Ruzhdi Gole: VETMIA JETON ME TË TJERË
- 13 minutes ago
- 8 min read

(tregim)
-Vrapo, shpejt vrapo, mbathja !
-Ç'po rrokulliset ? Bora ? Nuk fishkëllen asgjë.
-Mbathjaaaa, bora të gënjen, bën sikur ... mbathja !!!
(“Bën sikur...bora, zemërgjora, era shpirtgjera, lumi udhëshumi”...)
Po vargëzoja...Në veri, në bjeshkëtore.
*
Një mesditë gushti në Vitin, (tashmë s'e mbaj mend ç'vit jetonte moti asokohe,) pra, në gusht të jugut në verën e nxehtë postieri më zgjati gazetën më popullore dhe një zarf petashuq. M'u duk sikur zarfi kishte dal nga faqet e gazetës ngaqë e pashë gjithë zhubra. E parandjeja lajmin. Qyteti ynë s'na mbante dot, as na përcillte, na përzinte ...pa të keq...
Hyra në shtëpi. Mëma dhe im at, i ngulën sytë tek zarfi..E hapa me shumë përkujdesje zarfin rrahur vulërash, të mos ia grisja buzët. Gjithçka e lexova në heshtje, pastaj ua zgjata letrën plot pushtet prindërve. Ata lexuan gjithçka. Mua më zunë ethet...
Nisa të kërkoja n'për shtëpi një hartë gjeografie,... e gjeta, e hapa nxitimthi dhe e shtriva mbi tavolinë.
Shikoja hartën. Hartë me ngjyra. E këqyrja si një të afërm që do më duhej më shumë tani e tutje.
Vura gishtin mbi skemën e saj, pëshpërita : do nisem nga këtu ... në datën ... me autobuz ... gjer në ..., (gishti nisi të lëvizte), do t'i hipi trenit myzeqar në ... (gishti hipi në tren)...gjer në...pastaj do marr udhën
(gishti ectte) e...një natë do të fle në hotel. (Prozë. Prozë e gjatë, shumë e gjatë rruga ime më e re.)
Shtatë ditë harta mbi tryezë, tek nënkresa e pagjumit tim, në bibliotekë e kinema.
Vetëm në wc. nuk e mirrja, më dukej sikur do ta njollosja.
Aq e madhe m'u bë harta sa kur shihja rreth rreth gjithçka në qytet më bëhej hartë. Në çdo kthinë shihja hartë, nga çdo pemë sikur varej një hartë. Xhamllëqet s’ishin aq të tejdukshëm ngaqë aty ishin ngjitur plot hartëza. Deti po ai, i plotfuqishëm, plot harta në duart e tij se përhera jeton brigjet dhe lundrimin.
Hartat e lundrimit anijet peshkatare, vaporët e mëdhenj e çisternat i kanë në trupin e tyre, bash në krye tek timoni, tek kuverta, tek direkët, poshtë tek motorët, gjithkund. Anijet luftarake hartat e tyre i kanë plot topa kalibri dhe kundrajrorë.
Jeta, në qytetin tim shtat jugor, mbante çdo ditë mbi supe torbën e madhe të punës, vishte çizmet, ngjiste ullishtat, pinte qumësht për të pastruar fare pak mushkëritë nga helmet e sodës kaustike, ngjitej në guroren e Shashicës, gjithku'. Lodhja, dallditë i shkreheshin në mbrëmje, diku lëshohej këmbeduar, diku i binte fizarmonikës, luante futboll, k’cente tek pista e plazhit, shtriqej e k'putej në shtratin e natës bashkëshortore duke e humbur gjilpërën e fillin.
Asokohe, dashuroja marrëzisht gjithçka të bukur në qytetin tim. Këtë duhet t'ua thoshja që në krye të herës, epo ja nxitohet fjala, rr'fenja k'cen degë më degë gjersa k'putet.
*
Veri, gracka malore, fshat i tëri copash, i vranët, cingërimë. Si pa këllqe, hidh e prit sa andej-këndej.
