Zyhdi Dervishi: Një libër – risi i Prof. Dr. Fatmir Terziut me studime e kritika letrare
- 2 hours ago
- 8 min read

Një libër – risi i Prof. Dr. Fatmir Terziut me studime e kritika letrare
Prof. Dr. Zyhdi Dervishi
Shkrimtari, kulturologu dhe eseisti Oscar Wilde ka argumentuar se kritika më e lartë, duke qenë formë më e pastër e refleksioneve vetjake, është po aq krijuese sa edhe vetë krijimi artistik, letrar. Kjo ide vlen për të karakterizuar në mënyrë sintetike bashkëpunimin profesional ndërmjet studiuesit e kritikut Profesor Doktor Fatmir Terziut dhe shkrimtarit Uran Butka, që mishërohet edhe në librin “Diskursi i bukurisë së dhimbjes në krijimtarinë e Uran Butkës”.
Uran Butka i përket një fisi njerëzish të fisëm që në rrjedhën e trazuar të historisë, veçanërisht që nga mesi i shekullit XIX e në vijim, ka dhënë shumë gjak dhe investime kulturore për mbrojtjen e lirisë, lartësimin e dinjitetit dhe përparimin e shpejtë e të shumanshëm të popullit shqiptar. Studimi i dokumenteve dhe fakteve të shumëllojshme të bind se, në sajë të “gjenit” të fisëm dhe të përkushtimit atdhetar, anëtarët e fiseve të tillë, përgjithësisht të shtresës së mesme, arritën të përballojnë sfidat e rënda të çfarëdo lloji persekutimi dhe të krijojnë vlera të qëndrueshme në fusha të ekonomisë e të politikës, të filantropisë e të profesioneve të ndërlikuara, dhe sidomos të dijeve e të arteve. Në radhët e krijuesve të plejadës më të shquar të vlerave të kësaj kategorie është edhe mjeshtri i fjalës letrare, kryesisht në prozë të shkurtër, uran Butka që tashmë përjeton moshën e pjekurisë së plotë artistike. Me krijimtarinë e gjerë në prozë, që trajton një problematikë komplekse të shoqërisë shqiptare, Butka përvijon një paradigmë novatore në letrat shqipe të tre dhjetëvjeçarëve të fundit, ndërkohë që shoqëria shqiptare ka përjetuar dhe përjeton zhvillime të vrullshme, përgjithësisht kontradiktore dhe me prani shqetësuese e deri traumatike të proceseve anarkike. Këtë paradigmë të re, me profile jo vetëm letrare, por edhe më gjerë, e ka skanuar me nivelet më të epërme të profesionalizmit studiuesi dhe kritiku i mirëkualifikuar i disa fushave të artit dhe veçanërisht i letërsisë Prof. Dr. Fatmir Terziu, i cili e ka analizuar këtë paradigmë në shumëdimensionalitetin e vet në punimin monografik të titulluar “Diskursi i bukurisë së dhimbjes në krijimtarinë e Uran Butkës” (botimi i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, Tiranë 2019, f. 192).
1. Shkollë avanguardiste

Studimet dhe kritikat e konstruktuara me profesionalizëm nga Prof. Dr. Fatmir Terziu në fusha të arteve, veçanërisht në atë të letërsisë, formësojnë një shkollë të mirëkonsoloduar, avanguardiste që ka tejkaluar mjaft mangësi, dukuri problematike, të provokuara edhe nga mendësi të politizuara skajshmërisht dhe praktika të vrazhda të hujit që kanë çoroditur hulumtimet dhe trajtesat kritike të fondeve letrare të shoqërisë shqiptare që nga mëvetësimi prej Perandorisë Osmane deri në ditët tona. Studimet dhe kritikat letrare Profesor Doktor Fatmir Terziu i ka konceptuar dhe zhvilluar në lëmë të letrave shqipe si shkenca multidisiplinare, që profilohen në mënyra holistike, duke u bazuar në disa korpuse të konsoliduara mendimi si ai filozofik dhe estetik, sociologjik dhe eseistik, të evoluara nga hamendësimet gjeniale të filozofëve të antikitetit si Platoni, Aristoteli etj. deri te prijëtarët e mendimit modern dhe pasmodern në këto fusha, si Friedrich Niçe e Hana Arend, Anri Lefevri e Stephen Bonycastle, Riçard Rorty e Michael Morgan, Susan Leggert etj.
