top of page

Zhvillim



Astrit Lulushi


A mund të kishin qëndruar njerëzit në epokën e fiseve dhe të mos ishin zhvilluar kurrë? Po, është përgjigjia, kur shihet se jo të gjitha shoqëritë janë të zhvilluara njësoj. Arsyeja pse njerëzit u zhvilluan përtej bashkësive fisnore ishte Proto-Politeizmi (Feja), që zëvendësoi Animizmin dhe Shamanizmin në disa vende rreth viteve 10,000 pes.

Disa shkencëtarë tani thonë se kjo mund të jetë e vërtetë, sepse Feja është mënyra e vetme për të kapërcyer Numrin Dunbar.

Numri i Dunbar - rreth 150 individë - është kufiri për madhësinë e një shoqërie primitive. Fiset në shoqëritë fisnore nuk janë kurrë më të mëdha se kaq. Numri Dunbar është para-programuar në neokorteks, zonë përgjegjëse në tru për perceptimin, gjuhën, kujtesën. Njeriu është programuar thellë gjenetikisht të bashkëpunojë brenda fisit; t'i konsiderojë të gjithë njerëzit jashtë fisit si armiq dhe t'i shfarosë ata. Lufta është gjendje natyrore e njeriut; deri në 60% e të gjithë njerëzve gjatë gjithë historisë kanë vdekur duke u vrarë nga njerëz të tjerë. Lufta dhe vrasjet kanë qenë shkaqet kryesore të të gjitha vdekjeve njerëzore gjatë gjithë historisë.

Numri i Dunbar ndalon çdo bashkëpunim në grupe më të mëdha se 150 njerëz. Kjo është pengesë e pashmangshme - derisa të vijë Feja.

Feja - Proto-politeizmi - u mundëson njerëzve të formojnë bashkësi më të mëdha se 150 veta dhe të punojnë e krijojnë aleanca me fise të tjera. Me kalimin e kohës, Proto-Politeizmit mundësoi shfaqjen e mbretërive, shteteve dhe ndërtimin e tempujve.

Qytetet u shfaqën para bujqësisë. Gobekli Tepe në Turqi është një qytet tempull masiv që daton 10,000 vjet pes - bujqësia u shfaq rreth 3,000 vjet më pas - ndërtimi i një qyteti të tillë tempull ka kërkuar bashkëpunim të grupeve më të mëdha sesa 150 vetë. Ky tejkalim i numrit Dunbar - në sajë të Fesë - mundësoi shfaqjen e bujqësisë; bujqësia është punë intensive, kërkon bashkëpunim, punë në grupe dhe është e pamundur në fise. Zhvillimi i bujqësisë mundësoi shoqëri më të mëdha dhe më në fund shtete.

Kjo ka paqësuar shoqëritë kudo, dhe ka mundësuar paqen të mbizotërojë. Ndërsa ky zhvillim gjithashtu e ka çuar njerëzimin nga barazia në kleptokraci (për të përdorur termat e Jared Diamond), njerëzit preferojnë të jetojnë në një shoqëri të padrejtë por të organizuar, ku nuk kanë nevojë të frikësohen për jetën e tyre çdo ditë, sesa në një shoqëri rrëmujë me mundësi të barabarta për vdekje çdo ditë.

Nëse hapi nga Animizmi në Proto-Politeizëm nuk do të ishte hedhur, njerëzit kudo do të jetonin në kulturën fisnore primitive dhe nuk do të ishin zhvilluar kurrë. Në histori, ky hap nuk është aspak i detyrueshëm, por është i pakthyeshëm.

11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page