top of page

Myslim Balla: PJESA E TRETË

  • 13 minutes ago
  • 8 min read

PJESA E TRETË

Rrëfimi im: Nga telefonata e 5 qershorit te dita kur më mbyllën derën e shkollës

 

Nga Myslim Balla – Sebisht

 

Siç ju thashë, më 5 qershor, pas zgjedhjeve, më telefonuan. Më bënë të ditur se në shtator nuk do të isha më në punë, pasi nuk do të më lidhnin kontratë. Në fakt, nuk e besova. Mendova se ndoshta ishte thjesht një fjalë, një paralajmërim, diçka që mund të ndryshonte. Viti shkollor vazhdoi dhe u mbyll njësoj si vitet e tjera. Unë bëra detyrën time deri në fund. Por mendja më rrinte te ajo që më kishin thënë: në shtator nuk je më në punë. Pas 35 vitesh punë, nuk mund ta besoja se gjithçka mund të mbyllej kështu.

 

14 gusht 2025

 

Më 14 gusht shkova në Zyrën Arsimore të Librazhdit dhe paraqita një kërkesë për të filluar punë në shtator. Mendova se isha ende në kohë dhe se mund të gjendej një zgjidhje. Që nga 14 gushti, pothuajse çdo ditë shkoja e vija në Librazhd. Në të njëjtën kohë iu drejtova edhe kryesisë së Bashkisë. I kërkova të bisedonte me Zyrën Arsimore të Librazhdit, sepse pas 35 vitesh vjetërsi pune po mbetesha pa punë. Dua të them të vërtetën: kryetari i Bashkisë e mori seriozisht çështjen time dhe, sipas asaj që mësova, foli me Zyrën Arsimore. I premtuan se “do ta shohim në shtator”. Edhe unë bëra përpjekjet e mia. Takova njerëz kompetentë në Zyrën Arsimore të Librazhdit. Por përgjigjet ishin gjithmonë të njëjta:

“Do ta shohim.”

“Prit.”

“Do të hapet.”

“Do të dalë.”

Por përgjigje konkrete nuk mora. Shkoja e vija, kërkoja, pyesja, takoja këdo që njihja dhe që mund të më ndihmonte. Të them të drejtën, isha tepër i mërzitur. Kisha lodhjen e 35 viteve mbi supe dhe nuk besoja se mund të ndodhte ajo që më pas ndodhi. Nuk besoja se në shtator do të më fshinin nga arsimi pas gjithë asaj përvoje.

 

8 shtator 2025

 

Dita e parë e shkollës. Unë, si çdo vit, nuk prita vetëm 8 shtatorin. Një javë më parë kisha filluar të merresha me shkollën.

Pastroja.

Laja.

Sistemojja.

Kujdesesha për lulet.

Kontrolloja ambientet.

Kjo gjë bëhej nga unë çdo vit. Edhe gjatë pushimeve të verës, kur nuk paguhesha për këtë punë, unë vazhdoja të kujdesesha për shkollën.

Çdo ditë shkoja atje, me kohë të kufizuar, lexoja, shkruaja dhe kujdesesha për ambientin.

Kjo më ishte bërë edukatë.

Më 8 shtator u ngrita pa gdhirë.

Mora veglat me vete, kosën dhe shatin, dhe shkova të pastroja barërat përreth shkollës.

Pasi mbarova jashtë, fillova të laja komplet shkollën: verandën, korridoret, klasat.

I laja me detergjent dhe aromatizues.

Era e pastërtisë mbushte shkollën.

Këtë e bëja çdo ditë mësimore: në mëngjes dhe kur mbaronte mësimi.

Edhe nxënësit e klasës së nëntë më ndihmonin në fund të ditës, por gjithmonë nën kujdesin tim.

Pasi mbarova punët, hoqa rrobat e punës dhe i futa në makinë. U vesha me rrobat me të cilat do të zhvilloja mësimin.

Erdhi ora tetë.

Unë prisja nxënësit.

Por pashë të vinte një burrë dhe një grua.

Gruaja ishte një mësuese që vinte nga përtej Librazhdit. Më tha se e kishin caktuar në shkollën tonë, sepse mësuesi që kishte qenë aty kishte dalë në pension.

