top of page

Vilhelme Vranari Haxhiraj: Doli nga botimi libri, “Në botën letrare të Kadri Tarellit”




Doli nga botimi libri, “Në botën letrare të Kadri Tarellit”

 

         Në ditët e para të prillit doli nga botimi libri, “Në botën letrare të Kadri Tarellit”. Përmes kapitujve të librit lexuesi do të njohë portretin e një njeriu me të gjitha cilësitë e tij. Për këtë flet puna, përvoja, sjellja, shpirti bujar dhe i sakrificës, për të dhënë më të mirën e qenies së tij.

      Ndaj dhe shkrimin paraardhës e titullova, “Portreti i shkrimtarit Kadri Tarelli!

      Për arsye shëndetësore, nuk munda ta reklamoja në kohën e duhur.” Më mirë vonë se sa kurrë” thotë gojtaria aforistike e popullit tonë të lashtë.

          Jeta e çdo individi, pavarësisht nga profesioni, apo talenti, por dhe e një njeriu të zakonshëm është një vlerë. Përvoja jetike është ajo që formon karakterin e çdo individi.  Karakteri i kujtdo nis dhe formohet qysh nga lindja, rritja, arsimimi, zhvillimi fizik, mendor, intelektual dhe profesional, deri sa brumoset. Ndikimin më të madh për t’u bërë një individualitet i mirëformuar e ka etapa kur krijon familje. Këtu nisin detyrat dhe përgjegjësit si bashkëshort/e dhe aq më tepër si prind. Familje do të thotë të jesh me këmbë mbi tokë dhe me mendje të freskët në kokë. Të krijosh familje do të thotë detyrë, përgjegjësi dhe vendosmëri, veçanërisht për të parin e saj, kryefamiljarin. Ndërsa kur arrin në moshën e tretë, gjithsecili bën bilancin e së shkuarës, se çfarë ka realizuar dhe çfarë nuk ka arritur të realizojë. Ose vlerëson se çfarë ka bërë mirë dhe çfarë ka bërë keq. Duke analizuar të shkuarën, e sotmja i shërben si tregues i arritjeve dhe mosarritjeve të së djeshmes. Gjithashtu së fundmi ai del me një vetëpërfundim, se jeta ka qenë një shkollë për të. Veçse, kurrë nuk duhet të harrojë se në rrugëne gjatë që e ka emrin “jetë”, duhet të ngelet njeri në kuptimin e vërtetë të  fjalës.      



Cilido që ka një emër të dëgjuar në çdo fushë të jetës qoftë, si në politikë, diplomaci, shkencë, ekonomi, arsim, kulturë, mjekësi, art, letërsi apo në sport, nuk di pse i duhet vënë nofka “Njeri i Madh”? Ky epitet nuk duhet përdorur për çdo njeri të suksesshëm. Pasi e mira, kurrë nuk ka fund. Duhet të kemi parasysh të mos zmadhojmë, kur, për njerëzit e vlerave mund të përdorim shkallën e kulturës që, përcaktohet nga arsimimi, intelekti, profesionalizmi. Vetëm atëherë mund të flasim pa droje për individualitetin dhe personalitetin e kujtdo.      “Të Vogël” ose “Të Madh”, asnjërin nuk e bën fama, por bëmat dhe karakteri i tij. Kur je njeri i punës, i fjalës, i besës, që nderon dhe respekton cilindo qoftë ai, (i veshur me lavdi e me trimëri, me pushtet apo një njeri i thjeshtë, punëtor i rëndomtë i padëgjuar fare), vetëm atëherë meriton të quhesh “Njeri”. Ka plot emra të famshëm dhe nuk ndihen, nuk vetlavdërohen, por vazhdojnë rrugën e nisur me kokën lart. Për ata do të flasë koha dhe njerëzit që i vlerësojnë. Por ka dhe nga ata që u duket, se kanë kapur qiellin me dorë dhe fluturojnë në stratosferë, me mendimin se bota ua ka borxh nderimin dhe vlerësimin. Një i tillë që mban qëndrim fodull dhe e quan veten të paarritshëm, i cili shprehet , Jam unë... dhe nuk ekziston asnjë tjetër!”, ai nuk është asgjë, veç një flluskë sapuni. Edhe ai “famozi” me pupla që, kur të kthejë patkonjtë nga dielli, bashkë me fizikun e tij do të zhduket edhe fama me gjithë emrin. Për të do thonë:Iu grymtë (iu kalbtë) shpirti!” Njerëzit e tudhëhequr nga “Uni” që u dhimbset vetëm vetja, janë egocentristë, u duket sikur bota rrotullohet rreth tyre dhe harrojnë se rethohen nga njerëz të tjerë vlerash. Harresa pa paramendim, megjithëse është mëkat, do ta quaj se është me mjaltë. Por kur për shkak të indiferentizmit, smirës, urrejtjes dhe mllefit arrin deri sa t’i shndërrojë delirantët, egoistët në njerëz me shikim të lëbyrtë, atëherë “harresa” shndërrohet në faj, madje në krim. Në raste të tilla nuk quhet më harresë, por mohim, i cili nuk është në gjendje të analizojë e të njohë as ndjesën dhe as pendimin.

