Vullnet Mato: GRUA E DASHUR
- 2 hours ago
- 1 min read

Ndonëse tani ne puthemi rrallë,
ose ndodh dhe të harrojmë fare,
ti moj grua, je putha ime e parë,
vlen sa mijëra puthje beqare.
Sytë e tu prej drite, çdo mëngjes,
kanë qenë dy diej, të sapozgjuar,
më ke ndriçuar hapat me kujdes,
derisa dielli qiellor ka perënduar.
Ka ndodhur, je bërë dhe hënë,
për të hetuar dyshimet e tua,
por je bindur, fjalët kanë qenë,
thashetheme ziliqare për mua.
Gjatë jetës, me ty i dashuruar,
s’kam qenë engjëll, as shejtan,
nga ndonjë Çirçe, kam kuptuar,
tërë femrat njëlloj thasari kanë.
Ti s’ke qënë vetëm një grua,
ishe nënë Maria, nënë Tereza,
s’rrite veç tre fëmijë për mua,
zgjate jetën në mijëra breza.
Na shkuan vitet, si pa kuptuar,
ti u bërë një qenie mitologjike,
nimfë erërash, me treqind duar,
nga jeta jote, na dhe jetë të gjithëve.








Comments