top of page

Bashkim Saliasi: FAMILJA, GJËJA MË E SHTRENJTË PËR MUA DHE TIME SHOQE

11 minutes ago
11 min read

         Sot mbusha 72 vjeç. Vitet rrjedhin ngadalë, ashtu si lumenjtë e nisin rrugën e tyre me piklëza të vogla shiu, që më pas formojnë rrëketë e ato bashkohen e formojnë përrenjtë. Përrenjtë zbresin nga malet në kodra me vrull për të kaluar ngadalë nëpër fusha e livadhe duke krijuar delta dhe sjellë aluvione, ku nis e lulëzon jeta e llojeve të ndryshme të gjallesave që marrin jetë dhe zbukurojnë shtratin e lumit dhe në fund derdhen në detin e pafund.

E tillë është dhe jeta e njeriut, fillon e rritet me vrull, arrin moshën e pjekurisë, krijon familje dhe lë pasardhës dhe më pas vjen pleqëria… Fëmijët rriten dhe krijojnë familjet e tyre dhe jeta rrjedh në rrjedhën e vet. Një hallkë zinxhiri të evolucionit që përsëritet në periudha të ndryshme kohore. E tillë është jeta në botën njerëzore, nga dy prindër lindin fëmijët, hiqen zvarrë dhe më pas ngrihen në këmbë, fillojnë të belbëzojnë e më pas formojnë tinguj dhe artikulojnë fjalë.

Rriten ngadalë nën kujdesin e prindërve, shkojnë në çerdhe e kopsht dhe më pas kalojnë në shkollë e në fund dalin në jetë të pavarur. Kalojnë fazën e rinisë e më pas bëhen me fëmijë, gjyshërit ndërrojnë jetë dhe kështu me radhë jeta vazhdon në rrjedhën e vet. Me një fjalë, zbatohet ligji i mohimit dhe pohimit. E vjetra i lë vendin së resë dhe kështu çdo brez shkruan historinë e vet …

 

Detyra e prindërve është të sjellin në jetë fëmijë, të mbjellin një pemë dhe të shkruajnë historinë e tyre.

 

Nuk di sa do t’ia arrij qëllimit ta përshkruaj, bazuar në kujtesën time, ecurinë e ngjarjeve që kanë lënë gjurmë në memorien time në këtë kalvar vitesh ku unë kalova dhe po mundohem t’ua lë fëmijëve, nipërve dhe mbesave përvojën e jetës sime në vite.

Në muajin dhjetor të vitit 1979 u martova me Angjelina Loni Bardhin nga Libofsha e rrethit Fier, pas mbarimit të zborit ushtarak pesëmujor, në Labinot-Fushë të Elbasanit. Jetën familjare e nisëm në fshatin e lindjes, në Dobrushë. Unë atë vit punoja në shkollën 8-vjeçare Therepel. Ngrihesha herët në mëngjes, në orën pesë dhe më 7 e tridhjetë gjendesha në mjediset e shkollës.

Angjelina nga muaji dhjetor deri në fillimet e muajit mars të vitit ’80 qëndroi në shtëpi për shkak të vonesës së dokumenteve nga rrethi Fier. Në muajit mars, prill, maj dhe deri në javën e parë të qershorit Angjelina punoi në shkollën 8-vjeçare Dobrushë.

Më 9 qershor të vitit ’80 u bëmë prindër. Na lindi vajza jonë, Juliana. Lajmin e lindjes e mora me telefon nga materniteti i Çorovodës, për arsye se, pasi e çova në maternitet Angjelinën, në mëngjes shkova në punë në shkollën e Therepelit. Ardhja në jetë e vajzës na gëzoi shumë të dy, sepse u bëmë prindër për herë të parë.

 

Familja jonë është gjëja më e shtrenjtë për mua dhe për time shoqe.

 

Gjatë pushimeve të verës vizituam të afërmit e Angjelinës në Fier dhe në Libofshë. Atë vit nuk shkuam në plazh, sepse vajza ishte shumë e vogël dhe kërkonte kujdes në rritje. Pushimet verore kaluan shpejt dhe më 15 gusht fillova punë përsëri në shkollën 8- vjeçare, Therepel.

Gjatë gjithë verës mbetëm në pritje të emërimit të Angjelinës. Arsyetimi i ngushtë i njerëzve që drejtonin seksionin e arsimit pranë organit ekzekutiv më krijonin stres çdoherë që shkoja e pyesja për emërimin e sime shoqeje.

