Fatmir Terziu: KUR VESHI TË ZË EMRIN DHE NË NJË DITË TË VEÇANTË

Gjatë punës sime të dytë, zakonisht më duhet të udhëtoj edhe jashtë Londrës. Dhe në një udhëtim të tillë, krejt rastësisht, dëgjova një çift turistësh të fliste për një fotografi që kishin shkrepur në një restorant. Në një prononcim që më gricën veshët, dëgjova dy emra: Mimoza dhe Julian. U ndala. Nuk u rashë në sy. Nuk kisha asnjë arsye të ndërhyja në bisedën e tyre. Por, siç ndodh ndonjëherë kur një emër të tingëllon i njohur, veshët bëhen më të vëmendshëm se zakonisht. Pastaj ndodhi e kundërta. Ishin ata që më pyetën për një adresë. Kështu hymë në bisedë. Dhe, brenda pak minutash, dëgjova fjalët më të mira për dy shqiptarë nga Elbasani. Më mjaftoi kaq për të dashur t’i njihja.
Sot, Juli ka ditëlindjen. Dhe ai takim i rastësishëm, që nisi me dy emra të dëgjuar kalimthi, më rikthehet si një histori që ia vlen të shkruhet. Të dy janë tashmë shqiptarët më të dashur të zonës ku jetojnë me familjen e tyre të mrekullueshme. Mimoza Ramazan Sinani dhe Julian Baftjar Bekteshi thuajse ndihen si në qytetin e tyre të lindjes. Jo sepse kanë harruar Elbasanin. Përkundrazi. Sepse kanë arritur të ndërtojnë një jetë në të cilën vendlindja ka ardhur me ta. Kjo është një nga ato gjëra që emigracioni nuk i shpjegon dot me statistika.
Një njeri largohet nga qyteti i tij, por qyteti nuk largohet domosdoshmërisht nga njeriu. Mund të mbetet në gjuhë, në sjellje, në mikpritje, në kujtesë. Edhe në punë. Sapo lë pas stacionin hekurudhor të Royal Tunbridge Wells, ngjitesh paksa në një kodër të vogël dhe përpara teje shfaqet një nga ato pamje të qeta të Anglisë që duket sikur janë ndërtuar për t’u parë pa ngut. Royal Tunbridge Wells, në Kent, rreth 50 kilometra në juglindje të Londrës Qendrore, pranë kufirit me East Sussex, ka një histori të lidhur ngushtë me vizitorët. Dikur njerëzit vinin për ujërat termale. The Pantiles dhe burimi i pasur me hekur e kthyen qytetin në një destinacion të njohur të shoqërisë së kohës. Pastaj modat ndryshuan. Deti fitoi terren. Qytetet termale humbën një pjesë të shkëlqimit të tyre. Por Royal Tunbridge Wells mbeti. Dhe turizmi vazhdon të jetë një pjesë e rëndësishme e jetës së tij.
Në këtë qytet, në një restorant të frekuentuar, punojnë Juli dhe Moza. Dhe aty fillon pjesa tjetër e historisë. Juli është specialist i kuzhinës. Kjo është puna e tij. Por në një restorant puna nuk mbaron te titulli i profesionit. Ajo matet me atë që del nga kuzhina. Me mënyrën si del. Me mënyrën si pritet klienti. Me mënyrën si rikthehet klienti. Juli punon në kuzhinë dhe Moza e ndihmon mjeshtërisht. Të dy janë pjesë e një ambienti ku dëgjohen disa gjuhë, ku klientët vijnë nga vende të ndryshme dhe ku tryeza, për disa orë, bëhet një lloj territori neutral. Aty nuk ka shumë rëndësi se nga ke ardhur. Rëndësi ka çfarë sjell përpara tjetrit.
Dhe këtu, Juli dhe Moza kanë sjellë punën e mirë. Kanë sjellë respektin. Kanë sjellë atë mënyrë shqiptare të komunikimit që nuk ka nevojë të përkthehet. Ajo që më bëri më shumë përshtypje nuk ishte mënyra si flisnin ata për veten. Ishte mënyra si flisnin të tjerët për ta. Shefat. Klientët.
Njerëzit që i shohin çdo ditë. Kjo është një dëshmi që nuk shkruhet në një CV. Sepse për një njeri mund të thuash çfarë të duash për veten. Por reputacioni i vërtetë fillon aty ku ti nuk je në dhomë. Kur të tjerët flasin për ty. Dhe, në këtë rast, fjalët ishin të mira. Të sinqerta. Pa teprime.
Kjo më bëri të mendoj se ndoshta pikërisht kështu fitohet një vend në një qytet të huaj. Jo duke kërkuar të të njohin. Por duke bërë punën tënde në mënyrë që të të kujtojnë. Mimoza dhe Juli tashmë ndihen thuajse si në qytetin e tyre. Kjo fjali më duket më e rëndësishme nga sa duket. Sepse nuk është e lehtë të bësh një qytet tjetër të ndihet si shtëpi. Shtëpia nuk është vetëm çatia.
Është ndjenja se dikush të njeh. Dhe ata e kanë fituar këtë ndjenjë. Me marrëdhënie njerëzore. Me atë respekt të ndërsjellë që në emigracion vlen shumë.
Ndoshta kjo është edhe një prej historive më të bukura të shqiptarëve larg vendit. Jo historia e atyre që bëhen të famshëm. Historia e atyre që bëhen të nevojshëm. Ata që kur mungojnë, dikush pyet: “Ku është Juli sot?” Apo: “Ku është Moza?” Kjo është një shenjë. Një shenjë se nuk je më thjesht një i ardhur. Je bërë pjesë e vendit. Dhe sot, kur Juli ka ditëlindjen, dua të kthehem te fillimi. Te ajo fotografi për të cilën flisnin dy turistët. Te dy emrat që më gricën veshët. Mimoza dhe Julian. Në atë moment nuk e dija se pas tyre fshihej një histori e vogël shqiptare në Kent. Nuk e dija se pas një emri ishte një specialist kuzhine, se pas emrit tjetër ishte një grua që punonte krah tij. Nuk e dija se pas tyre ishte një familje. Një qytet i lindjes. Vajzat e tyre model. Një tjetër qytet i fituar me mund. Dhe një rreth njerëzish që flasin mirë për ta.
Tani e di. Prandaj sot urimi im për Julianin nuk është thjesht një urim ditëlindjeje. Është edhe një përshëndetje për atë rrugë që nga Elbasani e solli deri këtu. Gëzuar ditëlindjen, Juli! Të uroj shëndet, mbarësi dhe shumë vite të bukura pranë Mozës dhe familjes. Dhe uroj që Royal Tunbridge Wells të vazhdojë t’ju ndiejë si të vetët, ashtu siç ju e ndieni tashmë atë qytet si një tjetër shtëpi. Sepse ka njerëz që shkojnë larg për të gjetur një jetë tjetër. Dhe ka njerëz që, kudo që shkojnë, dinë të marrin me vete diçka nga vendi i tyre dhe t’ia shtojnë vendit të ri. Juli dhe Moza duket se kanë bërë pikërisht këtë.








Comments