Vullnet Mato: KUR MË THUA ‘’TË DUA’’
- 2 days ago
- 1 min read

KUR MË THUA ‘’TË DUA’’
Kur më thua, të dua, kaltëron qielli,
ndonëse gjëmojnë rëtë dhe bie shi.
ndonëse ërrësohet e perëndon dielli,
apo hëna s’duket në horizontin karshi.
Kur më thua, të dua e s’më lë të ikë,
se të më kesh pranë vetes, ke nevojë,
atherë nga vetmia, nuk kam më frikë,
dhe nga emocioni, syri nis të më lotojë.
Kur më thua shpesh, të dua o shpirti im!
më fton në buzët e tua, hojet nektarit,
më shton në zemër vëllimin e dashurisë,
më sjell korrikun e vakët në mes të janarit.
Kur më thua: Të dua në disa çaste dite!
e të përgjigjem: Të dua më shumë se sytë!
Fjalët nuk janë përsëritje e mërzitshme,
por janë lastarë, që dashuria na çel çdo ditë.
Pra, më thuaj të dua, shpesh e disa herë!
zemra më shumë gjak do të na pompojë,
mua do të më kesh tëndin, kurdoherë,
dhe pleqëria më shumë do të na vonojë...








Comments