Fran GJOKA: Njeriu që i kushtoi 50 vjet të jetës dijes dhe arsimit

IN MEMORIE
I paharruari prof. dr. Qazim DUSHKU.
Shkruan Fran GJOKA
Njerëzit e mirë dhe të ditur, kur ikin nga kjo botë lënë gjurmë të pashlyera. Ata nuk harrohen, por përmenden vazhdimisht me respekt e konsideratë, teksa vepra e tyre zë vend të rëndësishëm, si në edukimin e brezit të ri, ashtu dhe në përvojën dhe traditën e jetës, ata njerëz pasurojnë më tej kulturën, arsimin dhe edukimin. Ndër ta është edhe prof. Qazim Dushku, intelektuali i shquar lezhjan, i cili duke u ndarë nga jeta, la një boshllëk të dukshëm në kulturë dhe arsim, e sidomos në fushën e edukimit psiko – social, që ishte një fushë e rëndësishme, e lëvruar shumë prej tij dhe ku edhe kontributet i ka të çmuara.
Njeriu që i kushtoi 50 vjet të jetës dijes dhe arsimit
Prof. Qazim Dushku ishte ndër ata njerëz të shquar dhe të paharruar, që do ta kujtojmë në shenjë mirënjohje dhe respekti pa fund. Ai, 50 vjet të jetës ia kushtoi dijes dhe edukimit, mësues dhe drejtues i arsimit të një qyteti të tërë, që aq shumë e deshi dhe aq shumë bëri me kontribute dhe me vepra të larta mësimore dhe edukative, kulturore dhe psiko-sociale. Madje duhet të themi se ai ishte ende në moshën kur energjitë dhe dituritë e tij ishin ende shumë aktive, ai e shfaqte veten veçanërisht në studime dhe kërkime të didaktikës, pedagogjisë dhe të problemeve të karakterit psiko-social, ndërkohë që vijonte të punonte pa u lodhur për t`u dhënë ndihmë dhe mbështetje mësuesve dhe të gjithë atyre që dëshironin t`i futeshin punës së bukur dhe të vështirë shkencore pedagogjike.
Qazim Dushku lindi në fshatin Balldre të Lezhës, 77 vite më parë, në një familje të njohur dhe fis arsimdashës. Në këtë trung familjar u ngjizen cilësitë më të mira të karakterit të tij, që malësorët tanë i kanë mbrujtur në shekuj, si: trimëria, burrëria malësore, besa, mikpritja etj. Qazimi u rrit, hodhi shtat dhe u formua në këtë familje të ardhur historikisht nga Malësia e Madhe, ai u edukua me dashurinë për trojet amtare, siç bënë të parët e tij ndër shekuj. Fëmijëria dhe adoleshenca nuk ishin të lehta për të, e, ndoshta ky është shkaku i një mirë edukimi e shkollimi me sakrificë e vendosmëri. Shkollimi ishte pika më e ndjeshme e tij dhe që i hapi rrugë të reja për të njohur më mirë dhe më thellë jetën. Që në rininë e tij të hershme ai dallohej për mençuri, shkathtësi dhe zgjuarsi natyrale. Pasi mbaroi arsimin 7-vjeçar në vendlindje, pushteti vendor i asaj kohe, me kërkesë të prindërve të tij, vendosën ta dërgojnë në shkollën e mesme të arsimit të përgjithshëm “Hydajet Lezha”, Lezhë. Gjatë periudhës së adoleshencës, të katër viteve në gjimnaz, ai u veçua si një djalë fjalëpakë, i qetë dhe energjik, me reflekse mësimore premtuese dhe me vullnet për të njohur e lëvruar rrugën e dijes.
