top of page

Fatmir Terziu: A KA RËNDËSI KUSH PUTINIST DO TA PASOJË PUTINIZMIN?!

49 minutes ago
2 min read

 

Nëse do të flisnim me gjuhën e Prof. Dr. Eshref Ymerit, pyetja nuk do të ishte thjesht: Kush do ta pasojë Putinin? Pyetja do të ishte shumë më e hidhur: Kush do ta trashëgojë sistemin që e ka kthyer Rusinë në një “kolos me këmbë argjile”? Putini mund të largohet. Por putinizmi mund të mbetet. Mund të ndryshojë emri i banorit të Kremlinit, mund të ndërrohet portreti nëpër zyra, mund të shpallet një “epokë e re”, por nëse mbeten të paprekura të njëjtat struktura të pushtetit, i njëjti shovinizëm rusomadh, i njëjti kult i udhëheqësit dhe e njëjta politikë imperialiste, atëherë Rusia nuk ka hyrë në një epokë pas Putinit. Ajo thjesht ka gjetur një Putin tjetër. Dhe këtu qëndron thelbi i shtatë emrave që po qarkullojnë si kandidatë të mundshëm për të ardhmen e Kremlinit. Mishustin, Dyumin, Patrushev, Kovalchuk, Manturov, Sobyanin, Kiriyenko...

Çfarë ndryshon nëse ndryshon vetëm emri? Nëse njëri prej tyre trashëgon të njëjtën arkitekturë politike, të njëjtën elitë të sigurisë, të njëjtin kompleks ushtarako-industrial dhe të njëjtin mit të “madhështisë” ruse, atëherë trashëgimtari nuk është çlirimi nga putinizmi. Është putinizmi me një fytyrë tjetër. Prof Dr Eshref Ymeri e ka quajtur Rusinë e sotme “vatër të kryekrimit kundër popullit ukrainas” dhe ka folur për shndërrimin e Rusisë së artit e të kulturës në “gërmadha të krimit dhe të turpit para mbarë njerëzimit”. Kjo gjuhë e ashpër nuk është dekor. Ajo synon të vendosë përballë njëra-tjetrës dy Rusi: Rusinë e Dostojevskit, Tolstoit, Çehovit, Çajkovskit e Pushkinit dhe Rusinë e tankeve, raketave, pushtimit dhe propagandës së Kremlinit. Prandaj pyetja e vërtetë nuk është se kush do të ulet në karrigen e Putinit.

Pyetja është: A do të mbetet karrigia e Putinit? Sepse një sistem autoritar nuk vdes domosdoshmërisht me njeriun që e drejton. Ai mund të mbijetojë duke prodhuar një tjetër njeri që i përshtatet mekanizmit. Dhe pikërisht këtu “trashëgimtari” bëhet më pak i rëndësishëm se trashëgimia politike. Nëse trashëgohet frika, kemi frikën. Nëse trashëgohet propaganda, kemi propagandën. Nëse trashëgohet doktrina e madhështisë perandorake, kemi të njëjtin imperializëm. Nëse trashëgohet përbuzja ndaj fqinjëve dhe e drejta e vetëshpallur për t'u imponuar atyre vullnetin e Moskës, atëherë Putini mund të largohet, por putinizmi do të vazhdojë të ecë nëpër korridoret e Kremlinit. Kjo është arsyeja pse emri i pasardhësit mund të jetë vetëm një detaj. Historia do të interesohet për diçka tjetër: A e varrosi Rusia putinizmin, apo thjesht i ndërroi emrin?

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page