top of page

Zhan Klod Faveirial...


Në kërkim të studiuesit-murgut Zhan Klod Faveirial

Autori librit “Historia e Shqipërisë (më e vjetër)”


Mbasi kisha lexuar librin “Historia e Shqipërisë” më e vjetër, botimin e vitit 2004 të Plejad, u bëra shumë kurioz për jetën e këtij murgu francez i cili kishte një aktivitet shumë të rëndësishëm me anë të materialeve të shkruara për shqiptarët dhe vllehët. Nga botimi librit shkruhej që ai kishte jetuar një pjesë shumë të mirë të jetës në Bitola/Manastir në Maqedonin sot e Veriut dhe ishte ndarë nga jeta më 25 nënor 1893. Varimi i tij ishte bërë në Bitola/Manastir me ceremoni shumë të madhe nga shumë përfaqësues vendas dhe të konsullatave që ndodheshin në qytet.

Si e tillë unë një ditë u nisa dhe shkova në Manastir/Bitola për të gjetur ku i kishte eshtrat ky dijetar që kishte dhënë një kontribut të madh për shqiptarët dhe vllehët. Në fillim shkova në kishën katolike të qytetit ku mbasi u prezantova, takova priftin katolik Janez Cerar duke i spjeguar për çfarë unë isha i interesuar, për kontributet e tij për shqiptarët dhe vllehët. Ai u tregua i gatshëm, më dha një fletë palosje ku ishin fotot e të gjithë udhëheqësve katolik në këtë kishë, ku ishte dhe emri i Zhan Klodit. Unë i thashë që duhet të interesohem edhe për varrin e tij. Ai më dërgoj në varrezat katolike të qytetit dhe më tregoj një varr, që nuk ishte i Zhan Klodit. Edhe ai u pezmatua sepse kështu e dinte, megjithatë ai mori në telefon një murgeshë në Selanik por dhe ajo nuk e dinte. Më premtoj se do më njoftonte, por efektivisht jo.

Mbas një muaj më erdhi një e dhënë që ishte në varrezat ortodokse të qytetit. Shkova atje dhe takova ca priftërinj ortodoks, por edhe ata nuk dinin gjë. Kontrollova gjithë varrezat dhe në veçanti ato përreth kishës, sepse priftërinjt varrosen rreth e qark saj. Por nuk zbulova dot asgjë. Një e dhënë tjetër më erdhi që mund të ishte varrosur brënda kishës katolike, por edhe atje asgjë.


Pavarësisht që unë nuk i gjeta varrin këtij prifti katolik francez dhe profesor i frëngjishtes në liceun rumun të Manastirit/Bitola, vepra e tij, krahas edhe disa të tjerave si “Historia Vllahe” 1891, “Historia e gadishullit të Ilirisë” dhe “Katekizëm Vlleh për përdorim nga priftërinjtë” 1891 nuk janë gjetur.

Zoti Janez Cerar u interesua pranë z. Alfredo Beccera përgjegjës i arkivës i cili na dha disa të dhëna, por jo vend ndodhjen e tombës të Faveiralit. Më poshtë po i vendos këto materiale:


Janez Cerar CM <janez.cerar@rkc.si>

22 gen 2011, 12:56



a me spagnolo albanese


I nderuar Z. Valentino! Në dosjen e bashkangjitur po ju dërgoj disa dokumente për Fr. Jean Claude Faveiral; dhe letrën nga Arkivisti ynë i Përgjithshëm. Sipas të dhënave, Fr. Faveyral vdiq në Manastir; por ne nuk mund ta gjejmë varrin e tij. Shpresoj se informacioni do t'ju ndihmojë. Vëllazërisht, fq. Janez Cerar CM Ul. Maršal Tito 63 7000 Manastir Maqedonia

Vdekja e At Faveyrial



Data: e shtunë, 22 janar 2011 01:45:58 -0800 (PST)

Nga: Alfredo Becerra

Za: Janez Cerar CM

I dashur At Janez!

Kam gjetur në dosje të dhënat e mëposhtme të At Juan FAVEYRIAL, CM

Në 25 Mars 1817 në Usson, dioqe. Lionit Mbledhur më 11 mars 1843 te Présent M. le Gros etj etj.

Shpresoj që ky informacion të jetë i dobishëm për ju si studiues. Ju lutemi thuani studiuesit shqiptar të na dërgojë një kopje të studimit të tij për arkivin tonë të përgjithshëm. Përshendetje dhe Zoti ju bekofte gjithmone në St Vincent

At Alfredo Becerra V. CM.

Dosja e Përgjithshme.

I ndeuar padre Janez Cerar.

Faleminderit për imeilin që më dërguat, e kuptova që padre Faveyral ka ndëruar jetë në Monastir (Bitola). Ashtu si e lexova dhe kuptova, varri i padres nuk dihet akoma ku është. Sinqerisht për të hequr gjithë dyshimet nëse më informon se mund të jetë në varrezat ortodokse në Bitola, ose në ato franceze. Nqse egziston ndonjë libër për padre Faveyral si “Historia e Vllehëve”, shkruar në vitin 1891. Më intereson sepse unë po shkruaj një libër për “Latinët e humbur” që flet për etnin time Vllahe.

