top of page

Vladimir Xhakollari: DASHI I PAQES

19 hours ago
4 min read

Kur uria dhe skamja sundonin jetën, gjithmonë kishte burrëri që i mbyste këto plagë. Në

kohë të vështira, fjala e mençur vlente më shumë se shkopi, ndërsa zemra e urtë më shumë se

krahu i fortë.

Në një fshat të madh, para viteve 1900, toka dhe kullotat ishin çështje jete a vdekjeje.

Banorët merreshin kryesisht me blegtori dhe bujqësi, prandaj nevoja për kullota ishte jetike.

Mali i lartë, që shtrihej krenar buzë fshatit, ishte si një baba i heshtur: strehë për njerëzit dhe

bagëtitë, burim jete për qindra familje. Pothuajse gjatë gjithë vitit, përveç tre a katër muajve

të dimrit, ai i ushqente të gjithë.

Por matanë malit jetonin banorët e një fshati tjetër. Kullotat nuk njihnin kufij, ndërsa

njerëzit po. Zënkat mes dy fshatrave ishin të shpeshta, sidomos mes çobanëve. Secili

pretendonte pjesën e vet dhe mali, i pafajshëm, bëhej dëshmitar e shesh i grindjeve.

Një ditë vere, një djalë i ri nga fshati lindor ruante kopenë e tij në mal. Quhej Servet. Ishte

i qetë, i shkathët dhe i urtë për moshën që kishte. Punonte krah për krah me të atin, Aliun,

burrë esnaf, me përvojë dhe mendje të kthjellët, i cili e mbante gjithmonë pranë të birin, si

sytë e ballit.

Atë mëngjes Aliut iu desh të zbriste në fshat për të parë familjen dhe për të marrë

ushqime.

- Bir, - i tha Servetit, - unë do të zbres në fshat. Ti mbaji bagëtitë afër dhe bëj kujdes të

mos shkëputet ndonjë, se ujku s'fle.

- Mos ki merak, o baba, - iu përgjigj Serveti me qetësi.

Pa gdhirë mirë, Aliu zbriti, ndërsa Serveti u ngjit me kopenë drejt majës së malit. Era e

mëngjesit mbante aromë lulesh dhe bari të njomë. Delet humbën në çajin e malit. Ishte një

nga ato çaste kur shpirti merr frymë lirshëm.

Dielli u ngrit shpejt dhe vapa filloi të rëndonte. Delet, të lodhura, u futën nën hijen e

pemëve nga krahu lindor, aty ku dielli ende nuk kishte mbërritur. Serveti vari trastën në një

frashër të moçëm, u foli qenve të qëndronin pranë dhe u shtri të bënte një sy gjumë. Hija e

pemës ishte si një çadër kundër vapës.

Papritur u zgjua nga lehja e egër e qenve. U hodh përpjetë.

Para tij po afrohej një djalë, me fytyrë të nxirë nga zemërimi. Ariani ishte nga natyra i

nxituar e gjaknxehtë, i egër si vetë mali.

-Ç' bën këtu ti? - i tha ashpër Servetit.

Serveti e kuptoi menjëherë se ishte nga fshati në anën perëndimore të malit.

- Po ruaj bagëtitë, - u përgjigj qetë.

- A e di ti se këto kullota janë të fshatit tonë?

- Jo, - tha shkurt Serveti. Mali është i të gjithëve.

Ariani u afrua edhe më shumë dhe, pa thënë asnjë fjalë tjetër, goditi me shkop dashin me

këmborë, për ta trembur e për ta çuar përpara.

Servetit iu errën sytë. Iu duk sikur shkopi kishte rënë mbi kokën e tij.

- Pse e godet dashin? - i tha me zë të dridhur dhe u hodh drejt tij.

Ariani e goditi edhe Servetin. Në atë çast, qentë u vërsulën mbi të si rrufe dhe e shtrinë

përdhe. Serveti u përmbajt, i thirri qentë dhe e ngriti djalin.

- Largohu! - bërtiti Ariani i tërbuar. Mos shkel më këtu!

- Do të largohem me perëndimin e diellit, - iu përgjigj Serveti me qetësi. Bagëtitë nuk

lëvizin në vapë.

Ariani u largua duke shfryrë nga zemërimi.

Në fshatin e tij, zënka u bë lajm. Isufi, babai i Arianit, i mërzitur, nuk vuri gjumë në sy

gjithë natën. E kuptoi se duhej të gjente një zgjidhje për të shmangur një përplasje tjetër. Djali

i tij nuk ishte sjellë mirë. Nxitimi nuk të çon askund.

Ndërkohë, Aliu e kishte mbaruar punën në fshat dhe u ngjit në stan. Kur mbërriti në mal,

vuri re se i biri çalonte. Zemra iu shtrëngua. Zemërimi iu ndez si zjarr. Kur mësoi ç'kishte

ndodhur, të nesërmen mori sëpatën në dorë dhe doli me kopenë drejt kullotës. E ndiqte

kopenë në heshtje, por zemra i vloi nga mllefi.

Kur mbërriti te frashëri për të mjelë delet, pa burrat e fshatit tjetër dhe u bë gati për gjëmë.

Por Isufi, plaku i urtë i atij fshati, e ndali me fjalë.

-Afrohu, mik. Hajde të hamë.

Aliu u shtang.

Isufi kishte therur dashin më të mirë dhe e kishte vënë në hell. Aliu u afrua mes burrave,

ndezi një cigare të dredhur nga kutia e Isufit dhe priti në heshtje të dëgjonte fjalën e plakut.

- Këtu, ku po pihet rakia dhe ku është vënë helli, - tha Isufi, - do të jetë kufiri mes dy

fshatrave tona. Ky dash është kurban për zënkën e djeshme. Le të mbetet dëshmi e paqes mes

nesh.

Aliu uli kokën. Zemërimi iu tret si bora në diell.

- Je burrë i mençur, o mik, - i tha ai. Mali do të mbetet, ne do të ikim. Paqja le të

trashëgohet.

Të dy burrat u përqafuan.

Që nga ajo ditë, kufijtë mbetën të njëjtë, por zemrat u hapën. Mes dy fshatrave u lidhën

krushqi e miqësi dhe mali, i lodhur nga grindjet, më në fund gjeti qetësinë.

Sepse toka mbetet, mali mbetet, por ajo që jeton nëpër breza është dashuria, urtësia dhe

respekti mes njerëzve.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page