Vullnet Mato: KËNGA E ZOGUT BISHTKALTËR
- 2 hours ago
- 1 min read

KËNGA E ZOGUT BISHTKALTËR
Kënga e një zogu bishtkaltër,
në degët para dritares sime,
në mesditën e prillit të vakët,
më zgjoi në zemër mijëra kujtime.
Më kujtoi shelgjet buzë Bistricës,
aty ku kori i zogjve bishtkaltër,
këndonin lamtumirën e lumit që ikën
të derdhet në det, poshtë Gjashtës.
Me tingujt e tij, teksa tundte bishtin,
më shpalosi tërë bregdetin e Jugut,
më kuqëloi fytyrën dhe më ndriti,
me portokallin e perëndimit të muzgut..
Më kujtoi djalërinë me bubullima,
nga dimri rrufeve me goditje të rënda,
për të lënë pa bukë shumë viktima,
ikjen, i lagur me lot hidhërimi nga nëna.
Më kujtoi varrezat e Limjonit,
nënën dhe babanë, që u tretën,
më kujtoi 5 vëllezërit, që m’i mori,
bushtra vdekje e më la krejt vetëm...








Comments