top of page

Anjeza Musollari: GRUA, MOS E VISH ...

  • 1 day ago
  • 9 min read

GRUA, MOS E VISH VETEN ME ÇMIMIN E NJË ETIKETE

Bukuria nuk blihet, ajo lind nga mënyra si e njeh, e respekton dhe e mban veten

 

Gruaja nuk bëhet e bukur nga ajo që vesh, por nga mënyra se si e mban veten

 

Ekziston një gënjeshtër e bukur që moda na e përsërit çdo ditë: se bukuria mund të blihet. Na bind se një emër i famshëm mbi një çantë, një logo mbi një palë këpucë, një fustan i kushtueshëm apo një aksesor i fundit mund të na japë atë që në të vërtetë nuk shitet në asnjë dyqan: vetëbesimin.

Na kanë mësuar të besojmë se duhet të ndjekim tendencat për të qenë moderne, të blejmë më shumë për t’u dukur më mirë dhe të veshim marka për të fituar vëmendjen e të tjerëve.

Por moda është vetëm sipërfaqja.

Nën të qëndron gruaja.

Dhe është ajo që i jep kuptim çdo rrobe.

Një fustan i shtrenjtë mund të kushtojë mijëra euro dhe të mos thotë asgjë. Një fustan i thjeshtë mund të mos ketë asnjë logo dhe të mbajë brenda vetes një histori të tërë. Sepse ajo që e bën një grua të paharrueshme nuk është çmimi i veshjes, por mënyra se si ajo ecën, si buzëqesh, si komunikon, si qëndron përballë botës dhe, mbi të gjitha, si ndihet me veten.

Këtu fillon stili.

Dhe këtu përfundon mashtrimi i modës.

 

Bukuria nuk ka etiketë

 

Ka gra që hyjnë në një sallë dhe askush nuk pyet çfarë kanë veshur.

Njerëzit thjesht i shohin.

Jo sepse janë domosdoshmërisht të veshura me luks, por sepse kanë diçka që nuk mund të blihet: prani.

Prania është ajo forcë e heshtur që nuk ka nevojë të bëjë zhurmë.

Një grua që ndihet mirë me veten nuk ka nevojë të kërkojë miratim në çdo pasqyrë. Ajo nuk vishet për t’u krahasuar. Nuk ecën për të konkurruar. Nuk buzëqesh për të bindur dikë se është e lumtur.

Ajo thjesht është.

 

Dhe pikërisht kjo e bën të bukur.

Sepse bukuria më e fortë nuk është ajo që kërkon të shihet. Është ajo që nuk ka nevojë të kërkojë vëmendje.

Në një kohë kur rrjetet sociale kanë krijuar një industri të tërë të pamjes perfekte, kjo është ndoshta një nga të vërtetat më të rëndësishme që duhet t’ia themi gruas së sotme:

Nuk ke pse të jesh perfekte për të qenë e bukur.

Nuk ke pse të kesh trupin e një modeleje.

Nuk ke pse të veshësh çdo sezon atë që dikush tjetër ka vendosur se është në modë.

Nuk ke pse të ndryshosh veten për t’iu përshtatur një standardi që ndryshon çdo gjashtë muaj.

Duhet të dish vetëm një gjë: kush je.

Sepse kur një grua e njeh vlerën e saj, ajo nuk e mat veten me çmimin e rrobave.

 

Fustani nuk e krijon gruan

 

Një fustan mund të jetë i bukur. Mund të jetë elegant, modern, i kushtueshëm. Por fustani nuk ecën vetë. Është gruaja që e mbush atë me karakter.

Një veshje mund të tregojë shije, por nuk mund të tregojë të gjithë një grua.

Ajo që tregon një grua është mënyra si sillet me njerëzit, mënyra si përballon vështirësitë, mënyra si ngrihet pas një zhgënjimi, mënyra si kujdeset për familjen, mënyra si punon, si lufton për ëndrrat e saj dhe si ruan dinjitetin edhe kur jeta nuk i ka dhënë gjithmonë atë që ka kërkuar.

Kjo është moda që nuk del kurrë nga moda.

Dinjiteti.

Mirësia.

Inteligjenca.

Eleganca.

Vetëbesimi.

Karakteri.

Këto janë aksesorët e vërtetë të një gruaje. Dhe nuk kanë çmim.