Pastaj më tha:

“Edhe ti nuk je në punë.”

Unë mbeta i habitur.

Nuk dija asgjë.

Më tha se do të vinin edhe të tjerë nga Librazhdi.

“Do të vijë drejtori dhe do të të komunikojë”, më thanë.

Rreth orës nëntë erdhi drejtori. Na mblodhi dhe më tha: “Ti nuk je në punë. Nuk je më mësues.” Kishte përgatitur edhe një deklaratë që unë duhej ta firmosja, ku thuhej se nuk isha më mësues.

Nuk firmosa. Pastaj më kërkoi çelësat, sepse unë kisha përgjegjësinë e gjithë shkollës.

“Po”, i thashë. “Urdhëro.”

I dorëzova çelësat.

I thashë se kisha edhe një kopje në shtëpi.

“Mjafton”, më tha.

Pastaj ndërroi fishekët e bravave.

Dhe u largua.

I tha zonjës që kishte ardhur se ajo do të ishte përgjegjëse për gjithçka në shkollë.

Unë nuk kisha më punë aty.

Shkolla që kisha ndërtuar me duart e mia

Atë ditë më erdhi në mendje gjithçka që kisha bërë për atë shkollë.

Nga dera, te korridoret, klasat, biblioteka, raftet, këndet – pothuajse gjithçka që shihje në shkollë e kisha modeluar, vendosur dhe sistemuar vetë.

De facto, në fillim shkolla kishte vetëm dërrasat e zeza, bankat dhe karriget.

Pjesën tjetër e kisha mobiluar unë, me aq mundësi sa kisha.

Në zyrën time kisha mbledhur ndër vite mjetet didaktike, librat, fletoret, tekstet jashtëshkollore, projektet, punët me shkrim dhe gjithçka tjetër që më duhej për punën.

Gjithçka ishte aty.

Dhe tani unë duhej të largohesha.

Ndenja pak aty.

As nuk dija të rrija, as të ikja.

Mora veglat, i futa në makinë dhe ika.

Nuk mund ta përshkruaj gjendjen në të cilën isha.

Nuk shkova në shtëpi.

Shkova në një lokal.

Pas pak aty erdhi drejtori bashkë me nëndrejtorin.

U ulëm.

Unë i thashë:

“Kjo punë po merr një rrugë tjetër. Të lutem, hajde të bëjmë inventarin. Kujt do t'ia dorëzoj shkollën?”

I thashë gjithashtu:

“Çfarë është e shkollës, do t'ia lë shkollës. Por dua të dokumentohet se çfarë kam bërë unë për shkollën, çfarë kam investuar unë. Gjërat personale dua t'i marr.”

Ai më tha:

“Do të m'i dorëzosh mua.”

Unë i thashë:

“Po, por të paktën t'i bëjmë me inventar.”

Në fund më tha:

“Ishalla Drejtoria Arsimore të kthen prapë në punë.”

 

Ditët që pasuan

 

Më 9, 10, 11 dhe 12 shtator vazhdova të paraqitesha në shkollë. Shkoja vetëm për t'u paraqitur. Nuk kisha të drejtë të zhvilloja mësim. Ndërkohë, ata që ishin caktuar në vendin tim nuk ishin paraqitur.

Më 12 shtator, të premten, rreth orës 10:00, mora makinën dhe u nisa për në Zyrën Arsimore.

Shkova te drejtoresha.

I tregova gjithë ngjarjen.

Ajo mori në telefon për të pyetur.

Përgjigjja ishte se personat e caktuar ishin me raport.

Pra, pesë ditë nga fillimi i vitit shkollor dhe mësuesit e caktuar nuk ishin paraqitur.

Pas diskutimeve u largova.

Por tashmë vendosa të shkoja më tej.

 

15 shtator – Korçë

 

Të hënën, më 15 shtator, u nisa për në Korçë. Një ditë më parë kisha komunikuar me drejtoreshën.

I thashë: “Jam një mësues me mbi 35 vite punë. Jam pushuar nga puna. Dua të vij të hënën.”

Ajo më tha:

“Eja, jam këtu.”

Doja të sigurohesha që të mos shkoja kot.

Rreth orës nëntë mbërrita në Korçë.

Mora një taksi, sepse nuk e dija saktësisht ku ishte drejtoria.