Mugëtar edhe gjatë ditës, me dy pllambë qiell. Mes sheshi i tij pllaqurit baltovinë lara - lara, nxin e nxin kur përzihet me borën. E bukur dëbora këtu, mjerim edhe fatkeqësi.
Fshati ushqehet me fasule dhe me turshi, rrallë me një copë pastërma për gjithë njerezinë. Për t'ambël fshati sherbetos biskota. Mali ushqehet me borëra, ulurima ujqërish, nga krisma e mbytur rrokopjerthi e ndonjë çifteje. Bjeshkën këto nuk e kërcënonin, ajo i priste i përcillte të gjitha sëbashku me dimrin me një kryelartësi të gjelbër halore, aq sa dimri ndinte mornica dhe jo pylli me pisha. Njerëzit na shihnin ftohtë, kthenin mënjanë kryet, disa nxitonin sa na afroheshin. Dyshonin me frikë, bindeshin për gjithçka kur u flisnim për fëmijtë e tyre, kundërshtonin pak.
Ndërgjegje e trazuar, naive, ndërgjegje e squllët dhe e gurtë.
Mbrëmje. Unë dhe Koçoja shtrirë secili në shtratin e vet. Hequr këpucët se s'na nxinte shtrati me to.
Flinim me këpucë mbathur? Jo, jooo....Me këpucë ndonjëherë flinte nata e ankthit që paralajmëronte
ndonjë çangë alarmi se zjarri po k'cente me çifteli të re në bjeshkëtore.
(Edhe, sot, pas kaq e kaq ujërave derdh tek lumi, pas kaq lumenjve derdhur në det, pas borërave
të gëzuara plot vajtim ajo çangë është dhimbja e kokës sime.)
Bjeshka i trembej zjarrit. Ai rrallë ngjitej përpjeta, zjarri nuk donte ta shuanin e ta përzinin, ta mallkonit po ata që e ndiznin në ngrehinat shtëpiake.Veriu plot kulla për Koçon dhe mua pak nga pak po dilte nga legjendat. Këto kulla të larta dukeshin sikur ishin penduar jo për gurin por për shtatin e tyre aq gjatosh. Vocërrakëve u ngrinin thellë gishtat, gishtat e duarve e të këmbëve,vocërrakët visheshin keq edhe në dimërim, qanin nga të ftohtit.
Ti, jetë, o jetëzë mos e fshih asnjëherë t’vërtetën e tyre, të vërtetën tënde.
Gjon Leka, në shtëpinë e tij, në lagjen Vjollcë, na priti mirë sa nuk bëhej. U terr, u terr keq.
-Gjon, ne po shkojmë tani. Faleminderit për të gjitha !
-Do flini këtu sonte- iu gjegj vetëtimthi i zoti i shtëpisë Koços.
-Faleminderit, ne do të shkojmë...
Koço më pa mua, u ngrit dhe u bë gati të dilte.
O kokëmushkë-i pëshpërita, i pëshpërita aq lehtë sa as unë nuk i përthitha të plota fjalët e mia.
Ku do shkojmë, o njeri? Në gojë të ujkut, të thyejmë qafën rrëpirave të pyllit, sa do ecim, pse me kaq ngut për në Kthjellë ?
Në Kthjellë flinim, në një ... s'di si ta quaj,... ne flinim secili në një vig (jua thashë edhe më sipër), secili nguc në krevatin e tij që më shumë se krevat ngjante edhe me vigun, veç vig me katër këmbë. Secili
vig ishte i gjatë sa ne shtrirë...pa këpucë. Tek ky biçim arkë-vig rreth e rreth me riga dërrasash mbush
me llaç gëlqere jo aq mirë ngjizur, herë herë ndinim ftohtë, shumë të ftohtë. Dritarja, ç'dritare, sa me
nxjerr dy kokat tona në profil. Harrova derën? Jo, nuk e harrova. Po ta përmend derën e bjerrë do na përplasen në fytyrë hingëllimat, pëllitjet, lehjet, pordhët e mushkave, kuitjet ujqërore. Gjithçka prej
tyre vraponte, ndërsehej, mund t'i'a behte tek ngrehina jonë e të kafshonte prej nesh mish e lesh
t’patjerrur njeriu.
