NGA KRISTO ZHARKALLIU
Dikur,shumë vite më parë kur shkruesi i këtyre radhëve ishte akoma mjaft i ri-dhe besonte se do të mbetej ngahera i ri- një i njohuri im i cili duhej të kishte kaluar të shtatëdhjetat-aso kohë 70 vjeç konsideroheshin shumë, i cili banonte në një fshat të Janinës u zgjua një mëngjes dhe nuk dinte ç’të bënte! Ishte mësuar kaq vite të shkonte në kafene dhe të pinte ndonjë gotë ose dhe duhan bashkë me moshatarët e tij, duke biseduar për gjëra të ndryshme, në përgjithësi për të kaluarën dhe për politikë. Mirpo atë ditë u kujtua se nuk kishte më askënd për të biseduar ose për të ndarë mendime e historira të ndryshme sepse në kafene nuk shkonin më bashkëmosharët e tij por të rinj që nuk i jipnin rëndësi sepse nuk kishin asgjë të përbashkët me të. Ish shokët dhe miqt e tij të një moshë me të kishin ikur të gjithë-kishin vdekur. Atëhere ai thirri sa e dëgjuan dhe fqinjët: ‘’Shumë rrojta bre! Nuk ka mbarim kjo jetë për mua dhe kam mbetur vetëm në këtë botë dhe në fshat...Jam plaku më i madh këtu dhe askush nuk më jep rëndësi!!!’’
Nuk ka rëndësi më tutje historia. Fakt është se ‘’plaku’’ i lartpërmëndur jetoi mjaft vite akoma ndonse në një vetmi të padurueshme. Sot gjërat kanë ndryshuar dhe njerëzit-të moshuarit- nuk kanë vetëm kafenenë që të kalojnë kohën por kaq gjëra të tjera: Televizionin, celularin, internetin me të cilin mund të mbash një dritare të hapur për të gjithë botën dhe patjetër mundësitëe mëdha të celularit-internet-me të cilin mund të komunikosh me një botë të tërë. P.sh. unë komunikoj çdo ditë me botën e jashme, shikoj fytyra çmallem dhe bëj qyfyre. Këto janë mundësi të mëdha që na jep teknologjia e mrekullueshme të viteve të fundit gjë që akoma nuk e kemi të qartë. Dikur kisha një radio dhe prisja çdo mbrëmje që të dëgjoja lajmet-aso kohe dëgjoja shumë Radio Tiranën dhe Dojçe Vele- sidomos në kohën e jundës fashiste kur akoma televizioni nuk ishte bërë masiv për çdo familje. Por edhe radion duhej ta dëgjoje me kujdes se mos të mirte vesh asfalia fashiste të asaj kohe dhe gjeje belanë dhe degdisej në ndonjë ishull internimi. Sigurisht këto gjëra janë të pakuptimta për të rinjtë dhe për njerëzit e sotëm, por nuk bëjmë keq ne që i kemi përjetuar t’i kujtojmë aty këtu nëpër shkrimet tona...se bota nuk është përmirësuar kaq shumë sa të quhet e përsosur as tani me këtë tekologji që disponojmë.. Ndonse besoj se akoma nuk janë shumë ata që shfrytëzojnë mundësitë e teknologjisë elektronike që kemi. Fatmirisht (???) unë jam nga të parët që hyra në labirinthin e elektronikës- i pari që kisha celular, i pari që mora laptop e internet madje, madje...isha nga të parët në lagje që kishte makinë shkrimi që në vitet gjashtëdhjetë. Po,po, sinqerisht! Sapo shkoi në Kanada një miku im- Kamber Merdini- gjënë e parë që bleu ishte makinën e shkrimit KOMODORE dhe ma dërgoi. Ishte viti 1963!!!
