Zymer Kodra: QËNDRO
- 5 minutes ago
- 1 min read

Mos prit rruga vetë me u çelë,
çele me hapin tënd të vendosur,
se toka s’i mban mend të ndalunit,
por ata që ecin me nder në dorë.
Qëndro kur bota nis me u lëkundë,
mbaje fjalën gur në themele,
se besa s’është tingull në gojë,
por peshë që digjet thellë në zemër.
Mos u tremb kur bie në baltë,
rënia është provë për shpirt,
ai që kurrë s’ka rënë në jetë,
s’e njeh ngritjen më me dritë.
Duaje vendin edhe kur të dhemb,
edhe kur lodhja të bie si re,
se atdheu s’është për rehati,
por për besë, për gjak, për dhe.
E kur dita të shuhet në heshtje,
pyete veten pa zë e pa frikë:
“A qëndrova siç duhej sot?”
Nëse po… ke jetuar me dinjitet.
Zymer Kodra








Comments