top of page

Bashkim Saliasi: FESTA E LIRËZËS, EMËRIMI NË STARAVECKË

5 minutes ago
14 min read

 

Më 8 gusht, në vendin e quajtur Lirëz, mbi fshatin Staraveckë të rrethit të Skraparit, festohet dita e Kongresit I-rë të Rinisë Komuniste. Atë vit në Lirëzë mori pjesë dhe Ramiz Alia. I gjithë rrethi i Skraparit, fshatrat e Korçës dhe të Përmetit ishin të pranishëm në këtë festë përkujtimore. Vorbulla e festës më përfshiu dhe mua që isha me pushime verore, në pritje të emërimit. Të rinjtë e qytetit dhe të fshatrave ishin të organizuar. Isha ulur atë ditë në Çorovodë dhe pa ndonjë plan të caktuar u takova me shokun tim të klasës së pedagogjikes, Gëzim Ismailin dhe kushëririn e tij, Ismail Ismailin.

Ajo që më habit tani, që shkruaj këto rreshta, është se rruga që përshkuam nga qyteti i Çorovodës deri në Lirëz, ishte nja 8 orë. Po nuk thonë kot: “I riu si veriu”. Dolëm në Çerenisht në orën 16.00 pasdite, me shpresën se do të na merrte ndonjë makinë ndërmarrjeje, gaz kooperative apo makinat e uzinës mekanike Poliçan, por ato ishin të mbushura plot e përplot me të rinj, me mosha nga më të ndryshmet dhe as që na i hidhnin sytë.

Përshkuam gjithë rrugën në këmbë dhe, kur arritëm në Lirëz nga ora 20.30 e mbrëmjes, u takuam me Izetin, Hajriun dhe Fatmirin. U endëm sa u endëm nëpër shesh duke dëgjuar këngë e valle popullore të zonës sonë, të Korçës dhe të Përmetit dhe nga ora 11 e 30 në rrëzën e një ahishteje ndezëm një zjarr bubulak, se ndryshe do të plevitoseshim gjithë natën, sidomos ne të rinjtë që kishim shkuar pa xhaketa dhe vetëm me nga një triko në dorë.

Në mëngjes u organizua mitingu ku përshëndeti të pranishmit Ramiz Alia dhe më pas u dhanë koncerte nga grupet e ndryshme të kooperativave pjesëmarrëse. Kthimin e bëmë përsëri në këmbë. Kur u ulëm në Staraveckë, Izeti më tregoi shkollën dhe më tha:

 - Shikoje mirë se aty kanë për të të emëruar.

           - Ç'thua, - i them, - aty nuk vij, sikur ta di që të punoj në Dobrushë, në kooperativë.

- Do të vish, do të vish, se shteti ka investuar për ty dhe ka rregulla.

Qeshëm të gjithë, po ku e dija unë se më 25 gusht do të merrja vërtet emërimin në shkollën 8- vjeçare të Staraveckës. Desha, s'desha, një ditë të hënë u nisa në drejtim të Staraveckës.

U nisa nga Çorovoda deri në Bigaz me autobusin e linjës dhe mora të përpjetën që të çonte në Koprënckë. Thonë se me të pyetur gjen Stambollin. Ik e pyet dhe më në fund arrita në Koprënckë. Qëndrova atë ditë në darkë te Samit Dyrmishi, babai i kunatës dhe të nesërmen në mëngjes u nisa për në Staraveckë. Kur arrita në Potom, m’u duk se po humbisja në ato gërxhe që nuk ma kishte qejfi të rrija asnjë ditë për miqësi dhe jo të punoja. Paraqitja ime në shkollë kolegëve iu duk se vija nga një kontinent tjetër.

I veshur me të bardha dhe me flokë të gjata, atyre unë iu duka si ''huligan'' që kisha ardhur nga ndonjë shtet kapitalist. Për të fjetur më caktuan në një bazë që me djalin e tyre kishim qenë bashkë në shkollë, por atë kishte një vit që  e kishin marrë ushtar. Në bazën ku do të flija më shoqëroi një djalë, që tani nuk ia mbaj mend emrin. Shtëpia ishte me portë të madhe dhe brenda me avlli, ku i zoti i shtëpisë kishte mbyllur dhitë.