Paraqita kërkesën te sekretarja dhe pastaj u prita nga drejtoresha.

I tregova gjithë historinë time, nga fillimi.

I thashë edhe se ata që ishin caktuar nuk kishin ardhur gjatë javës së parë.

Ajo më dëgjoi deri në fund.

Ishte shumë korrekte me mua.

Telefonoi Zyrën Arsimore të Librazhdit.

Përsëri u justifikuan se mësuesit kishin qenë me raport.

Më thanë se do të dërgonin mësues sipas profilit.

Më thanë se do ta ndiqnin problemin.

Por më thanë edhe:

“Vendi yt është zënë.”

Aty kuptova se beteja do të ishte shumë e vështirë.

 

Ec e jak

 

Filloi një periudhë e lodhshme.

 

Librazhd.

 

Sebisht.

 

Korçë.

 

Bashki.

 

Zyra Arsimore.

 

Telefonata.

 

Kërkesa.

 

Takime.

 

Pritje.

 

Shpresë.

 

Dhe përsëri asgjë.

 

Administratori i njësisë ishte pro meje.

 

Edhe kryetari i Bashkisë, sipas asaj që mora vesh, ishte interesuar që të kthehesha.

 

Por deri tani nuk u zgjidh asgjë.

 

Pas shumë vajtje-ardhjesh vendosa t'i shkruaja edhe Taulant Ballës.

 

I shkrova ditën e parë që u hap Parlamenti.

 

I thashë:

 

“Jam mësuesi Myslim Balla, i pushuar pas 35 vitesh punë. Nuk jam përfshirë me asnjë parti për zgjedhjet. Kam parë vetëm punën time.”

 

I tregova gjatë gjithë historinë.

 

I kërkova të merrte informacion për çështjen time.

 

Ai, sipas asaj që mësova, ia përcolli mesazhin tim drejtueses së institucionit.

 

Çfarë përgjigjeje i dha ajo, unë nuk e di.

 

Mua më thanë vetëm se i kisha shkruar deputetit.

 

I shkrova edhe deputetit të zonës, Olsi Komicit.

 

Disa herë.

 

Më tha se do të fliste në Zyrën Arsimore.

 

Ndoshta foli.

 

Por për mua nuk erdhi asnjë zgjidhje.

 

Ankesa në Ministrinë e Arsimit

 

Në atë pikë u konsultova me ekspertë të arsimit.

 

Përgatita një ankesë drejtuar Ministrisë së Arsimit, Sekretarit të Përgjithshëm, Erzen Tola.

 

Bashkë me ankesën dërgova edhe fotografitë e modelimit të shkollës.

 

Ministria kërkoi informacion.

 

Nga drejtoria.

 

Nga struktura rajonale.

 

Nga Zyra Arsimore e Librazhdit.

 

Pas shumë diskutimesh, sipas asaj që mora vesh, u ngrit edhe çështja se duhej të konsiderohej rikthimi im në punë, duke marrë parasysh se bëhej fjalë për një zonë malore, ku dimri është i gjatë dhe kushtet janë të vështira.

 

Kur takova drejtuesen e Zyrës Arsimore, më tha:

 

“Shko, ma merr me shkrim dhe të kthej në punë.”

 

Por mua tashmë më rëndonte shumë mërzitja.

 

Stresi ishte bërë i madh.

 

Vendosa të takoja edhe Ministren e Arsimit.

 

Nëse kjo nuk do të zgjidhej, do t'i drejtohesha edhe Kryeministrit.

 

Mendoja të qëndroja edhe një javë në Tiranë, vetëm që të takoja njerëzit përgjegjës.

 

Por shëndeti im po përkeqësohej.

 

Net pa gjumë.

 

Lodhje.

 

Udhëtime të vazhdueshme.

 

Librazhd-Sebisht.

 

Sebisht-Librazhd.

 

Tiranë.

 

Korçë.

 

Dhe përsëri asnjë zgjidhje.

 

Ndërkohë, ata që kishin zënë vendin tim, sipas asaj që shihja dhe dëgjoja, vazhdonin punën normalisht.

 

Në dimër, kur rrugët bllokoheshin, sipas meje, ishte e vështirë të vinin.

