SHPENDI TOPOLLAJ: BUJAR QESJA, BURIM I PASHTERSHËM MIRËSIE

SHPENDI TOPOLLAJ: BUJAR QESJA, BURIM I PASHTERSHËM MIRËSIE
Pa mbërritur te Muzeu i Dëshmorëve në Durrës, aty në të majtë të rrugës, mbuluar nga degët e ca pemëve të mëdha, si e fshehur nga sytë e kalimtarëve të bulevardit kryesor, ndodhet një barakë e vogël, nga ato që dikur i quanim kinkaleri. Në të vërtetë, aty gjen gjithfarë çikërimash, por më shumë e njohin si vendi ku shiten gazetat, paçka se sa vjen, dhe numëri i blerësve të tyre, po bije vazhdimisht. Anash saj ndodhet një tavolinë me nja katër a pesë karrige rrangallë që ditë e natë qëndrojnë aty, pa i ngacmuar kush. Të tillat, në qytetin tonë, herë pas here, policia bashkiake i largon, por atë askush nuk guxon ta prekë. Të gjithë e respektojnë atë ngrehinë të vogël llamarine, si të ishte diçka e shenjtë. E respektojnë, pasi i zoti i saj është një nga figurat më të njohura të qytetit, gazetari Bujar Qesja. Por jo pse ai ka pasur disa ofiqe, deri Drejtor i Qendrës Kulturore dhe Teatrit “Aleksandër Moisiu”, por se edhe pse aktualisht në pension, ai është një personalitet i kontributeve të përditëshme; i atyre kontributeve, ku veç aftësive profesionale dhe talentit, kërkohet edhe zemërmadhësia e dashamirësia për të tjerët. Dhe të gjitha këto cilësi, si te rrallëkush, i ka Bujari, miku im dhe i të gjithëve. Sa herë shkoj për ta takuar atë, do të gjej plot të tjerë, kuadro të dikurshme apo njerëz të zakonshëm, që kush ulur e kush në këmbë, rufisin ndonjë filxhan kafeje që i zoti i barakës e porosit te klubi aty pranë, apo kthejnë ndonjë gotë me raki që ndodh ta marrin me vete. Bisedat shpesh marrin zjarr, zërat ngrihen në kupë të qiellit, thuajse ata po grinden, kujtohen histori të shkuara dhe e qeshura nuk pushon kurrë. Unë shpesh u them të ngrihemi e të ikim se po e lëmë pa punë Bujarin, dhe me shaka u kujtoj atë thënien e Sharl Gunosë, që thonë se e kishte vendosur në zyrë edhe Benito Musolini kur drejtonte gazetën “Avanti”: “Na nderoni kur vini, na gëzoni kur shkoni”. Po pse e lëmë pa punë Bujarin, do të thoni ju? Ja pse: brenda ngushticës së barakës, mes paketave të cigareve, facoletave, kalendarëve, blloqeve për shënime, lapsave me ngjyra a ca pakove me patatina, ai ka instaluar një kompjuter. Dhe në atë kompjuter, Bujari shkruan e shkruan me dashuri e vërtetësi, për njerëz të ndryshëm të qytetit, nga ata që jetojnë apo nuk janë më mes nesh. Ai, sikur të kishte për të realizuar planin, çdo ditë qëndis jetëshkrimin e dikujt dhe duke shfrytëzuar mundësitë që jep sot teknologjia, i shpërndan ato nëpër portale, i boton nëpër gazeta, qoftë dhe on line. Ai u kushton personazheve të tij disa faqe dhe një zot e di sesi nuk iu shteruan fjalët. Apo më saktë, nuk e di se ku i gjen gjithë ato fjalë të artikuluara aq bukur, për ta, ku shumë prej tyre i ka njohur pak ose aspak. Dhe pikërisht pse atij nuk i fashitet asnjëherë dashuria për të tjerët, do të gjesh pranë tij njerëz të profesioneve dhe moshave të ndryshme si: artistë, shkrimtarë, poetë, arsimtarë, mjekë, oficerë, sportistë e punëtorë të thjeshtë. Për Bujarin të gjithë janë qytetarë që i kanë dhënë shoqërisë, pra qytetit, gjithësa kanë pasur mundësi në detyrat e ngarkuara. Ai shkruan me të njëjtin seriozitet e respekt si për funksionarë të ndershëm të dikurshëm, ashtu edhe për vizuesin e fushës së futbollit, si për ata që kanë tituj shkencorë, ashtu edhe për ata dokerët e Portit Detar që mbanin thasët dhe fuçitë e bitumit mbi shpinë, si për bujqit e dikurshëm, ashtu edhe për marinarët e peshkatarët që të shumtën e jetës ia kushtuan detit e udhëtimeve të gjata e kështu me radhë. Dashuria e tij për njerëzit është gati - gati proverbiale.

