top of page

Viron KONA: Piromani s`do t`ia di!

  • Aug 18, 2025
  • 1 min read

Piromani s`do t`ia di!

 

Vijojnë zjarret e s’mbarojnë,

flakët përhapen në Shqipëri,

digjen pemë përvëlon vendi,

piromani s`do t`ia di!

 

Miliona pemë rriten në pyje,

jetë për ne, edhe për breza,

kur një pyll bëhet shkrumb,

aty shkrumbohet dhe jeta!

 

Një bisht cigare djeg pyllin,

malin e djeg një shkëndijë,

mbjell 1 pemë digjen 1000,

piromani s`do t`ia di!

 

Për një “kënaqësi” të ligë,

për hakmarrje e për mëri,

e përvëlon “hasmin” krejt,

e shkrumbon dhe e bën hi!

 

Gjithçka digjet, përvëlohet,

njerëz fatkeq dot s`ia dalin,

zjarrfikësit luftojnë zjarret,

piromani vijon avazin!

 

Një tjetër shkon ndez zjarr,

te pylli me shkurre e pisha,

hedh cigaret andej-këndej,

digjen rrape, bredha e lisa!

 

Përvëlohen banorët e pyllit,

dhelpra, drerë, lepuj, arinj,

digjen zogj, miqtë e njeriut,

nga piromanët faqezinj!

 

Populli ynë ka fjalën e urtë:

për nj ‘plesht djeg jorganin,

zemërzinjtë dhe piromanët,

për “teka” djegin vatanin!

 

Nuk ndizen vet këto zjarre,

s`i ndez i nxehti afrikan,

autorë janë zjarrvënësit,

ata quhen piromanë!

 

...............

Piroman: zjarrvënës, maniak zjarresh të qëllimshëm dhe të rrezikshëm për të dëmtuar njerëz, pyje, prona... Kuptimi etimologjik i fjalës piroman, “dëshira për zjarr”.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page