Po i iki portës...Vig-arka jonë ishte komshi, më mirë vëllai i gjysmës tjetër të ngrehinës ku
shërbente roja operative e fshatit vigjilent. Aty binte shpesh zilja, melodia me çifteli mbushte atë kupë frymorësh ajër të ndenjur, gjithë fënda e pisllëqe. Fatmirësisht s'u shtrënguam të jetonim gjatë tek kjo arkë-vigu gjumi e pagjumësie.
*
Mbaj mend atë mbrëmje ... Duhej të shkonim shtëpi më shtëpi për të bërë një statistikë mbi jetën e lumnueme, (ç'lum o lum,) të njerëzve në fshatin diellor. Tek kulla e Z.K. po nxitonim të mbaronim punë sa më shpejt në pragun e shtëpisë. Këtë shtëpi pothuajse gjithë fshati e shihte ftohtë, vëngërt ose s'e shihte fare. Sa do iknim kur Zefi na ftoj t'i hynim në shtëpi.
Nuk mundemi, jemi vonë - iu gjegj Koço.
-Eh, mos u trembni, bre burra, bajrak jam unë, bajrak. Vendali këtu. Kullën bajrak nuk e shkurton kush, kulla e vorfër, pak nga pak mrrolet.
Ne pamë njëri - tjetrit në sy. Dhe kur shiheshim ndër sy unë dhe Koçoja, fjalët nuk na duheshin më.
E kaluam pragun e frikës.
Të nesërmen, pa prit e pa kujtu, na thërritën në ...
*
-Do ta braktis punën, do iki...
Me gulçi e ngut Koçoja, po shfrynte dufin e vet.
-Çfarë the, si e the, si të erdhi.? Ule zërin. E kemi bashkë këtë kosh ngrehine. Koço, do na thërrisnin patjetër. Kaloi paq. (A na dëgjoi kush ?)
Koçoja mendonte trimnisht. Dhe iku, Iku, s'u kthye më tek ky fshat malor, i zemëruar me askënd veç
me fatin e tij, zemëruar as unë me të që më la vetëm. Unë do rrija vetmitar kohë të tjera aty.
(O,oo, sa e paskam zgjatur rrëfenjëzën? U mërzitët?)
Ne i duruam gjatë ngricat tona. S'na ngriu jeta, as mendja, s'na ngrinë shakatë ! E donim njëritjetrit mes vuajtjes, pakënaqësive tona, dehjeve. Ne e donim kohën, i besonim asaj, brohorimave të saj, dufeve
plot kallinj, ca kullave trimoshe. Ne jetonim, asokohe, të gënjyer edhe gënjyes, të plagosur dhe plagosës.
Neve na gënjyen dhe na plagosën paraardhësit tanë, të një gjaku, ne pa shkrepur gjë plagonim ata që rriteshin para syve tanë prej prindërve të tyre dhe prej nesh.
Kjo nuk është gjëagjëzë alpino-jugore, kjo gjëmë u përhap gjithandej duke zënë prej gryke njeriun, kohën e tij. Ne pa dashur mallkonim atdheun. Ç'faj ka atdheu për fatin tonë?Ç’faj ka historia jonë gjysmake, trung këtu, cung atje, cikmë atje, rrufediell këtu ... Ne jetonim afër njeri - tjetrit me të kundërtat tona.
Nisa të vargëzoj ? Eh, ç'bela ... I vetëm, në thellësi të shumë netëve të tjera picërroja sytë, dalloja tejshëm dritat e makinave që zbrisnin nga sharrat e minierat plot kokalla vagonash për në Laç.
O jetë, jetëzë, edhe xixëllonjë të duam
të të shohim pafundësisht, edhe
kambanë të duam,
(ç'këmbanë ?)
Asokohe ishin ç'kishëruar
kambanat, kisha, prifti,
të gjitha lutjet,
edhe qielli vet...
