popujt, që u jepte atyre diplomacia europiane. Përshkrimet e ngjarjeve të tilla tingëllojnë dhe si elegji të cilat, më shumë se lotët thërrisnin përkushtimin për të mbrojtur veten.
“Cdo ditë lindëte një lajm i zi nga gjiri i atyre që peshonin dhe ndanin fatin e popujve–shënon Mit’hati - Traktati i Fshehtë i Londrës po rrinte kurdoherë varur si një shpatë mbi kryet e Shqipërisë, e ai Traktat donte të thoshte coptimi dhe çdukja jonë...Kryetari Vilson kish shpallur që nuk njihte, nuk pranonte marrëveshje të fshehta dhe nuk jepte leje që zihjet dhe rivalitetet mes Serbisë së re dhe Italisë të ndreqen mbi kurrizin e Shqipërisë”.
Më tej shkruan:
“Mbi kërkesën e Rusisë e të Francës u parashtrua coptimi i Shqipërisë në Traktatin e Londrës; por këtë coptim e ndaloi Vilsoni, kundër Lloyd Xhorxh e Klemansoit”. E më tej për masakrat e shovenëve:
“Këto tmerre u injoruan, bile kaluan pa u vënë fare në dukje. Shumë pak persona të së ashtuquajturës botë e qytetëruar’ u shqetsuan për këtë. Disa syresh dhe i duartrokitën, duke u përpjekur t’i quajnë ato si një veprim civilizues të Greqisë...Kujdesi i të fortëve ishte vetëm për fqinjët më të mëdhenj! Shqipëria e vogëlsuar qe e dënuar të vogëlsohet edhe ca”.Me pikëllimin e fqinjit të vërtetë fisnik e me një dhimbje të çiltër njerëzore, gjetkë ai shprehet: “Gjithë fqinjët, tërë shtetet që i kemi pranë na dualën armiq, keqdashës...dhe Fuqitë e Mëdha, pak a shumë të largshme, nuk na doli asnjë mik, asnjë ndihmës dhe dashamir”.
Gjykimet i lëvizin në strukturën e valëve të detit: aty me qetësi diplomatike, aty me zëmërim Shqiptarësh të fyer, e ai lëshon mendimin, sa të qetë dhe të vendosur: ”Duhet ndrequr një gabim i tillë, i shkaktuar nga dashamirësia e tepëruar ndaj Greqisë zhurmëmadhe”!
Më e keqja qe, se kjo dramë luhej si nga Jugu dhe nga Veriu. “Sllavët nuk bëjnë tjetër, plotsonte ai, veç kopjojnë proçedurat greke, kur ata me qëllim i marrin shqiptarët për turq, me synim për të hapur kështu mendimin se ata janë të huaj të ardhur nga Azia, vënd në të cilin duhet të kthehen përsëri”! Shpifja teorike nxjerr fytyrën e qëllimit praktik: “Katër shtetet e Ballkanit e shihnin veten e tyre si trashëgimtarë të Turqisë, i të gjithë tokës turke bashkë me truallin qe e sundonte shqiptari prej mëse 40 shekujsh”.
Me logjikën e mbrapshtë fetare të tyre, Athina e para e Beogradi më pas i nisën dhjetra mijë shqiptarët në thellësi të Anadollit. Mit’hat Frashëri gjykon me ironi të mprehtë, e këtë ia drejton dhe Europës: “Të çosh çamët në Turqi, është njësoj si të syrgjynosësh irlandezët në Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezët edhe polakët janë katolikë, e prandaj qënkan të një kombësie”!
Logjika e Mit’hat Frashërit edhe lojën shovene me letrën „turke“ e çvlerësoi bindshëm. Ai spjegon: “Shqiptarët muarën fenë e mundësve jo nga shtrëngimi e me pahir, po vetëm me qëllim që të bëhen dhe ata baraz e shokë me turqit...Disa prej zotërijve u bënë myslimanë që të mbeten me venome, të mos vuajnë nga madhështia dhe keqësia e zaptonjësit” (ka mundës të Shqipërisë, po jo mundës të shqiptarëve- thotë Fishta). Megjithatë, në tërësi shkrirje kombësie nuk ka dhe kufijtë, shpesh me lumenj gjaku, mbeten të dallueshme. “Autoritetet e Stambollit donin të na orientalizonin me fenë, me bindjet politike, me shkronjat e tyre; e ne kundërqëndronim, se e njihnim që nuk kishim gjë të përbashkët me Orientin”.
Me mllefin e tërë shqiptarëvë gjithësesi të dhunuar e të fyer prej të gjithëve, Mit’hat Frashëri gjykon: “Dihet mirë verbëria e turqve dhe kokëfortësia e marrë e tyre në zellin për të shtypur frymën kombëtare shqiptare...”, dhe pohon të vërtetën e njohur botërisht: “Myslimanët e krishterët në Shqipëri mirëkuptohen e nderojnë njeri tjetrin se ata e dinë që rjedhin nga i njejti trung, flasin të njejtën gjuhë, kanë të njejtat zakone, ruajnë të njejtat kujtime nga e shkuara dhe kanë të njejtat aspirata e ideale”.
