top of page

Vasil Premçi: AZIS NESIN DHE THËNIA E TIJ PËR POPULLIN SHQIPTAR…

  • 1 hour ago
  • 5 min read

 

Nuk e di nëse Azis Nesini e ka thënë atë fjali.

Kjo është e gjitha.

Ose, më saktë, kjo është pikërisht arsyeja përse po shkruaj.

Takimi im letrar me shkrimtarin e njohur turk u nxit nga përkthimet e tregimeve të zgjedhura të një përkthyesi të ri, Spartak Kadiut, i cili në atë kohë nuk i kishte hequr ende brisk faqes.

Duke pranuar të luaja rolin e redaktorit të librit, u zhyta, si pa kuptuar, kokë e këmbë në detin e krijimtarisë së Azis Nesinit.

Dhe sa më shumë e njihja shkrimtarin, aq më shumë më tërhiqte njeriu.

Sepse Nesini ishte nga ata shkrimtarë që e shikonin botën jo vetëm me sytë e shkrimtarit, por edhe me syrin e satiristit: atë sy që kap një të çarë të vogël në mur dhe, duke e ndjekur, zbulon gjithë ndërtesën.

Kur erdhi në Shqipëri, në vitin 1979, ai nuk ishte i panjohur për lexuesin shqiptar. Librat e tij ishin përkthyer e botuar. E priti Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, me Dritëro Agollin në krye, dhe revista “Hosteni”, me Niko Nikollën.

Këtu fillon edhe historia ime, por jo historia e Nesinit. Historia ime me një fjali të Nesinit.

Disa orë përpara takimit me shkrimtarët shqiptarë, Dritëro Agolli dhe Niko Nikolla e shëtitën mikun turk nëpër Tiranë.

U ulën në një kafene pranë Kafe Operës.

Nesini bisedonte përmes përkthyesit. Dëgjonte. Qeshte. Shikonte.

Dhe, siç ndodh në kafenetë shqiptare, një shkrimtar erdhi e u ul midis tyre.

Pastaj një tjetër. Pastaj edhe një tjetër.

I pari sapo kishte mbaruar një libër me mbi dyqind faqe. Nesini, natyrisht, e pyeti se për çfarë bënte fjalë libri i tij.

— Për zierjen e rakisë, — iu përgjigj menjëherë tjetri.

Dhe këtu filloi shpjegimi i hollësishëm për “llullajën”, për atë rrëkenë e hollë që duhej të ishte aq e hollë sa një shurrë keci të porsalindur, ndryshe nuk do të dilte raki ballkazani, por ujë i gazuar.

— Më besoni për vërtetësinë e saj, — këmbënguli ai, — ja, për këta dy sy. Mbetsha qorr nëse ju gënjej!

Nesini dëgjonte.

Pastaj erdhi një tjetër. Edhe ky kishte shkruar një libër. Kujtime nga ushtria.

Rekruti, kur ikën pa leje, mendon për shtëpinë, shokët, miqtë. Kur kthehet, mendon për ndëshkimin.

Nesini dëgjonte.

Kalimtari iu drejtua Dritëroit duke treguar se kishte përfunduar një tregim për revistën “Hosteni”. Këtu Nesini, sigurisht, si shkrimtar satirist, luajti vendit dhe e dëgjoi tjetrin tërë sy e veshë. U duk sikur e pushtoi një ndjenjë xhelozie, sikur tjetri i kishte hyrë në hise.

Shkrimtari i porsaardhur nisi të tregojë plot seriozitet:

— Heronjtë e tregimit tim janë dy shokë, të cilët rrinin bashkë natë e ditë. Njëri prej tyre, që merrej me politikë, i premtoi tjetrit se, nëse fitonte zgjedhjet për kryetar bashkie të qytetit — bëhet fjalë për qytetin e Shkodrës, djepin e humorit shqiptar — të nesërmen do t’i gjente edhe atij një punë për të qenë.

Ndodhi ajo që ëndërronin të dy shokët.

Kandidati i ri fitoi dhe, kur iu paraqit shoku i tij pa punë, kryetari i ri, duke kruajtur kokën nga telashet e mëdha me të cilat ishte përballur qysh ditën e parë në karrigen e kryetarit të bashkisë, iu drejtua edhe me humor, por edhe plotësisht i sëkëlldisur:

— E di ç’ke ti? Më mirë merr këtë fshesën me të cilën kanë pastruar sheshin para bashkisë dhe nisja menjëherë punës.

