top of page

VATRAT TONA


79 VITE TË DËBUAR NGA


VATRAT TONA


(22 allonar 1944-22 korrik 2023)


Kishte muaj të përflitej për një gjëmë të madhe që do të nisej në të gjitha qendrat e banimit të rajonit më të vjetër në histori. Rajoni i quajtur Thesproti. Deri tani nuk kemi datë fikse për banorët e saj, as për ardhjen e ndonjë popullsie nga emigrimet e lashtësisë prej kushteve jo të zakonshme të natyrës. Historia flet për një Pheidon, të parin e thesprotëve që paska ardhur bashkë me pellazgun dhe kjo kohë vërtitet rreth shekujve të V-IV para erës sonë.


Në zbulim të historisë më lindi pyetja: "Pse thuhet se në shekujt V-IV para Krishtit, lidhen emrat e shumë qendrave të banimit"?.


Për këtë, si më të përshtarshëm gjeta këtë konkluzion: "Fiset që populluan Evropën e kanë origjinën të gjitha nga populli iliro-thrako-trojan që ishte i së njëjtës kombësie, fakt që vihet në dukje si nga autorët e Antikitetit dhe nga ata të Mesjetës së hershme dhe të mesme. Këto fise populluan Evropën në disa valë, të cilat kishin filluar që para Luftës së Trojës, vazhduan pas Luftës së Trojës dhe vala më e madhe ishte ajo që filloi nga shekujt IV p.l.k. deri në shekujt V-VI-VII të erës sonë. Kombet gjermane, angleze e skandinave janë të një race me ilirët, pra, me albanët, shqiptarët e sotëm".


Krahas këtij fakti demografik, vëmëndja tërhiqet edhe tek emri i rajonit që quhet "Thesproti" dhe vjen nga lashtësia. Nisur nga shumë autorë të huaj dhe pak shqiptarë, që deklarojnë se gjuha shqipe është më e vjetra dhe prej saj arrihet të kuptohen shkrimet e vjetra, më lë të kuptoj se emëri Thesproti, është emërtim shqip. Thes-proti = proto-thes = ose në shqipen e sotme, pa asnjë dilemë zbërthehet në "thes i parë", që do të thotë se në atë rajon prodhohen më të parat e produkteve bujqësore e blegtorale.


Në shkrimet e profesor Selman Shemes, fliet shumë për klimën e veçantë; florën; faunën; për shtresat nëntokësore të këtij rajoni. Janë kushtet klimatike, që lejojnë parësinë e prodhimeve në Thesproti/Çamëri. Bollëkun dhe shumëllojshmërinë e të mirave materiale, e arriti edhe brezi im, të lindur në Çamëri, pak para masakrave ortodokse greke, ku bagëtitë pjellin dy herë në vit. Mbas korrjes së grurit, në tokat hamullore, mbillej misri dhe shoqërohej me fasule, pjepra apo filmikenj (shalqinë) etj. Rajoni i përshtatet mjaft mirë pemtarisë, ullishteve, vreshtave, agrumeve. Të kuptohemi, këto që ju përmend nuk janë dëshirat e mia për vendlindjen time, sepse ato janë të prekshme dhe gjinden edhe sot. Kush dëshiron le të shkojë dhe ti vërtetojë. Blegtoria, një tjetër fushë bollëku e rajonit. Pa folur gjatë po sjell në dijeninë tuaj shkrimin e profesor Resmi Osmanit i cili përmend demat e Mursisë që ishin në pronësi të Pirros së Epirit.


Rajoni i Thesproti/Çamërisë, ka mbartur gjuhën e vjetër shqipe, të cilën e flasin edhe sot e kësaj dite banorët autoktonë, çamët, që është gjuha pellazge e konservuar. Gjuhë të cilën Naim Frashëri e ka quajtur "Gluhë e Perëndive". Me këtë gluhë spjegohen emrat e Perëndive me vendlindjen në Çamëri, bashkë me Dodonën, faltoren e Zeusit".