Në kundërvënie të një prirje me profile të errëta egocentrike që i ysht mjaft studiues shqiptarë për të mos përfillur mendimet e të tjerëve të afishuar si të anës tjetër të spektrit ideopolitik, Terziu e qëmton nektarin e reflektimeve teorike që referon pavarësisht nga pozicionimet politike të autorëve të tyre. Në rilevimin e vlerave të krijimtarisë letrare të Uran Butkës, Prof. Dr. Terziu sintetizon edhe arritje të mendimeve më të argumentuara teorikisht të shkrimtarëve dhe kritikëve letrarë shqiptarë si Visar Zhiti e Adriatik Kallulli, Halit Shamata, etj. Qëmtime të tilla profesionale i thellojnë, i konkretizojnë dhe zgjerojnë diapazonin e analizave teoriko-letrare në këtë libër dhe afrojnë një model me standarde të ideales në realizimin e parimit të universalizmit, siç do ta karakterizonte studiuesi amerikan bashkëkohës Robert King Merton.
Në shqyrtimet studimore të Prof. Dr. Fatmir Terziut arritjet më të përparuara të mendimit teorik të vendeve të tjera gërshetohen harmonishëm me idetë origjinale për çështje analoge të studiuesve dhe shkrimtarëve shqiptarë. Pa një harmonizim të tillë nuk do të shkruhej libri-risi në fushë të studimeve letrare shqiptare “Diskursi i bukurisë së dhimbjes në krijimtarinë e Uran Butkës”.
Pas shpërbërjes së regjimit socialist totalitar, që nga fillimi i viteve 1990 deri në ditët tona, letrat shqipe janë pasuruar me fonde mjaft të vlefshme të veprave letrare të shkruara nga një plejadë poetësh e shkrimtarësh të persekutuar në shkallë të ndryshme, individualisht, familjarisht e deri në përmasat e fisit nga strukturat përkatëse të shtetit socialist totalitar. Krahas me rritjen e përsosjen e kësaj letërsie u formësua edhe stereotipi studimor për të interpretuar atë kryesisht si letërsi të vuajtjeve të shumëfishta, të dhimbjeve deri shpërfytyruese, të pesimizmit të trishtë pa kurrfarë drite shprese etj. Kjo degë e letërsisë shqipe, e përfytyruar ose e trajtuar si e tillë, e humbet shpejt shumicën e lexuesve, rëndësia e saj artistike e shoqërizuese tkurret më shpejt se rrjedha e vrullshme e kohës në shoqërinë moderne. Duke tejkaluar një prirje të tillë shkrimtari Uran Butka ka arritur t’u ofrojë lexuesve vlera letrare komplekse.
2. Letërsia si varkë-shpëtimi në dallgët e kujtesë-harresës
Kujtesa dhe harresa janë procese psikike të kundërta dhe me ndikime kontradiktore sidomos për popujt që kanë përjetuar rrjedhoja problematike të ngjarjeve të rënda si luftëra të shumta kundër pushtuesve të ndryshëm, diktatura të ashpra të dy llojeve si diktatura të diktaturave dhe diktatura të anarkisë. Ndër popuj të tillë është edhe populli shqiptar, ndoshta më i përvujtuari në historinë e njerëzimit, së paku në Erën e Re. Në rrethana të tilla për shqiptarët është jetike çështja e përpjesëtimeve optimale ndërmjet kujtesës dhe harresës për ngjarje të caktuara të kaluarës, veçanërisht për ato të periudhës së regjimit socialist totalitar, është jetike të filtrohet memoria përmes aparaturave konceptuale të përpunuara prej kombeve numerikisht më të mëdhenj të vendeve më të urbanizuara. Duke shqyrtuar një problematikë të tillë të përthyer në rrjedhat rrëfimtare të Uran Butkës, studiuesi Fatmir Terziu nënvizon: “Procesi i ripunimit të memories, nga e shkuara në një kënd të ri vështrimi për kohën është një anë krijuese komplekse në krijimtarinë letrare, pasi është një proces grumbullimi, hulumtimi, referimi dhe përshtatjeje për hapësirën, kohën dhe vendin” (F. 129). Pra përvojat e vendeve të tjerë lipsen aplikuar të modifikuar me racionalizëm, sipas veçorive origjinale të shoqërisë shqiptare.
