Viron KONA: Përshëndetje “Fjala e lirë”, Londër!

E krijuar në mars të vitit 2003, si një organ informues dhe kulturor për komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe, “Fjala e Lirë” në Londër dhe revista, nën drejtimin e Prof. Dr. Fatmir Terziut ka fituar vit pas viti një autoritet dhe një emër të mirë kombëtar dhe ndërkombëtar. “
Ajo konsiderohet një “Platformë kulturore, letrare e artistike” apo si një hapësirë, ku botojnë qindra krijues, studiues, gazetarë e publicistë nga Shqipëria, Kosova, trojet e tjera shqiptare dhe nga mërgata. Ata ndihen mirë rreth “Fjalës së lirë” dhe, me aftësitë dhe talentin e tyre shkruajnë pareshtur krijime letrare, poezi dhe prozë, ese, recensione, artikuj studimorë e publicistikë, duke shënuar arritje cilësore në botën e letrave shqipe. I veçantë është edhe fakti se rreth “Fjalës së Lirë”, Londër, afrohen dhe ndihen të mirëpritur edhe krijues të tjerë nga bota, dhe, të gjithë, bashkërisht, nën drejtimin e Prof. Dr. Fatmir Terziut bëjnë që “Fjala e lirë” të gjallërohet e të jetë gjithmonë vitale, të përcjellë e të përhapë anë e kënd rruzullit pasuri vlerash shkrimore, krijimtari të begatë letrare e artistike, duke u vlerësuar si një nga tribunat më aktive dhe më të respektuara të komunitetit krijues shqiptar jo vetëm në Londër, por dhe në të gjithë mërgatën shqiptare të shpërndarë nëpër botë.
Në qendër të “Fjalës së lirë”, Londër ka qenë dhe është gjithnjë gjuha e ëmbël shqipe, fjala tërheqëse dhe e bukur artistikisht, fjala që pasqyron jetën, gjallërinë dhe zhvillimin, por dhe hedh në tryezën e diskutimit problematikat, konfliktet dhe zgjidhjet e tyre përherë në mënyrë paqësore. Në këtë kontekst, gjithkush krijon bindjen se “Fjala e Lirë”, Londër ndihmon në perceptimin edhe më mirë të fuqisë së dialogut, fuqisë që ka këmbimi dhe respektimi i mendimeve artistike ndërmjet krijuesve shqiptarë apo dhe krijuesve të vendeve të tjera.

Dihet se një vepër e mirë artistike, një roman, novelë, dramë, një ese, një poezi apo tregim, një studimi apo analizë e mirë artistike, studimore e publicistike sot bëhen të njohura sapo botohen, gjë që e mundësojnë hapësira si “Fjala e Lirë, simotrat e saj në mërgatë, si dhe shtypi i përditshëm. Pavarësisht se kujt vendi i përket autori i një vepre të mirë letrare-artistike, vepra e tij mirëpritet, respektohet, dëshmohet dhe vlerësohet si e tillë. Një vepër e bukur dhe me vlerë, e tillë është edhe në Shqipëri, edhe në SHBA, edhe në Japoni, edhe në Indi e kudo. S`ka vend të botës, ku të mos vlerësohen dhe mirëpriten veprat e Homerit “Iliada” dhe “Odisea”, krijimtaria e jashtëzakonshme e Shekspirit, romanet fantastiko - shkencore të Zhyl Vernit, përrallat e Andersenit... Lexuesit e shumë kombeve e kanë përpirë “Ushtarin e mirë Shvejk” të Jarosllav Hashekut, “Don Kishotin e Mançes” të Servantesit, sikurse janë mijëra lexues të disa brezave, që kanë njohur dhe njohin kryevepra si: “Komedia Hyjnore” e Dante Alighierit, “Fausti” i Gëtes, “Të mjerët” e Viktor Hugoit, “Lufta dhe Paqja” e Tolstoit, “Njëqind vjet Vetmi” e Márkezit, “Çajlld Harold” i Bajronit etj. etj. Por dhe nga letërsia shqiptare e vjetër apo e re, mund të përmendim vepra të shkëlqyera, si veprën madhështore të Marin Barletit, kushtuar jetës dhe luftës heroike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ajo vepër, sapo u botua nga autori, nisi të përkthehet dhe të botohet në më shumë se 40 gjuhë të botës, duke përfshirë thuajse të gjitha gjuhët evropiane. Apo, veprat e Ismail Kadaresë, kandidat i çmimit Nobel, janë përkthyer dhe botuar në rreth 45 gjuhë të botës, duke e bërë atë shkrimtarin shqiptar më të njohur në botë. Veprat e tij letrare si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Dimri i madh”, “Pallati i ëndrrave” etj. njihen