 

Një grua nuk duhet të vishet për botën

 

Ndoshta një nga gabimet më të mëdha që i kemi mësuar grave është të mendojnë gjithmonë se si do të duken në sytë e të tjerëve.

“Si do të më shohin?”

“Çfarë do të thonë?” “A më shkon?” “A jam mjaftueshëm elegante?” “A jam më e bukur se ajo?”

Pyetje të tilla e kthejnë veshjen në një provim të përditshëm.

 

Por gruaja nuk duhet të jetojë për t’u vlerësuar nga një publik.

Ajo duhet të vishet për veten e saj. Nëse dëshiron taka, le t’i veshë. Nëse dëshiron atlete, le të ecë me to. Nëse i pëlqen një fustan i kuq, le ta veshë të kuqin. Nëse ndihet më mirë me një këmishë të bardhë dhe një palë xhinse, le të jetë pikërisht ajo. Sepse stili personal fillon në momentin kur pushon së kopjuari të tjerët.

Moda thotë: “Bëhu siç është tendenca.”

Stili thotë: “Bëhu siç je ti.”

Dhe mes këtyre dy fjalive qëndron një ndryshim i madh.

 

Gruaja që nuk kërkon leje për të qenë vetvetja

 

Ka një moshë në jetën e një gruaje kur ajo kupton diçka të rëndësishme: nuk mund ta kalojë gjithë jetën duke u përpjekur t’u pëlqejë të tjerëve. Në një moment, ajo fillon të zgjedhë. Jo më atë që i thonë. Por atë që i përshtatet.

Jo më atë që është “në modë”. Por atë që e bën të ndihet mirë. Jo më atë që i pëlqen turmës. Por atë që i pëlqen asaj. Dhe ky është një nga momentet më të bukura të një gruaje. Sepse aty lind eleganca e vërtetë.

 

Nuk është më çështje moshe. Nuk është çështje trupi. Nuk është çështje markash. Është çështje vetëdijeje. Një grua që ka mësuar të pranojë veten nuk ka nevojë të luftojë me pasqyrën. Ajo e sheh veten me gjithë historinë që mbart.

Me vitet.

Me rrudhat.

Me kujtimet.

Me fitoret.

Me humbjet.

Me plagët që askush nuk i sheh.

 

Dhe thotë: “Kjo jam unë.” Ndoshta ky është kombinimi më elegant që mund të veshë një grua.

 

Pasqyra nuk duhet të jetë gjykatë

 

Sa gra janë zgjuar në mëngjes dhe kanë parë në pasqyrë jo atë që janë, por atë që mendojnë se duhet të ishin? Një kilogram më shumë. Një rrudhë më tepër.

Një shenjë në fytyrë. Një flok i bardhë. Një trup që nuk është më ai i njëzetave.

Dhe menjëherë fillon gjykimi. Por trupi i një gruaje nuk është armiku i saj.

 

Trupi është dëshmitari i jetës së saj.  Ai ka kaluar net pa gjumë.  Ka përballuar lodhje.

Ka sjellë jetë.

Ka punuar.

Ka udhëtuar.

Ka qarë.

Ka qeshur.

Ka përballuar dhimbje.

Ka mbajtur mbi vete vite të tëra historie.

Prandaj ndoshta duhet të mësojmë të mos e shohim pasqyrën si gjykatë. Ta shohim si një kujtesë. Një kujtesë se kemi ardhur deri këtu. Dhe se kjo, në vetvete, është bukur.

 

Moda ndryshon. Gruaja mbetet.

 

Çdo sezon sjell një trend të ri. Një ngjyrë. Një prerje. Një model. Një siluetë. Një markë. Dje ishte një gjë. Sot është një tjetër. Nesër do të jetë diçka krejt ndryshe. Moda jeton sepse ndryshon. Por gruaja nuk mund të ndryshojë çdo ditë vetëm për të qenë “në trend”.Ajo ka nevojë për diçka më të qëndrueshme.

Stilin e saj. Stili është kujtesë. Është identitet. Është mënyra se si një grua zgjedh të paraqitet pa humbur veten.

 

Prandaj një grua elegante nuk është domosdoshmërisht ajo që ka garderobën më të madhe.

Është ajo që di të zgjedhë.

Di çfarë i shkon. Di çfarë nuk i shkon. Di kur duhet të jetë ekstravagante. Di kur duhet të jetë e thjeshtë. Dhe mbi të gjitha, nuk lejon që veshja të flasë më shumë se karakteri.