       Janë pikërisht këto dukuri që diferencojnë karakteret njerëzore.nga njëri -tjetri. Ky është edhe qëllimi i librit tim,për jetën dhe veprën e Kadri Tarellit.

      Nëse do t’i hedhim një sy strukturës së librit, e cila shtrihet në katër Kapituj, çdo lexues do të dalë në përfundimin  tim, lidhur me personazhin kryesor që është dhe boshti i librit, karakteri dhe formimi intelektuial dhe individual i  z. Kadri Tarelli.

Pasqyra e lëndësPërkushtim, jetës dhe veprës së njeriut të vlerave, Kadri Tarelli

 Prolog:  Hyrje në rrugën letrare të shkrimtarit Kadri Tarelli:K. INjohuri rreth veprimtarisë letrare dhe studimore të Kadri Tarellit.

Pasqyra e-Lëndës

Si e njoh unë Kadri Tarellin?

Letërsia hodhi ura miqësie mes çiftit  Haxhiraj dhe autorëve durrësak.

Intervistë me shkimtarin Kadri Tarelli

 

K. IIAnaliza dhe kritika letrare, nga Kadri Tarelli për krijimtarinë e Vivrës.. Vilhelme Vranari në librin “Çmimi i Dualizmit”;

. Sofra poetike në familien Haxhiraj

. Veprimtari në Vlorë- Vivra anëtare AShAShA

. Vilhelme Vrana Haxhiraj vjen në Durrës, me “Elitat e Mohura”;. Vivra “Ikonë e Letërsisë Botërore”;. Çfarë përfaqëson NAAC dhe ç’synime ka?

. Një festë e vaçantë dhe e papritur ;. Kuvend përurimi mbi dy libra të Vivrës;. Kanina flet me gjuhën e heshtjes”;. Analizë, “Kurth, mashtrim dhe vetmashtrim”;. Shkrimtarja Vranari si Herta Muler, (Liria në optikën e.... Atdhetarizmi në penën e V. V.Haxhiraj “Genti, mbreti ilir i Ardianëve";. Një studim shkencor me vlera kombëtare;. Vetëm forca e grave mund të bëjë bashkim kombëtar;. V. Vranari-Haxhiraj, nderohet me “Nder i Kombit në Bukuresht”;. Në Durrës përurohet libri “Genti, mbreti ilir i Ardianëve”;

K. IIITarelli: Analiza dhe vlerësim për shkrimtarë të tjerë

. 27 Nobelistë botëror, flasin shqip. Tregtarët durrsakë, t’i çojmë në Amerikë.. Isuf Veseli “Poezi”, nga Kadri Tarelli;. Bajram Sali Gashi këmbeu penën me pushkë për liri. . Shpend Topollaj fton miqtë në kuend, “Flisni Miq”. Çamëria, krah i shqyer i kombit shqiptar” , . Durrësi me dy veprimtari letrare-artistike. Mark Zadeja.. Në lëndinat e letërsisë për fëmijë.. Bashkim Kadiu “Vlerë e qytetit tim”. Kuvendi poetik “Muza Poetike Budiane”. Bashkim Kadiu përuron 'Panteonin e Vlerave'. "Misionar i dijes dhe edukimit"

Pjesa e dytë e libritK. IVAnaliza dhe vlerësime të autorëve të tjerë, për krijimtarinë e Kadri Tarellit.. Kur lexoj një libër” Murat Gecaj;. Kadri Tarelli fiton çmim nd/kombëtar në Itali. Vivra;

. Mirënjohje e autorit Tarelli, për konkursin poetik në Itali. Vivra. 