Sa hyra unë në avlli një qen sa një ujk u turr drejt meje, por i zoti i shtëpisë i veshur me qillota dhe me triko leshi, i bërtiti dhe ai ndaloi në vend. Hyra brenda dhe i zoti i shtëpisë më uli në anën e djathtë të oxhakut. Dhoma ishte e shtruar me qilima dhe anash ishin vendosur jastëkët. Tavolina dhe karriget mungonin dhe për të ngrënë përdornin sofrën.

Pasi ndërruam cigare, plaku nuk më pyeti nëse kisha ngrënë darkë apo jo. Nuk e zgjatëm shumë muhabetin dhe plaka e tij shtroi rrobat në cepin tjetër të shtëpisë. Në cep të dhomës, afër dritares ishte shtruar një dyshek dhe lart ishte hedhur një jorgan që mbante erën e ajrit të ndenjur të musëndrës, ku mbanin rrobat e fjetjes në ato vite. A fjeta a nuk fjeta nja dy orë dhe prisja me padurim që të gdhihej dhe të ''arratisesha'' nga ajo shtëpi, ku të mbyste era e rrobave të dhirta.

U zgjova që në orën tre të mëngjesit dhe vija vërdallë nëpër dhomë, por jashtë nuk dilja dot se kisha frikën se mos merrja peshqesh ndonjë dhëmb nga qeni, që rrinte shtrirë në fund të avllisë. Ora shkoi pesë e gjysmë. Ndjeva që i zoti i shtëpisë hapi derën e jashtme dhe unë nuk ngurrova, por dola në verandë i veshur, gati për të dalë nga shtëpia. Plaku, pa më përshëndetur “mirëmëngjes”, më pyeti:

 - Do dalësh?

- Po, - iu përgjigja dhe nuk prita më, por vesha këpucët dhe ika te dhoma ku flinin të ardhurit.

Në atë kohë u ngritën nga gjumi dhe shokët e dhomës, ku flinte mësues Taipi. Hëngrëm

mëngjesin në mensën e kooperativës në një ngrehinë që më tepër ngjante me një stallë, se sa mensë dhe hotel.

Data 1 shtator 1974, dita e parë hapjes së shkollës. Drejtor Shuaip Zoto organizoi piknik në lagjen “Halili”, pranë Shtëpisë-Muze, ku kishte qëndruar Enver Hoxha gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. U harruam pas topit dhe u vonuam ca më shumë se orari i mbylljes së mensës. Kur u paraqitëm në mensë, kuzhinieria, edhe pse e lajmëruan, nuk dëgjoi të hapte mensën, kështu që atë ditë ne u detyruam të ''agjërojmë''.

 SHTATOR 1974 - QERSHOR 1975 - 

         ''STAZHI NË PRODHIM''

        Fjala “stazh”, ndoshta në këto kohë është një fjalë e huaj për brezin e ri, por ne moshatarët që jetuam fundshekullin XX, e dimë mirë se çfarë kuptimi ka fjala “stazh”.

Në ato vite ishte vendosur që nxënësit, pasi të mbaronin maturën, ishin të detyruar të kryenin një vit stazh në prodhim. Për ne mësuesit stazhi ishte planifikuar në dy pjesë. Gjysma e periudhës do të kryhej në arsim dhe gjysma në kooperativë, në fermë apo çfarëdolloj ndërmarrjeje, që gjendej afër vendit të punës ku kishe marrë emërimin. Nxënësve, që kishin mesatare të lartë, u jepej e drejta e studimit, pa e kryer këtë detyrim.

Shkrova më lart se ditët e para fillova në shkollë, por pas një jave, erdhi urdhri nga seksioni i arsimit dhe kalova direkt në prodhim. Më caktuan në brigadën afër shkollës, ku punova deri në fund të muajit shtator dhe javën e parë të muajit tetor. Ato kohë bëra lloj-lloj punësh, deri dhe te ngarja e qeve e në punimin e tokës me parmendë. Javën e dytë të muajit tetor më lajmëroi kryetari i këshillit popullor që të paraqitesha në seksionin e arsimit të rrethit.

U ngrita që më pesë të mëngjesit dhe mblodha rraqet e mia. Nuk pyeta nëse ishte gdhirë apo jo, por u nisa menjëherë drejt qytetit të Çorovodës dhe e përshkova rrugën pothuajse me vrap, për 4 orë e 30 minuta. U ngjita në Potom, në Galinat e Qafës, në Polenë, në Zogas dhe frymën e mbajta në seksionin e arsimit në Çorovodë. Në orën 8 e 30 u paraqita te dera e zyrës së arsimit të rrethit.  Kur më pa shefi i arsimit, Teki Bregu, nuk po u besonte syve.

