top of page

Vasil Klironomi: Komponentët e arritjes

  • 5 hours ago
  • 3 min read


                                      


Krijuesi nëpërmjet një gjuhe të përtëritur, na njeh me botën që na rrethon. Gjuha përtëritet dhe merr vlera nga karakteristikat gjuhësore. Këto të fundit bëjnë që lexuesit të dallojnë librin e një krijuesi të mirë.

Sigurisht kjo kërkon kohë. Kush është matësi i kohës në një libër ? Na e thonë vlerat e krijimit.

Transferimi i krijimit nga koka e krijuesit  si objekt vëzhgues në atë të lexuesit, si objekt ndikimi, është thjeshtë lëvizja e një shqetësimi.

Nëpërmjet shqetësimit, krijuesi i pajisur me dije e interpreton atë ( dijen) si rreze të veprimit të tij. Dija si element informues i jep forcë zërit të autorit dhe mundësinë  të na afroi me karaktere që në përfytyrimin ton do t’i bartim me vete edhe  pas leximit të librit.

KrijuesI i mirë  veç dijeve, karakterizohet dhe nga talenti. Talenti është burimi i fillesave, që shoqëron  dhe i jep shtytje gjendjes aktuale të  krijuesit.  Pa talentin, ai që merr penën në duar është i mallkuar se krijimi i tij, është i detyruar të vdesë.

Mençuria e shkrimtarit, nuk është mendimi i ngjeshur dhe absolut. Mençuria e shpëton shkrimtarin nga aforizmat dhe si e tillë,  respektohet nga lexuesi ashtu si dhe zgjuarsia e cila  nëpërmjet humorit bënë më të ëndshëm leximin . Mençuria dhe zgjuarsia, njëra e ngadaltë, tjetra e shpejtë dhe enigmatike.

Enigma, shpesh e çuditshme, stërvit mendjen  dhe ndihmon në dekodimin e  hermetizmit . Hermetizmi, kjo mënyrë magjike e të menduarit me rrënjët në Egjiptin e lashtë, është bërë identiteti i një numri të vogël krijuesish të talentuar. Pas zbërthimit të shpërblen me kënaqësinë.

Një libër shumë komponentësh, kërkon dhe çlodhje. Humori i mirë, e  ndihmon lexuesin të qesh pa përpjekje. Truri i tij fiton energji dhe bëhet më aktiv. Si konkluzion, larmia e formave të humorit në një libër sidomos në atë voluminoz bëhet shpëtimtare dhe cilësohet si fenomen diturie. Shkrimtarë që i njohin vlerat e humorit tërheqin vëmendjen e lexuesit me këtë fenomen që në themel, ka një mënyrë të veçantë komunikimi dhe vlerësohet  si  prirje.

Prirja ose tendenca për një drejtim të caktuar, merr zhvillim nëpërmjet aftësisë. Aftësia krijuese  bënë  temën (sa do e rrahur të jetë,) të marr ngjyrat e një  shqetësimi të ri.  Nëpërmjet një aliazhi komponentësh sjell në skenë  intrigën. Pa intrigën, jo vetëm letërsia, por dhe  jeta nuk do të merrte zhvillim. Njeriu do të jetonte gjithmonë i nguruar, përherë, do të ishte i tkurrur brenda vetes. Përfytyroni rrjedhën e jetës pa Kalin e Trojës. 

Sigurisht një shqetësim i ri kërkon dhe  neologjizmin. Në ditët që jetojmë gjuhët e huaja  janë futur në jetën tonë të përditshme, kështu që neologjizmi është komponent i domosdoshëm gjuhësor. (Neologjizmi dhe jo modifikimi .) Ka shkrimtarë që me qëllim,  i nxjerrin neologjizmat nga gojët e personazheve, të përthyera. Këto përthyerje, përfundojnë në ndikime neveritëse. Përthyerja e neologjizmave nuk është  alegori, se  alegoria shpesh merr përmasa metaforike dhe ndihmon në sqarimin e një koncepti. Përthyerja (ashtu si në fenomenet natyrore,) i ndryshon drejtimin fjalës dhe si e tillë, mund të quhet lajthitje. Përthyerja nuk ka perceptim ( përkapje)si sarkazma. Në sarkazëm fjala është e përzgjedhur në çast nga zgjuarsia, (mëma e mendimit të shpejt ,) shpesh e panënshtruar. Mendimi i shpejt kërkon dhe një zgjidhje të shpejt. Le të kujtojmë zbërthimin e enigmës së Sfinksit prej Edipit i cili me ndihmën e imazhit, zgjidhi enigmën dhe detyroi Sfinksin të rrëzohej prej shkëmbit.

Pra në thelb të gjithë këta komponent, kanë një lidhje farefisnore. Talenti, mençuria, zgjuarsia, etj, së bashku me karakteristikat gjuhësore, përtëritin gjuhën dhe i japin krijuesit mundësinë, që libri i tij të bëhet i lexueshëm.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page