Me shumë respekt Valentino Mustaka

Në shënimin dhe hyrjen e librit të botuar nga Plejad në vitin 2004, Robert Elsie thotë ”Historia e Shqipërisë e Zhan Klod Faveirial është një vepër me rëndësi kulturore, pasi ajo përbën librin e parë që i kushtohet tërësisht historisë së këtyre vendeve ballkanike”. Ishte mjaft i lidhur me Vllehët, dhe u pati bërë shërbime të mëdha ashtu si dhe shqiptarëve. Shqiptarët, shkruante ai, përbëjnë një komb, një racë të fortë e të guximshme.

Por e rëndësishme është që në këtë shkrim të japim pjesë nga ky libër shumë interesant për shqiptarët dhe vllehët. Kam mendimin që të marrë pjesë nga ky libër të botuar nga PLEJADA në vitin 2004 për të treguar historinë më të vjetër të Shqipërisë ku sigurisht inkuadrohen edhe etnia vllahe me banim në trojet shqiptare.

Mendimi im personal është, pse Akademia, Kuvendi, Presidenca, Qeveria nuk është marrë fare me këtë studiues që ka dhënë një kontribut për historinë e Shqipërisë me shumë fakte dhe ngjarje konkrete dhe të jetuara për kohën, që ne para daljes të këtij libri nuk kishim fare dijeni për çfarë ai shkruan dhe faktet që ai paraqet.


MARRËDHËNIET SHQIPTARO-VLLAHE

NË LIBRIN E ZHAN KLOD FAVEIRIAL


Ka shumë vite që është në qarkullim libri i Zhan Klod Faveirial “Historia e Shqipërisë”(më e vjetër). Në faqen 552 të këtij libri lexuesi do të gjejë me të vërtetë historinë e Shqipërisë, që fillon prej rreth 2000 vjetëve dhe që janë qartësuar shumë etapa të errëta të kësaj historie, ku ka pasur shumë errësirë dhe shtrembërime nga më të ndryshmet, nacionalistë dhe ndonjëhërë qesharakë. Nga ky libër besoj kanë çfarë të mësojnë të gjithë rreth historisë së Shqipërisë dhe në veçanti studiuesit dhe profesorat e titulluar, se cila është historia e vërtetë më e vjetër e Shqipërisë.

Në këtë libër historik dalin në pah edhe shumë episode dhe kohëra të gjata bashkëpunimi midis shqiptarv dhe popujve të tjerë të afërt ose jo, ku ata kanë ndarë çdo gjë mes tyre si në kohë paqe dhe lufte.

Ky libër nuk ka vlera vetëm për historinë më të vjetër të shqiptarëve por edhe për disa popuj të tjerë ku për ne më e rëndësishmja është ajo e vllehëvë ose arumunëve. Pikërisht edhe në këtë shkrim unë dua të nxjerr në pah krahas kësaj historie edhe pjesë shumë të mëdha të popullsisë vllahe, përkatësi të cilës edhe ne i përkasim me krenari. Nga 552 faqe të kësaj historie, rreth 200 faqe i përkasin popullit vllah, sigurisht në pjesë të shkëputura.

Unë mendova që përshkrimet për popullin vlleh që autori ka shkruar, t’i ndaj në disa tituj dhë nëntituj, sigurisht sipas tematikave dhe momenteve historike që ka ky libër visar për shqiptarët dhe vllehët, ashtu siç edhe autori në shumicën e rasteve shprehet.

Ishte (autori) mjaft i lidhur me vllehët dhe u pati bërë atyre shërbime të mëdha. Po ashtu, edhe ata ndjejnë keqardhje sinqërisht për të. Ai i ishte përkushtuar kësaj veprimtarie të rëndësishme të quajtur Lëvizja Vllahe. (V.Mustaka)


I. PREJARDHJA E VLLEHËVE

Pavarsisht nga shumë hipoteza që qarkullojnë për këtë prejardhje, ku disa janë të qarta dhe disa të errëta, ku disa janë të besueshme dhe disa jo, ku disa janë më të pranueshme e disa jo, unë mendoj të shtjellojë horizontin e autorit të këtij libri për prejardhjen e vllehëve. Më e qartë ndoshta kjo prejardhje mund të jetë në librin-dorëshkrim “Historia vllahe” (Historie valaque 1891) ose Vllehët e Pindit (në “Lajmëtari i Orientit”, Kostandinopojë 1864-broshurë), ose “Shëtitje në Ohër dhe shënime mbi Vllehët” v.1869, dorëshkrim i shkruar për at Eugjen Borenë. Ne momentalisht nuk kemi njohuri dhe dijeni për këto shkrime se ku ndodhen, kjo ndoshta na lë detyra për të ardhmen që ashtu siç doli në dritë dorëshkrimi për “Historinë e Shqipërisë” (më e vjetra), ashtu do të dalin në dritë edhe shkrimet e mësipërme që dikush mund t’i ketë.