3. Pasurime të kodeve simbolike
Terziu ka argumentuar në mënyrë të detajuar se letërsia narrative e Uran Butkës ndërtohet natyrshëm edhe me struktura simbolike të shumëllojshme. Veçanërisht në romanin “Miti i Haxhi i Qamilit” shtjellohet një gamë e gjerë, komplekse të kuptimeve simbolike që kanë të bëjnë edhe me spektrin e ngjyrave. Madje Terziu thekson se, romancieri Butka, operon jo vetëm me kuptimet simbolike tradicionale të dy ngjyrave kryesore: e zeza dhe e bardha, por edhe pasuron kuptime të tilla me mesazhe më të nuancuara. Përgjithësisht ngjyra e bardhë simbolizon shtresat fisnike të shoqërisë, forcat politike të djathta, paqen e paqëtimin në sheshbeteja. Në këtë roman të Butkës, argumenton Terziu, “e bardha” është edhe simbol i rezistencës dhe i vetëmohimit në luftën kundër errësirës së injorancës (f. 148). Dhe në ballafaqime të tilla shumëplanëshe janë të përhershme ndërmjet dritës së përparimit dhe vulgaritetit të prapambetjes. Autori argumenton se në këta ballafaqime fati përcaktohet nga thelbi i qëndrueshëm, racional i kulturës shqiptare, i ngjizur në përballje të shumta të popullit shqiptar me sfida të rënda, të llojllojshme në rrjedhën e historisë. Me mënyrat se si e rilevon “universin” e kuptimeve simbolike në këtë roman të Butkës, studiuesi Terziu i ndihmon lexuesit të deshifrojnë natyrshëm, përmes ëmbëlsisë artistike nuancimet fine të simboleve kulturore, i ndihmon letrarët e rinj të përvetësojnë teknikat simbolike, si një prirje moderniste në krijimtarinë letrare.
4. Diamante të bukurisë edhe nëpërmjet kristaleve të dhimbjeve
Nëpërmjet aparaturave konceptuale më të avancuara studiuesi Terziu arrin të skanojë me përparësi indin e bukurisë edhe aty ku është më pak i dukshëm, në spazma të dhimbjeve që i janë imponuar kohë pas kohe “segmenteve” të caktuara të popullit shqiptar nga struktura politike, shtetërore vendase dhe të huaja. Këtë linjë risish artistike ka vlerësuar në mënyrë holistike kritiku dhe studiuesi Fatmir Terziu, i cili me argumente të shumta e të natyrave të ndryshme provon se të përvuajturit respektohen jo thjeshtë duke përshkruar artistikisht vuajtjet e tyre, por duke i pasqyruar në atë mënyrë që prej tyre të ngjizen margaritarë të bukurisë sublime, e cila është e qëndrueshme në kohë dhe ndihmon për të fisnikëruar jo vetëm bashkëkohësit, por edhe breznitë e ardhshme. Ky libër i Prof. Dr. Terziut është shumë i rëndësishëm për jetën shkencore dhe letrare të shqiptarëve kudo ku punojnë e jetojnë, në hapësirën shqiptare në Ballkan ose si emigrantë në vende të tjerë sepse përbën, nga njëra anë, një themel të shëndoshë për kritikën letrare me standarde shkencore më të epërme dhe nga ana tjetër, shërben edhe si etalon për modelet më të përparuara të zhvillimit të letërsisë shqiptare, veçanërisht të krijimit prej saj të së bukurës së pazhbëshme, të së bukurës më fisnikëruese që ngrihet si feniksi mbi plagët më traumatike, fizike dhe sidomos shpirtërore. Mendoj se do të ishte në dobi të shoqërizimit estetiko-artistik të nxënësve të shkollave të mesme, të studentëve të degës së letërsisë dhe të talenteve të reja në fushë të letërsisë që libri “Diskursi i bukurisë së dhimbjes në krijimtarinë e Uran Butkës” dhe veprat letrare që analizohen në këtë punim monografik të përfshihen në programet e letërsisë që zhvillohen në nivelet e shkollimit të mesëm dhe universitar e mbiuniversitar.