Në bankat e asaj shkolle, të njohur për traditat e saj ai u certifikua me dëftesën e pjekurisë të shoqëruar me motivacionin: “Nxënës i shkëlqyer në mësime e sjellje shembullore”. Me mbarimin e arsimit të mesëm të përgjithshëm, fitoi bursë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, dega e Gjuhëve të huaja. Djaloshi malësor nga Lezha, po rritej si një pemë e mirë në “pyllin njerëzor” me plot virtyte morale që e bënin të dallohej nga të tjerët dhe të respektohej nga të gjithë bashkë studentët dhe pedagogët e tij. Kështu, shumë shpejt ai u bë një nga studentët më dinjitoz dhe studiues sistematik, kjo falë njohjes dhe përvetësimit të shpejtë të dijeve. Madje ai u kthye në një emblemë aktive e universitetit. Gjate 5 viteve studentore, u formua me aftësi profesionale të përkryera dhe u pajis me një vullnet të madh, duke u aktivizuar shpesh në gazetën “Studenti” dhe në disa revista të ndryshme shkencore, që dispononte fakulteti. Janë pikërisht cilësitë e rralla të këtij njeriu që më nxitën të hedh në letër dhe të botoj këto radhë për jetën, punën dhe veprën e tij me shumë vlera të dukshme në fushën e arsimit. Të jetosh për një kohë të gjatë përkrah një njeriu me personalitet të tillë siç ishte prof. Qazim Dushku ishte një respekt dhe konsideratë, që gjithkush nuk duhet ta mbaj brenda vetes, por ta bëj të njohur edhe tek të tjerët, te shoqëria dhe te brezat. Sipas kujtimeve që kam ruajtur për figurën e tij, ai ishte njeri me vlera të padiskutueshme, me kulturë e vizion perëndimor, tepër i përgatitur, emocional dhe me vizion të gjerë për jetën, familjen e shoqërinë. Ai kishte lindur njeri këmbëngulës që zgjoi tek ai interesa bashkëkohore dhe talent në dijet dhe bindjet e tij, në aftësitë për fushën e arsimit dhe atë psiko – sociale, që e bëri motiv të jetës dhe të punës së tij shumë vjeçare.
Prof. Qazimi punoi pa u lodhur, duke qenë vazhdimisht një qytetarë aktiv në qytetin e Lezhës, një intelektual i çmuar dhe i respektuar nga të gjithë, nxënës e mësues, kuadro, intelektualë, shkencëtarë dhe artistë lezhjanë. Ishte i dukshëm përkushtimi i tij fizik dhe shpirtëror ndaj profesionit, ai u bë shumë shpejt një nga specialistet më të njohur të arsimit, jo vetëm në Lezhë por në tërë Shqipërinë. S’kishte si të ndodhte ndryshe për një talent dhe një shkencëtar të pedagogjisë dhe të psikologjisë, që kishte hedhur me kohë ide, kishte botuar shkrimet e para pedagogjike e didaktike që në vitin e largët 1969, për t ‘mos u ndaluar për asnjë çast deri në korrik të 2026, kur zemra e profesorit pushoi se rrahuri.
Qazim DUSHKU, modeli dhe intelektuali
me kërkesa të larta ndaj punës dhe vetes

Një burrë që nuk e nisi dhe as e përfundoi karrierën e tij me bujë, por ua la të tjerëve ta gjykonin ndihmesën perfektë dhe të sinqertë që ai iu jepte mësuesve e drejtuesve të shkollave, ku me profesionalizëm, sinqeritet e dashamirësi shikonte punën e mirë që bënin kolegët dhe i nxiste ata duke u qëndruar pranë për rezultate dhe arritje të reja. Shumë shpejt prof. Qazimi u shndërrua një ndër figurat e dashura të arsimit dhe qytetarëve lezhjanë, madje edhe kombëtar. Duke qenë një burrë me tradita fisnike dhe një familje intelektuale, ku i gjithë fisi i tij janë të shkolluar në universitetet tona shqiptare, ai ishte një njeri shumë i ndjeshëm, tepër miqësor, po kaq konsekuent në gjërat themelore të bindjeve dhe ekzigjencave që e përbënin të plotë personalitetin e tij.
