top of page

Zymer Kodra: ÇKA TË THEM?

ree

ÇKA TË THEM?


Çka të them, në këtë dritë të pakët,

kur fjala m’dridhet në buzë si një fije hiri?

Para meje rri turma e heshtjes,

prapa meje rrinë vitet që s’i kthej më kurrë.

Çka të them, kur e di që fjala

s’duron gjithmonë peshën e shpirtit?


Njeriu flet pak…

e mendon shumë, si gur që mbledh reshjet në brendinë e vet.

Unë jam këtu, në foltoren që s’fal,

me duar të lodhura prej jetës e sy që shohin më larg se drita.

E heshtja ma flet të parën:

“Fol, por jo për t’i zbukuruar ata

fol për të mos e tradhtuar veten.”


Çka të them?

Ndoshta asgjë më shumë se të vërtetën time,

atë që s’i bën lajka askujt,

atë që e kam mbajtë si gur nën gjuhë.


Dhe kur fjala të dalë,

le të dalë si një rremë i thellë shpirti,

jo e bukur, por e drejtë.

Jo e madhe, por e vërtetë.

Se ndonjëherë fjalët vlejnë veç atëherë

kur njeriu s’ka fare fuqi me i thënë krejtë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page