Vasil Klironomi: PJESËMARRËS NË GREVË
- 2 hours ago
- 3 min read

Fragment nga novela
Takohemi të shtunën
Të premten, greva do të fillonte në orën njëmbëdhjetë paradite. Një ditë më parë, pronarët e kopshtit foshnjor njoftuan prindërit të mos i sillnin fëmijët, për arsye se shoferët dhe edukatoret do të mernin pjesë në atë tubim; veprim ky që nuk u pëlqye (sidomos nga nënat.) Të revoltuara, e quajtën veprimin të nxituar dhe kërkuan nga pronarët largimin tonë nga puna. “Nxitimi është privilegj i rinisë!” u shpreh njëra prej edukatoreve pa marrë parasysh moshën e shoferëve dhe pa menduar gjatë, i nxori gjuhën atij kërcënimi të hapur. Të zemëruar nga veprimi i pronarëve dhe kërkesës së nënave, shkuam para orës dhjetë në sheshin Omonia. Pas pakë, erdhën studentët; të tjerë dolën nga metroja. Të organizuarit e partive opozitare, zbritën nga Politeknikumi duke shoqëruar ngritjen e flamujve me thirrje e parulla. Tanimë kuptohej lehtë se nuk bëhej fjalë vetëm për vjedhjet që kish kryer ministri i mbrojtjes, por për shkakun e fortë që gjeti opozita. Ndërkaq, turma sa vinte e bëhej më e ngjeshur. Një çast, kolegu i shqetësuar më tërhoqi për krahu; nga grupi mungonte njëra prej edukatoreve dhe pikërisht ajo që për gjithçka reagonte me të gjitha mënyrat. Njëherë gjatë kthimit të fëmijëve në shtëpia, nga brenda xhamit të pasmë të një veture, një vogëlush na tregoi ariun e tij pelush. Veprimi fëmijëror, edukatores i zgjoi dëshirën të hynte në lojë; hapi dollapin e vogël dhe nxori që andej një biberon. Vogëlushi u përgjigj me një lokomotivë, edukatorja me një kukull Barbi, vogëlushi me një telefon, edukatorja me një aeroplan dhe shumë mjete të tjera që mblodhi nga fëmijët. Atëherë loja u kthye në luftë. Bambinua nxori gjithë inat prej ndenjëses mitralozin dhe na shënoi të dyve; unë ula marshin të mos na marrin plumbat. Kjo ishte edukatorja që duke qeshur, më kujtoj se duhej të ktheheshim mbrapsht, të linim një fëmijë që kishim harrur.Ndërsa e kërkonim duke bërë shteg mes parullave dhe flamujve, në rrugët me një kalim u shfaqën ata të njohurit e panjohur, duke mbajtur nëpër duar kondakët e trashë të kamufluar me flamuj. Tani më, dukej qartë që po përgatitej një trazirë dhe ne grevistët e paorganizuar ishim viktimat. Kishe të drejtë i thashë kolegut, që ngriti supet dhe reagoi me plastikën e fytyrës për të më kujtuar se në atë çast, duhej të kërkonim çamarroken; së fundi e gjetëm. Edukatorja, e vënë përball tre qenve pa zot, ishte mbështetur në piedestalin e marshallit shpatë-zhveshur dhe e frikësuar, priste që dikush ta nxirrte prej ngërçit. Kolegu me eksperiencë në përleshje, u hyri qenve me shkelma dhe si tërhoqi përkrahu edukatoren, i hodhi një vështrim të rreptë marshallit që kish përqendruar vështrimin tej horizontit dhe nuk shikonte se ç’po ndodhte poshtë hundës. Të gjitha këto, në çastet kur në rrugën Amalia rreth njëqind polic të hipur në motorë, gazonin sikur të prisnin një urdhër. Po ashtu nga Pylli Kombëtar, forcat e ndërhyrjes së shpejtë të kamufluara mes gjethesh filluan të lëvizin. Të njohurit e panjohur u ndanë në dy grupe. Shumë hynë mes ne grevistëve, ndërsa të tjetër me gurët që nxirrnin nga xhepat, thyen xhamat e vitrinave; më pas, u “përleshen” midis tyre. Pikërisht në atë çast policët e hipur në motorë, na rrethuan gjoja për të na mbrojtur, por globet dhe gazi lotsjellës treguan. Me këta të fundit në atë pështjellim, u larguan të gjakosur; të gjakosur, por dhe triumfues, se arritëm të ngrinim zërin aty ku duhej të dëgjohej.








Comments