- Këtu ke fjetur? - më pyeti.

Isha skuqur në fytyrë dhe, pasi më vështroi një copë herë me keqardhje, më komunikoi vendimin që ishte marrë se, pasdite unë duhet të paraqitesha në shtëpinë e kulturës “Riza Cerova”. Nuk më dha hollësi të tjera. Shkova te shtëpia e motër Asies dhe, pasi bëra një dush me ujë të ngrohtë, rashë në gjumë dhe fjeta nja dy orë. Pasdite u paraqita te drejtori i shtëpisë së kulturës Asqeri Jaubelli, i cili më shoqëroi direkt në sallën ku bëheshin provat për koncertin e këngëve dhe valleve popullore, nga grupi amator i klasës punëtore.

Për dy muaj e gjysmë, pas një pune tepër të stërmundimshme, dolëm para publikut në qytetin tonë dhe pas një jave na dërguan në Durrës, ku konkuruam në pallatin “Aleksandër Moisiu”. Ditën e dytë na dërguan në kooperativën e Kryevidhit ku dhamë koncert para kooperativistëve. Kur u kthyem në Skrapar, shef Tekiu më komunikoi se duhet të paraqitesha në Staraveckë. Hezitova, por nuk kisha nga t’ia mbaja. Muajin dhjetor dhe janar punova në kooperativë, ku mësova të ngas qetë dhe të lëroj tokën. Bile aty mësova dhe si përgatitej gëlqerja.

Brigadieri më dërgonte në punët më të vështira dhe nuk më hidhte asnjëherë ditën e plotë. Në muajin shkurt shkova në aksion, në hekurudhën Fier-Ballsh, në sektorin e Drenovës. Aty takova dhe dy shokët e mi, Pëllumbin dhe Qaniun. Dhe ata si unë kryenin stazhin në prodhim. Aksioni zgjati më shumë se një muaj. Më 10 mars 1974 në Ballsh u bë inaugurimi dhe të deleguar nga Komiteti Qendror ishin Hysni Kapoja, Ramiz Alia dhe Adil Çarçani.

Pas mbarova aksionin, shefi më dërgoi në Nishicë, në shkollën fillore të fshatit. Nga 15 marsi deri më 30 prill u zëvendësova nga Shaban Hysenbelliu dhe kështu që u detyrova të shkoja përsëri në aksionin e rinisë në hekurudhën Elbasan-Përrenjës, në sektorin Urakë.

Kjo ishte mënyra më e mirë për të shtyrë stazhin në prodhim. Aksioni kaloi për bukuri dhe kur u ktheva në qershor, shefi më tha se duhet të shkoja përsëri gjatë muajit qershor në Staraveckë.

- Në asnjë mënyrë, nuk shkoj më, - i thashë, - prandaj më bëni karakteristikën ju të dy drejtuesit, ti nga ana e arsimit dhe ai si sekretari i parë i Rinisë së Rrethit. Karakteristikën që do të hartoni dhe ta vulosni, vendoseni në dosjen e dokumenteve për shkollë të lartë.

- Bëje vetë dhe bjere ta firmos unë, - më thotë shef Tekiu.

 Iu luta sekretarit të Komitetit të Rinisë, por edhe ky si i pari. Pas disa takimesh me të dy kuadrot, arritën në përfundimin që karakteristikën ta formulonte sekretari i Komitetit te Rrethit dhe ta firmosnin të dy. Kështu, më në fund, u zgjidh dhe problemi i karakteristikës që shikohej si një përparësi për të dhënë një të drejtë studimi.

 NË PUNË NË NISHICË (15 PRILL-30 PRILL 1975) DHE NË AKSION NË URAKË (1 MAJ-30 MAJ 1975) 

Me mbarimin e aksionit, kthehem prapë në arsim dhe kësaj radhe nuk më çuan në Staraveckë, por më thanë që të punoj në Nishicë me katër klasa, sepse mësuesi Iliaz Bregu, që jepte mësim në këtë shkollë, do të shkonte në kurs për  në teatrin e kukullave.