Vetmia jeton me të tjerë. Të tjerët janë kujtimet, (braktisja me guxim e frikë nga fronti i gënjeshtërt,)
të tjerët ... dashuritë që i deshëm shumë ose më pak se ç'duhet, të tjerët janë në pritje për t'u përcjell,
në përcjellje duke na u afruar. Nisur ndër plot mote e mortje, nga të vërteta dhe besëthyer në pabesi.
Vetmia jeton me lotin që më pikoi në asfalt kur dola për herë të parë nga gropa Kthjellë.
Jo, mos, Kthjella nuk ishte gropë dhe as kthetër, ishte fati im ... fati im kry'sh’ndosh, sh’ndosh kryet.
( Në mbrëmje, në te gjitha mbrëmjet ne pinim, herë tek shtëpia e Bardhokut, herë tek ngrehina e rrëmujshme e tij. Aty shitej gjithçka ose më saktë : aty rrinin afër e afër kripa dhe sheqeri, shkrepsja dhe vajguri, kafshata e misërt. Bardhoku jetonte mbi të
tjerët. Ai, me hiret dhe hilet e tij, e afronte pothuajse çdo njeri shpejt rreth hijes së vet. Mbi rrafshin e lyrosur të ngrehinës dyqan - pijetore - ëmbëltore rrinte përhera hapur një fletore plot shkrime gjuhe dhe numra aritmetike. Asnjëherë nuk e pashë të mbyllur atë fletore. Vetvetiu treteshin shkrimet dhe numrat tek ajo fletore apo ato i merrte me vete mbi kurriz çdo malësor kur dilte nga ngrehina pa paguar asgjë? Vuajtja e paguante më keq akoma shkretinë e saj. Me të bërtitura, me sharje, me ngacmime joshëse, ndonjëherë edhe me përlotje hallin e vet. Malësori jetonte në kullë po mua më dukej sikur kurrizi i tij veç përkulej, veç gungonte për fatin e mistërnikes. Sa pak jetë jetonte Kthjella...)
Vetmia jeton me kryeqytetin, i cili atë mbrëmje dhjetori më pa ftohtë dhe me keqardhje, bëri sikur nuk më njohu, më njohu e më pyeti :
-Po ti, çdo këtu ?
-Ç’dua unë ?.Lizetën kërkoj, dashurinë time, cakpacak.
(Ai dhjetor në Korçë nuk do më iki asnjëherë tej.
Mbërrita vonë mesnate. Nxitova tek kombinati i tekstileve ku punonte Lizeta. Shumë u dashuruam atij kryeqyteti sa harruam pse jetonin aty. Lizeta u
rrëzua qysh në provimet e para të kursit të parë. S'vonoi e u kthye në vendlindje. Nuk donte ta riniste sërish Filologjikun. Për faj të kujt u rrëzua e dashura ime ? U pendua ndonjëherë pse nuk guxoi të ngrihej ? Rastësia, vetëm rastësia, mund të na afronte përsëri. E papritura erdhi. Kohë më vonë, shumë kohë më vonë, në shëtitoren kryeqytetase, e mbaj mend por nuk po ua them as ditën, as vitin... ne u takuam. Ç'kujtesë vrundullojnë koha, moti, hapat - shkallare të së shkuarës ?! Mbi gjithçka, atë mbrëmje ne jetuam tik-takun e hershëm shpirtëror...Jo aq të hershëm, jo aq rastësisht. Nata jetonte në tjetër planet.)
Vetmia nuk është Koçoja, gjirokastriti i mirë, nuk jam as unë tek ngjis kodrën çdo ditë e shoh detin tani në Durrës.
Vetmia rrudhet patericë, të qëllon pandërprerë, vetmia ngjeth ftohma mushkërive, është njerka ime.
Njerka ime, nëse zvarritem mpakur, numëroj tespijet, i ankohem rr’fesë që bie, shaj gjithçka.
(“Bën sikur...bora, zemërgjora, era shpirtgjera, lumi udhëshumi”...)
O jetë, jetëzë, të duam edhe kur memzi
t’shohim sa një xixëllonjë, tani të duam
edhe lutje, edhe kambanë...








Comments