Lela Dardha Kokona: Vlera e qenies sonë
- 1 hour ago
- 2 min read

Dinjiteti është një nga pasuritë më të mëdha shpirtërore të njeriut, sepse lidhet drejtpërdrejt me vlerën e qenies sonë. Njeriu mund të humbasë para, poste, pushtet, madje edhe forcën fizike, por kur humbet dinjitetin, ai rrezikon të humbasë edhe respektin për veten.
Pikërisht për këtë, dinjiteti është një vlerë e shenjtë. Ai është kufiri moral që nuk duhet të shkelet, as nga të tjerët dhe, mbi të gjitha, as nga vetë ne. Është ai zë i brendshëm që i thotë njeriut: “Mos e humb veten.”
Por, fatkeqësisht, sot duket se një pjesë e rinisë po jeton në një kohë kur shpesh vlerësohet më shumë dukja sesa përmbajtja, fama sesa karakteri dhe fitimi i shpejtë sesa ndershmëria. Rrjetet sociale kanë krijuar një garë të vazhdueshme për vëmendje, ku, nganjëherë, disa të rinj pranojnë të ekspozojnë veten, jetën private, madje edhe bindjet e tyre morale, vetëm për disa pëlqime, për pak famë apo për një vëmendje kalimtare.
Kështu krijohen edhe modele të gabuara suksesi. Virtyte të tilla si dinjiteti, modestia, përmbajtja dhe karakteri rrezikojnë të zbehen përballë një kulture ku spektakli shpesh duket më i rëndësishëm se përmbajtja.
Dinjiteti, megjithatë, mbetet ajo vlerë që e dallon një njeri të madh nga një njeri i zakonshëm. Ai nuk matet me pasurinë që zotërojmë, me numrin e njerëzve që na ndjekin apo me atë që shfaqim para të tjerëve. Dinjiteti matet me mënyrën se si sillemi kur askush nuk na sheh, me besnikërinë ndaj parimeve tona dhe me aftësinë për të mos e shitur veten për një përfitim të çastit.
Një shoqëri që humbet dinjitetin, humbet dalëngadalë edhe shpirtin e saj. Prandaj rinia nuk ka nevojë vetëm për teknologji, mundësi dhe luks, por edhe për modele njerëzore që t’u tregojnë se njeriu bëhet i respektuar jo nga ajo që shfaq, por nga ajo që përfaqëson.
Uroj që rinia jonë të dijë të ndajë urtësi me njerëzit, të mësojë nga shembujt e mirë dhe të kuptojë se liria nuk është të bësh gjithçka që mundesh, por të dish edhe çfarë nuk duhet të bësh. Shoqëria jonë ka nevojë për zëra që mbrojnë dinjitetin, humanizmin dhe respektin për njeriun.
Në fund të fundit, sfida e vërtetë e kohës sonë nuk është të bëhemi të dukshëm, por të mbetemi të vlefshëm; jo të fitojmë duartrokitje, por të ruajmë karakterin; jo të na njohin të gjithë, por të mos na humbasë vetja.
Sepse mund të humbasim shumë gjëra në jetë, por nuk duhet të humbasim kurrë vlerën e qenies sonë.








Comments