Vlerat e shumëllojta të rajonit, i duheshin shtetit fantazmë, i krijuar artificialisht nga të "Mëdhenjtë" e kohëve. Shteti grek glorifikohet me trashëgimitë më me vlera të së shkuarës, 9ajo do ishte e pa plotë nëse nuk do të përfshinte edhe trashëgimitë e kulturës së lashtë pellazgjike, mitet dhe legjendat e Thesprotisë. Prandaj u morën vendimet e turpshme të europianeve në vitet 1912-1913, ndaj Çamërisë dhe popullsisë së saj që trashëgonte qartësisht vlerat e trashëgimisë pellazgjike. Ishin ato vendime ku Çamëria, e pastërt në etni dhe shtrirje gjeografike të mirëpërcaktuar, ra në kthetrat e "Megalloidesë". Filluan raprezaljet ndaj banorëve, u përdorën hap pas hapi taktikat anti shqiptare. U ndërthurrën fushata mashtrimesh, shpifjesh, kamuflime nga më bajatet. E thamë edhe para pak ditësh thënien e Volterit se, është vështirë të njihet e vërteta kur tek të mëdhenjtë mbretëron e gabuara. Shqiptarët e Çamërisë u bënë pre e vrasësve të organizuar. Pa ju futur ngjarjeve të shumta historike, mjaft ç'njerëzore të përdorura për 33 vjet radhazi ndaj çamëve, erdhi viti 1923 dhe vitet 1944-1945 ku kuçedra ortodokse bizantine u lëshua me egërsi ndaj banorëve të pambrojtur, me gjakderdhje masive, vrasje pa dallim moshe dhe gjinie. Nisi nga Paramëthija, pastaj në Pargë, Margëllëç, Gumenicë derisa arriti në thertoren e Filatit. Era e gjakut dhe masakrave të nisura në Paramëthi, u ndje nga e gjithë popullsia e Çamërisë së sipërme, banorët e Çamërisë së poshtëme ishin vrarë, masakruar dhe dëbuar në vitet 1923-24-25. U përhap ndjenja e pasigurisë. Meri, frika arritën në fshatrat e Gumenicës, edhe në fshatin tim. U mblodhën pleqësitë e fshatrave Rrëzanj, Dramës, Dolan, Dhërmicë, Varfanj, Bedelen dhe në fshehtësi të madhe vendosën marrjen e masave për ti shpëtuar kasaphanës së ortodoksisë bizantine greke. Vendimi që u muar ishte më i dhimshmi, por më i arësyeshmi, lënia dhe braktisja e gjithçkaje, ikja prej vatrave, shtëpive, nisja drejt rrugëtimit me shumë të panjohura, me rreziqe, frikë, sëmundje uri. Erdhi dhe momenti i largimit nga vendi, data e caktuar nga pleqësitë. Ashtu ndodhi. 79 vite më parë, ne u dëbuam nga shtëpitë tona. Ishte 22 Allonari (korriku) i vitit 1944, dita e xhuma (e premte) për të shtunë. Sot është 22 korrik 2023, po ditë e shtunë. 79 vite kohë mërguar vatrave tona! Në kapërcimin e pragut të vatrës, shtëpisë, ishim 9 (nëntë) veta në familjen e kryefamiljarit, Mulla Behos. Sot tetë prej tyre kanë ndërruar jetë në vite të ndryshme. Sot jetoj vetëm unë.


Brenda mundësive, e kam trajtuar historinë e vendlindjes time dhe të banorëve të saj, si mat'anë dhe në këtë anë të kufirit shqiptar.


Miq e dashamirës! Njihemi me disa thënie, me shumë domethënie, për të vërtetat e errësuara qëllimisht nga monarko-fashistët grekë dhe byroistët, tito-stalinistët shqiptarë.


I.- Në vitin 1914.


Sipas historianit të kohës së mesjetës, profesor Pëllumb Xhufit: "Eleuthérios Venizélos, ua prishi mendjen anglezëve me një premtim që u bëri në 1914-tën. Ai tha: “Ne do i japim Anglisë, Qipron dhe ishujt e tjerë të Mesdheut, do t’i vëmë në dispozicion të flotës angleze vetëm të na jepni Vorio-Epirin”. Këtë e thonë punimet shkencore të vetë anglezëve dhe jo të miat (P. Xhufi). Ata thonë që ka qenë ky premtim në tavolinë edhe pas L1B, në Konferencën e Paqes dhe pas L2B në ‘46-ën po në Konferencën e Paqes në Paris. Anglia i mbështeti pretendimet e Greqisë sepse në thelb ishte interesi politik, të kontrollonte Mesdheun. [Marrë nga DritareTv ./K.C/dritare.net].