Ja sesi shkruan vetë ai kur e mbysin kujtimet për ta: “E shoqëria jonë. E shoqëria jonë, magjia e kujtimeve. Kujtoj Lolin e Dedjave, Lylen e Arapëve që na kanë lënë tashmë, për të hyrë në kujtmet tona për ta, Midin, Panon e Makove, Fadilin, Kopin e Jorgjëve, Zisin e Domëve, Osen e Dashëve, Flamuri i Jakupëve, Palin e Katrove, Sabriun e Demirëve, Kipin e Mukajve, Fatmiri i Halimëve, Titin e Bletave, Agimin e Çetakëve, Xhemalin e Manin e Sulejmanëve, Petron e Luarasëve, Koçin e Seminëve, Ladin dhe Ilirin e Mborjave, Naunin dhe Taqon e Xhokaxhive, Besnikun, Benin dhe Lipen e Pezave, Jorgon e Stamove, Besnikun dhe Galipin e Bidulëve etj. E mund të vazhdoja kështu pambarimsht”. Te kioska e Bujarit gjithmonë do të vijnë edhe ata që janë larguar e jetojnë prej vitesh në emigracion. Vijnë për t`i thënë se i lexojmë me shumë ëndje shkrimet e tua se ato na çmallin me vendlindjen. Vetë Bujari shprehet për ta: “Miqtë takohen njëherë si në një kohë. Po aq të sinqertë dhe të ngrohtë njëri me tjetrin. Kohët vërtetë kanë ndryshuar, por zemrat dhe shpitrat tanë jo. Kemi mall. Nuk shihemi vërtetë, por sytë e shpirtit qëndrojnë gjithnjë hapur dhe as kanë ndërmend të mbyllen. Jemi të një qyteti. Kemi ndarë shumë gjëra dhe miqësinë e ruajtëm”. Dhe për ta ilustruar deri në fund dashurinë e Bujarit për të tjerët, po sjell këtë shembull fare të freskët. Duke hedhur në kompjuter këto radhë, mësova se miku ynë i përbashkët, gazetari I shkathët sportiv Ervin Baku, i cili ka pasur probleme të hershme fizike, teksa ishte duke udhëtuar e motorin e tij të posaçëm në Tiranë, u përplas nga një autobus dhe e çuan menjëherë në spital. Gjendja e tij nuk ishte dhe aq e lehtë, por Bujari, me shpejtësi rrufeje i drejtohet atij, duke shkruar ndër të tjera: “Ervini është luftëtar. Ka besim, ka kurajë, ka krenari. Është nga ata njerëz, që nuk e matin jetën me vështirësitë që u dalin përpara, por me forcën për t`i kapërcyer ato. Në profesionin e gazetarit, ka ditur të dëshmojë përkushtim e seriozitet, ndërsa në jetën shoqërore mbetet shembulli i humanizmit dhe i qëndresës. Sot mik i dashur, dua të të them se nuk je vetëm. Pas teje është miqësia jote, respekti i kolegëve, solidariteti i njerëzve që të duan dhe të vlerësojnë. Janë shumë zemra që të presin të të shohin përsëri në këmbë, me buzëqeshjen dhe energjinë tënde. Mos u dorëzo Ervin! Ti ke kaluar shumë sfida dhe do ta përballosh edhe këtë”. Por, për të qënë tërësisht i saktë, dua të theksoj se Bujar Qesja vetëm për një njeri nuk shkruan: ai është vetë Bujari. Prandaj, po ndalem pak, për të treguar rrugëtimin se nga vjen ai. Bujari u lind më 15 gusht të vitit 1951 në Durrës, në një familje të njohur për veprimtari atdhetare, ku mjafton të kujtoj se ai është nipi i njërit nga