Vullnet Mato: PENDIM

Eja, të tëra janë ashtu siç i ke lënë,
pasqyra dhe krehri me pak fije floku,
pantoflat me push, si dy kotele që flënë,
rrobëdëshambri me degë të vyshkur borziloku;
Porcelanet dhe gjysmëduzinat e qelqta,
i ka marrë malli për një tingëllimë,
kapëset e shumta, që thajnë ndërresa,
kanë ngecur nëpër tela, si zogj të ngrirë.
Rrobat, raftet dhe shtrati ynë i ri,
ruajnë atë erën tënde të mirë.
Perdet, kanë mbetur mbyllur, që pa ty,
as buzët e verdha të hënës, të mos hynë.
Eja, sillu dhomave zërin tënd si këngë!
Sill tingujt e jetës në këtë shtëpi, moj grua!
Eja, se të gjitha janë, ashtu siç i ke lënë,
vetëm unë kam ndryshuar;
Kam kuptuar, se burri në jetën e vetmuar,
pa gjymtyrët plotësues të gruas së vet,
është gjysmë njeri i sakatuar!...
Eja, moj e vetmja dashuri e vërtetë!...








Comments