Kjo marrëveshje ndikoi në lejimin e shtetit grek nga Anglia për të kryer masakrat dhe dëbimin masiv të banorëve autoktonë të Epirit, përfshi Çamërinë dhe jugun e Shqipërisë. Napoleon Zerva, me përkrahjen e Winston Churchillit, harruan të drejtat e popujve të vegjël dhe dogjën një popullsi, embrionin (bërthama) e pellazgjisë.


II.Para Luftës së dytë Botërore (1940). Kujtesë për çamët, Çamërinë dhe gjithë shqiptarët!.


Kapiteni i xhandarmërisë së Filatit, Stavridhis, duke kërcënuar haptazi shqiptarët myslimanë çamë, para L2B deklaronte se:


“Ju myslimanët e Çamërisë, prisni që të vijë këtu Italia dhe Shqipëria. Ju lajmëroj se ajo ditë nuk do të vijë kurrë, por edhe sikur të vijë ne grekërit jemi 7 milionë e gjysmë dhe nuk do të lemë asnjë çam të gjallë. Ne do t’ju therim të gjithëve”.


[Marrë nga AQSH, F.161, V.1940, D.1202, fl.16].


III. Mbas L 2 B dhe mbas masakrave, gjenocidit ortodoks grek ndaj çamëve.


Plot 63 vite mbas kasaphanës greke ndaj shqiptarëve.


Supozohej se koha do të kishte ndikuar në ndërgjegjësimin e ortodoksisë greke për të korigjuar egërsinë e kafshërisë së prindërve dhe gjyshërve të tyre. Përkundrazi në vitin 2008, dëgjohet zëri pa asnjë dridhje i Kryeministrit të Greqisë, Kostas Karamanlis, i cili, sipas Pëllumb Xhufit, ka thënë: "Turqia, Maqedonia dhe Shqipëria, ta bëjnë dhëmbin kaq nuk futen në BE, pa zbatuar agjendën tonë kombëtare".


Kuptohet qendrimi armiqësor, brenda idesë së zgjerimit të trojeve greke në hapësirat jugore të Shqipërisë. Thëniet e mësipërme, flasin qartë për qendrimin armiqësor të Greqisë, ato rrëzojnë çdo akuzë false të ngritur prej tyre ndaj shqiptarëve të Çamërisë.


