VLADIMIR MUÇA: POEMË VLLAHE

VAZHDIMI
POEMË VLLAHE
- 4 -
Nënë vllahe
E veshur me fustan kadifeje të zezë
Dora ty s'tu ndal të qëndisje njëherë;
Kënga nga sytë s'të shpërtheu
Si në pranverë.
Eh! Kënga vllahe,
Këngë nomade.
Ikje si zogu shtegtar në vise të ngrohta,
Siç ikin dallandyshet vetëm në stuhi,
Dhe ne si një tufë shtegtarësh
Ecim pa pushim,
Ecim për tek ty.
Ecin prindërit tanë
Me të çarat e tokës në ballë.
Bagëtitë,
Pre të dhimbjes tonë
Zvarriten të shurdhëta.
Kope të bardha vinë pas nesh
Si një ëndërr e bardhë
Që mëngjeset vesh.
Na ndjekin si një gëzim i largët
Mbetur këmborë,
Në çatitë e kasollëve të braktisura,
Mendime lesh arapi mbi ballë n'a bien,
Mbi krahët e nderë
Të fatëve të zalisura.
- 5 -
Në gjurmët vllahe,
Përmbi mushkë mavrinë,
Muzgjet shtrojnë velenxat me ëndrra
Në vezullime yjesh,
Nër krena,
Erdh një kohë e re
Shtëllunga flake na burojn nga sytë.
Në kampin tonë,
Me qiellin shkrepandritur çati
Erdhën e bujtën partizanët.
Në sytë tanë blegërinin ditët që do vinin,
Në mëndjet tona rrokaputeshin ditët e nesërme,
E merrnin trajtat e përmasat e zemrave.
Ne, fëmijëve, partizani i plagosur
N'a ndizte zjarre në sy
Me urtësinë nëpër dhimbje,
Thjeshtësinë gjer në madhështi.
Jele kërleshur
Mendimi supëve na trokon,
Vetiu ndjesinë fëminore
Burrëria e zëvëndëson.
Duart i lidhëm fort me pushkën
Si fëmija në sisë,
Siç thurnim me thupra kofinë
Thurnim ditë që do vinë.
Me sofrën e pa ngopur
"Luftën finale" nisëm dhe ne,
Me këngën e lashtë vllahe
Po lindëte një botë e re.
U mbeten nënave
Më të vegjëlve
Kopetë e dhimbjes tonë,
Me gjyshërit që s'e mbyllnin synë.
Netëve të vona gjyshërit këndonin:
"S'ke ku shkon o beu ynë
Në dorë do ta marr mëlçinë"
Ne, djemtë
Hynim të dobët në beteja
Dhe dilnim
Më të madhërishëm,
Fitimtarë.
Besimi në të ardhmen n'a u ndez
Kuqëluar, flakadan.
Qerpiklodhur, të pa gjumë,
Mes-holluar nga kollanët,
Rrahëm dhera më shumë
Se sa rrihnim me karvanët.
Emëri vllah e muhaxhir
Dhe tek gjyshërit zu të flerë,
Anë e kënd Shqipërisë
Gëzojm emëra të tjerë.
Emëra që na rrinë mbi krye
Si ëndërrat në fëmijëri,
Me shikimin përmbi yje
Moj magje lirie Shqipëri.
- 6 -
Baballarët
Me rrudhat
Si murrana të braktisura
Në sokakë,
Tjerrin mendime për ditë të reja
Mes fatëve të zalisura;
Mbi kokë u rri si kurorë
Gjethi i zgjuar
Gjumit dimërorë.
Në dritare,
Në helmeta
Trëndafilë të hapur
Qëndisin hapsirën e përflakur.
Çdo vënd në Shqipëri n'a bëhet vatër.
Eh si na duken shtëpitë me gurë!
Ne që mblidheshim dhjetë në një çadër
E një dhomëz s'e patëm kurrë.
Ne vllahët që kur rëndohej qielli
Ditët e Marsit kujtonim pa mbarim,
Qerpiklodhur nisnim kopetë
Malëve e grykave për verim.
Nëna vllahe
Që dora të qëndisë
S'ju ndal njëherë,
Nëna veshur me fustan kadifeje të zezë,
Nena vllahe
Fytyra e të gjitha grave,
Veshur sot me pendët e fazanëve.
Fëmijët e mi
Flutura që ndiqja luadhëve.
Fëminia ime pa dritë
Ushqyer mbrëmjeve
Me përsheshin e hirtë.
Ndaj sot
Shtrihem në velenxën e luadhëve
E nuk ngopem me afshin njomështor;
Tufa e delëve vaposur
Rreth e qark të më bëhet kurorë.
Të më bëhesh kurorë vëndi im,
Kurrë me!.... Veshur si jeremi,
Shqipëri moj magje lirie
Shqipëri.
1974-2015








Comments