Një radhë shefi i arsimit, ish-mësuesi im në shkollën fillore, më tha:

-Ty do të të emërojmë në shkollën x dhe Angjelinën këtë vit do e lëmë në shkollën e Dobrushës. Vendi për shkollën e Dobrushës ruhej për kushëririn tim që vazhdonte ILP-në në Shkodër, në vitin e tretë. Ai kishte baxhanakun e xhaxhait të tij në Komitetin Ekzekutiv.

Mua më transferuan nga shkolla e Kakrukës për në shkollën 8-vjeçare Therepel, sepse i ruhej vendi shokut tim që kishte kunatën sekretare të Komitetit të Partisë në rreth etj. Miku bënte punën e tij. Përfundimisht, në javën e dytë të muajit shtator të vitit ’80 seksioni i arsimit më konfirmoi lajmin e emërimit të Angjelinës dhe transferimin tim në shkollën e bashkuar të Bargullasit.

U vendosa në pallatin e Nishovës në datën 9 shtator të vitit 1980 dhe në datën 10 shtator filluam punë në shkollën “Ilmi Koxhaj”, Bargullas. Habitesha me vete përse shkolla mbante emrin e fshatit Bargullas dhe jo të fshatit Nishovë, ku ishte ndërtuar. Filozofitë e kohës…

Ditën e parë që shkuam në banesë izoluam dritaret e pallatit me çarçafët rezervë të krevatit. Vajzën e vendosa në krevatin e saj, të cilin e bleva në dyqanin e Kakrukës gjatë rrugës që transportuam ato pak plaçka nga Dobrusha.

Ditën e tretë, pas ecejakesh në zyrat e kooperativës, më konfirmuan se mund të shkoja në Poliçan të merrja sendet e nevojshme, pasi makina e kooperativës do të transportonte një ngarkesë për në qytet. U ula në Poliçan dhe në magazinat e NGP-së bleva orenditë më të domosdoshme, si: dollapin e rrobave, tavolinën dhe karriget e kuzhinës, bufenë dhe një divan.

Me shumë peripeci dhe me shumë dashuri me njëri-tjetrin arritëm që dalëngadalë ta kompletojmë shtëpinë me orenditë e nevojshme. Në vitin e dytë të punës na erdhi kontrolli nga seksioni i arsimit të rrethit dhe në përfundimet e kontrollit Angjelina doli një nga mësueset më të mira të kolektivit tonë.

Në muajin shtator Angjelina u emërua drejtoreshë e shkollës, duke zëvendësuar drejtorin Hysen Flamuri, që vinte lart e poshtë çdo ditë në shkollë nga qyteti i Poliçanit. Më shumë përgjegjësi për atë dhe për mua.

Më 3 janar të vitit ’83 na erdhi në jetë fëmija i dytë, Meliani. Pothuajse gjithë fshati Nishovë na erdhi për urim, si për shtëpinë dhe për lindjen e djalit tonë. Përgjegjësitë u shtuan dhe detyrat u rritën më shumë.

Tani duhet të punoja më shumë dhe shpesh në orët e para të mëngjesit ulesha në qytetin e Poliçanit ku merrja ushqimet e domosdoshme, të cilat mungonin në dyqanin e kooperativës. Gjatë pushimeve të verës bëja drutë e dimrit dhe punë të tjera të familjes. Me fillimin e punës në vitin shkollor na duhej të çoheshim herët që të përgatisnim fëmijët për në çerdhe dhe në kopsht. Falë bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me time shoqe arrinim që t’i kryenim të gjitha punët pa krijuar stres te njëri-tjetri dhe në orarin e caktuar shkonim të parët në shkollë.

Si çdo verë, shkonim për vizitë në Myzeqe dhe në Dobrushë, ku na prisnin dhe na respektonin njerëzit tanë me dashuri dhe respekt. Më 23 shtator të vitit 1984 u bëmë përsëri me djalë. Na lindi djali i vogël, Eridani.

Më shumë punë, më shumë përgjegjësi.

Falë edukatoreve të çerdhes dhe të kopshtit Bihana Koxhaj dhe Vera Qama, ne arritëm që fëmijët të mos i linim rrugës në ditët më të vështira, kur mua më duhej ta çoja dhe ta prisja te Lëmi i Kiços time shoqe, kur ajo shkonte në mbledhje apo seminare në Çorovodë.

