Vaso Papaj: Muret
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 15
- 1 min read

E di, nëna ime, nuk po bëj mëkat,
Po s’mundem të jem në jetë spektator.
Bota nuk mbaron tek muret fabrikat,
Që mbyllin prej vitesh pak metra katror.
Mos më shih ashtu, dua të më flasësh.
Buza po të dridhet, lotët çurk të rrjedhin
Nuk do mundësh dot, në prag të më ndalësh.
Vet na ke mësuar, erën pas ta ndjekim.
E di, nëna ime, ti do t’më kuptosh.
Buza po më dridhet, në sy s’të shikoj.
Derën seç e mbylla, shkallët zbrita poshtë.
Pas po i le muret, dete do t’kaploj.
Lamtumirë kalçeto, rrethuar me plepa!
Lamtumirë maturë, vajzë me bishtaleca!
Mbeçi mirë bilbila te kafazi mekur!…
Kudo që të shkoj, keni për t’më ndjekur.
Comments