Profesor Qazimi në çdo kohë të lirë e gjeje mbi kompjuter. Punonte, pothuajse pa ndërprerje, nuk i nënshtrohej lodhjes, por e përballonte atë me vullnet të fortë. Ishte gjithnjë në kërkim të së resë, të së panjohurës. Ai, pothuajse gjithë jetën e kaloi në mjediset didaktike shkollore dhe akademike, gjithnjë në botën e madhe të aplikacionit. Profesori i ndjerë, mbeti mësues edhe kur ishte drejtor, inspektor, përgjegjësi i trajnim kualifikimit, drejtor i arsimit rajonal dhe dekadën e fundit pedagog universiteti. Edhe pse kishte këto funksione, ai nuk rrinte dot pa vajtur në shkollat e Qarkut Lezhës, për të dhënë e për të marrë praktika, mjete e rrugë të reja, për të ngritur cilësinë e punës në shkolla. Ky ishte një objektiv brilant i një punonjësi shkencor, që punonte pa u lodhur për ngritjen cilësore të punës në arsim në tërësi dhe të çdo shkolle në veçanti. Ai jo veten nuk e burokratizonte punën me autoritet fals, por e kthente në mënyrë të ndryshme në një kualifikim produktiv. Ai e kombinonte shumë mirë kontrollin shtetëror me punën kërkimore, fliste për ndryshimet në sistemin tonë arsimor, ku shpesh theksonte: “Reformat kanë sukses, kur mbështeten në kualifikim të lartë shkencor në të gjitha nivelet e punës arsimore që nga baza e deri lart. Po mungoi kjo, shfaqet diletantizmi, që i hap rrugë dështimeve”, - nënvizonte ai.
I dalluar dhe i thellë, veçanërisht në fushën e studimeve psiko-sociale
Pas marrjes se gradës shkencore “Doktor i Shkencave” dhe së fundi titullit të lartë shkencor “Profesor Doktor i Shkencave”, shpërthen talenti i tij dhe si punonjës shkencor i suksesshëm në studimet psiko-didaktike dhe të psikologjisë sociale. Ky sistem pune aktive, kritike e krijuese 50-vjeçare bëri të mundur që profesori të na japë vepra të plota me vlera të mëdha psiko-sociale. Ai, të gjitha veprat kryesore i ka mbështetur me disa vepra të tjera, që i plotësojnë ato me gjëra të domosdoshme për të pasur suksesin që tashme dihet. Por, marrim si shembull punimin e tij “Për një mësim dhe edukim ndryshe” që përbën një kontribut të madh në konsolidimin e të mësuarit krijues, apo veprat e tjera “Motivimi”, “Streset përtej konstatimeve”, “Shoqëria e trazuar”, “Ne gjurmët e krimit familjar”, “Kriza e dashurisë”, “Për një komunitet aktiv qeverisjeje” e plot libra të tjerë. Si bashkëkombës i tij në shumë artikuj shtypi, prof. Qazimi ishte dhe mbetet në kujtesën e brezave të mësuesisë një prodhues i fuqishëm po brenda një kohe relativisht të shkurtër pune na ka dhënë 15 vepra të plota dhe disa të tjera me bashkautor. Ka botuar mbi 100 shkrime në revista të ndryshme shkencore dhe është autor i rreth 1 200 shkrimeve problemore, duhet thënë se ai tërë këtë prodhimtari e ka realizuar në kohën e lirë të tij pas punës së lodhshme të ditës, prandaj dhe përshtypjet e mbresat e miqve e shokëve të tij janë të shumta. Shkrimtari dhe studiuesi i njohur Viron Kona thotë: “ Profesor Qazimi ishte dhe mbetet një nga figurat e shquara të shkencës pedagogjike shqiptare, autor i shumë veprave dhe studimeve shkencore nga fusha e psikologjise sociale. E takoja shpesh profesorin kur shfaqte interesa intelektuale për frymën e re perëndimore që kishte hyrë në shkollat tona. Ai ishte i thellë në problemet filozofike dhe ato psiko-sociale, ishte i thjeshtë dhe gjurmëlënës, dashamirës, shprehte urtësi prej një intelektuali, njeri dritë përhapës që nuk do të harrohet”. Madje z. Kona shkruan në vazhdim edhe këto radhë: ”Gjatë 5 viteve, gazetar dhe redaktor në gazetën “Mësuesi”, kam pasur vazhdimisht në duar shkrimet e prof. Qazim Dushkut, shpesh herë me bashkautor prof. Mark Vujin dhe gazetarin e palodhur Fran Gjoka. Ato shkrime gjendeshin në tavolinën time për t`i redaktuar, por, në të vërtetë, unë mësoja prej tyre, edhe si mësues, por edhe si redaktor. Kam lexuar nga profesori i nderuar përvoja plot jetë dhe ritëm, që të orientonin drejt rrugëve më frytdhënëse në edukimin e nxënësve dhe në mësimdhënien më efektive të dijeve dhe të kulturës”.