 

Unë për çdo problem e vija drejtorin në dijeni.

 

Por ndihesha sikur shqetësimet e mia nuk merreshin parasysh.

 

Kur problemi i punës u bë problem i shëndetit

 

Nga problemet që fillova të kisha me shëndetin, u drejtova fillimisht në spitalet e Librazhdit dhe Elbasanit.

 

Bëra vizita.

 

Analiza.

 

Kontrolle.

 

Por gjendja ime nuk ishte mirë.

 

Pastaj përfundova në Tiranë.

 

Më 31 dhjetor isha në Librazhd.

 

Më 1 janar shkova në Tiranë.

 

Dhe më 5 janar, me urgjencë, përfundova në operacion.

 

Ishte një operacion shumë i rëndë dhe zgjati rreth katër orë.

 

Pas operacionit, mjeku që më operoi më pyeti:

 

“Çfarë problemesh ke pasur?”

 

I tregova për gjithçka.

 

I tregova për stresin e krijuar nga heqja nga puna.

 

I tregova për muajt e lodhjes, ankthit, udhëtimeve dhe netëve pa gjumë.

 

Mjeku më tha se gjendja ishte krijuar gjatë katër-pesë muajve të fundit dhe më shpjegoi ndikimin që mund të kishte stresi mbi organizmin.

 

Nuk jam mjek.

 

Por ajo që kam përjetuar unë, e di.

 

E di çfarë do të thotë të kalosh nga një ditë në tjetrën nga mësues në një njeri që nuk di ku do të jetë nesër.

 

E di çfarë do të thotë të kalosh nga hapja e shkollës çdo mëngjes në përpjekjen për të hapur dyer zyrash për të kërkuar punë.

 

Dola nga spitali më 13 janar.

 

Por beteja ime shëndetësore nuk kishte përfunduar.

 

Pas rreth një muaji më thanë se do të bëja radioterapi dhe kimioterapi.

Dy muaj pas operacionit më caktuan 28 seanca radioterapie në Onkologjik në Tiranë.

Shkoja çdo ditë.

Vetëm ditët e pushimit nuk shkoja.

I përfundova seancat.

Më pas më rekomanduan të vazhdoja edhe me kimioterapi.

 

Dhe tani vazhdoj të shkoj sipas intervaleve të përcaktuara, herë çdo dy javë, herë çdo tre javë.

 

Kjo është historia ime

 

Kjo është aventura ime si mësues.

Një mësues që shërbeu 35 vite në shkollën e fshatit të tij.

Një mësues që nisi punën në moshën 20-vjeçare.

Një mësues që ka dhënë mësim në kushte të vështira.

Një mësues që ka hapur shkollën në mëngjes, ka ndezur sobat, ka pastruar klasat, ka sistemuar ambientet dhe ka mbajtur mbi supe një shkollë të tërë.

Një mësues që ka mësuar breza të tërë fëmijësh.

Një mësues që nuk është përfshirë në asnjë parti politike dhe që, siç kam thënë gjithmonë, kam parë vetëm punën time.

Unë nuk mund t'i shkruaj të gjitha këtu.

Janë shumë.

Ka shumë histori.

Shumë vite.

Shumë nxënës.

Shumë kujtime.

Shumë gjëra që kam bërë për atë shkollë.

Por një gjë e di:

Unë nuk kam punuar për një parti. Kam punuar për shkollën.

Kam punuar për nxënësit.

Kam punuar për Sebishtin.

Kam punuar për fëmijët që vinin në atë shkollë edhe kur jashtë kishte borë, akull dhe temperatura nën zero.

Dhe sot, pas 35 vitesh, historia ime është kjo:

Shkolla që hapa për vite me radhë, një ditë u hap pa mua.

Dera që mbaja çelësin në dorë për dekada, u mbyll pas meje.

Dhe unë mbeta jashtë.

Por ajo që kam bërë aty nuk mund të fshihet me një bravë.

Ajo është te nxënësit.

Është në kujtesën e komunitetit.

Është në fotografitë që kam ruajtur.

Është në materialet që kam përgatitur.

Është në çdo klasë ku kam dhënë mësim.

Dhe mbi të gjitha, është në 35 vitet e jetës sime.

 

Kjo është historia ime.

 


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page