Vullnet Mato: DIALOG I ZOGJVE KËNGËTARË
- 10 hours ago
- 1 min read

M’u desh të mësoj
gjuhën e zogjve për disa vjet,
t’i jepja vargut poetik
ëmbëlsinë e bilbilit këngëtar.
Sot dëgjova si bisedonte
zogëza, me zogun e vet,
teksa cicëronin duke plapuritur
krahët fluturimtarë:
“Çudi, tha ajo, këta njerëzit,
dashurohen marrëzisht,
por grinden shpejt
e ndahen si skifterë të egër.
Pasi kanë ndërtuar folenë
të dy bashkërisht,
lënë të vegjlit jetim
ende pa dalë nga vezët...
Ndoshta, tha ai, kanë marrë
zakonet e qyqeve vajtimtare,
për t’i lënë vezët
në fole të tjera, aty këtu…
Këndojnë, si ne bilbilat,
për dashuri familjare,
po s’jetojnë dot pa çuçuritur
si beqarë, dru më dru...









Comments