sot nga mijëra lexues në të gjithë kontinentet. Edhe shekuj më parë, kur s`kanë qenë këto rrugë dhe mjete komunikuese për njohjen dhe përhapjen e kulturës dhe letërsisë, vepra e mirë çante dhe shkonte te lexuesi. Sigurisht që sot, krahas zhvillimeve në të gjitha fushat e jetës, ka zhvillime të dukshme edhe kultura, letërsia dhe artet, ndërkohë që shtypja dhe shpërndarja bëhen në kohë rekord dhe, në kohë rekord shkojnë te lexuesi. Kësisoj letërsitë takohen dhe ballafaqohen, krijuesit japin dhe marrin përvoja, vepra më e bukur dallon, ashtu si një lule shumë më e bukur se të tjerat, dallon në kopshtin e madh ku lulëzojnë llojshmëri lulesh. Në vijim të kësaj ideje them se, “Fjala e lirë”, Londër, e kryen sot më së miri përthithjen e krijimeve letrare nga çdo skaj i mërgatës shqiptare, apo nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera shqiptare, ajo i afirmon krijimet letrare, e, njëherazi edhe i përcjellë apo i shpërndan vlerat e tyre të vërteta letraro-artistike në Evropë dhe në botë. Në mënyrë figurative, do të thosha se “Fjala e Lirë” është një dritë-përhapëse vlerash. Sot, nëpërmjet “Fjalës së lirë” dhe, sigurisht edhe ndërmjet shumë qendrave apo shoqatave të tjera kulturore, nëpërmjet faqeve të tyre elektronike, gazetave e revistave letrare, është e plotë mundësia e këmbimit të mendimeve të lira mes krijuesve dhe lexuesve, jo vetëm të një vendi, por edhe ndërmjet lexuesve dhe botuesve të shteteve e kontinenteve të botës. Mund të themi se edhe "Fjala e Lirë", Londër, ka meritën e krijimit të një ure të rëndësishme kulturore, që bashkon krijuesit shqiptarë të mërgatës me ata të trojeve amtare, por dhe me krijues e botues në botë, duke ruajtur me korrektesë nivelin e lartë gjuhësor, letrar, shkencor, kritik, filozofik etj.
Krijuesit e çdo gjinie letrare e artistike, autorët e artikujve, studiuesit apo të gjithë ata që shkruajnë, sjellin te “Fjala e lirë” edhe personalitetin e tyre krijues, sjellin edhe vetveten, zakone dhe karaktere, histori jete, emocione dhe ndjenja, sikurse sjellin edhe veçori e karakteristika të shoqërisë apo të mjediseve ku ata jetojnë e krijojnë. Kur autori gjykon apo vlerëson veprimet e personazheve të tij, ai njëherazi shpreh edhe bindjet e tij morale, filozofike dhe shoqërore. Për personazhin e tij kryesor Madam Bovari, shkrimtari francez Gustav Flober, u shpreh: "Madame Bovary jam unë", duke treguar kështu se ndjenjat dhe zhgënjimet e personazhit buronin nga vetë shpirti i tij. Oskar Wilde shkruante: “Çdo portret që pikturohet (apo shkruhet) me ndjenjë është në fakt një portret i vetë artistit, jo i modelit”. Shkon më tej Wolf kur shkruan: “Çdo sekret i shpirtit të shkrimtarit, çdo përvojë e jetës së tij, çdo cilësi e mendjes së tij, është shkruar qartë në veprat e tij”. Ndërkaq, kur flitej për letërsinë botërore, Gëteja hidhte idenë se “Letërsia nuk i përket vetëm një kombi, por është një pasuri dhe dialog i përbashkët i të gjithë njerëzimit”. Si rrjedhojë do të thosha se “takimi” i krijimeve letrare, bashkëbisedimi, dialogu, studimet, kritika, opinionet etj., të gjitha këto, e bëjnë më të shëndetshme letërsinë, e pasurojnë atë me ide, me stile dhe me metoda moderne krijuese. E, pikërisht, “Fjala e Lirë”, Londër e kryen më së miri detyrën e ndërthurjes së artit, letërsisë dhe kulturës, ajo realizon më së miri promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, por ajo edhe nxit krijimtarinë bashkëkohore artistike, sikurse shërben si urë lidhëse mes artistëve. Ajo ndikon edhe në ruajtjen e traditave të vyera të popullit shqiptar, në gjallërimin e folklorit dhe të kulturës popullore dhe asaj moderne, në mbajtjen gjallë të gjuhës së bukur shqipe dhe trashëgiminë e saj te fëmijët dhe brezi i ri i shqiptarëve të mërgatës etj.
