Zamira Agalliu: Promovohet libri për fëmijë "Tak - tak trokiti dera" me autorësinë e Dr. Shpresa Fundo Gjergjit
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 4 min read

Më 24 Janar, në sallën e Pallatit të kulturës së qytetit të Vlorës, pata nderin të bëja moderatoren e këtij eventi të shumëpritur.
Letërsia për fëmijë njeh hapa të vakët kohët e fundit dhe një autore si Shpresa Fundo Gjergji, që kohët e fundit ka spikatur me krijimtarinë e saj në këtë fushë, solli buzëqeshje tek fëmijët sot.
Dr. Shpresa Fundo Gjergji është autore e shumë artikujve gjuhësorë, si pjesë e fushës së saj studimore, autore e shumë poezive e tekste këngësh mjaft të ndjera në kanalin e Bruko Broadcast Radio, USA, por tashmë e njohur sidomos në letërsinë për fëmijë me trilogjinë, "Familja Rosmaku" dhe së fundmi me "Tak - tak trokiti dera", një nga bukuritë që vetëm ajo di ta stolisë me imagjinatën dhe aftësitë e saj krijuese, solli sot magjinë e përrallës për vogëlushët tanë. Aty ku imagjinata hedh vellon e bukur, shpalosen personazhet e përrallës, e cila me bukurinë e gjuhës e të ilustrimeve arrin të krijojë emocionet e duhura. Libri ka vlera edukative emocionale, gjë që i rri bukur moshës nga 3 - 8 vjeç të fëmijës. Gjithashtu, "Tak - tak trokiti dera" vjen i ilustruar bukur e me finesë nga Ing. Ana Taushani, redaktuar nga Prof. Dr. Shpresa Delija, e nxjerr në dritë nga Botime Erik, Tiranë.
Ky libër sapo të bie në dorë ndjen që ka diçka ndryshe. Ilustrimet, ngjyrat, rregulli i strofave, përdorimi i një gjuhe të thjeshtë, por të pasur, herë në vargje e herë në prozë, e drejton fëmijën në aspektin moral të dojë, të veprojë, të besojë, të gëzohet, të ndjej natyrën, ngjyrat, lëvizjet e ëmbla të personazheve, të futet në botën e tyre e t’i dashurojë ato.
Gjithashtu librin e përshkon fryma e ruajtjes së traditave kulturore, e mikpritjes, e mirënjohjes, e dashurisë për njeri tjetrin. Përdorimi i figurave stilistike te pasura si: "dielli të buzëqeshë", "do t'çelin gostitë", "stolisur me aromë behari", "do të dehen me vesë", "lulëzonte me dritë", "me zemrën flori", "shtruar kërmilli ia merrte", "sytë i përpëliti me dritë luledelja", "pranvera lodronte nga dehja", "miqësi e tyre lindi si dielli" etj., i japin leximit thellësi mendimi dhe zgjojnë imagjinatën e fëmijës.
Mbi të gjitha çdo varg jo vetëm që sjell shprehje e frazeologji të bukura për moshën fëminore, por do të ndalesha tek mesazhi i bukur, mbartur brenda vargut. Tema e ruajtjes së traditave kulturore për të dashur më shumë njeri-tjetrin lidhet ngushtë me karakteret e personazheve: kërmilli, nusepashka dhe luledelja. Natura ndërthuret bukur në funksion të gjithë vlerave letrare e gjuhësore, morale e sociale që fëmija të ndjejë përjetimet e fabulës me pulsin fëminor. Pra sapo e nis ta lexosh, krijohet një botë gazmore me vlera letrare edukative, që fton lexuesit e vegjel të mendojnë ndjejnë dhe kuptojnë bukuritë e jetës.
Kjo autore para pak muajsh u prezantua me trilogjinë "Familja Rosmaku" një seri edukative po kaq e ëmbël, argëtuese me ilustrime e vlera edukative e gjuhësore që shpejt u përhap e u bë "Familja e famshme Rosmaku". Një mundësi më shumë për vogëlushët dhe që ka sjellë padyshim interes për të tjera krijime nga kjo autore.
Përshkrimet e bukura me gjuhë magjike për fëmijë dhe vlerat edukative e nderuan këtë atutore edhe me pjesëmarrjen në Panairin e 28 të librit në Tiranë më 12 Nëntor 2025. Ajo që unë doja të ndalesha në këtë rezyme të librave të Shpresës, dhe që do ta konsideroja tejet të rëndësishme është aftësia për ta bërë librin të veçantë dhe të rrisë komunikimin me fëmijët. Librat "Familja Rosmaku" 1, 2, 3 dhe "Tak - tak trokiti dera" përmbajnë një elementë të veçantë, që asnjë nga librat e tjerë në treg nuk e ka. Kjo veçanti i jep librave vlerë multimediale dhe i vendosin ata në rafshin bashkëkohor për të arritur komunikimin e duhur me fëmijët e sotëm të zhvilluar e që i përkasin kohës së teknologjisë e internetit. Kjo i jep librave të autores për fëmijë, Dr. Shpresa Fundo Gjergji statusin e një autoreje të re me vizion bashkëkohor dhe një dimension të ri librave të saj për fëmijë. Kjo veçanti e ka emrin Bruko Broadcast Radio, USA ku autorja bën moderatoren në emisionin për fëmijë "Gjyshe Shpresa tregon" dhe librat janë të prezantuar në formën e rrëfenjës në youtube.
Kodi QR, të cilën librat e mbajnë në kopertinën e pasme, funksionon pa pagesë. Aty fëmija dhe prindi e shfrytëzon teknologjinë në të mirë të edukimit të tyre. Aty fëmija gjen me zë gjithë rrëfenjën e përrallës dhe ajo që e bën më argëtuese janë këngët për personazhet e përrallave. Aty ndjen se këto libra flasin me zë, këndojnë dhe bëhen pjesë e bukur e argëtimit të fëmijëve. Kjo është padyshim risi në letërsinë për fëmijë e cila ka shumë nevojë të promovohen vepra të tilla letrare me mendësi që ndihmojnë në komunikim dhe edukim, për ta bërë librin të dashur në duart e vogëlushëve.
Marr shkas të theksojë se krijimtaria e Dr.Shpresa Fundo Gjergjit, është një kontribut i çmuar në ditët e sotme në edukimin letrar dhe moral të fëmijëve, duke ofruar një alternativë ndryshe, pozitive ndaj ndikimeve dixhitale, dhe promovuar dashurinë për librin dhe fjalën e shkruar.
Shpresa tashmë është një figurë e rëndësishme në letërsinë bashkëkohore shqipe për fëmijë, dhe jo vetëm qyteti ynë e ka mirëpritur e vlerësuar por ajo ka lënë gjurmët e saj kudo.
Sot ajo është një zë i respektuar në fushën e edukimit letrar dhe gjuhësor.
E njohur edhe për thellësinë e mendimit dhe humanizmin e saj, për ndjeshmërinë që shfaq në krijimtarinë e saj, ajo vjen e lartësuar si autore e denjë për fëmijë.
Urime në krijimtarinë e saj dhe sa më tepër projekte të bukura për fëmijë!
Nga Zamira Agalliu,
moderatore në promovimin e librit për fëmijë "Tak - tak trokiti dera".
Linku i librit ne Emisionit “Gjyshe Shpresa tregon”















Comments