Kush ka qënë vallë Maqedonia e Aleksandrit të madh, kjo është një hipotezë shumë e errët e historisë, sepse autori Justini thotë se: “Maqedonasit ishin Pellazgë, kurse Straboni thotë se ata flisnin të njëjtën gjuhë me Epirotët. Ata nuk flisnin greqisht dhe se, për t’u marrë vesh, ishte i nevojshëm një përkthyes”. Në faqën 41-45 autori shprehet se gjuha e Pellazgëve është më e ngjashme me latinishten se sa me greqishten, u ruajt në dialektin eolian dhe në atë epirot, që helenët i cilësonin si barbarë. Gjithçka dëshmon në Thesali, vendqëndrimin e Pellazgëve majat në shpatet lindore të Pindit janë të rrethuara nga muret e tyre masive.

Autori shprehet se studiuesi Desdevizi thotë: ”Ilirët dhe Pellazgët do të kenë qenë homogjenë, domethënë, kushërinjë të afërt, por ndryshimi ishte se, të parët (Ilirët) erdhën nga Danubi, dhe të dytët (Pellazgët) nga arkipelagu me emrin e tyre. Në kohën e Gonatit, nga viti 281 deri në 278, të ndarë në trupa të shumtë, Keltët danubianë pushtuan Maqedoninë, Greqinë dhe Trakën. Por kush popull ka jetuar dhe jeton në këto krahina si Thesali dhe veçanti në Pind dhe që quhet krahina e Maqedonisë? Vllehët. (V.M)

Por ky variant është më pak i pranueshëm pavarësisht që ka elementë fillestarë të pranueshmë për një origjinë të largët të vllehëve, ku enigëm mbetet gjuha që kanë folur maqedonasit e vjetër (para ardhjes së fiseve sllave).


Iliro-Romakët: Shqiptarë, Vllehë e të tjerë.


Pushtimi nga romakët i gadishullit Ilir kishte qenë një akt i dhimbshëm, por në thelb, ai nuk ishte një fatkeqësi, sepse në Iliri kishte disa mbretëri dhe pas pushtimit romak këto mbretëri u zhdukën dhe banorët e tyre krijuan një njësi të vetme ose pretendohet se ata të gjithë i përkisnin bërthamave të ndryshme të së njëjtës racë.

Më vonë Kostandini i cili kishte origjinë ilir krijoi një shtet të Ilirisë së romanizuar ku përfshiheshin nga Thraka, Myzia (krahinë ilire mbi Dardanine, afërsisht në territoret e Sërbisë së sotme), Shqipërisë, Maqedonisë, të Dakisë në veri dhe të Greqisë në jug. Me invazionin sllav vetëm Shqipëria falë relievit malor mundi të ruajë banorët e saj, me një anë shqiptarët, në anën tjetër vllehët.

Në këtë përiudhë Romano-Vllehët ishin pothuaj sa shqiptarët por këta ishin më të shpërndarë. Në kohën e Romës, ata lëvronin latinishten, në të cilën Volskja (Vllahishtja) ishtë dialekt popullor. Volskët (Volshët) kanë qenë një ndër fiset më të lashtë bashkë me umbrët, oskët, bruzët, enotrët etj, të gadishullit italik, me vendosje në jug të Latiniumit të cilët u nënështruan nga Roma në vitin 338 p.e.s.).

Duke cituar autorin Straboni thotë: ”Përveç kësaj, 150 mijë banorë dhe kryetarë familjësh u shpërngulën (nga Iliria) në Itali”. Në vënd të tyre dërguan (romakët) kolonë të tjërë, dhe këta ishin Vllehët ose Romenët e ditëve tona (rreth vitit 168). Kurse në faqen 118 autori shprehet: “Diku tjetër ne kemi provuar se vendosja e Vllehëve në Shqipëri shkon deri te Pal-Emili (konsull romak v.168).

Origjinën e kësaj ardhje e mbështesim edhe sipas thënieve të Gjon Skilicës (autor bizantin i mesjetës) se me të arritur në Dyrrah (Durrës), Niqifor Bazilaku (perandor i Lindjës nga viti 1078-1081) rekrutoi një ushtri nga të gjitha rrethinat dhe se në krye të kësaj ushtrie, të përbërë nga frankët, romanët (vllehët), bullgarët dhe shqiptarët, ai u drejtua Selanikut. Pra, nuk ka pasur kurrë grekë në rrethinat e Durrësit. Edhe, sot, aty e gjithë popullsia është shqiptare ose vllahe (trupat e rekrutuara midis Vllehëve dhe Shqiptarëve, meqë këta popuj ishin të përzier dhe, shpeshherë kishin qenë së bashku qysh prej epokës romane).

Më tej në këtë libër janë thëniet e Pukëvilit (konsull francez pranë Ali Pashë Tepelenës): “në pjesë të tjera të veprës sime njohjes së këtij rajoni të Pindit (Zagoria) që është krejtësisht i banuar nga një komb, ngulitja e të cilit në Greqi (Shqipëri) daton qysh prej kohëve të fundit të Perandorisë së Poshtëme”. Diku tjetër kemi provuar historikisht, sipas Tit Livit dhe Cezarit, se shpërngulja e Vllehëve për në Shqipëri pati si shkak parësor shpërnguljen nga Pal-Emili.

