Fatmir Terziu: KUR KJO 'SOFËR' FLET SHUMË

Më bëri përshtypje një fotografi. Jo se aty ishte një person publik, aq i dashur në Shqipëri dhe për shqiptarët, por sepse, diku në të, në një hapësirë të vogël të fotografisë, pashë një shënim edhe më të vogël. Dhe në atë pak rreshta, njerëzit e gjakut tim kishin lënë, thuajse me një lloj “sekreti”, një copëz të realitetit të tyre. Ndonjëherë fotografia nuk flet me fytyrat që mbledh në një kornizë. Flet me atë që ka mbetur pa u thënë. Më pas mësova nga vetë protagonistja se pas asaj fotografie fshihej një histori më e gjatë: “Te përshëndes xhaxhi Fatmir, uroj të jeni mirë familjarisht! Xhaxhi Defrim Methasani është një mik i mrekullueshëm i familjes sonë. Unë dhe vajza e tij e madhe, Luna, jemi mike shumë të mira prej kohësh. Të dyjave ne na është dashur të kalojmë në një kalvar të gjatë shëndetësor, por me lutjet në Zot, ashtu siç ai kalvar përfundoi për Lunën, urojmë të përfundojë edhe për mua. Në Shqipëri u ritakuam, pas një operacioni të madh që unë kalova këtu në Angli!”
Kaq mjafton. Një fotografi. Disa rreshta. Dy vajza. Dy familje. Dhe një histori që nuk ka nevojë të bëj zhurmë për t'u dëgjuar. Luna është vajza e Defrim Methasanit, ndërsa Enxhi është vajza e Defrim Alushit. I pari, gazetar sportiv, i dyti, sportist. Dy burra nga një botë ku fjala, sporti, puna dhe miqësia kanë ditur të krijojnë ura edhe përtej viteve e largësive. Por vajzat kanë gjetur një tjetër pikë bashkimi. Shëndetin. Një fjalë që zakonisht e themi me zë të ulët. Një fjalë që familjet e njohin ndryshe nga të tjerët. Ajo i kishte vënë të dyja përballë një kalvari të gjatë, por pikërisht aty ku jeta ngushtohet, miqësia mund të bëhet më e gjerë.
Luna e kishte kaluar atë udhë të vështirë. Enxhi ende e mbante lutjen si një dritë përpara vetes.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye ritakimi në Shqipëri nuk ishte thjesht një takim. Ishte një kthim, sepse ka takime që ndodhin në një kafene, në një rrugë, në një aeroport. Dhe ka të tjera që ndodhin në atë vendin e padukshëm ku familja, kujtesa dhe origjina ulen bashkë në një sofër.

Kjo është ajo që më bëri të ndalem te fotografia.
'Sofra' dibrane nuk është vetëm një tryezë e shtruar. Është një mënyrë për të qenë bashkë. Një mënyrë për ta njohur tjetrin edhe kur ai vjen nga një degë tjetër e së njëjtës pemë. Aty nuk numërohen vetëm pjatat. Numërohen kujtimet, emrat, miqësitë, krushqitë, historitë e largëta, kthimet nga emigracioni, fëmijët që janë rritur larg dhe ata që ende e mbajnë në gojë emrin e vendlindjes. Prandaj kjo sofër, në të vërtetë, është shumë më e madhe se fotografia.
Aty, natyrisht, nuk mund të mungonte as Fatmir Alushi, aq i dashur dhe bujar, me familjen e tij. As të tjerë që, njëri pas tjetrit, si degë të së njëjtës pemë, i japin sofrës kuptimin e saj të vërtetë, sepse një sofër bëhet e madhe jo nga numri i njerëzve që ulen rreth saj, por nga numri i historive që sjell secili. Dhe kjo sofër ka histori. Ka sportin e Defrimit. Ka gazetarinë, dhe talentin e oratorinë e Defrimit tjetër. Ka Lunën dhe Enxhin. Ka Anglinë dhe Shqipërinë. Ka një operacion, një kalvar shëndetësor, një lutje, një shpresë. Ka një ritakim pas një ndarjeje të gjatë. Ka familje që janë shpërndarë nëpër botë, por që ende dinë të gjejnë rrugën për te njëri-tjetri.
Mbi të gjitha, ka atë që nuk humbet lehtë: origjinën. Ndoshta kjo është arsyeja pse disa fotografi nuk duhen parë vetëm si fotografi. Duhet të lexohen, sepse në to, nganjëherë, një fytyrë të çon te një emër, një emër te një familje, një familje te një histori dhe historia, më në fund, te një sofër.
Dhe kur kjo sofër është dibrane, është po aq elbasanase, dhe ajo nuk mbyllet me ata që janë në fotografi. Ajo gjithmonë lë një vend bosh, për dikë që mungon, për dikë që do të vijë, për dikë që është larg. Dhe për dikë që, si unë, e sheh fotografinë nga larg dhe papritur kupton se ajo nuk po të tregon vetëm njerëzit, por emocionet, dhimbjet dhe shpresat. Po të kujton edhe se nga je. Kjo sofër flet shumë.








Comments