Pol Milo: SIMBIOZA E SHQIPTARISË DURRSAKE

(E vërteta)
Skënder H. Milaqi – Libri i shtatë
Simbioza e fjalës – Fjala si kalesë e qytetarisë dhe e mendimit letrar
– Nga Pol Milo
Doli nga shtypi “Simbioza e fjalës”, libri më i ri i shkrimtarit Skënder H. Milaqi, një botim i Shtëpise Botuese Jozef i cili shënon librin e shtatë në rrugëtimin e tij krijues. Një libër që i bën nder qytetarisë durrsake dhe shqiptarisë në botë. Një vepër që, me një kopertinë blu si deti i vetë Durrësit, dëshmon pasurinë njerëzore dhe letrare të këtij qyteti tremijëvjeçar , duke sjellë në vëmendje krijues, mendimtarë dhe personalitete të kulturës shqiptare.
Një libër që gjen guximin të trajtojë për herë të parë ekzuberizmin poetik, duke i dhënë hapësirë një prej përpjekjeve të reja për zgjerimin e formave të shprehjes poetike.
Libri është ndërtuar në tri kapituj, ku fjala shfaqet si mjet vlerësimi, komunikimi, kujtese dhe bashkëjetese kulturore.
Në kapitullin e parë, autori sjell shkrime dhe refleksione letrare për krijimtarinë e këtyre poetëve dhe autorëve:
Mustafa Biduli, Ilir Kushi, Vladimir Muça, Luan Jaupi, Agim Bajrami, Pol Milo, Nada Minguli, Fatmir Minguli, Jaho Margjeka, Xhevahir Cironku, Agim Lika, Hysni Shaqiri, Fatmir Terziu, Shpend Topollaj, Zef Çupi, Irakli Koçollari, Pirro Minguli, Reuf Mukaj, Rifat Ismaili, Meçan Hoxha, Hasan Shahini dhe Hashim Kërtusha.
Kapitulli i dytë përmbledh shkrime të autorëve mbi veprimtarinë letrare të Skënder Milaqit. Në këtë kapitull kontribuojnë: Fatmir Minguli, Bujar Qesja, Fatmir Terziu, Pol Milo, Nuri Bufi, Shpend Topollaj, Meçan Hoxha dhe Rifat Ismaili.

Ndërsa kapitulli i tretë i kushtohet librit të tij të parë, “Buzëqeshje nga minibota ime”, përmes përshtypjeve dhe vlerësimeve të intelektualëve: prof. Abdulla Kapidani, prof. Enver Isufi, Besim Shahini, Bashkim Zela, Avni Gruçka, Hashim Kërtusha dhe Isuf Shehu.
Dalja e librit nga shtypi është shoqëruar edhe me reagime emocionuese nga krijuesit, të cilët e kanë gjetur veten mes faqeve të këtij vëllimi. Për shumë prej tyre, ky botim është jo vetëm një vlerësim i krijimtarisë, por edhe një dëshmi se fjala e shkruar dhe marrëdhëniet mes autorëve nuk duhet të humbasin në harresën e kohës.
Reporteri Nuri Bufi i përcjell autorit urimet e tij:
“Urime Skënder Milaqi me vlerat shprehëse të artit letrar nëpërmjet botimit të fundit të librit ‘Simbioza e fjalës’. Shpresoj që së afërmi ta kemi në dorë.”
Ndërsa shkrimtari dhe kritiku Fatmir Minguli sjell një reflektim më të gjerë mbi simbolikën e numrit shtatë dhe mënyrën se si Skënder Milaqi ndërton portretin e qytetarisë durrsake:
“Shtata në botën e simboleve është tejet e preferuar. Kështu po ndodh me librin ‘Simbioza e fjalës’, të shkrimtarit dhe poetit durrsak Skënder Milaqi. Momentet më të bukura qenë në këtë takim të sotëm. Jam i befasuar nga stili rrufe që përdor Skënder Milaqi për të evidentuar natyrën e sotme të qytetarisë durrsake. Se çka një ndikim nga stili i tij poetik. Simbioza ka dhe kuptimin e vet simbolik, sepse të kujton krahët e amebës që shtrihet në gjithë arealin durrsak. Ka dhe libra të tjerë që trajtojnë këto personazhe, të cilët duhet t'i kenë pranë bibliotekave të tyre.”
Edhe shkrimtari Rifat Ismaili shpreh urimet e tij:
“Suksese pafund për autorin dhe libri pastë vëmendjen dhe vlerësimin e lexuesit!”
Këto reagime e bëjnë edhe më domethënës botimin, sepse tregojnë se pas çdo shkrimi ekziston një marrëdhënie njerëzore, një histori krijuese dhe një emocion që merr jetë përmes leximit. Vetë Skënder Milaqi, i emocionuar nga pritja dhe vlerësimi i miqve e lexuesve, shprehet:
“Faleminderit lexuesve dhe miqve të dashur dhe me vlera për këtë përshkrim dhe mikpritje kaq domethënëse të librit tim të fundit. Ky libër, si shumë të tjerë të kësaj gjinie, vërtet është me vlerë, pasi nuk i lëmë në harresë shkrimet e ndërsjella, por i dokumentojmë për t'i qëndruar gjatë kohës që i japin vlerë nivelit dhe qytetarisë durrsake.
Vetë fjala simbiozë, e ka origjinën nga greqishtja e lashtë, dhe ka një histori interesante që lidhet drejtpërdrejt me kuptimin që i kam dhënë librit tim, dhe që do të thotë syn-bashkë dhe bios-jetë, pra të jetuarit së bashku. Ky libër përbën një vlerë të veçantë në pasurinë e krijimtarisë letrare bashkëkohore, pasi përmes shkrimeve, reflektimeve dhe vlerësimeve të ndërsjella sjell në vëmendje individualitetin krijues, ndjeshmërinë artistike dhe kontributin e poetëve durrsakë, por edhe të autorëve nga treva të tjera shqiptare. Ai nuk është thjesht një përmbledhje mendimesh e përshtypjesh letrare, por një dëshmi e gjallë e komunikimit shpirtëror mes krijuesve, e respektit për fjalën artistike dhe e vlerësimit të ndërsjellë. Në këtë kuptim, libri merr edhe një dimension dokumentues, duke ruajtur për brezat një pjesë të mozaikut të letërsisë sonë bashkëkohore dhe duke dëshmuar se krijimtaria e vërtetë nuk jeton vetëm në faqet e librave, por edhe në gjurmët që lë në ndërgjegjen dhe kujtesën e të tjerëve.
Ju falënderoj pa masë.”

“Simbioza e fjalës” është një dëshmi e dialogut mes krijuesve, e respektit të ndërsjellë dhe e kujtesës kulturore. Është një pasqyrë e një komuniteti letrar që ndërton identitetin e vet përmes fjalës dhe mendimit.
Për ne në Durrës është krenari ta prezantojmë për herë të parë publikisht këtë botim, si një tjetër dëshmi të pasurisë kulturore dhe të shqiptarisë durrsake.
Urime miku ynë i çmuar Skënder Milaqit për librin e shtatë dhe për këtë kontribut në jetën letrare të qytetit dhe të shqiptarisë në kulturën qytetare durrsake!
“Simbioza e fjalës”, tashmë eshtë aty,
ku fjala bëhet kalesë
mes krijuesve,
ndërsa letërsia bëhet kujtesë
e përbashkët.
Pol Milo
Dyrrah 2026








Comments