Autori për shpërnguljen e vllehëve këto variante ka shkruar në libër. Pavarësisht nga kjo, nga studiues të tjerë ka edhe variante të tjera ku është edhe ai i mbeturinave të ushtrive në luftën ndërmjet Pompeit dhe Cezarit në Farsala (të Greqisë), nga ku ka prejardhjen edhe një degë e rëndësishme e Vllehëve–Farsariotë të cilët më vonë krijuan edhe disa fshatra si në Shqipëri dhe Bullgari me emrin Frashër. Në Durostor në 31 tetor 1926 familjet Ballamaçi, Bacu, Nastu, Dima, Cyfeku, Calës, Mustaka dhe Vanghele krijuan fshatin Frashër. Të gjitha këto familje ishin nga Vllehët e Korçës dhe Plasës të Shqipërisë.

II. Gjuha e folur, shkollat dhe vendndodhjet e vllehëve.

Ashtu siç e kemi theksuar edhe më sipër gjuha e vllehëve është dialekt popullor i latinishtës, ku autori shprehimisht citon: ”ata lëvronin latinishten, në të cilën Volskja (Vllahishtja) ishte dialekt popullor dhe tashmë, për vllehët ose Volskët, është e folmja nëpër familje. Kjo gjuhë ruhet e tillë deri në ditët e sotme duke pasur sigurisht edhe huazimet sipas shteteve ku jetojnë vllehët.

Për ruajtjën e gjuhës vllahe (arumune) është bërë një luftë e madhë midis vllehëve dhe disa qarqeve të caktuara shoviniste për ta eliminuar këtë dhe ndonjë gjuhë tjetër. Autori në faqën 389 përmend një rast konkret ku një murg, roli i të cilit ka qënë tepër rrënimtar për kombin vllah. Ai nuk predikonte Ungjillin, por kërcënonte me shkishërim të gjithë Vllehët dhe të gjithë Shqiptarët që nuk flisnin në gjuhën e murgut. Tregohet ende në Samarina, thekson autori, vendi ku ai u predikonte Vllehëve kundër përdorimit të gjuhës së tyrë amtare. Për këtë problem ka folur edhe profesor Abeleanu në librin e tij botuar në vitin 1905 ku shprehet për 37 fshatra në krahinën e Zagorisë që u detyruan të ndërojnë gjuhën sepse po të meshojë në vllahisht atëherë flisje me djallin dhe jo me zotin. Me thirrjen e tij, Vllehët e Zagorisë në Epir, dhe shumë të tjerë, hoqën dorë nga përdorimi i gjuhës së tyre amtare. Autori në faqen 167 shprehet: ”Në vend të lëvronin gjuhën e tyre, ata kanë lëvruar greqishten. Edhe sot e kësaj dite, ka ndër Vllehët, Shqiptarët dhe Bullgarët, që shkruajnë më tepër në romaica, ose greqishtë makaronike, siç thoshte vllahu Mihal Bajaxhiu i Voskopojës

Më 11 korrik 1708, Zosima nxjerr një bulë ose aktthemelim për komisarin e madh të Hongro-Vllahisë, Gjergjin e Kosturit, për ngritjen e dy shkollave në Kostur.

Në kishën metropolitane të Elbasanit gjëndet një dokument i datuar më 1736, ku metropoliti i Beratit Metodi u dërgua për të inspektuar kishën e Shën Mërisë së Neokastrës, dhe shkollën e ndërtuar në po këtë qytet (Elbasan). Të krishterët e Kavajës, Tiranës dhe Durrësit mbajnë në këmbë, gjithashtu, shkolla të ngjashme. Kisha e Neokastrës, kështu e quajnë vetë vllehët e Elbasanit ende këtë qytet.

Këto janë dy dokumentet e para më të herëshme të shkollave vllahe. Më vonë në vitin 1878 Emir-name e sulltanit i thoshte Valiut të Selanikut dhe të Janinës: ”Ne jemi bërë me dije se, nga njëra anë, Vllehët e Epirit, Thesalisë, Maqedonisë, Janinës,Trikallës dhe Selanikut, dëshirojnë të ngrenë shkollat dhe të arsimohen në to në gjuhën amtare. Sulltani iu lejoi atyre (vllehëve) të kishin aq shkolla sa ta shihnin të arsyeshme. Autori në një vizitë që ka bërë në vitin 1884 në qytetin e Korçës shprehet se aty nuk kishte shkolla shqipe. Por sa kurajo, sakrifica dhe përkushtim iu desh të mirënjohurit Apostol Margariti të themelonte pesëdhjetë shkollat, që ekzistojnë tashmë dhe dallohen prej të tjerave nga fryma e njerëzishme e nxënësve, nga përparimi dhe vullneti i tyre. Në shkollat vllahe frëngjishtja studiohet me kujdesin dhe zellin më të madh. Duket se të gjithë mësuësit vllehë e njohin frëngjishten.

