Sokol Demaku: Rënia e Murit të Berlinit

Pjesë nga lib rim ë i ri në gjuhën suedeze ”Örnens land”av mödrarnas tårar havet blir salt,”Atdheu i shqiponjave” Nga lotët e nënave deti u bë i njelmt, botuar nga Shtëpia botuese SolFörlag në Stockholm gusht 2026
Rënia e Murit të Berlinit
Rënia e Murit të Berlinit shënoi fillimin e ndryshimeve të mëdha në të gjithë Evropën Lindore, por për disa vende dhe popuj ajo u shndërrua në një katastrofë. Ngjarjet e asaj kohe vunë në lëvizje një valë përmbysjesh, për të cilat askush nuk mund ta parashikonte se ku do të përfundonin.
Natyrisht, një revolucion paqësor, pa humbje jetësh dhe pa e varfëruar popullin apo pa e bërë atë të vuante më shumë nga torturat sesa kishte vuajtur nën diktaturat ku jetonte, do të kishte qenë i dëshirueshëm. Por, siç thotë një fjalë e urtë e vjetër shqiptare: «Dita duket që në mëngjes». Kjo do të thotë se shpesh mund ta parashikojmë atë që do të ndodhë, por, për fat të keq, këtë herë ndodhi e kundërta.
Muri i Berlinit ra pa dhunë, pa u shkatërruar vendi dhe pa pësuar kolaps ekonomia. Por në shumë vende të tjera, ku diktaturat ishin më të forta dhe siguria më e brishtë, pasojat qenë shumë më të rënda. Evropa Lindore u trondit nga një krizë që askush nuk do të kishte mundur ta përfytyronte në ato shtete diktatoriale, të cilat për dekada me radhë i kishin sunduar popujt e tyre me dorë të hekurt, duke mbjellë frikën thellë në mendjet e tyre.
Njerëzit jetonin si në kafaze, pa mundësi për të mësuar asgjë për botën e jashtme dhe pa mundësi për ta njohur jetën ndryshe nga mënyra se si ua përcaktonin udhëheqësit dhe partia. Ishte sikur truri i tyre të ishte shpëlarë; ata nuk mund të mendonin në mënyrë të pavarur.
Në praktikë, partia ishte njëkohësisht shteti dhe ligji. Ajo ishte gjithçka.
Historikisht, këto territore kishin qenë dikur nën sundimin romak, dhe romakët kishin përhapur kulturën dhe fenë e tyre. Megjithatë, terreni i vendit të vogël ishte aq i vështirë për t’u përshkuar, saqë shumë zona mbetën të izoluara. Në jug dhe në juglindje, vendin e mbronin male të larta, ndërsa në perëndim bregdeti hapej drejt detit, me plazhet e tij të bukura. Në veri ngriheshin Alpet shqiptare, të paprekura nga dora e njeriut.
Pas Perandorisë Romake pasuan më shumë se 600 vjet sundimi osman, i cili ndikoi thellësisht në kulturën, traditat dhe gjuhën e rajonit. Ballkani shërbeu si një zonë tampon midis Evropës dhe Lindjes së Mesme.
Përmbysjet e para ndodhën në Rumani, ku shpërtheu një revolucion. Por ajo që ndodhi në Bukuresht vështirë se mund të quhet revolucion: komunizmi ra bashkë me udhëheqësit e vendit. Megjithatë, varfëria dhe korrupsioni vazhduan të mbizotëronin, duke mbetur probleme që e karakterizojnë vendin edhe sot.
Në Bullgari, ndryshimi ishte më i butë, por edhe atje pas revolucionit erdhën varfëria dhe korrupsioni.
Trazirat u përhapën në të gjithë Evropën Lindore, ndërsa shkatërrimet dhe përndjekjet u bënë pjesë e jetës së përditshme.
Më të tmerrshme qenë luftërat në ish-Jugosllavi, ku njerzër që kishin jetuar së bashku për dekada në të njëjtin shtet, fqinjë dhe miq që ndanin të njëjtën gjuhë e kulturë, filluan të luftonin kundër njëri-tjetrit.
Nacionalizmi e përçau vendin dhe një valë brutale dhune përfshiu Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën.
Ndërkohë, në kombin e vogël e të varfër që njihet si «Vendi i Shqiponjave», Shqipëri, nisën trazira të dhunshme, të cilat askush nuk do të kishte mundur t’i përfytyronte. Pranvera e Ballkanit, me kryengritjet, politikën e fuqive të mëdha dhe ëndrrat e shkatërruara, u shndërrua në një pranverë të përgjakshme për shumë vende të rajonit, pa lënë pas vetes shpresë për një të ardhme më të mirë. Ndonëse ekzistonte shpresa për demokraci dhe zhvillim, e vërteta ishte se populli ishte mashtruar.
Në këto kohë të trazuara, shumë vende të Ballkanit vendosën censurën. Mediat u vunë nën kontroll dhe e vërteta iu fsheh publikut. Sikur e vërteta të ishte bërë e njohur, ajo do të kishte qenë tepër e dhimbshme për t’u përballuar. Ndërkohë, trazirat vetëm sa përshkallëzoheshin.
Është e rëndësishme që njerëzit ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të shprehur mendimet dhe bindjet, sepse këto të drejta po zhduken, ashtu si edhe e vërteta. Kushdo që ka njohuri bazë për organizimin e dikurshëm të Bashkimit Evropian, për ish-Jugosllavinë dhe për shtetet e Evropës Lindore, e di se si gënjeshtrat kishin depërtuar në të gjithë shoqërinë dhe se si sistemi funksiononte në mënyrë të përsosur për ta mbajtur popullin nën kontroll. Udhëheqësit u thoshin njerëzve se kishin gjithçka që u nevojitej dhe se ishin të lirë, ndonëse vetë njerëzit e dinin më mirë se si qëndronte e vërteta.
Megjithatë, njerëzit shpresonin që e keqja do të kalonte dhe se do të vinin ditë më të mira. Një fjalë e urtë e vjetër thotë: «Kur fijet ngatërrohen, i mençuri i zgjidh nyjat, ndërsa i marri i pret».
Edhe sot dëgjohen mendime të ndryshme për kohën e kaluar në vendet e Lindjes. Një herë dëgjova dikë të thoshte: «Ideologjia është më e fortë se lidhjet e gjakut». Kjo botë e pamëshirshme ka qenë gjithmonë armiqësore ndaj njeriut. Në këto vende, populli nuk kishte mundësi ta shihte botën e jashtme dhe as të kuptonte se si jetonin njerëzit në shtetet e tjera. Njerëzit besonin se sistemi i tyre ishte më i miri dhe se askund tjetër në botë nuk jetohej më mirë. Kjo ishte propaganda marksiste-leniniste që regjimi ua përcillte çdo ditë qytetarëve.








Comments