Mjerisht nuk e kam këtë makinë shkrimi me të cilën kam shshkruar me mijra e dhjetra mijra faqe të krijimeve të mia të herëshme. Sidoqoftë ngushëllohem se makina e shkrimit ndodhet në duar të sigurta- e ka marrë një gazetar, emigrant në Athinë dhe e çoi në Tiranë. Besoj ta ketë akoma ndonse patjetër ka dalë jashtë përdorimit..Kush ka makinë shkrimi sot? Askush! Tani shkrimet bëhen me kompjuter dhe ...postohen me E mail,...nëpërmjet internetit. Madje,sado e çuditëshme që të duket, edhe posta e dikurëshme nuk ka si të funksiuonojë si dikur ! Kush shkruan letra sot? Kush poston letra? Dikur prisja me padurim postierin të më sillte ndonjë letër-sidomos nga Atdheu- tani nuk njoh më asnjë postier madje nuk marr asnjë letër...tradicionale si dikur!!! Me fjalë të tjera jeta ka ndryshuar krejt-flasim dhe shihemi në Viber ose në Skype- flasim sa duam nga ana e anës së botës pa paguar asnjë senc... Megjithatë,megjithatë...mjerisht bota nuk është bërë më e mirë, më njerëzore! Ngjarjet e fundit në Ukrainë, gjakderdhja e pakupimtë dhe lufta e ftohtë që po ringjallet na bën të mos jemi dhe kaq optimistë për të ardhmen dhe për bijtë tanë...Përse duhej të bëhej kjo luftë.. Mirë thamë se...Putini është i çmëndur, mëndjemadh që kujton se do të ringjallë perandorinë ruse, ose akoma dhe Bashkimin Sovjetik-po të tjerët si nuk e kuptuan më parë? Trimëri me një të marrë do të bënin? Sidoqoftë tragjedia UKRAINASE na ka dëshpëruar të gjithë dhe optimizmi se pas shëmbjes të diktaturës komuniste,çdo gjë do të shkonte mirë...na ka bërë të jemi mosbesues edhe ndaj demokracisë perëndimore...Madje dihet se të gjitha luftrat i kanë bërë...kapitalistët, dhe fashistët. Komunizmi nuk mundi të mbajë veten dhe u dorëzua...Si nuk e kemi kuptuar se ç’fitore ishte kjo?!!!
Ngjarje të përditëshme dhe takimi me të kaluarën time nëpërmjet disa emrave që pothuajse i kisha harruar. E vërteta është se epidemia që na ka mbyllur më shumë se dy vjet na bëri të distancohemi akoma dhe nga disa miq dhe shokë që na kishin mbetur madje gjatë kësaj periudhë nuk janë pak ata që na kanë lënë përgjithmonë...Si rrjedhojë vetmia duhej të thyhej e diçka tjetër dhe për mua shpëtimtar ishte dhe është interneti nga ku mësoj të rejat nga Atdheu dhe bota madje komunikoj dhe me ata pak miq që më kanë mbetur. Është fakt i padisktueshëm se shumëpak nga miqt e vjetër më kanë mbetur dhe më kujtojnë-numërohen në gishtat e një dore. Këtë zbrazësirë pra ma mbush artificialisht interneti-laptopi dhe celulari im-me këtë të fundit komunikoj me të afërmit e mi, aq sa më kujtojnë të paktën. Kësisoj çdo mëngjes hap kompjuterin dhe marr me radhë të gjitha portalet shqiptare (dhe të huaja) pastaj ndjek leximin e faqeve të para të gazetave të Tiranës.. Pikërisht në këto faqe herë pas herë më shfaqen ‘’miq’’ të vjetër.Kohët e fundit jam ndeshur me dy nga këta: Ardi Stefa dhe Albert Zholi me të cilët jam njohur vitet e para pas shëmbjes të diktaturës... Nuk e di në se jetojnë në Shqipëri ose kudo në botë-bota është zvogëluar së tepërmi vitet e fundit dhe një artikull mund ta shkruash në Tiranë,Nju Jork akoma dhe në Australi dhe të botohet brënda ditës në një nga gazetat ose portalet e Tiranës- por kjo s’ka më rëndësi. Rëndësi ka se të dy të njohurit e mi të vjetër- Ardi Stefi dhe Albert Zholi janë aktivizuar kohët e fundit në botimet shqiptare. Me të parin, Ardi Stefën nuk pata marrëdhënie të ngushta miqësor- ai qëndronte pak i mënjanuar, paraqitej si pjesmarrës i lëvizjes studentore të dhjetorit në Tiranë...E takoja zakonisht në gazetën e Robert Goro ‘’Tribuna’’ dhe ndërronim disa fjalë ‘’miqësore’’ – ishte koha kur të gjithë emigrantët shqiptarë donin ‘’miqësinë’’ time. Me sa më kujtohet ai dukej pak fodull dhe nuk kishte më mendim të mirë për ‘’udhëheqësit’’ e dhjetorit që ishin në pushtet dhe fakti se ishte larguar nga Shqipëria e përforconte këtë. Sidoqoftë dikur ai-si shumë të tjerë- u zhduk nga Athina dhe ma merr mëndja se edhe ai si të gjithë të tjerët kishte kapërcyer Atllantikun...Që atëhere nuk dëgjova gjë për të derisa kohët e fundit u shfaq në shtypin shqiptar..duke ilustruar shkrimet e tij me fotografitë e atëherëshme-të rinisë...Nuk është i vetmi që përdor fotografitë rinore edhe në pleqëri të thellë.. Dhe pse jo? Sa më i ri të dukesh aq më mirë!!!