. Intervistë. - Prof. dr. Murat Gecaj.. “Hytbi Tarelli, mjeshtër i penelit dhe daltës”. - Gëzim Kabashi;

. Një Misionar për misionarët. - Agim Bajrami.. Asnjëherë nuk është vonë të shkruash poezi. - Shpend Topollaj

. Recensa: “Koha në vargje”. - Merita Kuçi-Thartori

. Kadri Tarelli, poeti i Durrësit;. Kosova në penën e shkrimtarit Kadri Tarelli; Bajram Halil Gashi.. Kadri Tarelli mes arsimit, gazetarisë dhe letërsisë; Ibrahim Hajdarmataj.. Vjeshta në vargje”. - Bashkim Saliasi;. Kadri Tarelli, një kritik zëbukur, i veçantë i letrave shqipe” V. Kona;. “Miku im i mirë”. Bashkim Saliasi;

. Mirënjohje të përzemërta, Prof. Dr. F. Terziut dhe analistit K.Tarelli:  -Vivra                               

Ju uroj lexim të këndshëm, gjatë të të cilit do shuani kureshtjen tuaj!

 Vilhelme Vrana Haxhiraj...


I nderuar Lexues!

      Librin me titull, “Në botën letrare të Kadri Tarellit”, ia kushtoj njeriut “Njeri”, historianit, publicistit, qytetarit të mirë, krijuesit letrar të palodhur, mikut të të gjithëve, të kudogjendurit Kadri Tarelli!

      Të kesh mik një njeri të tillë, i cili udhëhiqet nga thjeshtësia, mirësia, toleranca, mirëkuptimi dhe shoqëria e sinqertë pa interesa,veç kënaqësisë është vlerë, virtyt, pasuri morale dhe shpirtërore. Në këto kohë të vështira, ku shoqëria dhe miqësia krijohet vetëm për interes, vlerësohet thënia:“Më mirë një mik të mirë dhe të besës, se sa një çiflig”!

      Të nderuar miq! Në librin e botuar në ditët e para të prillit, me titull,“Në botën letrare të Kadri Tarellit”,vihet re se përballë krijuesit letrar, qëndron lexuesi, kritiku, analisti apo kolegu si vlerësues i paanshëm i realitetit. Gjithashtu z. Tarelli  si krijues letrar, studimor apo si analist, si dhe të tjerët për atë, secili më vehte ka ngritur në piedestal mësuesin veteran, sudiuesin, publicistin e shquar, poetin lirik të mendimit të lirë, të bukur e domethënës, shprehur përmes fjalës së lirë.

      Kadriu dikur është shprehur:“duke ndenjur me ju poetët, ngutem të jem dhe unë poet!”.

      Ishte vonë, pasi koha e ngrysur kishte pllakosur kombin që e do lirinë dhe begatinë e tij baraz me jetën. Sapo lindi drita e shpresës, Kadri Tarelli ashtu si papritur, trokiti në sofrën e poetit, të shkrimtarit apo studiuesit për të thënë fjalën e tij të munguar. Ai erdhi u ul në sofrën bujare të letërsisë, si kënga e bilbilit, që të zgjon nga gjumi e të josh me ëmbëlsinë e zërit të tij të bukur. Bilbili nuk njeh kohë, ndaj vjen si lajmëtari i stinës së bukur, pranverës që e vazhdon këngën e tij, edhe në verë dhe në vjeshtën e ngjyrave..., duke iu mënjanuar përgjumjes së dimrit, për t’u ftilluar përsëri...sapo çelin lulet dhe natyra gjelbëron.