Në vitin 1770 del në Venecia një fjalor greqisht, vllahisht dhe shqip me 1070 fjalë me autor Tedor Kavaljotin, protopap i Voskopojës. Ky fjalor u riprodhua nga Tunmani. Duke e parë këtë vepër të mbushur me gabime doktor Rosa me origjinë nga Voskopoja akuzon Kavaljotin se vuri shkronjat greke në vend të shkronjave latine të cilat i përdornin Vllehët e Voskopojës dhe të vendeve të tjera.

Nga studiuesi Hammer mësojmë se “në mesin e shekullit XVII një voskopojar i quajtur Dhimitër Prokopi lëvronte letërsinë në Vllahi me mjaft sukses”.

Kaq mund të themi për problemin e shkollave që autori ka shkruar në librin e tij. Për këto shkolla janë shkruajtur shumë shkrime nga autorë të ndryshëm ku unë (V.M) në librin “Nëpër labirintët e historisë së arumunëve (vllehëve)” në shkrimin: ”Problemi i shkollavë arumune në Shqipëri (1887-1940) kam folur për numrin e shkollave, nxënësve dhe mësuesve që ka patur në përiudha të caktuara të historisë.

Studiuesi Pakimer thotë se: “Vllehët shtriheshin prej rrethinave të Kostandinopojës deri në Bizi, e më tutje. Duke u rritur në numër, ata pëlqejnë të jetojnë në vende të paarritëshme, ku ushqejnë kopetë dhe, kur u pa se iu pëlqenin armët, u dyshua se mund të bashkoheshin me Skitët (Moldovllahët).

Benjamin de Tydel në vitin 1160 vizitoi Thesalinë, ku greku Niketa e emërton si principata e Toparkisë (e vllehëve) ku ky studiues thotë se: ”Ky komb ia kalon dhive në shkathtësi. Askush nuk ia dilte atyre në luftë, dhe asnjë mbret nuk arriti ti nënshtrojë ata. Principata e tyre filloi me Zaitunin. Një princ quhej Engjëll dhe një Tarona (v.1207)”. Dhëndëri i Taronës është një princ i një kombi të shumtë në numër, dhe ishte mjaft i fuqishëm për të arritur fitoret. Ushtria e tij përbëhej nga Vllehët e mëdhenj.

Të shpërhapur nëpër Shqipëri, Maqedoni e gjetkë, qysh nga koha romane, Vllehët dhe Shqiptarët, shtrihen më vonë në Greqi, prej ku grekët ishin larguar.

Në kohën e veziriatit të Ibrahimit, Vllehët e Pindit me fermanin perandorak i organizonte ata në 15 krahina, secila e drejtuar nga një kapiten. Në vitin 1680 komuna e Krushovës (Kërçova) që gjëndet thotë autori gjashtë orë në perëndim të Prilepit u themelua nga vllehët e Dibrës dhe më vonë nga ata të Gramozit.

Por ku ndodhen vllehët sot: ata ndodhen në Shqipërinë e mesme dhe atë të jugut, Maqedoni, Greqi pjesa qëndrore dhe veriore, Bullgari, Rumani, Serbi pjesa jug lindore si dhe në Sh.B.A, Gjermani, Kanada, Australi, Argjentinë etj-por këta janë vllehë të emigruar ndër vite, pra të larguar nga qëndrat e tyrë tradicionale.(V.M). Në Fraiburg të Gjermanisë është qëndra e studimeve vllahe-arumune me të ndjerin profesor V.Barbën në krye.

III. Besimi fetar, profesionet dhe tregtia që bënin vllehët.

Besimi fetar i vllehëve-arumunëve sot është ai ortodoks dhe një pjesë shumë e vogël ai Meglen është musliman (V.M).

Në hyrjën e librit Robert Elsie thotë: Unë i njoh nga pamja katër priftërinj vllehë që, sipas Imz.Faveirialit, janë katolikë dhe përmëndin emrin e Papa Leonit XIII në liturgjitë e tyre.

Po çfarë bëri Bizanti? Ai rendi të konvertojë në herezi, atë çka Apostujt e kishin konvertuar në Krishtërim, për të shndërruar në Helenë ata që Roma i kishte kthyer në Romakë. Pra, çështja kryesore e Bizantit ishte që të mbeste zotëruese e Ohrit, dhe të mos lejonte Ilirët të krijonin një shtet më vete, siç u formuan në vende të tjera, si dhe të kthente në bizantizëm atë që Roma e kishte romanizuar, e më tej, të zëvendësonte me të folmen greke, në fillim latinishten, e më pas edhe gjuhët vendase, të cilat u bënë krahinorë, ruralë, në krahasim më gjuhën zyrtare të pranuar nga të gjithë.

Pra këto janë momentet kyçe ku vllehët katolikë u kthyen në ortodoks, bile këtë më mirë do ta shtjellojmë më poshtë.

