top of page

Zymer Kodra: A T’KUJTOHET?

ree



Poezia “A t’kujtohet?” është një meditim i ndjerë mbi humbjen e vlerave njerëzore në rrjedhën e kohës. Zymer Kodra ndërton vargje të qeta, por me peshë, duke krahasuar të shkuarën – ku fjala kishte besë, heshtja kuptim dhe durimi dinjitet – me të tashmen e nxituar, të kalkuluar dhe shpesh të zbrazët shpirtërisht. Pyetja e përsëritur “A t’kujtohet?” shndërrohet në një thirrje ndërgjegjeje, jo vetëm personale, por edhe kolektive. Poezia nuk akuzon, por përkujton me dhembshuri, duke lënë të hapur një mall të heshtur për një botë më njerëzore, që ndoshta ende jeton brenda nesh. (F.T.)



Zymer Kodra: A T’KUJTOHET?

 

A t’kujtohet kur fjala s’kishte zë,

po kishte peshë si guri n’vrnd t’vet?

Kur koha na ecte pa orë në dorë

dhe s’kishim nevojë me u ngut me jetë.

 

A t’kujtohet kur u dëgjonim pa folë,

dhe u merrnim vesh pa sqarim?

Një shikim vlente sa  një betim,

e premtimi s’kishte nevojë nënshkrim.

 

A t’kujtohet kur rrugët ishin tonat,

jo nga pronësia, po nga guximi?

Kur ecja ishte mendim i lirë,

me një fund të hapur  e jo nga kalkulimi.

 

A t’kujtohet si durimi ishte virtyt,

jo dobësi vetëm për t’u shfrytëzu?

Kur pritja kishte dinjitet,

e heshtja ishte zgjedhje, jo se jemi frikësu.

 

Nëse s’të kujtohet, stë ka faj askush.

Koha ka shenja të reja që tani.

Po unë ende e shtroj atë pyetje,

si letër të palexuar në xhep:

A T’KUJTOHET?

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page