 

Luksi më i madh është të ndihesh mirë me veten

 

Në një botë ku gjithçka ka një çmim, ne kemi harruar se disa nga gjërat më të çmuara nuk shiten. Nuk blihet qetësia. Nuk blihet vetëbesimi. Nuk blihet karakteri. Nuk blihet një buzëqeshje e sinqertë. Nuk blihet respekti. Nuk blihet dinjiteti.

Dhe nuk blihet ajo energji që e bën një grua të hyjë në një dhomë dhe ta ndryshojë atmosferën pa thënë asnjë fjalë. Prandaj luksi i vërtetë nuk është të kesh gjithçka. Është të mos kesh nevojë për gjithçka për t’u ndier e plotë.

 

Një grua që e di këtë është e lirë. Ajo mund të blejë një çantë të shtrenjtë, por nuk është rob i saj.

Mund të veshë një fustan të markës, por nuk e përdor markën për të krijuar identitetin e saj.

Mund të ndjekë modën, por nuk humbet pas saj.

Ajo e përdor modën.

Nuk lejon që moda ta përdorë atë.

 

 

 

Të kujdesesh për veten nuk është vanitet

 

Ka edhe një keqkuptim tjetër që duhet ta rrëzojmë. Të kujdesesh për veten nuk do të thotë të jesh sipërfaqësore.

Një grua ka të drejtë të kujdeset për flokët e saj.

Të kujdeset për lëkurën. Të zgjedhë një parfum. Të blejë një fustan që e bën të lumtur. Të merret me trupin e saj. Të zbukurohet. Të ndryshojë modelin e flokëve. Të eksperimentojë me modën. Të gjitha këto nuk janë domosdoshmërisht shenja vaniteti.

Mund të jenë mënyra për t’i thënë vetes: “Unë vlej.”

Por ekziston një vijë e hollë. Kujdesi për veten është dashuri. Varësia nga miratimi i të tjerëve është pasiguri. Dhe një grua duhet të mësojë t’i dallojë këto të dyja. Sepse nuk është e njëjta gjë të zbukurohesh sepse e do veten dhe të zbukurohesh sepse ke frikë se nuk je mjaftueshëm e bukur.

 

Vajzave duhet t’u mësojmë diçka tjetër

 

Ndoshta mesazhi më i madh i kësaj historie nuk është vetëm për gratë.

Është edhe për vajzat që po rriten sot.

Vajzat që shohin çdo ditë në ekran trupa të përsosur, fytyra të filtruara, jetë të kuruara dhe një botë ku duket sikur të gjithë janë të bukur, të lumtur dhe të suksesshëm.

Atyre duhet t’u themi: Mos e mat vlerën tënde me numrin e pëlqimeve. Mos e mat bukurinë me një filtër. Mos mendo se një logo të bën më të rëndësishme. Mos mendo se duhet të dukesh si dikush tjetër për të qenë e bukur. Mëso të lexosh. Mëso të mendosh. Mëso të punosh. Mëso të thuash “jo”. Mëso të respektosh veten. Mëso të largohesh nga vendet ku nuk të respektojnë. Mëso të duash pa humbur veten. Mëso të jesh e fortë pa u bërë e ashpër. Mëso të jesh e butë pa u bërë e dobët. Dhe kur të vishesh bukur, bëje sepse të pëlqen. Jo sepse ke frikë se nuk do të të pëlqejnë.

Kjo është një diferencë që mund t’ua ndryshojë jetën.

 

Eleganca fillon aty ku mbaron nevoja për t’u dukur

 

Ka gra që nuk kanë nevojë të flasin shumë. Nuk kanë nevojë të tregojnë sa kushton fustani. Nuk kanë nevojë të tregojnë markën e çantës. Nuk kanë nevojë të tregojnë se ku e kanë blerë.

Sepse eleganca nuk bërtet. Eleganca pëshpërit.

Ajo është në mënyrën si një grua i drejtohet një të moshuari. Në mënyrën si dëgjon. Në mënyrën si falënderon. Në mënyrën si largohet pa poshtëruar askënd.

Në mënyrën si sillet me dikë që nuk ka asgjë për t’i ofruar. Sepse është shumë e lehtë të jesh e sjellshme me njerëzit që mund të të japin diçka. Karakteri duket kur je e sjellshme me ata që nuk mund të të japin asgjë.