Me Albert Zholin ndryshon puna. Ai u paraqit si gazetari i parë i emigracionit-qarkullonte me një çantë në supe, mirte intervista dhe shkruante. Ishte shumë aktiv- që në fillim përpiqej të nxirte një gazetë shqiptare në Athinë- gjë që i arriti nga të parët në Greqi ku kishin vërshuar me qindra mijra shqiptarë të leckosur e të uritur. Më kërkoi dhe u takuam diku në Omonjë madje më mori dhe një intervistë-atëhere interesoheshin emigrantët të mësonin jetën e një ish të arratisurit në kohën e Enverit! Mund të them se u bëmë miq dhe komunikonim pothuajse përditë nëpërmjet telefonit ndërsa Zholi më inkurajonte të shkruaja diçka për gazetën e tij-Emigranti. Nëpërmjet tij u njoha me shumë intelektualë shqiptarë-kryesisht me gazetarë dhe shkrimtarë të porsa ardhur nga Shqipëria.. Ai më njohu me shkrimtarin e mirënjohur Mihallaq Qillerin (me të cilin pata një bashkëpunim të shkurtër në një gazetë) madje më siguroi dhe një takim me historianin Kristo Frashërin...me Alfred Uçin e shumë të tjerë. Madje kur Dritëro Agolli erdhi në Athinë bashkë me Moikom Zeqon, ai i priti si nismëtar për një takim me emigrantët dhe dashamirësit grekë. Për habi të tij Dritëroi kërkoi të mësonte për mua dhe se donte të më takonte ...Alberti më telefonoi menjëherë dhe unë zbrita në Omonjë ku për herë të parë takohesha me Dritëroë e madh dhe me të mrekullueshmin Moikom Zeqo. Atë mbrëmje, me nxitjen e disa emigrantëve unë kreva detyrën e përkthyesit në mbledhjen e mbrëmjes. Kjo miqësi do të vazhdohej deri në vdekjen e Dritëroit...sa herë shkonim në Tiranë shkonim për vizitë në shtëpi, bashkë me Moikomin i cili aso kohe ishte Drejtor i Muzeut Kombëtar.. Por fjalën e kishim për Alber Zholin të cilin e kisha humbur kaq vite- madje kur u largua nga Athina asqë mori mundimin të më lajmërojë që të pinim kafenë e fundit në Athinë.. Sidoqoftë ai ishte njeri tepër aktiv, madje ai paraqiti dhe ‘’shkollën’’ e parë shqipe në Athinë si dhe çdo aktivitet tjetër. Gëzohem pra që aktivizohet përsëri ashtu si gëzohem kur shikoj fotografinë e tij djaloshare në faqet e gazetave. Në realitet ai është shumë më i ri se unë dhe ka akoma shumë gjëra t’i japë Shqipërisë dhe kombit arbëror..
Dhe tani jemi në vetmi të plotë! Mbyllja (ose karadina) afro tre vjeçare na ka izoluar nga bota dhe në moshën tonë tre vjet izolim janë shumë-shumë të rëndë. Bëj shëtitje në lagjen time, në të njëjta rrugë përditë dhe dëshpërohem kur në ato rrugë të njohura të një jetë të tërë nuk ka mbetur asnjë i njohur, asnjë mik..Të gjithë kanë ‘’ikur’’ madje disa që kishin mbetur ‘’ikën’’ gjatë këtyre tre viteve. Që të jem i sinqertë po e them se më ka mbetur akoma një mik i vjetër..Fjala është për gazetarin dhe shkrimtarin e mirënjohurAbdurahim Ashikun i cili herëpasherë më kujton me ndonjë mesazh (e-mail) më dërgon ndonjë shkrim të tij të vjetër por mjerisht akoma nuk kemi guxuar të thyejmë rregullat dhe të takohemi meqënëse akoma nuk qarkullojmë pa frikë. Edhe unë e e bezdis shpesh me shkrime të mia dhe ja...postoj dhe ai...i lexon si lexoj dhe unë të tijat. Madje duke lexuar shkrimet dhe mesazhet e tij po bëhem dhe unë...dibran dhe më...pëlqen. Le të shpresojmë se kohas e VETNISË së madhe do të mbarojë brënda këtij viti dhe të mundim të qarkullojmë lirisht pa epidemi dhe pa...luftë antinjerëzore që po përjetojmë gjatë këtyre muajve. SHPRESË!!!
KRISTO ZHARKALLI, Athinë 23 maj 2022.
Comments