      Natyra me gjithçka është e përjetshme, por kohën të mirë apo të keqe, të admirueshme apo të mërzitshme, e bëjnë njerëzit, të cilët janë ndërtuesit e jetës, por dhe shkatërrimtarë të vetvetes. Janë pikërisht po Ata që, me mendjen, intelektin, talentin, horizontin dhe palodhshmërinë e tyre, kërkojnë ta sfidojnë kohën e mbrapshtë, duke e shndërruar në të dobishhme dhe të këndshme. I tillë është dhe personazhi i nderuar, të cilit i kushtohet libri me titull “Në botën letrare të Kadri Tarellit”. Për individualitete intelektuale si z. Tarelli, s’ ka rëndësi mosha, as koha kur nisi të shkruajë.

     



 I nderuar miku ynë, Kadri! Kurrë nuk është vonë për të thënë dhe bërë gjënë e duhur. Si mësues me përvojë 40 vjeçare, si publicist i hershëm i gazetës “ Mësuesi”, aktivist i shquar, i kudogjendur, me shpirt të madh fisnik e artistik, i mbrujtur nga historia dhe bukuria e vendit të tij, nga pasuritë e mëdha, mbitokë e nëntokë, por mjerisht i zhytur në skamje e varfëri. Në kushte të tilla të rrjedhave të kohës së egër,  z.Tarelli gjeti veten në studime historike,në njerëzit e vlerave të Durrësit e më gjerë. Në këtë mënyrë zbuloi talentin letrar të fjetur në labirintet e errëta të shpirtit dhe përmes poezisë, i këndoi atdheut, stinëve, njeriut si vlera më e madhe për jetën. Mbi të gjitha z.Tarelli i ka kënduar dashurisë. Ky personalitet dhe individualitet i heshtur pa bujë përmes krijimtarisë letrare dhe me vlera edukuese për të sotmen dhe të nesërrmen janë librat që ai po u dhuron brezave. 

       Ndaj them me bindje, nga përvoja e shumë njerëzve të ditur, duke filluar nga Servantesi, i cili filloi të shkruaj në moshën 61 vjeçare dhe ka lënë në altarin e artë ose në Panteonin e Letërsisë Botërore një kryevepër që vlen si simbol për çdo kohë dhe sistem politiko-shoqëror. Romani i tij, “Don Kishoti i Mançës”, është aktual edhe sot dhe do të ngelet një vepër e dimensioneve sipërore të aktualitetit që nuk njeh kohë.

       Ishte koha, me të gjitha cilësitë e saj, e cila e shkundi dhe e zgjoi Kadriun nga gjumi letargjik. Ai erdhi si me porosi, si misionar i dijes për të treguar të pathënat e jetës, të lëna në harresë nga frika e gjëmave të kohës.

       Si mësues veteran i Historisë, duke ecur me mendje nëpër vragat e kohës së egër që nga lashtësia, përmes gjuhës letrare, sociologjike, filozofike, solli nga kasaforta e kujtesës fakte dhe bëma historike të së shkuarës së kombit më të lashtë pellazg-ilir-arbër. Kapur për dore çaploi përjetimin e të sotmes dhe hapi siparin e të nesërmes dilemë. Ai me veprat e tij letrare, mundi të sjellë realitetin e përjetuar dhe shpresën për kohë më të mira. “Kultura e gjerë e tij dhe përvoja, e ndihmuan që, me guxim të sjellë njohje të vjetra, se vetëm kështu simbolika e të shkruarit e kthen në “mbret” të vargut dhe të mendimit.” -shprehet poetja durrsake, Merita Kuçi Thartori.

       Kadriu, poeti i fjalës së bukur, publicisti dhe analisti i mendimit të thellë, nuk harron të përmend penat që ka nxjerrë kombi ynë, pa harruar trojet etnike shqiptare. Ai i ka bërë të tijat, vargjet e Rabindranat Tagorës,“Jeta është me shumë fytyra, ka lot, po ka dhe gaz.” – kështu e krahason miku i tij,  Shpend Topollaj. Kadriu nuk ishte vetëm mësues, pasi tek ai gëlonin mendimet poetike, publicistike, por njihet dhe si aktivist i shquar i ngjarjeve të mëdha kombëtare, madje edhe në trojet etnike shqiptare.

      Në maj 1998-me rastin e formimit të Fondacionit Sulejman Vokshi”, ku ishte dhe anëtar i tij, në sheshin kryesor Durrës, në mitingun madhështor “Një komb, një qëndrim”, Kadriu çeli mitingun me fjalët magjike,; “Për kombin, asnjëherë nuk është vonë, dhe gjithçka nuk është e tepërt”.

