top of page

Vaso Papaj: Do jem me ju

  • 21 hours ago
  • 1 min read


Sa herë që thoni: Po na pushton mërzia,

S’do jem me ju me kuje të vajtoj.

E në rastistë, shpërtheni fjalët më të këqia,

S’do jem me ju, më shumë t’ju nervozoj.

Por unë do jem me ju, në të vërtetën do t’kërkoni.

Me ju, kur çmendurisht do të doni dashurinë.

Do jem me ju, në do të zgjidhni së mirës t’i besoni,

Kur shpirti në çdo hap t’u njohi Perëndinë.

Sa herë që thoni, se “një nesër” s’ do të ketë,

Nuk do jem unë, ai që ua mësova.

Sa herë që zemra s’do t’mund t’u rezistojë një jetë,

Nuk do jem unë ai që ua shkaktova.

Por unë do jem me ju, kur të kërkoni rrugë të tjera.

Do jem me ju, kur do t’adhuroni burrërisht lirinë.

E prapë me ju, kur s’do të doni ligje të mjera,

Që nuk mbështesin ëndrra mbështjellë me urtësinë.

Unë jam Poet. Për ju do të desha veç mirësinë.

Një këngë do t’jem, gjithnjë në mendjen tuaj.

Do të kthehem ledhja nëpër trup, t’u heq egërsinë.

Do jem e qeshura, që s’le askënd në botë të vuaj.

Se çdo Poet, ta dini, ka një histori kësaj jete:

S’’ka për të qenë kurrë dhimbja,

që lumturin’ e merr me vete.

Shkrimet e fundit

bottom of page