Një bibliotekë e tërë librash
me emrin e prof. Qazim Dushkut
Biblioteka e librave të prof. Qazim Dushkut është mjaft e pasur. Përmendim disa prej tyre: “Rini e përhershme” (bashkautor), “Shoqëri e trazuar”, “Kriza e dashurisë”, ”Motivimi”, ”Për një komunitet aktiv në qeverisje” (me grup autorësh), ”Për një mësim dhe edukim ndryshe”, ”Në gjurmët e krimit familjar”, “Patriarku i arsimit në Lezhë”, ”Arsimi dhe reforma”, ”Lezha-guidë” (grup autorësh), ”Njerëzit e mi, në rrjedhën e historisë”, “Dashuria, martesa dhe jeta seksuale”, ”Streset përtej konstatimeve”, ”Mësuesi i mësuesve”, ”Toleranca dhe edukimi i saj”, ”Më të mirët, ndër vite”, “Një jetë kushtuar dijes dhe pajtimit”, “Servili dhe psikologjia e tij”, “Shkolla dhe formimi profesional i mësuesve”, “Psikologjia”, “Mos i “vrisni” fëmijët!”... Kemi shumë botime nga prof. Qazim Dushku, të cilat përbëjnë një gjerdan të ndritshëm veprash të çmuara, në shërbim të mendimit të përparuar, në shërbim të së sotmes dhe të së ardhmes së arsimit në Shqipëri, në shërbim të ndriçimit dhe pasqyrimit të dinjitetit dhe personalitetit të mësuesit, në shërbim të krijimit të marrëdhënieve sa më të drejta e të bukura, në shërbim të tolerancës dhe fisnikërisë njerëzore, të së ardhmes së ndritshme të vogëlushëve, mbesave dhe nipërve tanë të shenjtë.
Librat e prof. Qazim Dushkut janë libra që nevojiten dhe lexuesi ndien dëshirën t`i shfletojë herë pas here dhe të konsultohet me to. Ua tregon ato të afërmve, miqve, të njohurve dhe ndien kënaqësi, kur shikon se mjaft prej tyre, lexuesit i kanë më shumë se të njohura. Ata kanë dëshirë të shprehen rreth përmbajtjes, të diskutojnë për idetë dhe mesazhet, që ato libra përçojnë. Mendoj se kjo ndodh, sepse librat që ka shkruar prof. Qazimi janë plot ide dhe mesazhe, ato nxisin biseda, dialogë mes njerëzve të kategorive të ndryshme, qofshin nxënës shkollash, mësues dhe intelektualë, personalitete të kulturës, sociologjisë, psikologjisë e filozofisë e, mbi të gjitha, ato bëhen pronë vetjake, që nga akademiku e gjer te njeriu i thjeshtë, ato ndriçojnë më shumë mendjet, pasurojnë shpirtrat, nxisin veprime të reja edukative dhe mësimdhënëse, lartësojnë më tej profesionalisht mësuesit e drejtuesit në arsim, por edhe nxitin komunikimin bashkëkohor mes njerëzve, mes vogëlushëve dhe adoleshentëve, duke ndikuar që ata të bëhen më të mirë, më të dashur, më të mençur, më fisnikë dhe me botë më të pasur se ç` kishin, para se të lexonin dhe të njiheshin me librat e mikut tonë të mirë, të dashur, ngulmues dhe të paharruar prof. Qazim Dushkut.