disidentët më të guximshëm, Xhavit Qesja, qe e kaloi jetën burgjeve komuniste. Arsimin e mesëm e kreu te gjimnazin “Gjergj Kastrioti” dhe më pas, pasi punoi për rreth një vit në Ofiçinën e Portit Detar, përfundoi në vitin 1974 studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega Gazetari. Pas kësaj nisi të bashkëpunojë me organet tona të shtypit të asaj kohe dhe sidomos me Radio Tiranën. Caktohet në Pallatin e Kulturës të N.B. Sukth, ku i besohet detyra e drejtorit dhe ku shquhet për përgatijen e ansambleve artistike dhe organizimin e shumë veprimatrive kulturore, deri edhe të fshatrave përreth. Me synimin për të gjallëruar punën me aktivitetet kulturore, emërohet në të njëjtën detyrë në N.B. Spitallë, që përfshinte Vrrinin, Katundin e Ri, Fllakën dhe Golemin. Tashmë i njohur ngado, caktohet me detyrën e drejtuesit të pallatit “Rinia” në Durrës. Këtu pati suksese të mëdha dhe veprimtari të pareshtura e mbresëlënëse, që i dhanë emër në mbarë vendi, pasi ai diti të krijojë marrëdhënie të ngrohta dhe t`i aktivizojë artistët e njohur si Fadil Hasa, Muharrem Hoxha, Zija Saraçi, Miga Hysi, Jolanda Dhamo etj. Me ardhjen e demokracisë, në vitin 1990 u emërua drejtor i Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” dhe stadiumit të futbollit “Niko Dovana”, dhe pastaj, për tre vjet, drejtor i Qendrës Kulturore dhe Teatrit “A. Moisiu”, ku edhe pse ndeshej me vështirësi, ia doli ta kryejë detyrën me dinjitet të plotë. Në këtë detyrë, jam vetë dëshmitar i gatishmërisë për të ndihmuar e përkrahur çdo veprimtari, pasi sa herë i kërkoja sallën, foninë, stendat, aktorët, këngëtarët, instrumentistët, valltarët etj. ai futej edhe vetë në rolin e konferencierit, gjë që e ka bërë dhe e bën edhe sot e kësaj dite, me kërkesat e Shoqatës “Durrësi” etj. Gjithmonë, nuk iu nda shkrimeve dhe botimeve të panumërta të aktiviteteve sportive dhe transmetimit të tyre në radio. Madje, nga viti 1994 - 2002 ai ka qenë botuesi i gazetës me emrin “Teuta Sport”. Për gjithë kontributin e dhënë, Bujar Qesja është nderuar me diploma dhe çmime të ndryshme dhe në 10 maj 2017 Presidenti Repulikës i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh”. Atij i është dhënë gjithashtu titulli “Anton Mazreku” dhe FSHF i dha titullin “Pllaka e Mirënjohjes”, kurse nga ana e Radio Tiranës u nderua me titullin “Ylli i Karrierës”. Federata e Paqes Universale e ka shpallur “Ambasador për Paqe”. Familjar model, ai do të ketë përherë pranë vetes, bashkëshorten e tij, të urtën e të mirën Konstandina, e cila kurrë nuk mërzitet nga vizitat e pafundme që qytetarët e ndryshëm, bëjnë atje tek ajo baraka disi e fshehur e çikërrimave, ku një kompjuter qëndron gjithnjë i ndezur për mendjen dhe shpirtin e pastër të Bujar Qesjas.








Comments