Pas tre ditësh, kryetarit të porsazgjedhur të Shkodrës i vjen një telegram urgjent:

“Ndodhem në Lezhë, duke vijuar punën sipas porosisë suaj. Fshesa që më dhatë para dy ditësh është ngrënë nga fërkimi me asfaltin. Të lutem, më dërgo një fshesë të re.”

Pa përfunduar tregimin shkrimtari i humorit, Azis Nesini nuk i përmbajti të qeshurat.Nuk mund të kishte konfirmim më të madh se sa ato të qeshura plot jetë të shkrimatrit të njohur turk për kolegun e tij të panjohur shqiptar.

Dhe unë mendoj se, në atë çast, satiristi turk kishte filluar ta kuptonte Shqipërinë.

Jo nga fjalimet.

Jo nga raportet.

Jo nga ceremonitë.

Nga kafeja.

Nga rakia.

Nga ushtari që ikën pa leje.

Nga shkrimtarët që kishin gjithmonë nga një libër të ri në xhep.

Dhe ndoshta nga vetë fakti se, po të qëndronte edhe pak në atë tryezë, do të shfaqej edhe një shkrimtar tjetër.

Duke iu afruar orës së takimit, grupi u ngrit dhe u drejtua për në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Pas fjalëve të mirëseardhjes, Nesini mori fjalën.

Dhe atëherë, sipas rrëfimit që ka ardhur deri tek unë, ai tha:

— I dashur dhe i shtrenjti popull mik shqiptar shkrimtar!

Kaq.

Kjo është fjalia që kërkova.

E kërkova në gazeta.

Në revista.

Në kujtime.

Në rrëfime.

Nëpër gjurmët e asaj vizite.

Gjeta shumë gjëra.

Por jo këtë fjali.

Dhe atëherë më erdhi në mendje Huan Rulfo.

Rulfo thotë se krijuesi duhet të dijë çfarë di dhe çfarë gënjeshtrash thotë. Sepse, po hyre vetëm te e vërteta e gjërave që ke parë e dëgjuar, atëherë po bën histori ose reportazh.

Rulfo më zgjati dorën e tij bujare.

Më tha, si të ishte ulur pranë meje:

— Vazhdo.

Dhe vazhdova.

Sepse unë nuk po shkruaj procesverbalin e takimit të Nesinit me shkrimtarët shqiptarë.

Po shkruaj për një fjali.

Një fjali që mund të jetë thënë.

Mund të mos jetë thënë.

Mund të jetë thënë ndryshe.

Mund të jetë dëgjuar gabim.

Mund të jetë zbukuruar gjatë rrugës.

Por, sido që të ketë ndodhur, ajo ka mbijetuar.

Dhe kjo më bën të mendoj se ndonjëherë kujtesa është një arkiv i çuditshëm.

Dokumentet mund ta humbin një fjali.

Kujtesa mund ta shpëtojë.

Dhe ja ku më del përpara përsëri ajo pamje.

Kafeneja pranë Operës.

Dritëro Agolli.

Niko Nikolla.

Azis Nesini.

Shkrimtari i rakisë.

Shkrimtari i ushtrisë.

Edhe të tjerë që vijnë njëri pas tjetrit.

Nesini dëgjon.

Dhe ndoshta, ndërsa dëgjonte, po shkruante brenda vetes një tregim të vogël shqiptar.

Sepse ai e dinte më mirë se kushdo se absurdi nuk ka nevojë të shpiket.

Mjafton ta gjesh ulur pranë teje.

Në një kafene.

Në një zyrë.

Në një repart.

Në një tryezë shkrimtarësh.

Apo në një sallë ku një mik i huaj ngrihet për të folur.

Dhe thotë:

— I dashur dhe i shtrenjti popull mik shqiptar shkrimtar!

Pastaj?

Pastaj vjen ajo fjalia tjetër.

Ajo që nuk e gjeta.

Ajo që mori dhenë.

Ajo që më solli deri këtu.

“No comment.”

Sepse ndoshta, në fund të fundit, nuk është aq e rëndësishme nëse Azis Nesini e tha apo nuk e tha.

E rëndësishme është se dikush ia dha Shqipërisë atë fjali.

Dhe Shqipëria e mbajti mend.

Ndoshta kjo është arsyeja përse ajo fjali vazhdon të jetojë.

Edhe pse dokumenti mungon.

Dhe unë, pas kaq shumë vitesh, vazhdoj ta kërkoj.

Ndoshta kot.

Ndoshta jo.

Por Rulfo më ka thënë tashmë të mos ndalem.

Sepse letërsia fillon pikërisht aty ku dokumenti mbaron.

No comment.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page