Në librat e tij, mes të tjerash prof. Qazimi shkruante për personalitetin e nxënësit në kërkim të identitetit të tij, për rolin dhe përgjegjësinë e psikologut, për detyrat e shkollës në edukim, duke u dhënë veçanërisht fëmijëve shpresë, forcë dhe besim për të ardhmen; ndërkohë që u tregon prindërve dhe mësuesve rolin në edukimin e fëmijëve, se fëmija është qenie e brishtë shoqërore dhe shoqëria ka detyrë ta tërheq atë në gjirin e saj të ngrohtë. Ai ishte kundër ndëshkimit fizik të fëmijëve, futej në botën e brendshme të vogëlushëve dhe adoleshentëve, ndalej në rolin e familjes, duke nënvizuar se ”Familja ndikon për mirë ose për keq, me shembullin dhe modelin e sjelljes së saj....”. Ai nënvizonte se “edukimi është një ushqim i domosdoshëm për njeriun, ashtu siç është buka dhe uji” ... Në librat e tij prof. Qazim Dushku shfaqej vazhdimisht njeri i ditur e fisnik, fjalë - urtë dhe i mençur, ai fliste me takt e përgjegjësi, me ngulm dhe me përfundime të besueshme, që nuk impononin, nuk detyronin, por e tërhiqnin fëmijët dhe të rinjtë butësisht dhe natyrshëm, pa zhurmë e bujë, drejt dritës së dijes dhe të mirës së përbashkët.
Qytetarët dhe arsimi lezhjanë do ta kujtojnë vazhdimisht
intelektualin fisnik e mendjendritur prof. Qazim Dushku
Ai u nda nga jeta, por trashëgimia e tij në fushën e arsimit dhe të kërkimit do t`i rezistojë kohërave. Pas shumë vitesh, mësuesit dhe studiuesit e ardhshëm do ta kuptojnë dhe më mirë thellësinë e mendimit të tij. Aftësitë për të vëzhguar e eksperimentuar, për të bërë përgjithësime e nxjerrë konkluzione. Këtu më vjen ndërmend një thënieje e Hygoit: “Njerëzit e mëdhenj bëjnë piedestalin, e ardhmja u ngre statujën”. Ndërsa unë do të shtojë se profesori ynë i paharruar e ka ngritur vetë, edhe piedestalin edhe përmendoren. I tillë ishte prof. Qazim Dushku, mësues e drejtues i nderuar, studiues i pasionuar, pedagog i shkëlqyer dhe njeri i përkryer. Sa jetoi e punoi në Lezhë e Tiranë ai kurrë nuk bëri kompromis me karakterin e tij, edhe kur ishte përballë përfitimeve, të mirave materiale e famës shoqërore e miqësore. Mbeti deri në frymëmarrjen e fundit i dashur me të vërtetën dhe i rreptë me padrejtësitë. Shpresoj se këshilli Bashkiak i Lezhës do t`i japë prof. Qazim Dushkut, pas vdekjes “Qytetar Nderi”.
Tek profesor Qazimi, pamë të personifikuar për 50 vjet figurën e një studiuesi të palodhur në shërbim të dijes e shoqërisë. Ishte mjeshtër i rrallë i fjalës, komunikues efektiv, elokuent, mbrojtës i flaktë i fjalës së lirë dhe mbi të gjitha intelektual i fisnikërisë, i mendjes së ndritur.
Menduam dhe besuam se profesori ynë do të shërohej plotësisht, por nuk ndodhi kështu kur në mënyrë të menjëhershme u shkëput nga jeta, duke lënë një boshllëk të madh shpirti e keqardhje në familje, një dhimbje me përmasat e një peshe plumbi në kraharor.
Dy vajzat e tij mbaruan shkollat e larta në universitetet më të njohura të Italisë, këto pasardhëse me lot malli në sy shikojnë e kujtojnë sot modelin e prindërve të devotshëm, babanë e tyre të mirënjohur dhe të paharruar, të nënës tyre Antigoni, që personifikon sot modelin njerëzor të nënës, të bashkëshortes së dhembshur, që sa punoi mbeti një mësuese e rrallë në arsim që rrezatoi mirësi, një qytetare e denjë e me emancipim bashkëkohor. Ky nderim është një respekt, që prof. Qazimi për sa qe gjalle e kultivoi dhe la për të gjithë ne. Ai nuk jeton më, por në memorien e lezhjanëve e më gjerë jeton puna, fjala, aktiviteti krijues, kultura dhe kujtimi i tij që nuk do shuhen kurrë !
Përjetësisht mirënjohjeje misionarit të arsimit lezhjan e kombëtar !
I paharruar qoftë vepra dhe kujtimi i tij.








Comments