Vullnet Mato: BASHKË NË ÇDO ORBITË
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 17
- 1 min read

Nëse disa ditë, s’të vjen mesazh në celular,
dije se jam kthyer në këngë bilbili...
Hap dritaren të dëgjosh, pemëve vërdallë,
zërin tim të blertë, me fëshfërima pylli!
Nëse disa ditë, s’ma lexon emrin të shkruar,
diku mbi vargje, ose në rreshtat e krijimit,
shiko mes dy malesh, sapo dielli ka ndriçuar,
shkronjën “V”, me rrezet e para të agimit.
Nëse disa ditë, nuk dukem në internet,
dije se jam kthyer, në valë elektronike...
Hap monitorin e shpirtit, më ke ku je vet,
të përqafohemi sërish, si në netët magjike.
Dije, nuk shkëputem dot, nga tërheqja jote,
nga vlaga fuqidhënëse, që më japin buzët e tua.
Edhe sikur të na ndajnë, nga vërtitja e kësaj bote,
në dy trajektore planetësh, sërish, ty do të dua...
Oh, qofsha në gravitet të përjetshëm me ty,
që të desha, me tërë grimcat e shpirtit njerëzor!
Dhe paçim tërheqjen magnetike, me atë megafuqi,
që mban të pashkëputur, orbitat e dy trupave qiellor!









Comments