top of page

Vullnet Mato: HYRA SI ZOG NË FOLENË TËNDE

  • 1 day ago
  • 1 min read


Teksa po soditja zogjtë, në fluturimin qiellor,

m’u duk sikur në supe, befas më dolën flatra...

U ngjita mbi çatinë e pallatit tënd martesor,

kur nëpër katet e larta, filloi të binte nata...   


Duke ndjerë veten, me pupla zogu lehtësuar,

hyra brenda dritares tënde, moj e dashur...

Desha të di, a je e lumtur me burrin e mblesëruar,

por u habita kur të pashë me të, duke u përplasur.


Të pashë edhe në shtratin tuaj bashkëshortor,

kur i ktheve shpinën, ndoshta më kujtove mua,

puthjet tona rinore, me përvëlim shpirtëror,   

kur më ngjiteshe pas trupit, si kulpër e bleruar.


Dëgjova mërmërimat e tua, fatin duke mallkuar,

mbase solle ndërmend, sa shumë vuajta për ty...

Atë çast t’u duk burri, përbindësh i përçudnuar,

dhe nuk deshe ta shikoje më pranë, as me sy...


Nuk të këshilloj kurrsesi, të ndahesh prej tij ,

se pas kaq vitesh, fatit tënd e ka vulosur gabimi.

Dua veç të besosh, se të kam dashur, si perëndi,

me një dashuri, mbi vlerat që të bleu mblesërimi...

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page