Në Iliri bëhesh një politikë shumë nacionaliste, ku grekët i bënë të besojnë Bullgarët,Vllehët dhe Shqiptarët se kushdo që nuk ishte grek, nuk ishte as i krishterë. Nga kjo del që grekët i kanë shkëputur Shqiptarët, Bullgarët dhe Vllehët nga katolicizmi dhe që i kanë lidhur pas orbitës së tyre me dinakëri, këta do të arrijnë deri atje sa të humbin edhe ato që kishin të vetat, patriotizmin dhe jetën shpirtërore.

Në kryengritjen e vitit 1185 trupat e rekrutuara midis Vllehëve dhe Shqiptarëve, meqë këta popuj ishin të përzier dhe, shpeshherë kishin qenë së bashku qysh prej epokës romane bërtisnin “Është dëshira e zotit që Vllehët dhe Bullgarët të çlirohen. Shën Dimitri i ka braktisur grekët dhe ka ardhur tek ne për të na siguruar fitoren”. U pa se perandorit bizantin iu dorëzua princi i Vllahisë së madhe nga despoti i Epirit. Një veprim i tillë natyrshëm nuk mund të fitonte simpatinë e këtyre malësorve krenarë, dhe as të ndihmonte për nënshtrimin ndaj perandorisë. Kantakuzeni Gjon Engjëlli do të jetoj në mirëkuptrim të plotë me të, dhe nëse do të ketë ndonjë mosmarrëveshje midis tyre, vendimi mbi të do të merret sipas gjykimit: -se kufijtë e Vllahisë apo despotatit do të ruhen ashtu si kanë qenë në të kaluarën, me qëllim që aty të mos ushtrohet asnjë veprim armiqësie.

Autorë vllehë na bëjnë të ditur se një shqiptar, Jazili Ujku, hartoi kodin e parë të ligjeve të vendit të tyre (rumunëve), dhe në sajë të tyrë rumunët mund të dëgjojnë meshën në rumanisht.

Kantakuzeni (studiues dhe më vonë perandor) saktëson me vëllanë e tij se “metropolitët, peshkopatat, manastiret dhe kishat e tjera të principatës vllahe duhet t’i binden kishës së madhe të Kostandinopojës, ashtu siç kanë qenë qëmoti”. Këtu sipas meje (V.M) në këtë periudhë (rreth vitit 1350) është fillimi i ortodoksizmit te vllehët etj.

Profesionet më kryesore që vllehët bënin fillimisht ishin praktika e mjekëve shëtitës, mirëmbajtja e kanaleve, ujësjellësave, burimeve, ngritja e ndërtesave dhe e urave, si dhe sharrimi i druve. Por duke punuar në mes të Bullgarëve, Shqiptarëve etj, mësuan atë gjuhë dhe mbahen për bullgarë apo shqiptarë, por le të gërmojnë në origjinën e tyrë, të marrin në shqyrtim tipat, dhe të studjojnë prirjet dhe tiparet e racës vllahe.

Interesi që lindi më vonë nga përfitimet tregtare nuk vonoi t’i shtyjë Vllehët punëdashës që të tjerrin leshin e të endin stofrat e trashë që shërbenin për t’u bërë gunat e shqiptarëve dhe kapotat që përdornin marinarët e Adriatikut. Ajo shtresë e popullsisë që nuk ka kapitale u mor me një degë të industrisë mjaft fitimprurëse, siç është prodhimi i zbukurimeve dhe pajsjeve shtëpiake prej ari ose argjëndi, por ajo çka të habit më shumë është fryma e rregullit që sheh të sundojë nëpër familjët dhe në qytetet vllahe. Pukëvili në shkrimet e tij përmend edhe Zagorinë e Epirit që është e populluar vetëm nga Vllehët. Në Liasovë thotë ai, gjëndet shkolla dhe fidanishtja e empirikëvë të njohur nën emrin Kalojatri ose mjekët e mirë, ku operoheshin herniet, kataraktin, litotominë etj.

Dy piktorët e mëdhenj të malit Athos, Pauzilini dhë Denisi janë si njëri dhe tjetri me origjinë Vllahe.

Në vitin 1627 sulltan Murati i IV morri vendimin në bazë të cilit iu hoq kapitenëve vllehë, mbikqyrjen e rrugëve, por më vonë e rishikoi vendimin dhe iu ktheu armatolëve privilegjet e tyre të vjetra. Madje, ai u shtoi edhe dy të tjera, një taksë mbi deshët dhe të ardhurat e pasavantëve, salinaparatë.

Pukëvili na bënë të ditur së në shekullin e XVIII gjejmë në Shqipëri pesë qytete në lulëzim: Janina, Mecova, Voskopoja, Vithkuqi dhe Shkodra. Në Janinë tregtarët francezë blenin 6 mijë kuintal dyll që vinin nga Vllahia, Moldavia dhe Bosnja, tre ose katër mijë lemurë bualli dhe dy mijë kuintal pambuk. Tregtarët francezë furnizonin një magazinë në Mecovo dhe fituan një besim të tillë te vllehët, sa ata nuk donin të bënin marrëveshje me të tjerë. Me 1699 tregtarët francezë të Durrësit dhe të Vlorës kishin më shumë lidhje me tregtarët e Voskopojës dhe të Vithkuqit.