Gjej rastin t’i falënderoj këto dy gra punëtore dhe të papërtuara që nuk kursenin asgjë për t’u shërbyer fëmijëve parashkollorë, edhe pse ndonjëherë u takonte të punonin jashtë orarit të punës.

Transporti ishte mizerje. Një autobus vinte nga Çorovoda në Poliçan pas orës 16.00 pasdite dhe pastaj çdo gjë në mëshirë të fatit. Kjo ishte jeta jonë e vështirë në fshatin Nishovë, por me mirësi, dashuri dhe tolerancë kaluam këto vite të vështira të jetës familjare dhe, edhe sot ruajmë respekt për këtë fshat ku jetuam dhe punuam.

 

                                  

 

 

 

 VITET E FËMIJËRISË

 

Ishin vite të zhvillimeve të vrullshme ato të viteve ’70, që ndodhën jo vetëm në Shqipëri, por edhe në fshatin tonë, Dobrushë. Më 1968 sollën dritën elektrike. Në vazhdim zhvillimi kishte marrë një progres të paparë ndonjëherë në të kaluarën. Ndryshoi mënyra e jetesës.

Në pushimet e verës më duhej të punoja që të ndihmoja sadopak ekonominë e familjes. Në ato vite vëllai i madh, Sytja, punonte në repartin e sigurimit të shtetit, Hyseni punonte në ndërmarrjen e ndërtimit në Çorovodë, Zylfoja vazhdonte të kryente shërbimin ushtarak në Jergucat, Gjirokastër, kurse Izeti ruante bagëtitë dhe shpesh punonte me mushkat, në kooperativë.

Izeti e kishte mbaruar arsimin fillor me rezultate shumë të larta (me të gjitha notat pesa, vlerësimi i asaj periudhe), por nuk pati mundësi që të ndiqte shkollën shtatëvjeçare dhe më pas të mesmen, për arsye që sot duken absurde dhe atij nuk iu mundësua.

Mbas ushtrie, Izeti me vullnet dhe dashuri për dijen, vazhdoi shkollën krahas punës në ndërmarrjen e ndërtimit dhe mbaroi arsimin tetëvjeçar dhe atë të mesëm, natën. Babai e kishte lënë punën në kooperativë që në vitin 1957, kur fshati ynë u bë kooperativë dhe merrej vetëm me punët e familjes, ruante bagëtitë e lagjes. Në ato vite i ra për pjesë dhe sëmundja, e cila nuk iu nda derisa i mori jetën, në moshën 67 vjeç, më 11 dhjetor të vitit 1978.

Si të gjithë fëmijët edhe mua më pëlqente të luaja shumë me bashkëmoshatarët e mi lojëra nga më të ndryshmet, që i organizonim ne djemtë e lagjes sonë. Por, nuk e kuptoja që, duke u rritur, duhet të largohesha nga lojërat dhe të kryeja punë nga më të ndryshmet për t’i ardhur sadopak në ndihmë familjes, si, për shembull: të bëja drutë e dimrit në korije, apo gjatë verës të çoja dhe të merrja mushkën në arat e korrura me të lashta ku transportonim grurin për në lëmenjtë në Vakëfe, të mblidhja sherebele apo bimë mjekësore për të përballuar shpenzimet vetjake si veshjen, pagesën e librave etj. Me pak fjalë, ndihmoja familjen dhe plotësoja nevojat e mia vetjake me mundësitë që kisha. Lekët që fitoja m’i ruante nëna ime dhe, kur më duheshin, m’i kthente të paprishura, siç ia kisha dhënë.

Sot m’u kujtuan rrugët e ngushta në korijen e Kryzës, sheshi te bajamja në Veshtit, arrat dhe pjergullat në Mbollë dhe Selishtat e Gjençit, ku së bashku me moshatarët e mi Avniun, Fatmirin, Besnikun, Xhevahirin, Maksimin, Luanin, Gëzimin, Enverin etj. luanim me lojëra të ndryshme, si: gogozhel, lojë volejbolli, futboll me top prej lecke, gurmaç, syllambylla etj.

         Në kohën që mbyllej shkolla fillonte fushata e korrje-shirjeve dhe ne djemtë e rritur merrnim hajvanët e samarit dhe transportonim grurin nga parcelat e largëta, arat e Cerjes, Vromasit, Vladit, Plepes, Pulemarit, Lisit të Madh etj., në drejtim të dy lëmenjve që ndodheshin te Vakëfet.

