top of page

Vaso Papaj: Flakadan prej ere

  • Jan 22
  • 1 min read

Flakadan prej ere

(Frederik Rreshpjes dhe jo vetëm)

Frederik,

Edhe pse s’të njoha asnjëherë,

Kurrë s’është vonë të të them:

Flakadan ke qenë, në terr.

Nga vinte ajo dhunti të mbeteshe në këmbë,

Nga ngjyrat dhe liria të ngjaje me Van Gog,

Kur të mbytnin thonj e skërmitnin dhëmbë

Dhe heshtja si flakë ferri vështronte nën tokë?!

Dhe ti me jetën tënde, si një fajtor pa faj,

Si flakadan prej ere shpalosur nëpër erë,

S’dite të mbërtheheshe fort-fort pas saj,

Se si fëmijë ngjanin poetët ndonjëherë.

Frederik!

E ashpër vetmia jote, vetmi rebeli.

Rol i vështirë që lehtë ti s’ e ke bluar.

Ishe yll që në skenë të poezisë kurrë s’shkeli,

Ku dhimbja mbeti nga të vetmet çmime të paguar.

Dhe ike…

Në faqet e heshtjes atëherë diçka nisën të tjerrin…

Iu klitha: Merrini gazetat, flakini në Lanë të gjitha!

S’kanë ç’të thonë më dhe s’kanë ç’të nxjerrin,

Vetëm shkëlqim kallaji dhe blic me lakuriqa.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page