Aty matet një grua. Jo në pasarelë. Jo në Instagram. Jo në vitrinë. Por në jetën e përditshme.

 

Një grua e bukur nuk është ajo që të gjithë e shohin

 

Është ajo që, pasi e ke takuar, të mbetet në mendje.

Mund të mos kujtosh fustanin. Mund të mos kujtosh këpucët. Mund të mos kujtosh çantën. Por kujton mënyrën si të bëri të ndiheshe. Kjo është bukuria që zgjat. Dhe kjo është arsyeja pse disa gra bëhen më të bukura me kalimin e viteve.

Jo sepse koha i ka kursyer. Por sepse koha u ka dhënë thellësi. Një grua që ka jetuar, ka dashur, ka humbur, ka luftuar dhe është ringritur ka një bukuri që nuk mund ta krijojë asnjë filtër.

Ajo ka një dritë tjetër. Një qetësi tjetër. Një shikim tjetër. Dhe në atë shikim ka histori.

 

Vlera e gruas nuk matet me pamjen

 

Duhet ta themi qartë, sidomos në një kohë kur gratë shpesh gjykohen së pari nga pamja: Gruaja është shumë më tepër se trupi i saj. Ajo është mendja e saj.

Është zemra. Është puna. Është inteligjenca. Është kurajoja. Është dashuria.

Është përkushtimi. Është aftësia për të filluar përsëri. Është mënyra si përballon jetën. Është ajo që ndërton. Është ajo që lë pas.

 

Një grua mund të jetë nënë, bashkëshorte, profesioniste, artiste, sipërmarrëse, ushtarake, mjeke, mësuese, gazetare, sportiste apo drejtuesе.

Dhe në secilin prej këtyre roleve ajo ka një identitet që nuk mund të përmblidhet në një veshje.

Prandaj moda duhet të jetë shprehje e gruas, jo përkufizim i saj.

 

VISHU BUKUR, POR MOS E HARRO VETEN

 

Në fund, ndoshta ky është mesazhi më i thjeshtë dhe më i madh që mund t’i japim çdo gruaje: Vishu bukur. Përdor ngjyrat që të pëlqejnë. Eksperimentoni me stilin. Bli atë që mundesh dhe atë që të bën të lumtur.Kujdesu për trupin.

Kujdesu për fytyrën. Kujdesu për flokët.

Qesh. Ec drejt. Mbaje kokën lart. Por mos e harro veten. Mos e lër një etiketë të përcaktojë vlerën tënde. Mos e lër një pasqyrë të vendosë sa vlen. Mos e lër një koment në rrjetet sociale të të prishë ditën. Mos e lër moshën të të bindë se bukuria ka një afat skadence. Mos e lër modën të të bindë se duhet të jesh dikush tjetër. Sepse ti nuk je veshja që ke veshur. Ti je gruaja që e vesh atë. Dhe kjo është e gjithë diferenca.

 

SEPSE STILI I VËRTETË NUK BLIHET

Moda mund të të japë një fustan. Stili të jep identitet. Moda mund të të japë një palë këpucë. Eleganca të mëson si të ecësh.

Moda mund të të japë një çantë. Karakteri të mëson çfarë të mbash brenda saj.

Moda mund të të japë një pasqyrë. Vetëbesimi të mëson si të shohësh veten.

Dhe pikërisht këtu mbyllet mashtrimi i bukur i modës.

 

Sepse ajo që duket si një histori për rrobat është, në të vërtetë, një histori për vlerën e gruas.

Një grua mund të ketë pak, mund të ketë shumë, mund të veshë markën më të shtrenjtë të botës ose një fustan të thjeshtë të blerë vite më parë.

 

Por nëse ajo hyn në jetë me dinjitet, me dashuri për veten, me inteligjencë, me karakter dhe me atë sigurinë e qetë që nuk kërkon leje për të ekzistuar, atëherë ajo ka veshur diçka që nuk del kurrë nga moda: veten e saj.

 

Dhe ndoshta kjo është veshja më e shtrenjtë që mund të ketë një grua.

Jo sepse kushton shumë.

Por sepse nuk ka çmim.

 

Moda ndryshon.Trendet kalojnëMarkat vjetrohenFustanet dalin nga modaPor një grua që e di vlerën e saj…nuk del kurrë nga moda

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page