Udhëtoja në mëngjes gati një orë e një çerek dhe të njëjtën gjë e bëja dhe në kthim. Qëndroja te motra e madhe, Asija, se fëmijët e saj ishin në moshë me mua dhe unë rrija me ta. Në fund të prillit më thërret shefi i seksionit, Teki Bregu, dhe më thotë se duhet të shkoja në Staraveckë, se atje e kam emërimin.

- Sikur të përmbyset dhe të mos punoj asnjë ditë në arsim, - i them, - nuk shkoj. - A më çon në aksion? - i them.

- Po, - më thotë, - po aksioni është pa pagesë.

- Nuk ka problem, - i them, - por vetëm më ço.

 Nuk e zgjati, por e miratoioi bashkë me Kujtim Lamen, sekretarin e parë të rinisë së rrethit.

Muajin maj përsëri e mbylla në aksion në Urakë, në Përrenjës. Muaji kaloi shpejt dhe u ktheva në bazë. Shefi më thotë që të bëja dokumentet për në shkollën e lartë. Nuk e zgjata, por odiseja e vazhdimit të shkollës nuk do të ishte aq e lehtë.

Në fund të qershorit Tekiu më thotë se e drejta e studimit tënd u aprovua dhe do të çojmë për oficer. Nuk e kisha shumë qejf, sepse nuk më ka pëlqyer ndonjëherë rutina, por e pranova nga halli se kisha frikë se ngelesha pa shkollë. Tre nga shokët e mi të pedagogjikes, Gëzim Ismaili, Pëllumb Bajraktari dhe Qani Ymerali vazhduan shkollën e bashkuar të oficerëve, kurse mua m’u mohua e drejta e vazhdimit të kësaj shkolle për shkak të biografisë.                                                                  

KUJTIME NGA JETA SHKOLLORE NË FIER           

Shkolla e mesme është periudha më e bukur e jetës, ku njeriu ndihet i lirë dhe reagon shumë shpejt ndaj ndryshimeve që ndodhin dhe vjen duke u formuar si njeri me një vizion dhe formim gradualisht, si nga ana vizuale dhe ajo seksuale.

Në këtë moshë fillon dhe diferencimi i shoqërisë dhe sidomos në vitin e tretë dhe të katërt. Viti i parë kaloi pa ndonjë ngjarje të veçantë. Në kujtesë më ka mbetur mësuesja e lëndës së historisë së Partisë dhe marksizmit. Mësuese Ida Tanku më mbante afër dhe një herë më tha, se i ngjaja shumë vëllait të saj. Ajo, sa herë më ngrinte të plotësoja nga vendi, më vlerësonte pa më ngritur në dërrasë të zezë. Viti i dytë ishte eksperimental dhe nuk kishim ndarje semestrash, por vlerësimi dilte në fund të vitit, mbi bazën e mbledhjes së të gjitha vlerësimeve të marra gjatë vitit shkollor. Gjithë vitin morëm disa nota me shkrim dhe me gojë.

Një incident më ndodhi me mësuesen e lëndës së botanikës. Isha ulur në fund të klasës dhe mësuesja, pasi shpjegoi organet e bimës, kërkoi që unë t’i përsërisja. Nuk e kisha mendjen te mësimi dhe mësuesja më ndëshkoi duke më vlerësuar me notën 4. Nuk ma kurseu dhe në lëndën e kimisë ditën e dytë. Shokët e mi që vazhdonin vitin e tretë, më thanë të ndërroja bankën, se po të vuri në rreth ajo, nuk të kalon as në vjeshtë. Ndërrova bankën dhe dola në bankën e parë. Mësuesja, pasi bëri apelin, pyeti:

 - Kush do të çohet në mësim?

 Unë fola i ndrojtur:

 - Të vij unë?

 - Eja, - më tha. Kur e pa që e kisha përgatitur mësimin nuk më la të vazhdoja, por më tha “ulu” dhe nuk më vlerësoi.

           Pasi më çoi disa herë radhazi, ndryshoi mendim dhe veç notave 8 e 9 nuk njihja notë tjetër në lëndët e saj. Në vitin e tretë, siç e shpjegova më lart, nga fundi rashë në dashuri. Në vit të katërt nuk qëndroja në studim. Pija duhan dhe dalëngadalë mësova të pi edhe ndonjë birrë. Dilnim    vazhdimisht me Angjelinën. Miqësia jonë ishte rritur gradualisht dhe të dy donim njëri-tjetrin me gjithë shpirt.                