Me anë të vllehëve, gjenerali Komenciol transportoi në vitin 586 provizionet ushtarake të tij, janë po vllehët zbulues në luftën mes bullgarëve dhe bizantit në v.1016, po kështu në vitin 1876-1878 vllehët ndihmuan turqit për të transportuar materiale ushtarake. Pjesa më e madhe e haneve janë mbarështruar nga vllehët.

Nga ana e armatolëve vllehë (1760), tashmë kishte një luftë për jetë a vdekje, për ruajtjen e privilegjeve të tyrë të vjetra. Kur Vllehëve të Pindit iu hoqën privilegjet e tyre, dhe kjo për të keqen e perandorisë Ottomane, përkon me atë kur Vllehët e Danubit humbasin pavarësinë e tyre, Pindi bie nën apostatët shqiptarë dhe Rumania nën Fanariotët.

IV. Mbretëria shqiptaro-vllahe e Prespës.( v. 976-1017)


Mbretëria Shqiptaro-Vllahe ka jetëgjatësinë nga viti 976 kur duke lënë Bullgaro-Myzët (Serbët) në fatin e tyre, Shqiptaro-Vllehët zgjodhën për mbret kontin Samuel, njeri i pasur dhe me një guxim të admirueshëm, ishte me origjinë armene dhe i vendosur në Maqedoninë e epërme. Samueli pranoi të ngrinte në Pind flamurin e mposhtur të Ballkanëve. Samueli luftën e filloi më vitin 976 dhe përfundoi më 1017 (Samuëli vdiq me v. 1014), me marrjen e Ohrit. Humbja e luftës nga ana e shqiptaro-vllehëve ndodhi më shumë nga mungesa e prijësave se sa nga mungesa e guximit. Në vitin pasues, Samueli humbi edhe qytetin, edhe fortesën e Durrësit, për shkak të tradhtisë së grekut Azot me të cilin ishtë martuar e bija e tij. I biri i Samuelit u quajt Roman, vëllai i Samuelit Vladislavi u vra në rrethimin e Durrësit. Basili përfitoi nga kjo rrëmujë për të plaçkitur Ohrin dhe thesaret që i kishte lënë aty mbreti i fundit i Shqiptaro-Vllehëve (v.1017). Xhaxhai i tij Draguimir zmbrapsi grekët që shkuan nga Durrësi në Shkodër.

Të gjitha vendet që kishin lidhje me Primatinë e Ohër-Justinianës dhe që vareshin nga princërit Ilir dhe nga mbretërit bullgaro-vllehë mbetën katolik deri në vitin 1017.

Vllahu Docean, bashkoi trupat vllahe (v.1041) dhe shtiu në dorë vendet nga Nishi deri në Shkup, Maqedoninë, Shqipërinë, Epirin dhe Thesalinë. Ky dërgoi 40 mijë trupa për të rrethuar Selanikun ku mundet. Komandanti i Durrësit Bazil Sinadeni zëvendësohet nga Mikel Dermokati.

Në 15 korrik 1081 kur forcat normane morën Durrësin, studiuesi e përshkon kështu: ”Kalaja ishtë e fortë, asnjë ushqim nuk i mungonte. Garnizoni i saj përbëhej prej Vllehësh, Shqiptarësh dhe trupa të huaja, të komanduara nga Gjergj Paleologu dhe shqiptari Komiskort.

Mikel Paleologu i kërkoi tartarit Nogoja një ushtri me trupa të pafesh për të therur Vllehët e Pindit. Cila ishtë fajësia e Vllehëve.? Ata kishin përfituar nga trazirat e Bizantit për të shpëtuar nga varësia e padenjë e perandorëve grek. Por për fatin e vllehëve Mikeli vdes dhe masakra nuk u bë.

Në vitin 1014 në Kljuç afër qytetit Petriç u zunë rob 14.000 bullgarë. Vasili i II i verboj dhe në 100 la një me nj sy. Kur i pa samueli, vdiq në vend. I biri u vra nga djali i xhaxhait i cili ngriti kështjella si psh mbishkrimi në Bitola-Mnastir “ Në vitin 1015-1016...u përtërit kjo kështjellë, e ngritur dhe e ndërtuar nga Joani (Vladisllavi) sundimtar bullgar. Kjo kështjellë u ngrit për strehim dhe shpëtim të jetës bullgarëve. Ky sundimtr ishte lindur bullgar, bir i Aronit i cili është vëlla i Samuelit, i cili u vra në vitin 1018 në sulmin mbi kështjellën e Durrësit. Pasardhësit e tij u tërhoqën në malin e Tomorrit.

Vallë në murin e kalas në Durrës pse nuk vendoset një pllakat përkujtimore për nder të mbretit Samuel?