Në mbyllje njihemi me letrën e kryekriminelit, përbindëshit, gjeneralit Napoleon Zrva, i cili me amanetin e tij, tregon arësyen e vërtetë të "psesë" së kryerjes së masakrave greke ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Në pragvdekjen e tij, në vitin 1953, i shkruan mikut të tij nga Popovi, Jani Danit: I dashur Jani. "Tani që po gjej kohën të të shkruaj me dorën time, vij të falënderoj, sepse kurrë nuk harrova luftërat tona të përbashkëta dhe të të them se duhet me besim dhe me fanatizëm, ashtu si në ato vite të vështira, të marrësh në duart e tua punën e sqarimit për bashkatdhetarët tanë. Duhet t’u rikujtojmë bashkatdhetarëve tanë se kush e çlirojë Çamërinë nga shqiptarët të cilët prej pesëqind vjetësh shkelnin në qafë helenizmin(1). Më tej vazhdon: “Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pas lashë rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha; ulërima fëmijësh, nuse dhe gra të zhveshura, që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë… burra të varur, shpuar me bajonetë, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtrat helenë". Kështu e ka përmbyllur Zerva realizimin e amanetit të ngarkuar nga kisha dhe shteti ortodoks grek. Pjesëmarrjen e djemve çamë kundër okupatorit, e ka dëshmuar edhe kronisti i Napoleon Zervës, Mihal Miridhaqi, në librin “Agones tis filisi-Ethiqi Antistasi EDES- EOEA 1941-44”, Athinë 1952, faqe 280. “Më 22 dhjetor 1943 filloi mësymja e madhe e forcave EAMELLAS me skuadrat Epiriote dhe batalionin çam shqiptar, sulmuan forcat gjermane në vijën Camanda, Babur, Vertop”. “ Po ky autor, denoncon qeverinë greke: “Forcat e divizionit X kishin urdhër nga qeveria greke të pastronin Çamërinë nga çamët. Operacionet e pastrimit vëzhgoheshin nga përfaqësuesit e Shtabit të Mesdheut pranë Zervës, me togerin skocez Graham”. (Miridhaqi, “Agones tis filisi- Ethiqi Antistasi EDESEOEA 1941-1944”, faqe 191). Një tjetër fakt, që përgënjeshtron akuzën greke ndaj çamëve dhe vërteton bashkëpunimin e N. Zervës me anglezët dhe gjermanët në dëm të çamëve duket qartë në shënimet e Miridhaqit, kronistit të Napoleon Zervës, i cili shkruan: “Gjermanët filluan t’u mbledhin armët çamëve, që Zerva t’i gjente të çarmatosur…". (Në ditarin e Rashid Dinos, thuhet se armët e çamëve, që u grumbulluan nga gjermanët, me urdhër direkt të Hitlerit, ju dhanë ushtarëve të Zervës). Të tilla fakte që tregojnë të vërtetën mbi atë që quhet "Çështja Çame", ka shumë, si nga pala e viktimës dhe nga pala e vrasësve. Edhe me këto pak fakte, sqarohet pafajsia e çamëve, bien poshtë akuzat pa bazë të kishës dhe shtetit Grek. E shoh të realizuar argumentimin e fallsitetit të akuzës greke se çamët ishin bashkëpunëtor me okupatorin. Akuza e ortodoksisë greke, është përgënjeshtruar edhe nga historianët, shkrimtarët, profesorët, studiuesit e ndershëm të atyre që kryen gjenocidin e turpshëm të shekullit të kaluar. E gjej përsëri me vend të përdor shprehjen e Volterit: "Është e vështirë të kesh të drejtë kur të mëdhenjtë e kanë gabim". . ●●● PS: Brez pas brezi, mos harroni Amanetin e prindërve tanë: "Asnjë pasardhës nuk lejohet të harrojë masakrat ç'njerëzore greke; brezin e familjarëve të kohës së kryerjes së gjenocidit ortodoks grek ndaj çamëve myslimanë. Rajoni i Thesproti/Çamërisë, nuk diskutohet, ai vetëm mbrohet.Mbrojtja e tij ndërkohëra, duhet realizuar në përshtatje me gjeopolitikën, bazuar tek cilësia e mendjes, taktikave, strategjisë; këto në bashkëveprim me sasinë numerike, teknikat e materialet e nevojshme. Shënim (1): Pretendimi se çliruan Çamërinë nga shqiptarët të cilët prej 500 vjetësh shkelnin në qafë helenizmin, është akuzë fetare e kishës greke. Që nga lashtësia antike, territori i Çamërisë nuk ka qenë asnjëherë tokë greke, as me banorë grekë. Akuza është një hakmarrje kishtare, që mposhti arësyen njerëzore, ndaj çamëve që nuk pranuan konvertimin e detyrueshëm në ortodoksë dhe të quheshin grekë!.


Nuk e lejuan shtrirjen e helenizmit në trojet etnike shqiptare.


Akuza është antishqiptare. Bazohet në strategjinë e "Megalloidesë" për zgjerimin e helenizimit në trojet e Shqipërisë. U ndal nga shqiptarët e Çamërisë, të cilët zgjodhën ruajtjen e etnisë së tyre pellazgjike në vend të ortodoksisë bizantine greke.


Është vërtetuar që etnikët shqiptarë i respektojnë të gjitha besimet fetare, por ata nuk janë as grekë, as serbë, as turqë, ata janë dhe mbeten shqiptarë. Ky qendrim i drejtë, ka irrituar gjithë shtetet fetare kundër nesh, mbasi zbulon falsitetin e tyre kombëtar.


Unë dhe të gjithë! Në përkujtim të atij brezi, të vazhdojmë homazhet, të vendosim kurora, sot për sot në Kllogjer-Konispol; nesër apo pasnesër në Paramëthi, Pargë, Margëllëç, Gumenicë, Filat, Prevezë dhe Artë. Fahri Dahri, më 22/07/2023.-

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page