Në pushimet verore vinin në fshat fëmijët e kushërinjve tanë, që jetonin në Tiranë, Elbasan dhe Kavajë. Nga Tirana vinin fëmijët e Islamit, Ladi, Goni dhe Fredi. Nga Kavaja vinte Shpëtimi, djali i kushërirës sonë, Razies, me të cilin ishim moshatarë dhe nga Elbasani vinte Emini, djali i Dikes, që ishte pak më i vogël se ne. Me Shpëtimin, Eminin, Gonin dhe Fredin kalonim mirë, se ishim të përafërt me moshë, kurse me Ladin, që ishte disa vite më i madh se ne, hera-herës zemëroheshim, sepse ai na vinte në lojë dhe tallej me ne ...

Xhaxhai im, Metikoja, kishte një pelë të kuqe dhe familja ime një mushkë të verdhë, por shumë xanxare, e cila shumë herë e rrëzonte barrën me dru apo me grurë. Shkonim të gjithë bashkë me fëmijët e lagjes në parcelat me grurë, por Ladi na i kalonte përherë, sepse e ngiste pelën me revan në rripat e rrugët e ngushta për në arat e quajtura Cerje, Pulemar, Stane, Plepes, Vromas etj. dhe nuk kishte frikë nga qentë e kopeve të dhive që kullosnin ndanë rrugës ku ne kalonim.

Pasi mbaronte fushata e korrje-shirjeve, secili nga ne djemtë mendonte si të siguronim disa të ardhura për të blerë rrobat dhe librat e shkollës në muajin shtator, prandaj në orët e para të mëngjesit, kur familjarët flinin, dilnim me grupe në drejtim të Çesmatikut, Radulit apo Rrasës së Qamës, deri te Gorrica afër gjurmës së Abas Aliut për të mbledhur sherebel dhe ktheheshim pasi kishim mbushur thasët që i transportonim në krahë.

Sherebelin e korrnim me drapër dhe mbushnim futën (trastë prej bezeje që e lidhnim në bel), ku vendosnim sherebelin e korrur dhe e boshatisnim në thesin që linim diku afër vendit ku punonim. Pasi mbushnim thasët 20-30 kg, i hidhnim në kurriz dhe vraponim në drejtim të shpellave të përroit Bronec që rrjedh përfund malit të shenjtë Tomor e ku ka gropëza me ujë, në vende të fshehura nga dielli që mbanin rezerva uji nga reshjet ose burime të pakta ujore. Shkonim për të gjetur ndonjë gropë me ujë për të shuar etjen në vapën përvëluese të muajve të verës.

Kur i afroheshim përroit të Lëngës, rendnim drejt pellgut te Lisi, hidhnim me vërtik thesin nga krahu dhe kridheshim me gjithë rroba në ujin e freskët. Aty fillonim të notonim dhe të freskoheshim me ujit e tij. Hera-herës ndalonim te vendi i quajtur Qetë, (shtegu për t’u hedhur në çairet e Radulit) poshtë urës me dërrasa të përroit të Lëngës dhe laheshim në gropat karstike të saj, të cilat ishin të thella dhe më shumë ato frekuentoheshin nga moshatarët tanë të lagjes Dyrmish, që dinin më mirë not se ne. Në shtëpi ktheheshim në piskun e vapës në orën 12.00-13.00 të drekës, kur na merrte uria për bukë. Herë pas here harroheshim në manat e pjekur te shtëpia e Sejatit apo te stallat e kooperativës në Kallfë. Frikë kishim vetëm nga gjarpërinjtë dhe nepërkat, të cilat ishin me shumicë në murishtet afër manave apo në livadhet e pakositura.

Nuk më harrohen netët pa gjumë që ne djemtë e rinj “sulmonim” parcelat me grurë dhe mblidhnim petalet e kuqe të lulekuqeve, natën pas orës dymbëdhjetë, kur fshati flinte gjumë. Ndonjëherë u qepeshim kodrave dhe malit të Ramijes për të grumbulluar bimë medicinale dhe çaj, lule murrizi, njëmijëfletëshe etj. Mesi i gushtit dhe fillimi i shtatorit ishte periudha, kur ne të rinjtë e rritur “mprihnim sopatat” dhe ngjiteshim në Shkozë të Trashë, në Gropën e Madhe apo në Stane dhe bënim drutë e dimrit.

