top of page

Çaush Kullafi: Kejsi Elezi, Vajza e Vizionit dhe Energjisë që Frymëzon Rininë Shqiptare



 

Nga Çaush Kullafi

 

Në një kohë kur shumë të rinj ndihen të zhgënjyer, të pavlerësuar dhe pa zë, ngrihet një zë i qartë dhe i vendosur: Kejsi Elezi. Një vajzë e re, plot energji, vizion dhe kreativitet. Ajo nuk flet thjesht për të thënë diçka, ajo flet për të bashkuar, për të frymëzuar dhe për të ndezur një shkëndijë në zemrat e të rinjve shqiptarë.

Në takimet me qytetarët, Kejsi nuk shfaqet si një figurë e largët apo e mbyllur në botën e saj. Përkundrazi, ajo u drejtohet me përzemërsi dhe thjeshtësi: "Unë jam bija juaj,", thotë ajo, me një ton që përçon përulësi dhe krenari njëkohësisht. Dhe nuk kishte mënyrë më prekëse për të përshkruar këtë moment sesa përqafimi i nënës Nasibe Kullafi , një përqafim i ngrohtë, i sinqertë, që simbolizon besimin dhe mbështetjen që brezi i mëparshëm i jep brezit të ri.

Kejsi nuk është vetëm një fytyrë e bukur e rinisë,ajo është një mendje e kthjellët, një zë që njeh mirë sfidat e kohës. Ajo ka njohuri të thella në fushën e ekonomisë, por njëkohësisht e kupton thellësisht botën e të rinjve. Ajo di se çfarë kërkojnë ata: mundësi për të kontribuar, për të ndërtuar një jetë dinjitoze, për të mos ikur nga vendi i tyre, por për ta dashur dhe për ta përmirësuar atë.

Si Kejsi ka shumë të rinj në Shqipëri, të majtë, të djathtë, të pavarur, por të gjithë me një gjë të përbashkët: dëshirën për të parë vendin e tyre të ecë përpara. Fatkeqësisht, jo gjithmonë u jepet mundësia. Pengesa, shkurajimi dhe padrejtësitë janë ende pjesë e përditshmërisë së shumë prej tyre. E kush më mirë se Dritëro Agolli e ka përshkruar këtë realitet, në poezinë e tij të njohur “Kali dhe gomari”, ku ai shkruan:

 

"Kalonin në një shteg kali dhe gomari

Gomari para, pas gomarit kali.

të dy ngarkuar me thasë mirë

Përpara nxjerrin veç gomarë.”


Mesazhi i kësaj poezie është sa i thjeshtë, aq edhe i dhimbshëm: shumë herë, në jetë, përpara ecin ata që nuk kanë vlera, ndërsa ata që kanë aftësi, që mund të bëjnë ndryshimin, mbahen pas. Por kjo nuk duhet t’i ndalë të rinjtë si Kejsi. Përkundrazi, kjo duhet të jetë arsyeja që ata të ngrihen më të fortë, më të vendosur, më të bashkuar.

Shqipëria është një vend i bukur. Me natyrën, klimën, traditat dhe njerëzit e saj të mrekullueshëm, është qëndisur me kujdes ndër shekuj. Por kjo “qëndisje” ka nevojë të rifreskohet. Ka nevojë për dorën e re të rinisë, për mendjen e hapur dhe energjinë e pastër të brezit që po rritet.

Përvoja, pa dyshim, është një pasuri e madhe, dhe duhet vlerësuar. Por vizioni është ai që të çon përpara. Dhe kur përvoja e brezave më të moshuar bashkohet me entuziazmin dhe idetë e reja të të rinjve, krijohet një forcë e jashtëzakonshme për ndryshim.

Kejsi Elezi është një përfaqësuese dinjitoze e kësaj rinie me vizion. Ajo është simbol i një brezi që nuk ka frikë të shprehë mendimin, që nuk trembet nga sfidat, por i përballon ato me buzëqeshje dhe përkushtim. Ajo është zëri i një Shqipërie që kërkon të rritet me dinjitet.

Mesazhi për të gjithë të rinjtë është i qartë: mos prisni që dikush tjetër t’ju japë rrugën. Krijojeni vetë atë. Siç kërkon edhe kali në poezinë e Dritëroit, mos lejoni që gomari t’ju zërë rrugën. Merrni vendin që ju takon me dinjitet, dije dhe vullnet.

Sepse, në fund të fundit, rini, ju jeni shpresa e një kombi.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page