Pushimet e verës qenë fatale si për Linën dhe për mua. Na ndërprenë korrespondencën dhe letrat tona nuk na binin në dorë, por shkonin në duar të tjera. U krijua një farë hendeku që nuk po e merrnim vesh se nga po na vinte e keqja. Stazhin që fillova në prodhim e më pas aksionet, sikur ma qetësuan mendjen dhe kishim shkëputur për një çast vëmendjen, por shpirti dhe zemra luftonte dhe nga kujtesa ime nuk më shqitej fytyra ëngjëllore e vajzës që dashuroja.

       ANGJELINA-VAJZA QË DASHUROVA 

                   DHE LIDHA JETËN

Ishin ditët e fundit të muajit maj dhe fillimi i muajit qershor 1973. Gati po mbaroja vitin e tretë dhe vajza që unë dashurova ishte në vitin e dytë. Nuk u ndava prej saj dhe në vitet e mëvonshme do të kalonim shumë peripeci, derisa, më në fund do ta kurorëzonim me sukses dashurinë tonë.

Në atë kohë bënim shumë mbrëmje vallëzimi. Më ra në sy një vajzë bionde shumë simpatike që më tërhoqi menjëherë dhe nuk më shqitej për asnjë çast nga mendja. Kudo që shkoja, fytyra e saj më dilte përpara, bile dhe kur flija gjumë. Më kishte rënë në kokë dhe nuk më shqitej për asnjë çast nga kujtesa. Lina rrinte me një shoqe të klasës nga Krutja e Lushnjës, që e quanin Antigoni. Atë natë kërcyem të dy ne shokët dhe të dyja ato shoqet gjatë gjithë orëve të mbrëmjes e rrallë kërcyem me vajza të tjera.

Shoqeve të mia iu ra në sy dhe filluan të më ngacmonin të nesërmen, por unë nuk e çaja shumë kokën. Verën e kaluam duke shkëmbyer letra me njëri-tjetrin dhe më e keqja është se nuk ruaj asnjë letër nga ato që i pata deri vonë. Ato ishin kujtime, të cilat shprehnin ndjenjat e sinqerta midis nesh, por gjatë lëvizjeve tona ato u zhdukën.

Vera kaloi shumë shpejt dhe sekreti ynë doli në skenë. Si Angjelinës, që unë e dashuroja me shpirt dhe mua, na u kapën letrat nga vëllezërit dhe ishin vënë në dijeni familjet.

Nuk e vrisja shumë mendjen se xhaxhai dhe nokja nuk ma prishnin, por kisha hallin e Linës, sepse ishte femër dhe babai i kishte vdekur. Nëna nuk kishte fuqi që ta mbronte, ashtu sikundër më mbronin mua prindërit e mi.

“Atë që do, - më tha një herë babai, - atë merr”. Ishin vitet e fundit të jetës së tij dhe kishte ndryshuar mentalitet, por nuk ishte aq kollaj që t’i hapje zemrën. Gjeta rastin që ishte në qejf dhe i tregova për vajzën që dashuroja. Pyetja e parë që më bëri ishte:

- A janë familje fisnike?

- Nuk e di, - i thashë, - por më kanë thënë që i ati ka pasur bujq, që i punonin tokat.

 - Mos e zgjat më, - më tha, - po shiko, atë vajzën mbaje mirë se do të kalosh jetën dhe mos luaj me të. Fjalën e tij nuk e shkela asnjëherë.

Filloi viti i katërt dhe ne na çuan në Qukës në aksion. Ishte muaji shtator dhe bënte ftohtë. Na takonte të takoheshim rrallë. Në njërën nga ditët kishim dalë prapa librarisë së Qukësit, ku shiteshin libra dhe po luanim, siç luajnë të dashuruarit. Aty gjeta rastin dhe e putha për herë të parë.

M’u rrëqeth gjithë trupi dhe nuk e di se ajo puthje ka ngelur në kujtesën time dhe sa herë që mbyll sytë, më duket se e shijoj prapë atë moment. Ne dashuroheshim, por ama nuk na linin të bënim dashuri, sepse në çdo rast raportonin edhe sikur të shkëputeshim qoftë dhe një moment të vetëm. Mbaruam aksionin dhe në autobus në kthim për në shkollë u ulëm bashkë.

Shkolla filloi me rutinën e saj. Kishim rënë në sy dhe mësuesja ime kujdestare “më ndiqte këmba-këmbës”. Nuk kishte ditë që të mos më thërriste veçmas dhe më thoshte të njëjtat fjalë.

