Vullnet Mato: ISHA UFO NË MESNATË...
- 11 hours ago
- 1 min read

ISHA UFO NË MESNATË...
Mbrëmë, gjatë një ëndrre në mesnatë,
ndjeva befas sikur isha jashtëtokësor...
Duke soditur globin, nga stratosfera lartë,
kokën time të deformuar, zura me dorë;
Pashë tym, flakë, krisma, në Tokë nënvete,
thashë, ç’bëjnë këta homosapiens të zhvilluar,
janë çmendur së fundi, apo nuk janë në vete,
vriten si mizat, qytetet modern duke rrënuar!...
Ne Ufot, të mahnitur nga bukuria e globit,
mendonim, njerëzit janë në kulmin e zhvilluar,
si është e mundur, duan të arrijnë kozmosin,
dhe bëjnë marrëzi, duke u vetëshkatërruar?!
Me sa duket kohët e fundit, raca njerëzore,
pas zhvillimit të shpejtuar, përtej kufijve,
po kthehen në origjinën, e egërsisë shtazore,
në gjenezën asgjësuese të ujqërve dhe arinjve.
Ç’duan të arrijnë me armë, ku duan të shkojnë,
duke u kacafytur me njëri-tjetrin, deri në vdekje,
për të ndarë trojet, në këtë mrekulli, ku jetojnë,
në pronën e Diellit, që ka nisur t’i thithë me tërheqje?
Si nuk mendojnë, se janë aty të përkohshëm,
derisa Ylli diellor, të mbaroje energjinë e vet,
për t’i përcëlluar të gjithë, në zjarrin e kobshëm,
duke shuar mes planetëve, më të bukurën jetë?!...








Comments