Pushtimi i ishujve Jonianë dhe i Akrokeraunit ishte për Vllehët e Aspropotamit dhe të Pindit, pothuaj siç ishte marrja e Krujës dhe Shkodrës për Mirditorët. Në malet e tyre ata nuk mund të sulmoheshin, por, për të jetuar ata dhe kopetë e tyrë kishin nevojë për fushat, për detet përqark, për tregtinë e tyre. Porta e madhe u zotua të mos i kërkonte taksa dhe të mos ndërhynte në çështjet e brendshme, dhe iu linte atyre figurinë e malësive dhe të rrugëve, që të jetonin në paqe me ta, të bënin tregti të ndershme me të tjerët, apo të shkonin të punonin, nuk ka rëndësi se ku, në perandorinë Ottomane.

Me rënien e mbretërisë së Prespës ( v.1017), kombet që e përbënin atë:Vllehët, Shqiptarët dhe Bullgarët, e humbën pavarësinë e tyre politike. Por primatia Ilire nuk e humbi të sajën. Ajo vetëm se u zvogëlua, më 1204, nga krijimi i një primatie në Tërnovë në përfitim të Bullgaro-Vllehëve danubianë, dhe në vitin 1219 nga krijimi i primatisë së Pejës, në përfitim të Serbëve.

V. Mbrëtëria Bullgaro-Vllahe

Aseni dhe Petri ishin dy vëllezër vllehë nga Tërnova që nxitën kryengritjen e vitit 1185 duke fituar mbi Isak Engjëllin (përandor i lindjes) dhe krijuan perandorinë e dytë bullgaro-vllahe me Asenin car të bullgarëve.

Shikoni këtë flamur (flamurin bullgaro-vllah), ngjyrat e tyre janë të ndryshme. Por ato janë nga i njëjti fill dhe të punuar nga të njëjtit puntorë i tha Aseni popullit.

7 shtator 1204 Ioanisi u kurorëzua nga kardinali Legat perandor i Bullgaro-Vllehëve i cili bëri betimin.

Për këtë perandori ka shumë materiale, por unë e shikoj të arsyeshme që mos të zgjatemi më shumë.

VI. Për Voskopojën.

Në këtë libër autori flet shumë për qytetin e lashtë dhe të kulturuar të Voskopojës, por unë mendoj që të kapim ato aspekte që pak a shumë edhe janë të veçanta për ne si lexues.

Në faqën 385 autori na e përshkruan kështu: “dhe, për të dytën herë, ata plaçkitën Voskopojën, qytet i lulëzuar me 45 mijë banorë. Vllehët nuk ishin grekë por të krishterë dhe, si të krishterë, ata i besuan pak a shumë premtimeve dinake të agjentëve rus. U pa e udhës se duhet të fillonin djegien nga qyteti i lulëzuar i Voskopojës.”

Në vitin 1818 deri 1820 ndodhi emigracioni i fundit i voskopojarëve. Ali Pasha u pati ofruar mbrojtjen e tij, por duhej t’i jepnin para për këtë, dhe në Voskopojë kishin mbetur veç të varfërit, të cilët edhe këta e braktisën qytetin duke shkuar në vende të ndryshme.

Voskopoja ishte për vllehët e Pindit të lartë ajo çka Mecova kishte qenë për vllehët e Pindit të poshtëm. Por këto dy qytete nuk patën të njëjtin fat dhe të njëjtën rëndësi. Mecova ekziston ende, ndërsa Voskopoja është shkatërruar.

Autori e shpreh shumë bukur djegien e Voskopojës duke thënë: ”Po çfarë nuk do të kish shkruar Pukëvili mbi Voskopojën, nëse do kish arritur ta vizitonte këtë qytet me 45 mijë banorë, i pari atyre kohëve në të gjithë Shqipërinë, përpara se të plaçkitej dhe të katandisej në një fshat me 250 familje.

Këtë shkrim kam dëshirë ta mbyll me një thënie shumë thelbësore të autorit të librit për ne vllehët-arumunët, ku unë shikojë se në vitin 1343 përfundon Vllahia e madhe si kompaktësim shtetëror (por jo si komb në vetvete dhe me banim në shtete të ndryshme, sepse ne ekzistojmë ende sot)

...”le tu afrohemi kohërave në vitet 1339 dhe 1343. Me 1339, Epiri heq dorë prej pavarësisë së tij, dhe me 1343 Vllahia e Madhe (trevat lindore të Pindeve dhe vendet e Thesalisë pranë tyre) ripohon të vetën në një dokument zyrtar, dokument mjaft i sigurt për t’u besuar, pasi vjen pikërisht prej atij, në duart e të cilit Epirotët kishin lënë fatin e tyre, dhe kishin hequr dorë nga pavarësia e tyre.

LËNDA E FOTOGRAFIVE:


Në varrin e pionerit të kinemasë, Milton Manaki

Në varrin e pionerit të kinemasë, Milton Manaki

Kisha ortodokse Manastir/Bitola

Varr pa emër, ndoshta i Faverialit

Superiorët e kishës katolike, Fevarial nga viti 1889-1893

Superiorët e kishës katolike, Fevarial nga viti 1889-1893

Kisha katolike Manastir/Bitola

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page