Te fqinjët fshihet e kundërta, siç e njihte mirë Mit’hati dhe e spjegonte në rrënjë: “Përveç klerit grek, u panë gjithashtu dhe sllavët të lidhen me autoritetet turke dhe të kërkojnë persekutimin e shqiptarëve...Ishin shqiptarët ata që e mundën Turqinë, dhe tani armiqtë e kësaj Shqipërie vrapuan ta coptojnë e iu hodhën atyre, që të ndajnë plaçkën pa pyetur hanxhinë...Lufta turko-ballkanike në fakt kish filluar jo në vjeshtën e v. 1912 por 3 vjet më parë, në v. 1909 kur filloi ekspedita e famëshme turke në Kosovë...Katër aleatët (Serbi, Greqi, Mal i Zi e Bullgari) arritën jo për të coptuar të mundurën, Turqinë e sëmurë të Carit, por fitimtarin e një dite më parë, Shqipërinë, me cilësinë e saj të dyfishtë – si kombi më i vjetër, si dhe për luftën që kish bërë”.
Trashëgues i familjes së shenjtë, Shqipërinë ai herë e shihte me gëzimin e nënës mbi fëmijën që ngrihet më këmbë, herë me shqetësimin e saj kur fëmia është i sëmurë. Në një vënd shkruan saktë e bukur:
“Pushtimet e huaja kishin qënë një ilaç i çmueshëm për të formuar ndërgjegjen kombiare...Një erë e re po fillon për shqiptarët, një erë me nacionalizëm të pastër, me një solidaritet më të ngushtë vëllazërimi, me dhëmbshuri”. Por ata nuk duhet të harronin se ç’kundërshtarë të jashtëm e ç’gjëndje të brëndëshme kishin, e për këtë Mit’hati këshillonte me mprehtësi:
“Të lindur pa fuqi për mbojtjen e trashëgimit të stërgjyshëve, shqiptarëve s’u paraqitej veçse fuqia e drejtësisë...na shtrëngonin të ngrinim duart drejt të mëdhenjve! Mamitë që kryenin lindjen tonë kishin kujdes fare të kundërt, dhe jo kurdoherë kujdesin e gjallimit të foshnjës”. E më tej, po kaq bukur, si prozë arti e filozofie bashkë: “Lufta e madhe për Shqipërinë mund të krahasohet me një dimër të gjatë dhe, sikundër fara mbin nën dëborën shterpë, ashtu dhe ideja patriotike pati kohë të lëshojë rrënjë e të forcohet...Vuajtjet janë jo vetëm një shkollë e mirë, por e vetmja shkollë. Shpesh herë duhet bekuar fatkeqësia! Dhe mund të themi se kështu ngjan me kombin tonë”!
Kështu iku dhe një Njeri i Madh i Shqipërisë. Në shpirt të tij ai nuk deshte ta vajtonin, në hallet që kish Shqipëria koka të mos u ulej sadopak nga hidhërimi, siç e kish lënë amanet të përgjithshëm: „Vajtimi nuk hyn në punë se sjell dëshpërim, fatalizëm! Zgjoni në popull ndjenjën e dinjitetit e të përgjegjësisë së njeriut, të punëve të tij!..Cdo shqiptar sot gjëndet para gjykatores së historisë. Historia po na gjykon“!
Shteti komunist i Tiranës sigurisht bëri festë. Vite me radhë Shqiptari i Madh që u shkri si rrallëkush për Shqipërinë u mbulua me mallkime e fyerje si ‚antishqiptar’(!).. Një Fjalor Enciklopedik e cilëson me epitetet e shëmtuara e të mjerueshme - «bashkëpuntor fashizmi, agjent anglo-amerikan(!)…“
Pa i ndarë kurrë sytë nga Kosova, ai adhuronte figurat e shquara të saj në harmoni me popullin madhështor e viktimë të Kosovës. Ai këshillonte mësimin aq të çmuar e të domosdoshëm për shqiptarët: “Sa më shumë të njohim njerëzit e famshëm tanët aq më tepër do kemi respekt dhe dashuri për kombin, aq më të mëdha shënja dhe shëmbulla do na shfaqen që të mund të ndjekim gjurmët e tyre dhe të rrëfehemi djem e nipër të zotë“. Është radha jonë ndaj Mit’hat Frashërit e njerëzve si Ai, e këtu na rri përpara gjykimi i Molierit: „Marrim pjesë në lavdinë e të parëve vetëm ahere kur mundohemi t’u ngjajmë“.
Në e kujtojmë atë me nderimin që u takon Shqiptarëve të Mëdhenj. Vetë vepra e tij dëshmon se Ai e meriton Përmendoren e nderimit së pari në Kosovë. E së fundi, vështirë të gjesh fjalë më të përshtatëshme përkujtimi se ato që ai la vetë për veten e tij: që më 1915:
„Kur të vdes, miq/, mos mbillni mbi varrin tim lule që i than dielli i gushtit!/ Mos më vini një shtyllë më këmbë që e rëzon era e veriut!/...virmëni një qipariz...shpirti im do jetë i mbështjellë në trup të tij/ dhe do të shohë këtë njerëzi/, do të shikoj këtë botë dhe stërnipët e të sotmëve/. Dhe kur fryn veriu i egër e dëgjoni drurin plak të oshëtijë/, mos pandehni se era këndon në degët e tij:/ është zëmra ime që qan e rënkon/. Dhe kur shihni mbi gjethin e hollë të tij/ pikëza që shkëlqejnë te diell i një mëngjezi gazmor/, mos pandehni se janë vesë të natës/! Janë lotët e mi./Se dua që edhe pas vdekjes, o miq të pritmit/ të rënkoj e të qaj bashkë me ju/, të kem pjesë në gëzim e pikëllim“.








Comments