Në hierarkinë e dhimbjeve e të vuajtjeve ato shpirtërore janë më traumatike se dhimbjet ose vuajtjet fiziologjike. Dhe njeriu nga natyra është i prirur t’i shmanget shqetësimeve të tilla në mënyra të ndryshme, t’i sfidojë ato. Dhe para së gjithash çdo njeri ka si detyrim fisnik të mos u shkaktojë trauma të tjerëve, por t’i shërojë të tjerët nga spazmat tjetërsuese. “Në mënyrë që të kemi mëshirë për të tjerët, arsyeton Terziu, - ne duhet sipas disa tregimeve të Butkës, të jemi në gjendje të ndjejmë vuajtjet e tyre me ta, për ta kthyer dhimbjen për tjetrin në një ndjesi dhe mesazh të qartë solidariteti njerëzor” (f. 126). Vetëm duke hyrë, si të thuash, nëpërmjet procesit psikokologjiko-abstrakt të empatisë në lëkurën e njëri-tjetrit shqiptarët arrijnë të kuptohen më mirë ndër vete, arrijnë të ndihmojnë realisht njëri-tjetrin për të përballuar më me lehtësi vështirësitë, sfidat e shumëllojshme të jetës, veçanërisht ato psiko-kulturore.
Terziu zbulon se tregimet e Butkës, në kompleksitetin e vet, kultivojnë edhe një nga ndjenjat më fisnike, që shumëfishon fisnikërimin e njerëzve, ndjenjën e empatisë. Kjo ndjenjë është një margaritar i rrallë shpirtëror, por që shumëfishohet ndër shqiptarët edhe nëpërmjet fuqisë ndikuese të veprimtarisë letrare të Uran Butkës. Pas shqyrtimeve teorike të imtësishme të kësaj dukurie të përpunuar artistikisht nga Uran Butka, Prof. Dr. Terziu thekson: “Po çfarë saktësisht është dhembshuria të tregimet e Uran Butkës? Në mënyrë që të kemi mëshirë për një tjetër, ne duhet, sipas këtyre tregimeve, të jemi në gjendje të ndërrojmë vuajtjet e tyre me ta, për ta kthyer dhimbjen për tjetrin në një ndjesi dhe mesazh të qartë solidariteti njerëzor” (f. 126). Terziu zbulon se me krijimtarinë e vet letrare Uran Butka nuk kujton në mënyrë të thjeshtësuar dhimbjet, traumat e shumanshme të popullit shqiptar, nuk realizon radiografinë e tyre me mekanizma qaramanë e me nota të errëta pesimizmi vrastar. Përkundrazi, nga kronikat e dhimbjeve të shumanshme ai, si të thuash, distilon arin e bukurisë. Këtë situatë, risi në letrat shqiptar studiuesi dhe kritiku Terziu e karakterizon në mënyrë përgjithësuese dhe lakonike:
“Ky shkëlqim, më së shumti i formës, rrëfen mes leximit të Butkës se thelbi i bukurisë së dhimbjes shkëlqen në një shumëllojshmëri të pafund mënyrash. Një herë është shkëlqimi i ndjeshëm i ngjyrës ose i tonit, një ritëm ose një ekuilibër harmonik ose përsëri reflektimi mbi gjërat e një mendimi njerëzor apo hyjnor, por mbi të gjitha është shkëlqimi i thellë i shpirtit të tij, që ndriçon Bukuria e dhimbjes është në një mënyrë relative riqasje shpirtdhimbëse... Pra, njeriu me siguri mund ta gëzojë bukurinë thjesht si të kuptueshme, por bukuria e cila është e natyrshme për njeriun është ajo që vjen për të kënaqur mendjen përmes shqisave dhe intuitës së tyre. E tillë është gjithashtu bukuria e veçantë e artit sublim, i cili punon mbi një çështje të ndjeshme për gëzimin e shpirtit. Bukuria është rrëzëllimi i formës, që ndriçon në pjesët e përpjesëtuara të materies ose, më saktë, të rregulluar në mënyrë inteligjente. Mendja gëzohet në të bukurën, sepse tek e bukura e gjen veten përsëri: e njeh veten dhe vjen në kontakt me dritën e vet” (Terziu, F. 2019:22, 20). Vetëm një letërsi cilësore mund të sintetizojë mjaltë mirësie, dritë optimizmi e largpamësie edhe nga dhimbjet e plagëve psikokulturore më traumatizuese për individin dhe shoqërinë.








Comments