Te “Fjala e lirë”, krijuesit shfaqin lirshëm edhe mendime për veprat e njëri - tjetrit, studiojnë dhe analizojnë, portretizojnë dhe vënë në dukje vlerat ideore dhe artistike, figuracionin dhe mesazhet. Shembullin më së shumti në këtë drejtim e jep vetë drejtuesi i “Fjalës së Lirë” Prof. Dr. Fatmir Terziu, i pasuar edhe nga shumë krijues të tjerë. Sa më shumë krijues cilësorë, sa më shumë mendime, studime, kritika, vëzhgime, sugjerime, dialogë, mesazhe etj., aq më i plotë, më tërheqës, më i dukshëm dhe më reflektues bëhet mozaiku i vlerave te “Fjala e lirë”. Tashmë pas një aktiviteti të gjatë, “Fjala e Lirë”, Londër ka krijuar një arkiv mjaft të pasur, ngaqë aty kanë shkruar prej më shumë se 20 vjetësh shumë autorë të fushave të letërsisë, të arteve, të gazetarisë, të historisë e shkencës, të gjuhësisë dhe të ekonomisë etj. Në këtë drejtim, “Fjala e Lirë” është edhe një burim i vlefshëm referimi për studiuesit e letërsisë së mërgatës dhe të historisë bashkëkohore.
Ne, krijuesit, sapo shkruajmë diçka, mendja na shkon te “Fjala e Lirë” dhe tek arkitekti dhe themeluesi i saj, “Mjeshtri i Madh”, Fatmir Terziu, i dekoruar dhe me dekoratën e Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Botimi te “Fjala e lirë” na krijon emocion dhe kënaqësi, ndërkohë që botimi aty është edhe përgjegjësi, sepse krijimi ballafaqohet. Autori del zbuluar, nëse krijimi i tij është ende i brishtë dhe i pa arritur, sikurse, autori merr vlerësime nga lexuesit apo kolegët kur krijimi i tij pëlqehet.
Duke përfunduar, së bashku me mirënjohjen time, i shpreh Dr. Fatmir Terziut një falënderim të veçantë, si për mikpritjen që ai na bënë ne krijuesve te “Fjala e lirë”, ashtu dhe për krijimtarinë e tij të pasur, të vyer dhe me vlera të larta artistike dhe atdhetare.
Faleminderit!
Tiranë, më 21 nëntor 2026









Një shkrim i cili i bën jehonë të meritur Fjala e Lirë. Z. Vrion të falenderoj për këtë shkrim mirënjohjeje për FJALA E LIRË dhe drejtuesin e saj prof. dr. FATMIRIN. Mikun tonë të nderuar. Mbështes pa rezerva konsideeatat që ju shprehni. Jeni i saktë, i drejtë dhe çfarë ju shprehni, personalisht i mbështes dhe i njësoj me konsideratat e mia. Respekte. Falenderime për ju dhe profesor Fatmirit. Jetë, shëndet dhe vijimësi të suksesëshme.
Tiranë, 21 Nëntor 2026.-
I dashur Viron,
Të falënderoj nga zemra për këtë shkrim kaq të bukur, të ndjerë dhe plot vlerësime, por mbi të gjitha për miqësinë, respektin dhe vëmendjen që ke treguar ndër vite ndaj “Fjalës së Lirë”. Fjalët e tua kanë një domethënie të veçantë për mua, sepse vijnë nga një penë e njohur, nga një krijues me përvojë dhe nga një mik që e njeh nga afër rrugëtimin tonë, që prej atyre viteve kur miqësia dhe bashkëpunimi ynë morën formë edhe në takimin e Tiranës, më 2011.
E vlerësoj veçanërisht mënyrën se si ke sjellë në këtë shkrim jo vetëm historinë dhe misionin e “Fjalës së Lirë”, por edhe thelbin e asaj që kemi synuar të ndërtojmë gjatë gjithë…