Në atë kohë edhe Izeti po më dërgonte lekë dhe unë preva një kostum të mirë, që kjo mësuesja e famshme, që ma nxiu jetën, derisa mbarova shkollën, nuk kishte ditë që të mos më thërriste, që kur hynte te oborri i shkollës, kur më shikonte me Linën dhe nuk më lejonte ta vishja kostumin, se i kujtonte xhaketën me dy të çara anash.

Në fund të vitit të katërt më ngelën në lëndën e matematikës dhe shkaku ishte dashuria e sinqertë që kisha me Linën, por ajo nuk e dinte se pas e ndiqte “hija e njeriut që kujdesej për të”.

 Një ditë prilli, pasdite, kur shokët hynë në studim, më kërkon te porta një djalë qimekuq, që dhe sot e kësaj dite nuk më shqitet nga sytë.

-A ke kohë të pimë një birrë? - më thotë.

-Po, - i them pa m’u dridhur qerpiku, sepse një sinjal e kisha marrë, por ama edhe shokët e mi “rrinin në gatishmëri”.

U futëm në lokal dhe ata qëndruan jashtë. Gjatë kohës që po pinim birrën, më tregoi fije për pe se si qëndronte puna. E mbylla me pak fjalë. Përgjigjja ime ishte:

 - Atë vajzë e dashuroj dhe se sa do të përfundoj me të nuk e di, por unë nuk kam ndërmend të heq dorë prej saj. U ndamë miqësisht me djalin fierak ...

 MAMAJA E  LINËS JEP PËLQIMIN E SAJ

Nuk pata fatin ta njoh nga afër atë nënë të mirë, që lindi engjëllin tim, me të cilën do të kaloja gjithë jetën dhe do të lindja me të tri yje që janë dhuratë e Zotit. Ndoshta nuk e kam ruajtur në kujtesë, por një mbrëmje Lina më thotë se “sot erdhi mamaja dhe unë i fola edhe për ty; ajo më kërkoi që t’ia tregoja djalin që dashuroja”.

-Po ti, si veprove? - i thashë.

-Ne u afruam te porta dhe unë i thashë: Ja, është ai djali, që po luan volejboll. Ajo të pëlqeu shumë dhe më tha që të mos hiqja dorë, nëse e doni njëri-tjetrin, se bashkë keni për të përfunduar. Mos dëgjoni se çfarë thonë të tjerët!

Dhe vërtet dëshira e asaj nëne të mrekullueshme u bë realitet në vitet e mëvonshme, por që  mua më ngeli peng që nuk arrita ta njoh nga afër. Më pas do të shikoja fotografitë dhe ajo që më bënte përshtypje ishte trupi i saj i madh dhe një një grua e fuqishme e shumë punëtore.

Vdekja e rrëmbeu shumë shpejt. Pasi mbarova vitin e katërt dhe në vjeshtë mora provimin që kisha lënë, filloi një odise tjetër për jetën. Kudo që shkoja dhe takoja vajza të tjera, nuk më shqitej për asnjë moment fytyra e Angjelinës. Vëllai i saj kishte ngulur këmbë dhe nuk donte që ne të dy të fejoheshim me njëri-tjetrin. Nuk e mbaj mend se në ç’muaj shkova në Fier për të takuar Angjelinën, por siç më tha shoqja e saj, Antigoni, unë nuk mundesha ta takoja atë. Ajo nuk dëshironte të më takonte.

Nuk kisha asnjë mundësi dhe kështu u largova andej nga kisha ardhur. Vazhdoja ta dashuroja edhe pse ndodheshim larg njëri-tjetrit. Në muajin shkurt, nuk kisha mbaruar akoma  stazhin në prodhim dhe gjeta mundësinë e shkova në aksion, në Drenovë të Ballshit. Aty qëndruam një muaj e gjysmë. Kur u bë inaugurimi, erdhi dhe shkolla pedagogjike e Fierit, ku takova përsëri shoqen e saj, Antigonin dhe ajo më tregoi për të ëmën e Angjelinës, që kishte ndërruar jetë. Më erdhi shumë keq për atë grua që kishte qenë dakord me dashurinë tonë, por nuk arriti të gëzonte frytet e saj.

  

Redaktoi dhe korektoi

Muhamet Cenko 

Tiranë/24/11/2026                                    

     Vazhdon…

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page