       ”Z. Tarelli është një kritik zëbukur dhe aktivist  i veçantë, që duhet përshëndetur”, citon, znj.Fatmira Beqja. 

        Tarelli, dallon në elegancën dhe bukurinë muzikore, të vargu tpoetik apo në prozë, thurur nga ai, tek i cili, kanë lënë plagë apo ndjesi të forta, të cilat u shndërruan në një trashëgimi kulturore me mesazhe për kombin, për gjuhën, për trojet etnike.Për krijimtarinë e tij të pasur është vlerësuar me shumë çmime. Unë po veçoj disa prej tyre...

 Kadri Tqrelli i vlerësuar si më poshtë:

*Dekorohet me Medaljen “Naim Frashëri”, nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë.Tiranë.1990.

*“Mirënjohje”, nga Qendra K Shqiptare Migjeni -Suedi-2011

*Çertifikatë falenderimi”, nga Sh.“Papa Klementi XI. Albani”, Suedi. 2018.

* Çmim special”, për poezinë “Kënga e Bilbilit- konkurs letrar -Tropojë,2018

* Përfshihet në “Antologjia e 60 Poetëve shqiptarë,suedezë  etje..

* Çertifikata“Noble Star for literature”(Yll fisnik në literaturë), nga Akademia Kombëtare e Artit dhe Kulturës në Indi, 2019.

* “Ambasador for Peace”. Ambasador për Paqe,nga “Federata Universal Peace”-2020

* Anëtar nderi i Shoq.së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI. Albani”. Suedi.

* Vlerësohet me çmim nd/kombëtar në Itali më 2017

* Poezia fituese, “E pabesë është dashuria” është përfshirë në Antologjinë Botërore-2017

   Suksese, jetë të gjatë dhe krijimtari të bukur, Z.Kadri!!

Ju faleminderit që më dhatë mundësinë të njoh portretin tuaj individual, intelektual dhe letrar!

     Për lexuesin unë përzgjodha poezinë e autorit Tarelli, me titull “Nuk bëhesh i Madh”, të cilën e vendosa në palosjen e kopertinës...

 Nuk bëhesh i “madh”!

 Poezi nga Kadri Tarelli

Durrës, botuar më, 25.07.2017

Bisedë me më të rinjtë...

Nuk të bën shqiponjë, mali ku je ngjitur,

as gjel kokosh, plehu ku ke hipur!

Nuk të bën të zgjuar, karrige bythës qepur,

as bukurosh, kostumi i shtrenjtë gjetur.

Edhe trim s’të bën, shpata brezit ngjeshur,

as dhëndër s’të nisin, rrobat që ke veshur.

Nuk të ve në qoshe, qeleshja mbi kry,

as krushk nuk të çon, ballukja mbi sy.

S’të bën filozof, mjekra gjoksit zgjatur,

As të ditur syzet, përmbi hundë mbajtur.

Shitësi në dyqan, s’i shton mallit vlerë,

mendjemadh me huqe, kush ka për të blerë?

Mos u mburr më kot, nga lartësi e shtatit,

punëtor nuk të bën, bishti i gjatë i shatit.

 As të madh të mban, emri mbetur fisi,

vetë kërko diellin, mos pre trungje lisi.

Veset s’të çojnë lart. Po munde ti prishi!

Keq, kur të tundon, mishi, goja, binishi.

Me hije mëngjesi, veten pse e mat?

Mos u qaj më kot, s’të ka kush inat.

Hip në shpinë të bletës, të shijosh nektarin,

veç me punën tënde, ti e ndez pishtarin.

Po e ndoqe mizën, vajte në bisht të kalit,

pa vlera, mund dhe dije, kot i qepesh malit.

Të moçmit na thonë:” shëndet, dije, punë!”

Ti mos lakmo hijen, se të mban në gjumë.

veprat lenë gjurmë, bëjnë historinë,

ato flasin vetë, gdhendin madhështinë!

Kadri Tarelli

Durrës,  më 19, të korrikut, 2017.

 ***

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

25 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page