Vjeshta për ne fëmijët ishte muaji i grumbullimit të “rezervave dimërore”, si: mollë të egra, arra, bajame e lajthi, ftonj, mollë etj., që i grumbullonim gjatë ditës apo natës sipas rastit dhe i ruanim për dimër. Në vitet e mëvonshme filluam të mblidhnim dhe thana, të cilat i përdornim për përgatitjen e rakisë apo nardenit të thanës.

Mollët e egra që rriteshin me shumicë, sidomos në pyllin me lisa të dushkut në stane apo në Gropë të Madhe, i shtratifikonim në kasollen e kashtës dhe i përdornim nga muaji mars, prill e maj, kur ato zbuteshin dhe ëmbëlsoheshin, kurse frutat e thata në festat e Vitit të Ri, Novruzit, Shëngjergjit, 7-8 Marsit etj. Përveç frutave të thata, përgatisnim dhe oshafet, fruta të thata të kumbullës, mollës, fikut, ftoit, dardhës etj.

Krahas frutave të thata nënat tona bënin kujdes në përgatitjen e rezervave dimërore, si: roshnicat, tërhananë e butë dhe të ashpër, bollgurin, turshitë e domateve, lakrës, kastravecit dhe specave me gjizë dhe me kos etj.

E veçantë ishte ruajtja e salcës së kosit dhe gjizës në shakull, (lëkurë e pastruar nga leshi dhe e regjur me kripë) e përgatitur kjo për këtë punë. Nga periudha e fëmijërisë së arsimit fillor nuk mbaj mend shumë episode, por nga periudha e shkollës tetëvjeçare më vijnë si në revistë plot ngjarje.

Mësuesit paraqiteshin në punë që në datën 16 gusht dhe ne nxënësit më një shtator. Pas mbarimit të dy klasave të ciklit fillor te shtëpia e Sejat Zaimit, klasën e tretë e në vazhdim të tjerat i kreva në shkollën që u ndërtua në vendin e quajtur Ndrisko, me rastin e ndihmave që iu dhanë zonave të prekura nga tërmeti.

Ishte një ndërtesë njëkatëshe me tetë klasa, e ndërtuar me gur dhe e mbuluar me rrasa guri të zi. Klasa ime bënte mësim në sallën e parë dhe poshtë saj kishte bodrumin, ku mbaheshin veglat e punës. Me bodrumin komunikohej nga brenda klasës me një deriçkë që hapej nga lart, dhe nga jashtë ishte e pajisur me një derë që qëndronte vazhdimisht e kyçur. Ngjitur me këtë sallë gjendej drejtoria e shkollës. Çelësin e bodrumit e mbante përherë drejtori i shkollës.

Në krahun e djathtë të drejtorisë gjendej klasa e katërt dhe me radhë, e pesta, e gjashta, e teta dhe e shtata, kurse tri klasat e tjera ishin të fillores. Jeta në fshat në ato vite mori një zhvillim të vrullshëm. U ndërtua këndi sportiv i lojërave me dorë, afër manit të Sabriut, ku nxënësit e rritur luanin shpesh ndeshje volejbolli me mësuesit.

U rrethua oborri i shkollës me mur mbajtës dhe u ndërtua një fushë e vogël ku zhvillohej ora e fizkulturës. Nxënësit e klasës së tetë, në krahasim me ne që vinim pas, ishin të rritur në moshë, pasi kishin mbetur pa shkollë dhe me hapjen e tetëvjeçares në Dobrushë vazhduan të gjithë djemtë e vajzat që kishin nga një ose dy vjet që kishin mbaruar arsimin fillor në Dobrushë, Strorë dhe Selan.

Në ato vite fshati ynë vizitohej shpesh nga grupe artistike të ardhura nga rrethe të tjera të vendit, por edhe nga Tirana, si Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Ushtrisë etj. Shtëpia e kulturës u pajis me televizor dhe hera-herës shfaqeshin filma nga kinooperatorët që vinin nga Çorovoda… Në shtëpinë e kulturës gjendej një biblotekë dhe vazhdimisht merrja libra për të lexuar. I pari libër që më ra në dorë ishte libri me titull “Lulja e kujtimit”.

              Vazhdon…

 

       Redaktoi dhe korrektoi: Muhamet Cenko

                  Tiranë, më 05.11.2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page